E merkure, 13.11.2024, 06:24 AM (GMT)

Kulturë

?Adem Zaplluzha?: Thonë se këto lugje të verdha

E merkure, 29.04.2020, 10:03 AM


Adem Zaplluzha?

THONË SE KËTO LUGJE TË VERDHA

1.

E kujt është kjo natë

Krakëllima e së cilës

Nuk ndalet më shumë se

Dymijë tremijë vjet

Unë kurrë nuk i pashë zogjtë

Duke kënduar

Te Lugjet e Verdha

Atje vetëm guri i murrmë

Këndon një baladë të lashtë

Më pat thënë miku im

Shpendi

Se në ato legjenda Homerike

Zogjtë e verbër

Vdesin pa fluturuar hapësirave

2.

Më duket se fillova të besoj

Në legjendën e gurit

Këtu ku u lindën perënditë

Edhe gurët janë të shenjtë

Ja ky gur i murrmë

Kur këndon maje krahu

Ka një zë fantazmagorik

Sa që zogjtë e verbër

Sa ora

Vdesin në fluturim

3.

Atje përtej atyre gjetheve

Ku këndojnë

Dhe vdesin burrat vertikalisht

Zogjtë nuk cicërojnë asnjëherë

Thonë se kënga e tyre

I shëmbëllen vajit të legjendave

Në grykën e Valbonës

Edhe gurët si njerëzit

Dinë të vdesin duke kënduar

4.

Këto Male të Mira

U lindën nga legjendat

Dhe një ditë domosdo

Do kthehen në legjendë

Unë isha tepër i habitur

Kur preka

Preka me dorën time të fishkur

Lotin e kristaltë

Të grykës së zanave

Preka dhe u ringjallën gurët e vdekur

5.

Larg përtej kësaj gryke

Dhe ëndrrave të legjendave

Si mbi mjegulla të plumbta dukej

Kulla e Mic Sokolit

I cili topit të skuqur

Me gjoksin shkëmb

Për t’ia zënë frymën vdekjes

Ja mbylli grykën

Ky qiell paska mbetur

Pa asnjë ëndërr

Vetëm uji i akullt i Valbonës

Ia përkujton si me mall

Legjendën e dasmorëve të shkëmbit

6.

Nuk di se ku më mbeti kujtesa

Nga sytë e mi të lëbyrtë

Nuk pikojnë

Por rrjedhin çmendurisht

Rrjedhin

Stërkalat e akullta të Nuses së pafat

Dikush deshi

Të ja gjymtoj duvakun

Mbi shtratin e gurtë

Të saj ngriti dhembjen

Dhe më shumë se dymijë vjet

Qante mjegulla e maleve të murrmë

Qante për fatin e gurtë të burimit

7

Natë ferri mbi flokët e shkulura

Të rrapit kryeneç

Ku drurët gjithmonë vdisnin vertikalisht

Unë i njoh mirë

Më kujtohen dimrat e egër

Dhe kosat apokaliptik të vdekjeve

Me shije amoniaku

Asnjëherë netët

Nuk ishin të bardha këtu

Vetëm lokja

Me shaminë saj të bardhë

Imitonte dëborën

Mbi flokët e kreshtave të pathyeshme

Ah lokja ime e pafat

Pate mbi kokë një Shqipëri të grisur

E të copëtuar

Në shtatëqind

E shtatëdhjetë e shtatë pjesë

Dhe kurrë më nuk arrite

T’i shërosh plagët e gurëve

8.

Unë njoh një nënë

E cila lindi shtatë djem

E shtatë vajza

Si shtatë shtojzovalle

Dhe pa derdhur asnjë pikë loti

Ia dhuroi atdheut të gjymtuar

Këtu në këtë luginë

Ku u lindën perënditë

U lindën edhe burrat

Që e përbuzën vdekjen

Deri në vdekje

Nuk e njohën kurrë

Ose s’deshën të njohin

Shijen e verdhë të amoniakut

Gjithmonë vdiqën

Po në atë mënyrë se si vdisnin drurët

9.

Ulliri këtu rritej nga guri

Rritej si në legjendë

Mbillnim në mars

Dhe për shtatë vjet

E merrte dyfekun në dorë

Thonë se njerëzit nuk kanë kohë

Të presin aq gjatë

Që të piqen kokrrat e ullinjve

Para çdo stine

Kur ndizen zjarret e mëdha

Mu atë ditë piqen edhe ullinjtë

1o.

Më ka lodhur e dërmuar

Kjo heshtje e pakuptimtë

Sa herë që patëm nevojë

Ne i krijuam perënditë

Sepse atdheu

Asnjëherë s’mund të jetoj pa Zot

Kurse Zoti i jonë

Ishte plaku i shtëpisë

Dhe i biri i plakut

I cili përgatitej

Për flijimin e fundit kur kërkonte

Ky atdhe i leckosur dhe i sfilitur

11.

Nuk di a thua vallë

Mund të gjej ndonjë fjalë

Në degët e akacies

E cila çelë

Të gjitha llojet e luleve

Në shtatin e saj të vrarë

Ky peizazh i paparë diku tjetër

Mbase e ka shijen e mallkimit

Këtu as nuk vdesin

E as nuk lindin zogjtë

Thonë se këto Lugje të Verdha

U krijuan për hir të perëndive

_____

PEMËT LAKURIQE NË DY GJUNJË

Nga libri:Deri në baladën tjetër

-

Hasa në sy të mavijosur të pemëve

I tërë kopshti

Ishte shndërruar në një arenë lufte

Dizgjinët e këputur

Aty këtu mëgojëza të thyera

Dhe thundra të shkulura kuajsh

-

Një metamorfozë e padëgjuar

Shtrihej nëpër luadhet

E kositura dhe të djegura

Prej zjarreve të shrapnelave

Zogj pa krih me një trëndafil në sqep

Fluturonin nëpër ajrin e gjymtuar

-

Era përplot lagështi

Kundërmonte një lloj vdekjeje

Të padëgjuar deri më sot

Pemët lakuriqe në dy gjunjë

S’kishin shamia për t’i fshirë lotët

I përdornin fashat e gjakosura prej plagëve



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora