Kulturë
Albert Zholi: Mark Topollaj - Si më shpëtoi Kol Jakova nga Ramiz Alia
E enjte, 30.04.2020, 12:16 PM
INTERVISTË/ Flet aktori dhe regjisori Mark Topollaj: Si më shpëtoi Kol Jakova nga Ramiz Alia
-Kur
konkurova për aktor në juri ishin Çefranova (Ruse) së bashku me Xhemal Broja,
Andrea Malo.
-Recitimet
para Çu En Lait me Roland Trebickën, më bën me kostum, se isha me pantallona të
grisura
-Thoma
Deliana, Kristaq Rama dhe Abdyl Këllezi më ndihmuan në kohë të vështira
-
Tek filmi “Komisari i Dritës”, Fadil Paçrami ma heq mua rolin kryesor dhe ja
jep Rikard Ljarjes.
Nga
Albert Z. ZHOLI
Mark Topollaj ka lindur më 18
gusht 1937 në Rrëshen, në rrethin e Mirditës. Jeta e tij dhe kontakti me artin
skenik është e karakterizuar me ngjarje dhe kthesa të pabesueshme. Duke
pasur parasysh se në atë zonë mineralet janë pjesë e jetës së vendalinjve,
studioi për teknik gjeolog. Gjeologjia ishte profesioni më i dashur për
mirditorët e asaj kohe. Kurrë nuk e shkonte ndërmend se mund të bëhej aktor aq
më tepër regjisor. Por në Rubik, ai rastësisht mori pjesë në një shfaqje drame
nga klasa punëtore me një rol të vogël. Në shfaqje kishte dhe shumë inxhinierë
dhe specialistë rus, por dhe mësues dhe intelektualë nga fshatrat përreth. Kjo
dramë bëri që atë ta nxitnin të mirej me aktrim dhe të konkurronte. Ishin
dashamirësit e artit të Rubikut që e lavdëruan për rolin dhe i thanë me
zemër se rruga e tij e jetës do të ishte arti, aktrimi dhe jo gjeologjia.
Një nga pengjet e tua
ka ngelur mos realizimi i skenarit për revoltën e Spaçit, përse bën fjalë ky
skenar?
E the drejtë, ky film është pengu im se ka vite që punoj dje ka vite që kërkoj
mbështetje financiare por më kot. Skenari bën fjalë për revoltën në burgun e
Spaçit, ku prezantohet preludi i degradimit komunist. Historia e kësaj utopie në
Shqipëri shihet në panoramën e eliminimit të mijëra njerëzve të thjeshtë,
intelektualë dhe artistë që kishin kuraje të shprehnin mendimin e lirë. Ky fakt
interpreton mendimin tragjik të një realitetit të pashembullt në hapësirën
kohore jo larg nesh. Për mendimin tonë ky skenar hap një dritare për të parë të
vërtetën jo të largët dhe nis rrugën e investigimit të kësaj epoke. Për epokën
e komunizmit ai shprehet me realizmin e imagjinatës, por i përgjigjet
realitetit me reagimi të forta psikologjike dhe dramatike.
Rruga juaj drejt
artit nisi rastësisht nga një rol i vogël në një dramë në Rubik. Kush ishte në
Juri kur ju konkurruat për aktrim?
Vërtetë ai rol i vogël i një drame në
Rubik, solli ndryshimin e jetës time. Kjo ishte shtysa që unë të shkoja të
konkurroja. Në vitin 1959 kur unë do konkurroja, Teatri Kombëtar kishte
regjisore një grua ruse të bukur, të zgjuar të dashuruar me profesionin. Ajo
kishte një emër interesant, Çefranova. Kur unë shkova në konkurs Çefranova
ishte ndër kryesoret në juri së bashku me Xhemal Broja, Andrea Malo. Konkurrimi
ishte shumë korrekt. Në atë konkurrim ishim rreth 40 vetë dhe në fund fituam një
femër dhe unë. Vajza quhej Irena Ballkameni. Pra dy veta. Në konkurrim u
paraqita me një pjesë nga “Poema e mjerimit” të Migjenit dhe një pjesë ruse.
Por kur menduat se
tashmë e gjetët rrugën e jetës, juve ju thirrën sërish në detyrën e gjeologut.
Si u riktheve sërish në rrugën e artit?
Ah, ke shumë të drejtë. Athere nevojat
për gjeolog ishin më të mëdha se ato për aktor. Kur fitova dhe mendoja se si do
realizoja rolin e parë apo si do vazhdoja shkollimin ndodhi ajo që nuk prisja.
Më thërrasin sërish ën gjeologji. Atë natë kam qarë. Nuk dija çfarë të bëja. Ëndrra
mu pre në mes. Në këtë kohë prishen marrëdhëniet me BS dhe regjisorja Çefranova
largohet në Rusi. Ishte viti 1961. Janar. Çefranova kishte dhënë një intervistë
tek gazeta “Pravda” dhe midis të tjerave kishte thënë se në Shqiëpri nuk
respektohet arti, madje fyhet. Një djalë i ri me talent që fitoi në konkurs, e
heqin nga shkolla pa asnjë shkak. Ky djalë që quhej Mark Topollaj plot talent
dhe energji, kur nuk e mendonte e heqin nga arti dhe e çojnë në
gjeologji. Unë kur ishte shkruar ky artikull as dija gjë, as dija çfarë
ishte shkruar, por vazhdoja punën si gjeolog në Lajthizë të Oroshit. Kur
nuk e prisja në çadrën që kisha aty vjen Drejtori i Gjeologjisë Bajram Cuku.
Ishte së bashku me një djalë të ri. Drejtori pa më bërë shumë muhabet më thotë,
jepi dorëzimet këtij djalit dhe nisu për mësime për aktrim në Tiranë. Nisem
fluturimthi. Mora vesh se këtë nder ma kishte bërë Xhemal Broja.
Gjatë studimeve a u
ngjite në skenë dhe me çfarë pjesësh?
Po, gjatë shkollës mora pjesë në dramën
“Romeo dhe Zhuljeta” si dhe “rruga e largët e Arbuzovit”. Kjo fundit
ishte tragji-komedi.
Pra rruga juaj nisi
si aktor?
Po. Në fillim më thanë se do rrija në
Tiranë, dhe fillova punë në teatrin Kombëtar. Por Mirdita kishte shumë mungesa
në drejtim të artit dhe ndërhynë shumë që të shkoja aty. Sa shkova
në Mirditë më thirrën të merrja një rol tek filmi “Komisari i Dritës”. Më thanë
se do kesh rolin kryesor. Në momentin që unë do filloja punë me rolin vjen
Fadil Paçrami dhe ma heq mua rolin kryesor dhe ja jep Rikard Ljarjes. Të
them të drejtën Rikardi mbetet aktor i madh. Pastaj më dhanë një rol të vogël.
Fill pas filmit më çojnë përgjegjës Kulture në fshatin Prosek.
Pse të hoqën nga
Mirdita dhe pse kaq injorim të punës kur kishe kaq shumë kërkesa për Tiranë?
Se di si bëheshin punët, por
Ministria e Arsimit reagoi ndaj emërimit tim në nj fshat të thellë. Aty erdhi
dhe më takoi zëvendësministri i Arsimit Ali Abdihoxha. Pas tij erdhën dhe më
takuan ministri Thoma Deliana por dhe skulptori i madh Kristaq Rama. Unë u bëra
prezent punën time dhe ata s’më jepnin përgjigje. Kristaq Rama më pyeti me hollësi
dhe më afroi shumë. Pas disa ditësh takoj rastësisht sërish ministrin Thoma
Deliana në Shkodër. Sa më pa më pyeti: Nuk të ka ardhur transferimi? Jo, i
thashë. Ai pastaj foli me Sekretarin e Parë të Shkodrës, Jorgji Shuli i cili më
komunikoi transferimin në Kinostudio. Po me ndërhyrjen e Thoma Delianës pasi
kishte miqësi me Kryetarin e Komitetit, Abdyl Këllezi.
Të flasim për punën si regjisor, cili
është filmi i parë si regjisor? Me kë regjisor ke bashkëpunuar?
Në atë kohë, kur ishe i ri, kurrë nuk
mund të merrje një film si regjisor. Filmat e parë do ishe si asistent regjisor
dhe vetëm kur të shihej ecuria jote ahere mund të kaloje si regjisor. Filmi i
parë si asistent ishte “Plagë të vjetra”, ku regjisor ishte i talentuari Dhimitër
Anagnosti. Në këtë film mora dhe një rol të vogël dhe njëkohësisht bëra dhe
rekuizitën. Pra njëkohësisht asistent-regjisor, një rol dhe rekuizitën. Të
punoje me Dhimitër Anagnostin ishte fat.
Çdo regjisor filmin
e parë e ka me shumë përgjegjësi dhe me shumë frikë, kush ishte filmi
juaj i parë dhe si e mbani mend atë? Çfarë ka qenë film artistik apo dokumentarë?
Eh filmi i parë. Filmi i parë ishte
artistik. E mbaj mend si sot. Ishte filmi “Dollia e dasmës sime”. Një
film që do vendoste se si do shkonte e ardhmja ime. Atë kohë kur do
të aprovohej filmi do të shkonte në Komitetin Qendror. Fati e pruri që
filmin tim ta shikonte vetë Enver Hoxha. Si më thanë më pas miqtë e mi
dhe një anëtar i KQPPSH, Enveri e vlerësoi shumë dhe u kënaq pa masë.
Personazhin tim atë të vajzës ai e krahasoi me Brixhid Bardonë. Por çuditërisht
ai foli për skenaristin artistët, ndërsa për mua regjisorin nuk foli asnjë fjalë.
Për këtë film më aps ai shkroi tre faqe analizë tek vepra e 36-të.
-Kjo eksperiencë
pasoi me film tjetër artistik?
Po. Pas këtij filmi unë realizova
filmin tjetër artistik “Heronjtë e Vigut” me skenar të Kol Jakovës. Më pëlqeu
skenari dhe ju përvesha punës. Besoja se do të kisha sukses më të madh se filmi
i parë për të vetmen arsye se tashmë kisha një eksperiencë dhe skenari ishte
shumë premtues. Kur mbarova filmin dhe prisja të shfaqej çuditërisht ai u
bllokua fare. Pati diskutime nga më të ndryshmet. Isha në siklet. Njëherë
thoshin është skenar i dobët, njëherë është regji e dobët, njëherë tjetër se është
realizim artistik i dobët, çfarë nuk flitej. Por ajo që më shqetësonte
ishte se filmi u bllokua dhe kisha përgjegjësi. Ditë të tëra në siklet.
Nuk jua thanë
arsyen?
Kur unë isha në kulmin e meditimeve të
brendshme më thërret Ramiz Alia së bashku me Drejtorin e Kinostudios. Bashkë me
ta ishin dhe disa anëtarë të KQ. Kur unë isha nën ethe Ramizi zbërthen çështjen
përse ndalohet filmi. Ai tha se roli i Ndrek Lucës i përket një
personazhi të Legalitetit. Në këtë zonë ruhet ende simpatia për Legalitetin
ndaj ne nuk duhet të zgjojmë asnjë simpati për këtë parti, ose më saktë tha”Nuk
duam t’ja dëgjojmë emrin Legalitetit”. Por duke vazhduar më poshtë, ai më
kritikon duke më thënë se ti shoku Mark në film e ke nxjerrë Mirditën
revolucionare, kur ajo në fakt në luftë ishte reaksionare. Pastaj më theksoi se
kishte qenë Sekretar i Rinisë në kohën e luftës në Gojan të Mirditës dhe burrat
e fshatit ikën nga shtëpitë kur ne u futëm brenda në fshat. Nuk kuptoj pse e ke
nxjerrë kaq revolucionare Mirditën këmbëngulte Ramizi. Isha në siklet. Djersë të
ftohta ma përshkuan trupin. Vendosa të flas. I them shoku Ramiz Mirdita ka
pasur dy cilësi në luftë, kush ja dha fjalën partisë ka vdekur me këtë fjalë,
kush ishte kundër partisë ka vdekur duke e luftuar atë.
Po skenaristi,
Kol Jakova a ishte aty? A reagoi?
Po aty ishte. Kur unë dhashë
arsyetimin tim, nuk pati ndonjë reagim për mirë. Në këtë kohë ndërhyn vetë Kol
Jakova. Shoku Ramiz për skenarin nuk ka punë Marku, skenarin e kam shkruar unë
dhe ai ka zbatuar skenarin tim. Për këtë gjë nuk është përgjegjës Marku. U lehtësova.
Ishte shpëtim për mua kjo ndërhyrje. Kola kishte personalitet dhe ishte burrë i
zgjuar dhe i mirë. Por ky film më mbylli shumë shtigje asi diskutohej në parti
se filmi kishte gabime ideologjike, anashkalonte partishmërinë etj...Por këto
fjalë ishin shumë vrastare në atë kohë. Karriera ime ishte në rrezik.
Me sa kam parë më
vonë ju u orientuat drejt filmit dokumentar. Ky orientim ishte më rezultativ ?
Kjo goditje bërë që ën shumë raste të
stepesha të qëndroja i tërhequr në kërkesa. Ndër filmat e pastajmë ishin
“Hetimi vazhdon”, si dhe disa filma dokumentarë që patën sukses. Ndërsa ndër
filmat artistikë do veçoja filmin “Guri i besës” për Revoltën e Spaçit me
skenar të shkrimtarit Agim Gjakova. Vazhdova më pas me filmin “Dasma e shtyrë”
me skenar të poetit Ndoc Papleka.
Ndër filmat
dokumentarë kë do të veçoje?
Filmi im më i mirë dokumentarë siç e
kanë thënë dhe kritikët mbetet “Shqipëria turistike” i cili dhe sot shfaqet me
sukses të plotë sikur të jetë realizuar në këtë periudhë. Madje duhet të
dini se dhe ky film kaq shprehës për vendin tonë shfaqej më shumë në ambasada
apo panairet në botë ku merte pjesë dhe Shqipëria. Në Shqipëri për vite të tëra
nuk shfaqej pasi thuhej se ishte shumë modern për kohën.
Në shumë biseda që
kemi bërë më keni thënë se e keni njohur Sali Berishën shumë shpejt, pra në kohën
e regjimit madje keni bashkëpunuar me të?
Po!. Sali Berishën e kam njohur kur ishte
djalë i ri dhe bënte praktikën në Qendrën Radiologjike në Tiranë. Atë kohë
unë po xhiroja filmin dokumentar “Për shëndetin e Popullit” dhe më duhej një
personazh një mjek i ri. Hysen Karai që kishte qenë pedagog i Sali Berishës, më
ofroi Saliun si personazh duke folur me simpati për të. Madje ai shkoi dhe më
tej duke theksuar se Sali Berisha është shumë egoist dhe shumë punëtor. Ishte
vitit 1976. Saliu kishte një defekt në xhirime. Gjithmonë e mbante kokën poshtë
sa e mërziti operatorin. Një moment ai u nxeh dhe i thotë Berishës të
lutem çoje kokën se nuk kam çfarë filmoj, nuk do njihesh si personazh.
Kur je ndjerë më keq
si artist por edhe si njeri i zakonshëm?
Njeri ka shumë momente në jetë kur
ndihet keq, por unë do të sjell një moment shumë të largët në kohë. Ishte vitit
1962. Në Tiranë do të vinte Çu En Lai një ndër udhëheqësit më të mëdhenj të Kinës.
Ishte një vizitë e pazakontë që vuri në lëvizje gjithë shtetin. Për ta pritur
sa më mirë më caktuan mua dhe Roland Trebickën të recitonim poezi që
flisnin për miqësinë e dy vendeve. Këtë ma komunikuan Drejtori Xhemal Broja dhe
regjisori i madh Kujtim Spahivogli. Recitimet do ti bënim në Pallatin e
Brigadave ku do të ishte prezent vetë Enver Hoxha. Në fillim e prita mirë por të
nesërmen ndërrova mendje dhe shkova u thashë të dyve drejtuesve se nuk mund të
interpretoj. Ata shtangën. Më panë me habi. Po luaja me zjarrin. E kishte
vendosur partia. Në fillim ata s’folën se shtangën nga ajo që u thash. Xhemal
Broja goditi me forcë tavolinën duke më thënë që kjo që bën është marrëzi. Më
thuaj arsyen më thanë. Unë i turpëruar u ktheva nga pas dhe u tregova
pantallonat e mia me arna. Si mund të kthehem unë me kurriz kur të largohem dhe
të le pas tyre mballomat e mia? Sa më panë ata u shfrynë të lehtësuar. Menjëherë
morën masat dhe më çuan tek një rrobaqepësi. Më bënë një kostum aq të bukur sa
nuk e kishte as Çu En Lai. Ishte dhurata dhe kostumi më i bukur që kam bërë në
atë regjim.
BOX
Njohja me Kristaq Ramën
Të madhin dhe të pakrahasueshmin
Kristaq Rama e kam njohur kur xhirohej filmi “Komisari i Dritës”. Ai ishte pjesë
e ekipit realizues. Duke parë sinqeritetin tim, varfërinë time, ai më
mbante afër. U shqetësua shumë kur më çuan në Porsek të Mirditës dhe erdhi dhe
më takoi aty me ministrin Thoma Deliana. Njëkohësisht Kristaqi kishte shumë miqësi
me Dhimitër Anagnostin, i cilë më ka ndihmuar shumë. Ishin përpjekjet e Kristaq
Ramës dhe të Thoma Delianës që erdha në Tiranë. Kur erdha dhe fillova punë në
Tiranë Kristqai çdo të shtunë më ftonte të pinim një kafe tek Pallati i Kulturës
dike mos më lënë kurë ta qerasja. Ishte shumë i ditur, shumë i talentuar dhe
shumë human. Thjesht, ishte njeri i rrallë.