| E hene, 27.04.2020, 12:26 PM |
Lamtumirë prof. Lume Juka!
Dritë
ju pastë shpirti në Parajsë!
Eshtë
ndarë
nga jeta Prof. Lume Musa Juka një
intelektuale e devotshme e Diasporës, bashkëpunëtore e ngushtë e Nënë Terezës.
Si homazh po risjellë intervistën
e realizuar me këtë zonjë të nderuar sa të kulturuar po aq dhe paqësore dhe shpirtërore.
Ka qenë
një
komunikim si me dritëz
perëndie
që
akoma endet shpirtit tim.
Dy motra shkodrane, dy lule të bukura gjithë aromë të Mëmëdheut tonë
Bisedë me zonjën Lume Musa Juka, ose “sister” Lumen siç e
thërrasin motrat e Nënë Terezës
Bisedoi
Keze Kozeta Zylo
Zonja Lume Juka është një intelektuale e Diasporës, ajo
punoi si profesore e frëngjishtes një jetë të tërë, por dhe pse e detyruar të
largohej qysh në moshën fëminore nga Mëmëdheu, ajo kurrë s’e harroi vendin e të
parëve, vendlindjen e saj, Shkodërlocen e bukur.
Eshtë në nderin tonë si shqiptarë, që kemi midis nesh
këto figura të ndritura dhe që kanë punuar kaq shumë për Kombin, është në
nderin tonë që të mos heshtim…!
Nga biseda telefonike që pata me këtë zonjë, ajo
rrezatonte mirësi, gati-gati hyjnore, thjeshtësi të pazakontë, ajo nuk donte të
fliste kurrë për vehten, por vetëm për dashurinë e motrës së saj, profesore
Safete Jukën, familjen e saj, si dhe për Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur.
Kam mbështetur idenë që profesore Safete Juka të shpallet
“Nderi i Kombit”, por deri tani në vesh të shurdhët.
Unë me këtë rast dua të falënderoj z.Eduard Dilo, mikun e
afërt të familjes Juka, si dhe pinjollin e familjes mëmëdhetare dhe të
persekutuar Dilo me dekada të tëra, që më mundësoi këtë bashkëbisedim kaq të
ngrohtë dhe tepër njerëzor.
Ç’zë i bukur më
tingëllon në telefon, sikur të jeni një vajzë e re?
Vajzë e re jam, (qesh), shpirti nuk më plaket kurrë!
Kur kam kenë e vogël, gjithmonë dëgjoja për të më
moshuarit urimin:
“Pleqni të mbarë”!
Nga ana tjeter thoshja me vehte: “Pse ja kujtojnë kaq
shumë pleqninë”?
Në fakt plaku respektohej shumë atëhere, e vijshin në
qoshe, në krye të oxhakut dhe e dëgjonin për fjalët e mençme!
Kur
u larguat nga Shqipëria?
Unë u largova në moshën 11 vjeç dhe u vendosëm në Egjypt
së bashku me familjen time.
Egjypti ka kenë qendra e kundërshtarëve të politikës
komuniste.
Atje u takuam me Ali Kërcyrën, Koco Mukën etj… ata u
bashkuan së bashku.
Babai im ndërroi jetë në Aleksandri.
Ju jeni vajza e Musa
Jukës, ish ministrit në kohën e Zogut, c’kujtoni për babanë tuaj?
Babai im ka udhëhequr tri Ministri, Ministrinë Botore, të
Ekonomisë dhe Ministrinë e Brendshme.
Qenka një rast i
rrallë që të mbikqyrësh tre ministri?
Po, kjo është një e vërtetë, ai i drejtoi ato me
profesionalizëm dhe kulturë për atë kohë.
Ai ishte shkolluar në Stamboll. Prindërit e mi vinë
nga familje të pasura, nga Shkodra, por i kam dëgjuar shpesh, që thoshnin se ju
vinte turp që ishin të pasur në atë vend të varfër. Shtëpia ka kenë e
hapur për të varfërit, nuk kemi pasur shërbyese.
Shtëpia jonë është djegur dy tri herë.
Mbaj mend njëherë, se vëllai i vogël kishte ardhur prej
shkolle dhe po dridhej së ftohti. Nana e pyeti, se ku e kishte xhaketën që
kishte veshur në mëngjes?
Ai iu pergjegj se ja kishte falur një shoku, që kishte më
shumë ftohtë se ai.
Kur baba i jepte ndonjë pare, ai gjithmonë i ruante dhe
shkonte me shokët në kinema.
Mirësia ka qenë tipari i dallueshëm tek prindërit e mi.
Babai im ka qenë një burrë i heshtun.
Babai im dhe në burg kur bisedonte me njerëz të ndryshëm,
iu thoshte, se të gjithë përpiqemi për Kombin tonë, por në mënyra të ndryshme.
Prindërit e mi e kanë admiruar shumë Faik Konicën, ata e
kane vlerësuar mençurinë dhe diplomacinë e tij.
Ju flisni një gjuhë
të kulluar, si është e mundur që e keni ruajtur kaq të pastër si bora e
bjeshkëve të bardha?
Gjuha e pastër imja, është merita e prindërve. Edhe
kur nuk e gjejshim ndonjë fjalë, ata na thoshnin gjej fjalën shqipe, mos e
zëvendëso kurrë me fjalë të huaj.
Ne në shtëpi flisnim vetëm shqip, ata nuk na lejonin të
flisnim gjuhë tjetër.
Ishin shumë të merakosur që ne të mos e harronim kurrë
gjuhën tonë.
Kur keni shkuar në
Shqipëri për herë të parë?
Për herë të parë kam shkuar në Shqipëri në vitin 1995 dhe
kam ndenjur pranë familjes Petrela në Tiranë.
Ata kishin katër djem të mirë, punonin shumë dhe të
gjitha të hollat ja dorëzojshin babës së tyre.
Për këtë gjë i çmoja së tepërmi, familjen shqiptari e ka
pasur të shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Aty pashë nga
afër këtë traditë të familjes shqiptare, respektin reicprok që duhet të kemi
për prindërit dhe fëmijët.
Arsyeja që ngulmova
disa herë për t’ju intervistuar ishte, se kohët e fundit lexova në disa gazeta
amanetin e motrës suaj, profesore Safete Jukës. Ajo kishte dhuruar një
shumë 40 mije dollare, për t’i vënë në shërbim të Bibliotekës Kombëtare.
Ç’mund të na thoni më tepër për këtë gjest sa fisnik po aq dhe human?
Ndërkohë
ju i dërguat letër drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, z.Plasari, ku e sqaronit
për më shumë.
Kam kenë tepër e emocionueme, nuk e prisja që ajo letër
kaq e thjeshtë do të kishte kaq emocion, kaq lexues. Motra ime këtë
veprim e ka bërë në heshtje.
Mua më lajmëroi Banka Amerikane, që ajo kishte depozituar
40 mijë dollarë, për Bibliotekën Kombëtare.
Kam lexuar shpesh
për prof.S.Jukën, kam mbështetur idenë, që ajo të shpallet “Nderi i Kombit”…
Unë kam dashur me shpirt të të falënderojë, që ju e
vlerësoni të bukurën, intelektualizmin e çdo gjë.
Une ju falënderoj si familje për shkollën shqipe dhe për
hapjen e Televizionit.
Kur lexova shkrimin tuaj për Diloiadën, lotët më rridhnin
papushim, qava.
E kam njohur nga afër atë familje të persekutuar.
Motra ime e kishte në shpirt Kosovën. Nuk ka lënë
një demonstratë pa shkuar për Kosovën, në shi dhe në borë. Ajo nuk dilte
nëpër podiume, po e dini se cfarë bënte? Rrinte midis popullit dhe kur
kalojshin të huajtë, ajo gjithmonë ju fliste për Kosovën, për genocidin serb, për
popullin e vuajtur të Kosovës.
Ka pasur një personalitet tepër të thjeshtë, por
gjithmonë më mundonte ndërgjegja se a është dashur me e lënë në heshtje, apo
duhet t’i shkruaja letër Bibliotekës për amanetin e saj?
Iu luta Zotit për këtë veprim.
Kadareja e ka
vlerësuar prof.Safete Jukën si një Dora D’Istria të dytë, keni komunikuar
direkt me shkrimtarin e madh?
Kadareja këtë gjë e ka vënë në dukje, nëpërmjet Dr.Moikom
Zeqos.
Më 1994, në Bibliotekën e Durrësit, Dr.Zeqo ka gjetur
librin e saj me titull “Kosova”, dhe është magjepsur kur ka parë
dokumentacionin e saj. Ai ka shkruajtur një artikull në gazetën “Koha
Jonë”, për të.
Ka kenë i pari që ka shkruajtur rreth saj. I jam
mirënjohese dr.Zeqos.
Ajo mbrojti doktoratën në filozofi në Sorbornë të
Frances, më 1969.
Ka organizuar konferencën shkencore për Kosovën, në New
York, dhe më vonë botoi librin “Kosova”, ku jep mjaft të dhëna për shqiptarët
me dokumente historike.
Motra ime ka shkruar shpesh dhe në gazetën “Dielli”.
Ajo e donte këtë gazetë dhe bashkëpunonte me këtë organ
të Vatrës.
Ishte shumë e shkëlqyeshme kur dëgjova që do të ribotohet
përsëri gazeta “Dielli”, njëherë në muaj dhe editor do të ketë Dalip
Grecën. E kam njohur qysh në Shqipëri Dalipin, i lexojsha shkrimet tek
Suplementi dhe ishin shumë interesante.
I jam shumë mirënjohëse që shkruajti artikullin për
motrën time dhe e publikoi në gazetën e Diasporës, Illyria” me botues z.Vehbi
Bajrami. Edhe Zenepe Luka ka shkruar dhe mbështet mendimin për ta shpallur
prof.Jukën “Nderi i Kombit”. Për mua S’ka rëndësi fare në se nuk ja
japin, ajo punoi me shumë zemër. Janë të hapura dorëshkrimet e saj.
Mua më është coptue zemra, Safetja dhe vëllai im i
shtrenjtë shkuan herët në atë botë, në të njejtin vit.
Ju jeni
bashkëpunëtore e motrave Nënë Tereza dhe e keni takuar Nënë Terezën disa
herë, c’kujtoni nga takimet me të?
Une ju thashë që në fillim të bashkëbisedimit tonë zonja
Kozeta, që nuk dua të flas për veten, dua të flas vetëm për disa kujtime me
motrën time Safete Jukën.
Ju lutem znj.Lume,
unë e kuptoj thjeshtësine tuaj, por duhet ta bëni këtë vetëm për lexuesit, pasi
mesazhet tuaja janë tepër njerëzore, janë për Kombin tonë të përbashkët.
OK atëhere, në se unë nuk jua prishi qejfin dua të flas
vetëm për experiencë shpirtërore.
Une kam dhënë mësime të gjuhës frënge, por ka dhe një
gjuhë më të bukur se të gjitha gjuhët e botës, ajo është gjuha e zemrës, gjuha
që ta duam njeri tjetrin.
Kur jepja mësim, nxënësit rrinin në klasë edhe pas
mësimit, sidomos ata që kishin dicka për të diskutuar ose ndonjë paqartësi.
Unë pasi mbaroja korrigjimet ulesha dhe diskutoja me ta me kënaqësi.
Njerëzit shpesh gjykohen nga diplomat, por duhet të
gjykohen se cfarë bëjnë për të tjerët. Unë gjithmonë i lutem Zotit së
bashku me murgeshat, unë jam bashkëpunëtore e motrave “Nënë Tereza”.
Ka ndonjë shqiptare
tjetër së bashku me ju kur luteni?
Vonë kanë ardhur dy shqiptare prej Kosove që janë
bashkuar me ne.
Në vitin 69 kishja një dhembje dhëmbi, dhe po prisja të
shkoja tek dentisti.
Në dhomën e pritjes tek zyra e dentistit, lexova revistën
që nuk del më, “Look”, brenda saj kishte shkrimin “Imagjinoni një yll të
bardhë”
Unë po kaloja në një krizë shpirtërore, ishja
idealiste. Kur e lexova që shkrimi fliste për një shqiptare, u emocionova
pa masë! Nënë Tereza ishte shumë pak e njohur nga Diaspora.
E mora revistën dhe me entuziazëm të madh, u fola te
nesërmen studentëve për Nënë Terezën. Unë ju fola të gjithëve për Nënë
Terezën, bamirësinë e saj dhe mbi të gjitha që ishte një shqiptare.
Revistën e ruaj dhe sot, e kam në shtëpi, në Tiranë.
Une pashë dhe filmin “Disa gjëra të bukura janë harruar”,
që i kushtohet Nënë Terezës. Autori ka kenë shkrimtar anglez, gazetar dhe
punonte në TV.
Ja si e përshkruan autori Nënë Terezën, kur ajo ishte e
ftuar në studion e tij:
“Po shoh se po vjen një murgeshë, nuk dija gjë me saktësi
për të. E pyeta ku i keni shënimet? Tereza m’u pergjigj, se fjalët
që kam me thanë, i kam nga Zoti. Filloi me folë, dhe ajo që më bëri
më shumë përshtypje nuk kërkoi ndihma, kurse të gjithë të tjerët kërkuan
ndihma. Gjysmë ore ishte programi, intervista me të ishte në orën 3 e
gjysmë të mëngjesit, dhe në këtë orë nuk e shikojnë shumë, por ajo që më habiti
më vonë ishte, se nuk pushuan ndihmat për të”.
Nga frymëzimi që pati gazetari për të, ai donte të shkruante
një libër.
Kështu qe ai realizoi filmin për Nënë Terezën.
Gjatë kohës së filmimit ai kujton, se kur kishte ardhur
koha me filmue, me fotografue femijët që ishin në rruge gjysmë të vdekur,
s’kishte pasur dritë aparati.
Ajo i kishte thënë, mos u mërzit, filmoi dhe kështu pa
dritë, është drita e Zotit brenda.
Kur autori shkoi në Angli dhe e lau filmin, fotografitë
ishin më të bukura se të gjitha ato me dritë. Ai ishte ateist, por pasi u
takua me Nënë Terezën dhe motrat e saj, ai u bë i besimit katolik. Ai
ndjeu forcën e Zotit i cili thotë:
“Njeri, kam nevoje për ty, kam nevoje për zemrën tënde,
unë me zemrën tënde shpreh dashurinë time në këte botë”…
Ai na ka lënë të lire me zgjedh.
Ka qenë forca e Zotit, që e mori Nënë Terezën për ta çuar
në Indi, dhe për t’i shërbyer të varfërve. Ajo ka bërë dicka që se ka
bërë kushdo tjetër. Autori e ka vënë në dukje, se cfarë ka bërë ajo në
Kalkuta, ku njerëzit hidheshin në rrugë gjysmë të vdekur, ndërsa nënë Tereza i
merrte dhe i vendoste në shtratin e saj.
Ajo i ka marrë një nga një për t’i pastruar. Ajo thoshte
se po ju afroj një vdekje të bukur. Era e tyre dhe krimbat që ishin
brenda trupit, bënte që asnjera prej tyre nuk e kishte guximin për me i
pasture, vetëm ajo i merrte dhe i pastronte.
Në momentet e fundit të jetës së tyre, ata thoshnin se
kemi jetuar si shtazë, por tani po vdesim si ëngjëj.
Si jeni takuar me
Nënë Terezën?
Une jam bashkëpunetore, shkoj shpesh me motrat Tereza,
motër Lume më thonë.
Më 5 shtator të ketij viti ishte përvjetori i vdekjes së
saj. Unë shkova në meshë, u luta dhe pasi mbaroi mesha, më thoshnin se
jam pjesë e saj…
E kam njohur shumë afër, kam banuar në kuvend me të, më
shumë se dy muaj këtu në New York.
Në vitin 1969 erdhi vëllai i Nënë Terezës dhe u njoha me
të direkt.
Ishte njeri me kulturë. Më 1976 erdhi dhe Nënë
Tereza dhe i thashë motrës të shkonim. Kur shkuam atje ajo, na mori për
dore dhe na çoi në një dhomë të vogël.
Na i mori duart të dyjave në prehërin e saj dhe filluam
të bisedonim për shumë gjëra.
E pashë që kishte shumë pak kohë, por ajo na ka mbajtur
për tri orë.
Si e realizuat
takimin me Nënë Terezën, mbretëreshën Gjeraldinë dhe Princin Leka?
Takimin me Nënë Terezën, mbretëreshën Gjeraldinë dhe
Princin Leka e organizova unë së bashku me motrën Andrea.
Iu luta Zotit qe të takoheshin. Kur unë i
telefonova Motër Andreas, se kishja dëshirë që Nënë Tereza të takohej me
mbretëreshën Gjeraldinë dhe Princin Leka, ajo më tha se Nënë Tereza është shumë
e zënë, dhe është në lutje natë e ditë.
Iu luta që të bënin diçka të pamundur. E telefonova prapë
dhe i thashë: Po Nënë Tereza a ha bukë? Po, - m’u pergjigjën ato, ja
çojmë ushqimin me tabaka.
Atëhere i them, - ju lutem vendosini një shënim, se
mbretëresha Gjeraldinë donte ta takonte, jo si mbretëreshë, por si besimtare
dhe vendosni emrin tim mbi të.
Ato e pranuan këtë variant që iu afrova.
Pasi Nënë Tereza e kishte lexuar shënimin kishte pranuar
takimin me ne.
Motra Andrea më telefonoi në orën 11 e gjysmë të darkës
dhe thotë se Nënë Tereza ju prêt ne orën 6 të mëngjesit. Motrat Tereza
çohen çdo ditë në orën 3 e gjysmë të mëngjesit dhe bëjnë lutjet.
E gëzuar mora princin Leka për takimin. Unë shkova
herët dhe prita në holl.
Aty gjej mbretëreshën Gjeraldinë dhe më tha që ishte dita
më e lumtur e jetes së saj, që do takonte Nënë Terezën.
Nëna Terezë po na priste në kapele, aty na hapi derën një
motër e bukur si pranverë. Shkuam në nje dhomë, ndenjëm të tria, ndërkohë
i tha Mbretëreshës, se nuk merrem me politikë, por dhe mbretëresha iu
përgjegjegj: - as unë. Nënë Tereza i tha se jam lutur gjithmone për ju
dhe familjen tuaj. Mbretëresha iu pergjegj: -se e kam ndie gjithmonë se
dikush i lutej Zotit për mua dhe për djalin tim. Në këtë kohë, ngadalë,
ngadalë u tërhoqa, dhe i prita jashtë. Kur dolën të dyja ndritshin me një
dritë hyjnore. Kishin pasë të dyja dëshirë të madhe me u takue me njëra
tjetrën.
Nënë Tereza vazhdoi bisedën ne lidhje me gjuhën
shqipe. Ajo pohoi se i kam shkruajtur nënës sime vetëm në shqip.
Nënës së saj i thirrte nënë Loke. Edhe me vëllain
flisnin shqip.
Unë personalisht shpirtin e kam me Nënë Terezën.
Nuk di me u ndal për të. Njëherë na kishin thënë me shkue në orën gjashtë
në kuvend, se do të hapej dega e lutjeve shpirtërore, në New York, ngase ishte
habitur me vetminë që jetojshin njerëzit.
Nëna Tereza kishte dhimbje të madhe për njerëzit, prandaj
dhe e hapi këtë degë.
Ate e shoqëronte një shkrimtare irlandeze. Ajo
tregonte se kishin shkuar bashkë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, për
të marrë vizë, për me pa nënën e saj, por fatkeqësisht i ishte refuzuar viza.
Ishte hera e parë që e pashë duke qarë vazhdoi ajo.
Kuptova që vuajtjet e saja e bën që të kuptonte vuajtjet e të tjerëve.
Faleminderit Zonja Lume për këtë bisedë kaq të ngrohtë, e
admiroj shumë thjeshtësinë tuaj, kishja se ç’të mësoja nga ju.
Edhe unë e kishja dëshirue shumë komunikimin me ju, ishte
një bisedë shpirtënore.
Staten
Island, New York
10
Maj, 2009
Staten
Island, New York