E shtune, 28.12.2024, 07:12 AM (GMT)

Kulturë

Liri Pone Bele: Talenti notar

E shtune, 25.04.2020, 05:30 PM


TALENTI NOTAR

Nga Liri Pone Bele

Njohja me personin për të cilin do të shkruhet në tregimin e mëposhtëm, ishte krejt e rastësishme, por, sikundër ndodh jo rrallë, ai mbeti në kujtesën time, sepse kohë më vonë ne krijuam një miqësi të vërtetë, të ngritur mbi bazën e respektit reciprok. Në njërin prej takimeve më tregoi hollësisht e me sinqeritet historinë e jetës së tij tejet të dhimbshme. Konstrukti i tij disi i veçantë (njeri trupmadh) menjëherë të tërhiqte vëmendjen, nëse i hidhje një shikim të shpejtë. Kish një fytyrë me tipare të spikatura burrërore, që dëshmonin se në rini kishte qenë një mashkull simpatik. Në të njëjtën kohë, kur shikimi të kryqëzohej me vështrimin e tij të drejtpërdrejtë brenda një fraksioni të shkurtër (gjatë të cilit kokën e mbante në pozicion normal dhe ndalonte hapat), disa pyetje të lindnin radhazi:

"Ku dhe kur e kishe hasur më parë atë njeri? Apo ngjasonte me dikë tjetër? Si quhej dhe kush qe ai njeri?".

Pas një momenti të shkurtër, gjithçka qartësohej: ngjasonte me një aktor të njohur hollivudian, kjo falë fizikut të tij, fituar ndoshta nga përkujdesjet dhe aktivitetet stërvitore.

Ecte me hapa të ngadalshëm, i mbështetur në një bastun të lartë, në përputhje me gjatësinë e trupit. Dorën e djathtë e mbante të puthitur, duke ushtruar në të njëjtën kohë një forcë të lehtë në pjesën horizontale të bastunit, ndërtuar në atë mënyrë që parakrahu të përballonte peshën në momentin e hedhjes së hapave. Ishte pikërisht bastuni që i krijonte siguri atij personi, i cili dallohej që nga larg që kishte pësuar një goditje trunore dhe, si pasojë, gjysma e majtë e trupit dukej ende e pariparuar.

I hidhte hapat me kujdes, shikimin e kishte të vëmendshëm e të përqendruar ku hidhte këmbën, kokën e përkulte lehtë dhe dukej se llogariste mirë kohën e duhur nga njëri hap tek tjetri. Këmba e djathtë, e ngritur lart, qëndronte një çast të shkurtër në ajër, si të merrte siguri për atë pjesë toke mbi të cilën do të shkelte; ndërsa këmba e majtë ngrihej me shumë vështirësi, për më tepër jo në lartësinë e hapit të hedhur më parë.

Shikimi i vëmendshëm përpara vetes zgjaste fare pak dhe ecja ndërpritej paksa, për të fituar kohën e humbur. Pastaj, sërish e njëjta mënyrë e hedhjes së hapave të matur. Rreth e qark s'kish asnjë dhe ai ecte i vetëm, pa asnjë shoqërues.

Sa hyri në repartin e urgjencës, u rrethua dhe u ndihmua nga dy infermierë. Ata e ulën në karrigen lëvizëse dhe e afruan pranë një shtrati, për ta vendosur në pozicion optimal, por pacienti e kishte të vështirë përshtatjen. Shprehu disa shqetësime. Kishte dhimbje të forta të kokës dhe turbullim të pamjes. Herë pas here vihej re një ndalesë e mezikapshme midis fjalëve që thoshte, çka saktësoi edhe shkakun kryesor të asaj gjendjeje të vështirë shëndetësore për të, sikundër u shpreh edhe vetë. U mat shifrat e tensionit arterial: maksimali 260 mmHg, ndërsa presioni minimal 140 mmHg. Kjo gjë na dëshmoi se ishte një situatë shëndetësore jo e zakonshme.

- Ju faleminderit shumë! Ndihem i lumtur për kujdesin dhe afërsinë njerëzore që po tregoni ndaj meje, ndaj një pacienti të vetmuar gati 70-vjeçar (në pamje dukej gati 10 vjet më i ri). E ku mund të kthehem unë i vetëm në mesnatë? Për më tepër, unë banoj larg dhe pak më parë ndihesha pothuajse i tjetërsuar... Më duhet të sqaroj një fakt të rëndësishëm për të cilin përgjegjësia është plotësisht imja dhe këtë e kuptova tani në praninë tuaj, duke parë përkushtimin tuaj ndaj meje, ndaj një personi të panjohur...

Pushoi pak, sa për të marrë pak frymë dhe vazhdoi sërish:

- Disa orë më parë dola të shëtisja vetëm, pa asnjë nga shokët e mi. Si pa kuptuar, këmbët më çuan pranë pishinës së qytetit, që është ndërtuar kohëve të fundit... Tani, fatmirësisht po ndihem mirë. Nuk kam asnjë ankesë. Sikur po njoh veten time, ndaj ju vlerësoj dhe ju falënderoj nga zemra, sinqerisht!

Po e dëgjoja me shumë vëmendje, por nuk bëra pyetje jashtë protokollit, ndonëse shumë syresh më lindën vetiu (p.sh.: ç'kërkonte e ç'lidhje kishte një njeri i moshës së pacientit në pishinën e qytetit?).

Si t'm'i kishte lexuar mendimet, ai vazhdoi:

- Banoj në azil, "Shtëpinë e të Moshuarve" siç e quajnë kohëve të fundit. Patjetër që njëri prej tyre do ta ndiejë mungesën time sonte. Është bashkëmoshatar dhe njëkohësisht një nga miqtë e mi të vjetër, me të cilin nuk ndajmë vetëm dhomën e përbashkët, por edhe mendimet, shqetësimet e shumta, emocionet jo përherë pozitive. I duam vetëm të mirën njëri-tjetrit. Gjykoj se, kur t'i tregojnë ngjarjen e sotme, do të ndihet i gëzuar për përmirësimin e gjendjes sime shëndetësore dhe do bëjë si do bëjë disa net vetëm. Gjergji ka logjikë të fortë, është i duruar dhe zemërmirë; dikur një mësues i përkushtuar matematike, sot një azilant... Besoj se do ta konsiderojë të drejtë largimin tim të përkohshëm dhe do të më falë pse jam larguar pa i thënë gjë atij apo punonjësve të azilit. Ai më njeh mirë dhe i di problemet e mia shëndetësore e shpirtërore...

Mjekimi përkatës solli përmirësimin e pritshëm. Po qetësohej i shtrirë në shtrat. Kishte trup të gjatë, me muskuj të fuqishëm në të dy krahët e parakrahët, që dukeshin qartë nën mëngët e bluzës së pambuktë me kudrate blu. Gjithë pamja u shfaq kur pacienti po merrte mjekimin në vena. Koha e ngrohtë dhe me temperatura optimale e lejonte të largonte në fund të shtratit mbulesën e batanijen e vendosur sipër trupit. Kishte shpatulla të gjera e supe të ngritura, që shtriheshin në dy anët e një qafe të trashë e të gjatë, e cila vazhdonte natyrshëm me belin e hollë. Në ekstremitetet e poshtme ravijëzoheshin qartë konturet e muskujve, si të ishin vepër e një skulptori të lashtësisë. Me sa duket, ai ishte marrë me aktivitet fizik të skajshëm, çka e prezantonin muskujt model të trupit, pavarësisht moshës që kishte. Në momente të caktuara, të krijonte përshtypjen se përmes shikimit të tij të përqendruar lexonte mendimet e tjetrit.

- E kuptoj mirë vëmendjen tuaj, teksa shihni me kureshtje pamjen time fizike. Unë kam qenë sportist, noti ka qenë përzgjedhja ime. Pikërisht dashuria për sportin është shkaku që unë sot jam një nga të sëmurët e spitalit me fat të papërcaktuar. Veç anës së jashtme, sporti më ka dhuruar edhe një cilësi të rrallë: qëndresën, karakterin e skalitur, të shkrira në një substancë të vetme ,jane  teper të vyera.

Respektimi i etikës njerëzore, por edhe profesionale, kërkonin që pacientit të mos i bëheshin pyetje të shumta jashtë problematikës shëndetësore, sepse edhe mund t'i ngjallnin emocione të forta, të cilat mund t'i shkaktonin çrregullime të tjera. Ai na premtoi se do të qetësohej e do të përpiqej të bënte disa orë gjumë. Shifrat e larta të tensionit iu afruan normës. Mjekimi po jepte rezultate pozitive, ndërsa personeli vazhdonte punën me mjekimin e rasteve të porsaardhura, pa e lënë pas dore kontrollin e pacientit, tashmë fare i qetë.

Të nesërmen dhe ditëve në vazhdim, gjendja e tij dukej e përmirësuar. Situata na lejonte edhe biseda të shkurtra miqësore. Në njërën prej tyre, ai u shpreh:

- Më ra në sy vëmendja juaj dhe kurioziteti që ju treguat ndaj meje natën e shtrimit, ndonëse nuk më pyetët shumë. Kur ta dëgjoni prej meje, do të kuptoni dhe besoni se talenti dhe përkushtimi ndaj tij, ta hapin përherë rrugën e jetës, por ajo rrugë nuk është përherë e shtruar për askënd...

Përsëri e pashë të arsyeshme të mos lodhej duke folur gjatë me kujtimet e së kaluarës, që dukej se ishte e mbushur me ngjarje të shumta, jo fort të zakonshme. Me mirësjellje i kërkova të ishte i qetë, i përcaktova mënyrën e mëtejshme të mjekimit dhe e këshillova që të ishte korrekt në marrjen e mjekimit dhe, të mos e anashkalonte. Mora vesh se punonjësit e qendrës shëndetësore i kishin rekomanduar një konsultë te kardiologu dhe të ishte i kujdesshëm, pasi ai vetë nuk i zbatonte këshillat për tensionin e lart te  gjakut, njëri nga pasojat e jetës së kaluar me shumë peripeci.

Përgjatë qëndrimit në spital, iu plotësuan ekzaminimet përkatëse. Ekzaminimi radiologjik i zemrës e tregonte me konture disi të spikatura; paraqitja grafike me amplituda të larta në elektrokardiogramë, së bashku e në përputhje të plotë me parametrat përkatës të ekzaminimit ekografik të zemrës ishin tregues të punës së tejkaluar; përmasa të mëdha në tërësi dhe veçanërisht muret e brendshme të saj janë të përcaktuara si indekse prezantuese dhe specifike të ndërtimit e të funksionit të fuqishëm të saj, e njohur në kardiologji  si  *zemra e sportistit.*

Pra, u plotësuan informacione të plota për zemrën e një personi me aftësi dhe ushtrim të aktivitetit fizik pothuajse të skajshëm, krahasuar me indekset treguese për një zemër normale tek një person i zakonshëm. Njihet gjithashtu edhe ndikimi i sëmundjes së tensionit të lartë të gjakut tek një individ i padiagnostikuar, i pavlerësuar dhe i pamjekuar për një kohë të gjatë, sepse ndikon përkatësisht në rritjen e po atyre indekseve. Në mënyrë të qartë dhe bazuar në parametra unik mjekësor, rasti konkret prezantonte zemrën e një njeriu të marrë me stërvitje të tejskajshme për një kohë të gjatë dhe të shoqëruar me hipertension arterial të pavlerësuar  e të pamjekuar  ndër vite.

Paraditen e daljes nga spitali, një burrë thuajse i së njëjtës moshë po e priste qetësisht në dhomë sa të vishej e të bëhej gati për t'u larguar. Fytyrën ia përshkonte një ndjenjë mirësie. Përkuli fytyrën e zbehtë drejt meje, ku spikaste një shikim i ëmbël me sytë e lagur lehtësisht (mund të kishin rrëshqitur prej tyre pika loti; kishte rreth gjysmë ore që priste, teksa unë konsultoja një tjetër të sëmurë). Më përshëndeti e falënderoi, si të ishte i vëllai i pacientit që po dilte nga spitali. U larguan krahë njëri-tjetrit të gëzuar. Ecnin së bashku në mënyrë të ngadaltë, shoqëruesi me krahun e djathtë hedhur mbas shpatullave të shokut. Flisnin të përmalluar e me zë të lartë. Para largimit nga spitali, iu dhanë këshillat e nevojshme për mënyrën e mjekimit në vazhdimësi.

Në takimet e përcaktuara, pacienti po tregohej korrekt, sikurse dhe në ndjekjen e mjekimit. Po njihja një njeri të mençur, të rrahur me jetën, të kulturuar, aq sa shpesh librat e shumta dhe komentimi i hollësishëm i gjerë dhe me mjeshtëri i veprave të letërsisë italiane, ruse, franceze, amerikane etj., të linte të magjepsur. Fliste për ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre, kishte thellësi të gjykimeve personale, çka të tërhiqnin menjëherë vëmendjen. Unë kam lexuar përgjatë viteve, por në momente të veçanta e ndieja superioritetin e tij.

Një ditë e pyeta për rrethanat e favorshme që i kishin mundësuar futjen thellë në botën e librave, pasi kultura që po më deklamonte të përftuar prej tyre, po më mahniste. Pyetja e parë kishte të bënte me qëndrimin e çuditshëm ndaj sportit, sikundër ishte shprehur në një bisedë. Në një moment, duke hedhur një shikim të drejtpërdrejtë, të ngulitur në sytë e mi, më bëri një pyetje të cilës, ndonëse e përpunova në mendje, nuk munda t'i gjeja përgjigje të menjëhershme. Ai më pyeti:

- A të kujton ndonjë familje mbiemri im?

Heshta. Pas disa bisedave, si përherë me subjekt librin e lexuar së fundmi, pa pritur mendim nga unë, përgjigjja e tij më befasoi:

- Ti je e dhënë pas letërsisë. Ky është një gjykimi im personal, por ndryshe nga librat e shumtë të bibliotekës dhe librarive, kësaj radhe rastësia do të të sjellë për të lexuar një libër "të gjallë". Dua ta dhuroj me gjithë zemër, si tregues besnik të jetës sime, çka e nxjerr për herë të parë dhe e ke përpara syve. Do të ta "lexoj" ty, sepse të respektoj, por dua që të mos bezdisesh nga përshkrimet e hollësishme që lidhen me jetën time fëmijërore, sepse ato përbëjnë thelbin real të saj dhe falë tyre sigurohet një konfigurim i plotë rreth portretit tim të jashtëm, që do zbulojë dhe botën e brendshme shpirtërore. Gjithashtu, do të doja që pas rrëfimit tim, pasi të kem mbaruar "së lexuari atë libër", të më japësh një vlerësim korrekt dhe të ndershëm, pasi të marrësh dhe përgjigjet e sakta të pyetjeve të shumta të shprehura apo dhe të menduara prej teje.

*   *   *

- Kam pasur një familje të ndershme, punëtore dhe tepër të varfër. Kuptohet lehtë që unë përjetova një fëmijëri të vuajtur. Shtëpia jonë përdhese përbëhej nga dy dhoma të ndara me një korridor që hapej nga dy porta. Më e madhja, dykanatëshe, ishte para shtëpisë, ku degët e hardhisë (saje përkujdesjes së babait, i cili respektohej nga miqtë e shokët e tij për zierjen e një rakie shumë cilësore, vlera e së cilës shfaqej në takimet e tyre miqësore, ku dëgjoheshin që së largu zërat melodiozë e gazmorë, sa dhe ndonjë kalimtar i rastit mbante këmbët e dëgjonte me ëndje), të gërshetuara me shije, krijonin një strehë të gjerë e të lartë. Vilet e rrushit të pjekuar gjatë verës nuk mund t'i këputje dot me dorë, por do të duhej ndihma e shkallës së drunjtë. Porta e pasme të drejtonte në një kopsht rrethues me përmasa të mëdha, ku duart e nënës i siguronin familjes perimet dhe zarzavatet gjatë gjithë vitit. Përparësi kishin fasulet, apo "rreza" siç i quante nëna dhe që i gatuanim më shumë për vaktin e drekës, por nuk qëndronin pas edhe patatet, të cilat më shumë gatuheshin për darkë. Puna e nënës ishte e pamatshme, sidomos kur shihje të thara qepë, hudhra apo dhe erëza të varura njëra pas tjetrës në disa vargje, konsumimi i të cilave bëhej në atë kohë kur mungonin të freskëtat.

Në dhomën e madhe, përballë derës, kishim ndërtuar një oxhak të lartë,me një vatër katrore paksa të ngritur, pranë së cilës ndiheshim ngrohtë, veçanërisht kur uleshim së bashku të katër pjesëtarët e familjes: babai, nëna dhe motra e vetme, katër vjeçe më e madhe se unë.

Ndezja e zjarrit në vatër mundësohej nëse kishin mbetur copa druri të prera e të palagura nga shirat e rrebeshet e dimrit, të stivosura në murin pas shtëpisë e të siguruara me shumë vështirësi. Një llamarinë, si strehëz e vogël, i ruante nga pikat e shumta të shiut, duke i flakur tej me një zhurmë të lehtë e ritmike, amplituda e të cilave ishte në varësi të sasisë së reshjeve. Llamarina mund t'ia dilte shiut apo breshrit, por jo erës së fuqishme. Sapo dëgjohej zhurma fshikulluese e saj nën trysninë e erës, zgjoheshe frikshëm (nëse ishte duke fjetur) dhe nuk mund të bëje dot më asnjë orë gjumë.

Kur mbaronin drutë, zjarrin e ndiznim me degët e thara të siguruara gjatë krasitjes së hardhive në muajt e parë të vitit, punë mjeshtërore e babait. Por nuk qenë të pakta ditët e ftohta e me acar, kur na mungonin drutë e s'mund të ndiznim zjarr. Atëherë nëna na këshillonte të qëndronim shtrirë e të mbuluar kokë e këmbë me mbulesat e leshta të punuara në tezgjah. Sa për të pambuktat, ato ishin mishërim i vërtetë i shkallës më të lartë të durimit dhe mençurisë së nënës, krijim origjinal i mendjes së saj të ndritur. Kështu, jorgani përfaqësonte një bashkësi copëzash të vogla, arna basme, të qepura me kujdes midis tyre, për të sajuar formatin e një çarçafi. Disa syresh, të puthitura e vendosur njëra mbi tjetrën, ishin qepur me kujdes dhe krijonin një mbulesë të ngrohtë, jorganin e improvizuar. Mbulesat dhe shtresat tona ruheshin të palosura mbi një tavolinë në një nga këndet e dhomës së gjumit.

Zjarri në vatër mundësonte ngrohjen e kovës me ujë ose zierjen e qumështit (nëse e kishim blerë), por edhe gatimin e ushqimit. Nëna ime kujdesej për rritjen e pulave, sepse vezët siguronin vaktin e mëngjesit dhe ndonjë zog i pjekur i jepte sofrës një tjetër pamje. Tenxherja e varur në çengelin gjysmërrethi (i fundit në rreshtin e unazave të vogla përbërëse të litarit kamastër, i hekurt, me gjatësi rreth gjysmë metër) qëndronte varur në brendësi të oxhakut që e kishin ndërtuar muratorët mjeshtër të kohës. Disa pëllëmbë poshtë kamastrës vendosej mbi zjarr këmbja e hekurt në formë trekëndëshi, që shërbente gjithashtu për gatim.

Ditëve të ftohta, pa as më të voglën ashkël druri në vatër, një mendje e ndritur kishte "shpikur" një gjetje të veçantë: përdorimin e pluhurit të dërrasave, hime apo tallash, përftuar nga prerja e druve apo dhe çarja e dërrasave në zdrukthtari.

Sikundër e këshilluan të tjera amvisa, nëna ime e njohu vlerën e himeve të sharrës së drurit. Të koncentruara, ato digjeshin ngadalë, duke zëvendësuar zjarrin e munguar. Ishin praktike dhe pa asnjë kosto, një zgjidhje e mirë në mungesë të druve. Mjaftonte një fije shkrepëseje dhe pluhuri i dërrasave ndizej e digjej ngadalë, duke krijuar ngrohtësinë e nevojshme.

E kujtoj dhe tregoj me hollësi këtë periudhë të jetës sime fëmijërore, sepse më duhej të sillja në shtëpi dy thasë me pluhur dërrase gjatë javës. Kishte raste ku ndonjë nga zdrukthtarët më shoqëronte duke më mbajtur thesin deri në njëfarë largësie jashtë punishtes. Pastaj, përpara se ta vendoste thesin me kujdes mbi supet e mia të njoma, më ledhatonte kaçurrelat, më hidhte shikime miqësore e, duke më ndjekur me kujdes në hapat e parë, ngrinte paksa tonalitetin e zërit dhe shqiptonte këto fjalë që unë s'i harroj edhe sot:

- Forca! Mos e lësho veten! Je djalosh trim, të njohim ne!

Pas atyre fjalëve, më dukej vetja më i fortë, sepse rruga deri në shtëpi nuk ishte afër dhe më duhej të çlodhesha disa herë derisa të arrija, sepse pesha mbi supe ishte e mundimshme.

Gjatë viteve të fëmijërisë, bashkë me disa shokë, na ishte bërë si argëtim të matnim gjatësinë tonë trupore. Si njësi matëse përdornim pëllëmbët tona, të vendosura në lartësinë e murit rrethues të shkollës. Unë isha rreth një pëllëmbë mbi bashkëmoshatarët e mi. Gjithashtu, zotëroja një forcë trupore të atillë që më garantonte fitoren shumë lehtë në njërën nga lojërat tona më të preferuara: ta shtrije shokun përtokë dhe ta detyroje të qëndronte në atë pozicion, derisa të pranonte me zë të lartë humbjen. Fitoja gjithmonë midis tyre. I dorëzohesha vetëm... thesit të mbushur me pluhur dërrase, por asnjë prej shokëve nuk ma përmendi këtë gjë. Shpesh më shihnin në rrugë me thesë në krahë dhe thjesht më përshëndesnin.

Babai, një mashkull i bëshëm, kishte një pamje të veçantë burrërore, me tipare të spikatura dhe mbante një qëndrim të padiskutueshëm e të prerë. Ishte njeri i punës. Punonte nga mëngjesi gjer në mbrëmje, në çdo punë që ta kërkonin, por kryesisht në ngarkim-shkarkim. Nuk mund t'i harroj çastet kur ai hynte në shtëpi pas ditës së lodhshme të punës, buzëqeshte i gëzuar teksa nxirrte nga xhepi monedhat metalike, të cilat qëllimisht i ngrinte paksa në ajër përpara hedhjes. Gjatë shpërndarjes mbi tavolinë (ndonjëra e përshkonte tejpërtej), ato i shoqëronte një tingull metalik i këndshëm, si të donin të tregonin se ndiheshin të gëzuara në prani të të gjithë familjes. Ishte një moment i veçantë, teksa babai i ndiqte lëvizjet e tyre me fytyrën e lumturuar e duke shkëmbyer shikime mirëkuptuese me nënën, pasi shpenzimet e domosdoshme të së nesërmes ishin siguruar. Motra ndihej mirë duke parë gëzimin e prindërve, sytë e saj kishin një shkëlqim të ëmbël. Padyshim që edhe unë isha pjesë e pandashme e këtij gëzimi familjar të veçantë.

Gjatë një periudhe trevjeçare, babai u punësua në magazinën pranë furrës së bukës të qytetit, ku arkat e mbushura me bukë misri të pjekura në furrën me dru, spostoheshin me zvarritje brenda hapësirës së magazinës e pastaj shpërndaheshin në lagjet e qytetit. Babai ishte një ndër katër punëtorët që, veç të tjerash, duhet edhe të pastronte thërrimet e shpërndara, sidomos kur arkat e tejmbushura, të rënda plumb, nuk mund të ngriheshin në krahë. Fshesa në duart e tyre i mblidhte në një grumbull të vogël ato pjesë buke misri të thërrmuara e të përziera me copëzat e zhavorrit, shkaktuar nga gërvishtja e çimentos, aq e dëmtuar, sa dukej si shtresim gurëzash.

Pikërisht thërrimet e mbledhura me pjesë zhavorri mund t'i merrte çdo punëtor, nëse do t'i duheshin për në shtëpi; në të kundërt, ato flakeshin në kosha mbeturinash. Nëna më këshillonte të shkoja te puna e babait pasdite. Më jepte një çantë të vogël basme, të cilën e mbushja përplot me grimcat e grumbulluara, të gatitura nga im atë dhe menjëherë kthehesha në shtëpi pa pikë lodhjeje.  Nëna më priste në rrugë përpara portës së oborrit dhe në ato çaste shikimi i saj shprehte ëmbëlsi, mirënjohje, dashuri dhe vlerësim për mua, që nuk kundërshtoja asgjë nga urdhrat a këshillat e saj. Plotësoja gjithçka me përpikmëri, sidomos ato punë që as nëna dhe as motra nuk mund t'i realizonin. Në moment, nëna i vendoste thërrimet e bukës së misrit në një tenxhere me ujë, për të ndarë copat e letrës apo ndonjë bisht cigareje të flakur prej dy shokëve duhanpirës të babait. Pastaj, pjesën e mbetur në fundin e tenxheres, fillonte ta gatuante për darkë, pasi të kishte përgatitur më parë qepë të skuqura e të përziera me salcë. Më të rrallë, mund të mbetej pa qëmtuar ndonjë guriçkë e vogël, që na ngacmonte e kërciste nëpër dhëmbë gjatë ngrënies. Si përherë, zjguarsia dhe prakticiteti i nënës e gjenin zgjidhjen perfekte për ankesën tonë: na këshillonte që të mos prekte dhëmbët ai ushqim në formë qulli, por të kalonte menjëherë nga luga në gojë e të gëlltitej. Këto fjalë nëna i shoqëronte me veprime konkrete përpara meje dhe motrës, në mënyrë bindëse me kokën paksa ngritur. Kjo punë e vështirë dhe e përgatitur me durim e kujdes nga nëna ime e dashur, i garantonte familjes sonë disa vakte, pa asnjë shpenzim dhe kjo dëshmonte përpjekjet e shumta të saj, falë zgjuarsisë, për të lehtësuar jetën tonë në varfëri të skajshme.

Fatmirësisht, na ndihmonin disa pemë të kopshtit, mana të bardhë e të zinj, fiqtë shëngjinas, që i shijonim në maj e kështu me radhë. Duke ngrënë mana e fiq gjatë ditës, sigurisht që konsumonim më pak bukë në drekë apo darkë...

Ndonëse me trup mesatar, nëna e punonte për merak kopshtin, herë me lopatë e herë me shatin e sqeparin. Nuk e pashë dhe nuk e dëgjova kurrë të ankohej për lodhje! Prodhimet e fituara nga toka e përpunuar dhe e mirëmbajtur nga duart e nënës, na siguronin zarzavatet e përditshme. Disa prej tyre, mbas procesit të tharjes, shiheshin në postrehën e pasme të shtëpisë, në pritje të gatimit gjatë kohës së ftohtë.

I përmenda këto detaje si pasqyrë të jetës sime të vuajtur fëmijërore. Nga ana tjetër, prezantova karakterin e nënës sime, një grua e mençur, praktike në jetën e përditshme të varfër, shumë e përkushtuar ndaj familjes, pa shprehur kurrë as më të voglën shenjë egoizmi. Pothuajse punët brenda shtëpisë i kryente motra, në disa raste nuk mungonte edhe ndihma ime, siç ishte mbushja e ujit me shtëmbë, disi larg banesës sonë.

Fillimi dhe ndjekja e shkollës fillore për të dy ne kishte vështirësi. Mësimet dhe detyrat duhej të përfundonin përpara mbrëmjes në dritën natyrale, sepse llamba e vogël me vajguri kishte kosto e familja jonë s'e përballonte dot ekonomikisht. Ne mësonim mirë dhe përpiqeshim gjithmonë për rezultate sa më të larta, pasi kështu e dinim që i lumturonim prindërit tanë. Shkollën e kishim në largësi të konsiderueshme nga shtëpia, por nuk e ndienim, sepse në fqinjësi ishim me një bashkëmoshatarin tim çapkën, me të cilin kalonim edhe kohën e lirë. Shpesh shpejtonim hapat apo dhe vraponim në kohë shiu. Përherë arrija përpara tij, gjë që u binte në sy shokëve të klasës dhe mësuesit tim të paharruar V. Ishte ky i fundit që më nxiti të nisja vrapin, fillimisht brenda territorit të gjerë të shkollës e në vazhdim në fushën sportive të qytetit. Dilja i pari nga të gjithë pjesëmarrësit.

Në një nga garat e planifikuara me djemtë e klasës, mësuesi i fiskulturës sugjeroi që të kishim spektatorë edhe të afërm a familjarët tanë. Nuk e harroj atë ditë të veçantë. Ishin grumbulluar shumë njerëz, jo vetëm familjarë të garuesve, por edhe të tjerë kureshtarë, sepse organizimi i garave në këtë mënyrë përbënte një risi. Nëna dhe motra më kishin premtuar se do vinin të më ndiqnin, por u befasova kur mes tyre pashë dhe babanë. Nuk e prisja, sepse gjatë gjithë javës ai ishte i angazhuar; madje, edhe të dielën që e kishte pushim, vishej me rrobat e përditshme të punës, një refleks i kushtëzuar i tij. Gjatësia e trupit bënte që koka e tij të dallohej menjëherë mes të pranishmëve të shumtë atë ditë.

Ishim në pritje të sinjalit për nisje dhe as bisedonim, as dëgjonim se ç'thoshin të tjerët. Heshtja u thye nga duartrokitjet e para. Më tërhoqën vëmendjen dhe ktheva kokën. Ishte motra ime, me të cilën shkëmbyem buzëqeshje. Duartrokitjet u bënë më të fuqishme. Vura re se nëna bëri një hap përpara vendit të përcaktuar për spektatorët dhe dëgjova zërin e saj të ëmbël e melodioz, ku qenë shkrirë ndjenjat e thella prindërore dhe karakteri i saj admirues në tërë madhështinë e vet:

- Andrea! Andrea! Të dua shumë! Jam krenare për ty! Ti do ta fitosh garën Unë të njoh mirë dhe besoj tek ti!

I lumturuar, ngrita dorën lart dhe i përshëndeta. Në momentin e kryqëzimit të shikimit tim me tim atë, përjetova emocione të papërshkrueshme. Ai ngriti lart krahun e djathtë me grushtin e shtrënguar, që e tundte lehtësisht në ajër drejt meje, si të më transmetonte e dhuronte pjesë nga fuqia e tij e pakrahasueshme, shoqëruar me pamjen tejet burrërore, si një nga shenjat tipike e prezantuese të tij.

Po ndihesha tepër i emocionuar dhe po me dukej se po merrja një fuqi të jashtëzakonshme, buruar nga dashuria dhe besimi i tyre ndaj meje, një forcë që do të më dhuronte fitoren e merituar në atë garë e në të tjera të mëvonshme.Shpejt u njoha nga nxënësit e shkollës dhe të shkollave të tjera të qytetit si vrapuesi më i mirë. E kuptoja nga shikimet, nga kureshtja dhe duartrokitjet e shumta të shoqëruara me ovacione.

Një të diel maji, një nga shokët e klasës, njëkohësisht pjesëmarrës në garat e shumta të vrapimit, më kërkoi ta shoqëroja në një vend të bukur, të panjohur më parë për mua. Ai më premtoi se do të ishte një surprizë e këndshme dhe se do të më pëlqente ajo gjë. rrugës, nga njëri skaj i qytetit në tjetrin, ai u rezistoi pyetjeve të mia të shumta e kureshtare, duke m'u përgjigjur gjithmonë njësoj:

- Ja, ke për ta parë me sytë e tu. Do ndihesh i kënaqur!

Kaluam rrugën kryesore përmes qytetit, kthyem djathtas në një rrugicë gjarpërueshe, në fundin e së cilës më tërhoqi vëmendjen një çezmë e stilit të vjetër, me rrjedhë të pandërprerë të ujit nga një "gojë metalike" me ngjyrë të gjelbër. Pa dashje ngadalësova hapat. Shoku më tërhoqi nga krahu, duke më parë me seriozitet e duke më thënë:

- Andrea, nuk të solla këtu për ujë çezme, por për të parë lumin Gjanicë dhe notarët përgjatë rrjedhës së tij, sepse sporti nuk fillon e mbaron vetëm me vrapimin.

Buzëqesha, nuk i ktheva përgjigje, por vazhdova të ndiqja hapat e tij. Rreth dy metra më tej, hodha sytë në bregun e pjerrët dhe dallova një rrugëz të ngushtë me ndalesa të vogla, si të ishin shkallë, por as dërrase e as hekuri. Fillova të zbrisja teposhtë, duke marrë frymë me shpejtësi, pa folur asnjë fjalë. Në çast u gjenda në bregun e lumit. Sodisja ujin e pastër me ngjyrë vezulluese, dëgjoja ca fëshfërima të këndshme të rrjedhës, teksa disa stërkla të vogla uji më preknin këmbët butësisht, si të donin të më uronin mirëseardhjen dhe më grishnin të vazhdoja më tej.

Fatmirësisht, bashkëmoshatari më kapi krahun me forcë dhe më detyroi të qëndroja disi larg bregut. Vendosi gishtin tregues të dorës së djathtë mbi kokën time, trokiti disa herë lehtë, si të më tërhiqte vëmendjen se po veproja gabim. Tunda kokën në shenjë aprovuese dhe heshta. Po ndieja se ndodhesha përpara një të panjohure që më joshte...

- A i sheh ata djemtë atje brenda në ujin e lumit? Po bëjnë not. Këta dy vogëlushë në bregun përballë nesh po mundohen të mësojnë të notojnë, i ndihmon ai burri...

Ngrita kokën dhe shikimet i hodha tutje në sipërfaqen e ndritur të lumit, ku rrezet e diellit jepnin shëmbëlltyrën e një pasqyre të stërmadhe, gjë që po më pengonte disi. Më pushtuan disa ndjenja të çuditshme, të pashpjegueshme, të paprovuara më parë, nxitur nga lëvizjet e djemve notarë. Herë të shtrirë, herë të zhytur nën ujë, lëviznin krahë e këmbë, duke krijuar pas vetes dallgë të vogla shoqëruese.

Përjetova aq shumë emocione atë ditë, sa mbetën thellë në shpirtin tim, por nga ana tjetër m'u krijuan dhe shumë pikëpyetje që s'po më linin të qetë. A mund të bëhesha një ditë dhe unë si ata, të zhytesha thellë brenda ujit e të përhapja me krahët e mi dallgët e vogla lozonjare?

Mbresat e asaj dite u ngulitën thellë në mendjen dhe zemrën time, duke hapur përpara meje më të bukurën, më të panjohurën dhe më të vështirën rrugë të jetës: përkushtimin me mish e shpirt për notin.

Me Gjergjin, shokun e pandarë, nisëm përpjekjet për të notuar në lumë, duke na shoqëruar dhe ndihmuar daja i tij. Në ditët e para, nuk na lejonte të zbrisnim bregun pa qenë vetë ai pranë nesh, ndërsa ditëve në vazhdim u bind se mund të provonim të notonim, gjë që e arritëm jo me lehtësi. Na pëlqente të bënim gara me të tjerë moshatarë.

Edhe në not unë fillova të fitoja përherë. Në njërën prej atyre garave, arrita objektivin (e kujtoj si diçka të shënuar). Atë natë nuk u ula të haja darkën e përgatitur nga nëna me mish zogu të freskët, pa e treguar shkakun e vërtetë të mërzitjes. Doja të dilja gjithmonë i pari dhe po ndieja keqardhje për gjendjen time të krijuar. Mos vallë po më lindnin ndjenja të dëmshme egoizmi? Isha mësuar me përparësinë time në vrapim, po a do të isha i njëjti në këtë sport të ri?

Pas notit në lumë, lindi brenda meje dëshira për të notuar mes dallgëve të detit. M'u kthye si një shqetësim ,realisht i ëmbël  për te notuar ne thellësinë e kaltër.

Vitet kalonin njëri pas tjetrit. Një ditë m'u dha mundësia të përdorja sa herë të dëshiroja një biçikletë të vjetër. Kjo ndodhi gjatë tre muajve të verës, thuajse çdo ditë. Fillova të ndihesha i plotësuar, i kënaqur në vetvete dhe i zbavitur.

Ndodhesha në adoleshencë dhe filluan të shfaqeshin dy probleme jo pak të rëndësishme tek unë: nuk po arrija rezultatet e pritshme në mësime dhe nuk po ndihmoja në jetën e përditshme të familjes. Për më tepër, në atë periudhë nëna nuk ishte si më parë dhe babai nuk mund të përballonte dot ngarkesën e disa punëve brenda ditës. Gjendja tepër e vështirë ekonomike, sipas gjykimit tim të mëvonshëm, shpejtoi martesën e motrës, sapo lajmësi i parë bëri ndërmjetësimin për në një familje të respektuar që jetonte prej brezash në fshatin bregdetar të Vlorës.

Me motrën ishim të afërt në mendime e veprime. Ajo ishte në brendësi të ëndrrave të mia, të jetës sime, gjatë gjithë kohës. Unë i tregoja asaj gjithçka, duke i kërkuar ndihmën e mundshme kur kisha ndonjë problem, ca më tepër kur nëna filloi të bëhej më e ndjeshme ndaj problemeve të mia, sidomos kur iu përkushtova sportit. Me shumë përpjekje, motra më ndihmoi të gjeja një punë në një kripore, ndërkohë që unë nuk po tregoja interes për vazhdimin e shkollës së mesme, çka ishte pothuajse e pamundur për familjen time. Një punë e thjeshtë do të më ndihmonte të nxirrja bukën e gojës dhe të mos rëndoja familjen. Nga ana tjetër, afërsia me detin dhe raporti im me të, prezantonte pasionin në rritje për notin, të cilin unë e cilësoja si dhuratë qiellore.

Deti është një nga dhuratat më të çmuara të natyrës për njeriun. Gjithashtu, jo të gjithë e kanë mundësinë të ndodhen pranë tij, nëse kanë ëndrrën, pikësynimin e jetës së një djaloshi të ri sikundër isha unë, që zgjohesha duke menduar për të, përpiqesha ta shihja dhe të isha gjithmonë brenda kaltërsisë e dallgëve të tij. Pas punës së lodhshme ditore, më duhej të bëja rrugë jo të shkurtër për të shkuar pranë hapësirës së pafundme. Ecja zbathur në rërën e pastër e të palagur nga uji dhe këmbët e mia pastaj përkëdheleshin nga bulëzat e bardha e të panumërta të shkumës mbi dallgët e vogla, që sikur shpejtonin të preknin bregun dhe të më uronin mirëseardhjen. Në ato momente më krijohej një ndjesi e çuditshme dhe e këndshme shpirtërore. Besoja se dallgët fillestare do t'u jepnin informacion të saktë për ëndrrat e mia edhe dallgëve të tjera, për të më garantuar siguri dhe qetësi edhe atëherë kur notoja me stil pash i vetëm teksa bregun e dalloja së largu.

Noti, si një llojet e përzgjedhura të sportit, përfaqëson një aktivitet ku përfshihet gjithë trupi, forcon muskujt dhe ndihmon në zgjatjen e trupit gjatë adoleshencës. Ky sport kërkonte prej meje vullnet, trimëri dhe forcë. Unë i zotëroja këto cilësi gjatë gjithë moshës së fëmijërisë apo dhe rinisë sime, si shoqëruese të pandashme dhe mbështetëse të sigurta për mbijetesë në një familje të vuajtur. Gjithashtu, duhet pasur parasysh se varfëria e tejskajshme ndikon në forcimin e këtyre cilësive , që përmenda më lart.

Noti ishte gjithçka për mua, zemra më rrihte për të, mendja punonte për të dhe pothuaj ndjenjat ia kisha përkushtuar atij, deri në ditën që njoha një vajzë shumë tërheqëse, me të cilën më vonë u miqësova. Në zemrën time lindën të tjera ndjenja të panjohura e të paprovuara. Po i dhuroja shpirtit tim të tjera kënaqësi, një pjesë të thesarit apo ato ndjenja të çmuara, një pjesë e të cilave akoma nuk kishin dalë në sipërfaqe, sepse deri atëherë kishin pasur lidhje vetëm me notin.

E përzgjedhura, një vajzë simpatike me emrin Marie, teksa qëndronte në rërën e nxehtë nën rrezet përvëluese të diellit, ishte mahnitur nga zhdërvjelltësia ime. Hapat fluturimthi, pothuajse në ajër, kalimi nga një vendqëndrim disa metra larg saj, aplikimi i stileve të ndryshme të notit, të notuarit gjithnjë e më larg bregut, më diferenconte nga notarët e tjerë dhe më bënte më tërheqës te Maria (të gjitha këto m'i ka shprehur personalisht Maria, në të njëjtën mënyrë si po shprehem unë, në kohët e mëvonshme kur ne u njohëm mirë me njëri-tjetrin).

Ajo e admironte detin, por jo të zhytej në ujin e kripur, sepse i pëlqente më shumë të qëndronte nën efektin e rrezeve të diellit, për t'i dhënë ngjyrë çokollate lëkurës së saj të bardhë, të derdhur dhe të bukur.

Maria kishte flokë të verdhë, të dendur e kaçurrela të vogla. Ngjyra e syve me nuanca midis të gjelbrës dhe bojëqiellit dhe gjatësia e shtatit të saj, të bënin ta ndiqje me sy, pavarësisht se sytë të vriteshin nga rrezet e diellit. Interesimi im ndaj saj ishte krejt rastësi. Më tërhoqi vëmendjen koha kur koka e saj ishte kthyer drejt vendit ku unë vendosja sendet e mia personale dhe përfshinte me shikim çdo lëvizje timen. Të njëjtin veprim bënte edhe kur unë dilja nga uji.

Një ditë, teksa i afrohesha bregut, një shok më takoi i përmalluar dhe u ndalëm disa çaste e biseduam. Takimi u pasua me një rastësi të habitshme. Ndodhesha një hap larg me vajzën bukuroshe dhe padashur kisha përqendruar shikimin mbi trupin e saj të gjatë. Ngjasonte si një modele sfilatash. Gjatë shkëmbimit reciprok të shikimeve tona, pata një ndjesi të këndshme e të panjohur më parë.

Kësaj radhe isha unë këmbëngulësi, sa nuk po e ndiqja fare fillin e bisedës me shokun, i cili u detyrua të më përsëriste një pyetje dhe më pa me habi kur përgjigjen nuk e mori të saktë prej meje, teksa shikimin nuk e kisha aty, por drejt Marisë. Vazhdova ta shihja me kuriozitet e interesim edhe më vonë. Zhytesha, por nuk qëndroja aq gjatë sa herëve të mëparshme dhe sytë më shkonin gjithë po drejt saj.

Ditën e katërt vajza ishte e shtrirë në rërë paksa afër meje e me të njëjtin shikim vëzhgues për çdo lëvizje timen. Befas më shkrepi në kokë të bëja diçka për të mundësuar njohjen; një sajesë të momentit, të qëllimshme. Një gur nën këmbët e mia (e vendosa me kujdes duke e mbuluar me rërë) papritur më pengoi ecjen. U përplasa një hap përpara në drejtim të bregut, mërmërita nëpër dhëmbë me zë të ulët se isha lënduar paksa në gjurin e majtë (një nga episodet e rralla në jetën time kur po e fshihja të vërtetën me ndërgjegje, por që asnjëherë nuk jam penduar pse veprova ashtu).

Maria u afrua në moment dhe më pyeti se mos isha dëmtuar. U përkujdes dhe u tregua e gatshme të më ndihmonte në ecje deri në marrjen e ndihmës mjekësore. E falënderova dhe iu prezantova. E sigurova se isha mirë dhe se goditja nuk më kishte lënë asnjë gjurmë, se nuk ndieja dhimbje.

Në pritje të prezantimit të saj, dëgjova:

- Familja ime banon në njërën nga lagjet e Vlorës. Prindërit janë të shkolluar dhe dëshirojnë që edhe unë të ndjek rrugën e tyre. Unë jam gjimnaziste dhe kam rezultate të mira në mësime. E admiroj detin, por nuk më tërheq noti. Preferoj më mirë rrezet e diellit. Duke qëndruar pranë bregut, shtrirë në rërën e nxehtë thuajse gjatë gjithë verës, kam pasur mundësi të shoh shumë notarë. Por, le ta pranoj, ti më tërhoqe vëmendjen qysh në fillim me paraqitjen e veçantë, dëshirën për të notuar në një det të qetë apo dhe përmes dallgëve, koha e gjatë që ti qëndroje në ujë, stilet e ndryshme të notit, forca fizike (sepse asnjëherë s'të kam parë të dihatje) dhe, mbi të gjitha, je prezantuar me shumë natyrshmëri, dhe më je dukur njeri korrekt.

Mbeta i shtangur nga gjithë ai vlerësim që më bëri Maria, po ndihesha mirë. E falënderova, i tregova për pasionin që kisha ndaj notit dhe më dukej vetja si me krahë. Kuptohej lehtë se zemra ime po përjetonte ndjenja të ngrohta, të panjohura brenda saj, sepse fare pranë kisha një vajzë me bukuri gati mahnitëse, me ecje lozonjare. Zgjuarsia dhe çiltërsia e saj ndikuan që unë të takohesha edhe më vonë, gjithmonë e më shpesh me të. Isha i gëzuar dhe e pranoja se afrimi me Marinë ishtë një tjetër dhuratë qiellore, po përjetoja pjesën më të bukur të jetës sime.

Nisa të tregoja interes për historikun e sportit të notit. U informova se Kampionati i parë Kombëtar ishte zhvilluar më 1933 në Durrës, ku kishin marrë pjesë edhe 12 notarë nga Vlora; mësova për legjendën e notit durrsak, Taq Dafa, për rezultatet e paimagjinueshme dhe perfeksionin e stilit krol, si ndër më të pëlqyeshmit e asaj kohe etj. Pyetje të shumta, ëndrra me sy hapur, të paimagjinuara më parë, u bënë shoqërueset e mia të pandara. A mund të merrja unë një ditë pjesë në një kampionat noti? Nuk doja të përgjigjesha, por shpresoja...

Mirëkuptimi i dyanshëm me Marinë, afërsia shpirtërore me të po ndikonte tek unë. U përkushtova më tepër ndaj notit, por gjeja kohë edhe për takime të shkurtra brenda qytetit (me sa dukej, e kufizonin familjarët). Në linjën e informacioneve që kishin marrë prindërit e Marisë, unë prezantohesha një djalë i panjohur, që kisha një punë të thjeshtë dhe një përkushtim të skajshëm për notin, por me një të ardhme të paqartë e të papërcaktuar...

Njohja me të tjerë djem të moshës sime, më ndihmoi të pranohesha në rrethin e notit, të vlerësohesha prej tyre dhe të përshtatesha me rregulloret e përcaktuara, ndonëse ditët e para e kam pasur shumë të vështirë. Përafërsisht, siç më kish vëzhguar Maria, të njëjtën mënyrë po tregonte ndaj meje edhe trajneri (a mund të vlerësohesha si një nga garuesit e ardhshëm?). Nga dita në ditë, ai informohej për përkushtimin tim ndaj notit, forcën, qëndrueshmërinë, aftësinë, zhdërvjelltësinë, por i duhej kohë të bindej...

Noti dhe Maria. Maria dhe noti. E doja shumë edhe atë vajzë. Me pamjen e veçantë, në përfytyrimin tim ajo i shëmbëllente hënës së plotë në natë pranvere, pa asnjë rè në qiellin e ndritur nga yje vezullues e të panumërt, ku shikimi të mbetet në pamjen rrumbullake, në ngjyrën e verdhë e të pastër brenda kontureve të së cilës shquhen ravijëzime të padeshifruara me ngjyrë të errët. E ndjek në fillim se si shfaqet në afërsi të tokës, ngrihet ngadalë në kupën qiellore e në vazhdimësi të rrugës me po të njëjtën shpejtësi, hëna zbret në anën tjetër të horizontit, si të kishte përfunduar ekzaktësisht kohën e takimit të parë e për t'u takuar sërish në të njëjtat rrethana të nesërmen...

Në vitet e largëta të fëmijërisë, argëtimet e moshës i gjenim në natyrë. Dikush ishte i dhënë pas zogjve fluturues, sidomos pëllumbave, ndonjë tjetër kujdesej për macen e vogël, më të privilegjuarit dhe më të rrallë në numër ishin ata që kishin një këlysh, i cili i shoqëronte para dhe pas orarit të shkollës. Mua më kishte tërhequr pa masë pamja e hënës së plotë. Ndieja njëfarë afërsie, më dukej se më shihte...

Midis bisedave të shumta mes nesh, një natë hëna na shihte me ëmbëlsi gjatë kohës së lëvizjes së saj në qiellin e pastër, përmes yjeve të shumtë, që sikur i hapnin rrugën me përulje. Një moment m'u krijua përshtypja se na përshëndeti. Ia shpjegova me ndjenja të ngrohta ëndërrimet e mia Marisë dhe i kërkova që të më lejonte që ta thërrisja me emrin "Hënë", çka ajo e pranoi në çast me kënaqësi, por kurioziteti e nxiti të më pyeste për domethënien e kësaj kërkese.

Iu përgjigja:

- Dihet mirë se dielli qëndron në vlerësime si i pari i të parëve. Në pozicionin tim si notar, në më të shumtën e kohës, sidomos kur relaksohem në sipërfaqe të ujit, i shmangem forcës përvëluese të rrezeve të tij, duke qëndruar me sy mbyllur. Shpesh preferoj ta kem fytyrën në drejtim të ujit apo të zhytem në thellësi. Pa harruar edhe procesin e punës sime të përditshme me kokë e trup përkulur drejt tokës, ku dielli bëhet shpesh i padurueshëm me nxehtësinë e tij.

Sa kisha lexuar e kuptuar atyre viteve, më kishte lënë mbresa një studim, sipas të cilit, madhësia e diellit, parë nga toka, është e barabartë me madhësinë e hënës, sepse, me të njëjtën shifër si treguese të madhësisë së diellit krahasuar me të, ajo ndodhet afër tokës; pra, njëri është më i madh, por më larg, tjetra është më e vogël, por më afër tokës. Kështu, në këtë këndvështrim, unë kisha për kënaqësi të përzgjidhja emrin e më të afërmes me banorët e tokës, si njëri prej tyre.

E binda veten qartë, si të fliste shkencëtari: pikërisht Hëna po ndjek me kënaqësi hapat e tu në çdo lëvizje në tokë apo të notuarit në det, mendimet, ndjenjat e sapolindura e jo gjithmonë të shprehura, ndoshta edhe ritmin e frymëmarrjes, sepse është e dashuruar me ty.

Dhe vazhdova t'i them Marisë:

- Po, dashuria e saj përbën thelbin e jetës sime, i ka dhënë freski, bukuri, e ka pasuruar me ndjenja të paprovuara, më ka zgjeruar horizontin, më ka bërë të ndihem tjetër njeri, ndaj ti e meriton emrin e veçantë, Hënë.

Përkushtimi im ndaj sportit po tërhiqte përherë e më tepër vëmendjen e disa sportistëve të tjerë, por që unë nuk po e vlerësoja realisht. Sapo mundesha të siguroja kohë të lirë, shoqërohesha me Marinë. I lumturuar pa masë, ëndërroja e shijoja kaltërsinë e detit, që shpejt rrezatonte me shkëlqim e ndriçim të veçantë ngjyrat e ylberit në momentin e perëndimit të diellit. Në qiell nuk dukej asnjë rè. Në raste të tjera me rè, reflektimi i tyre errësonte paksa atë pjesë të ujit, duke krijuar një ndarje të dukshme midis tyre. Më pëlqente deti Sidomos , kur kisha Marinë pranë, dashurinë.

Shihja djem të rinj, të apasionuar pas notit dhe shpesh ndodhesha pranë tyre, por qëndroja indiferent ndaj miqësisë së tyre. Takimet e para me notarët, nëse rrethanat ishin favorizuese, i vlerësoja thjesht si prezantim, si një aspekt njohjeje me dikë që kishte të njëjtën prirje ndaj të njëjtit sport, por pa u dhënë të tjera impulse miqësie këtyre njohjeve. Kjo gjë ndodhte se, më së shumti, shpejtoja të takoja sa më parë Marinë në atë interval të shkurtër kohe që e lejonte familja, por, gjithashtu, isha dhe pak i drojtur me ata djem, sepse ata ishin nga Vlora, ndërsa unë isha rritur në tjetër mjedis.

Në raste të veçanta, kur prezantohej qartë sjellja apo qëndrimi jo dashamirës i dikujt ndaj rezultateve të mia, përjetoja një hidhërim të vogël të çastit, sepse jam njeri i natyrës së ndjeshme shpirtërore. Isha mësuar me moshatarët e qytetit tim, të cilët, në situata të njëjta, kthenin kokën anash pa iu përgjigjur përshëndetjeve ose largoheshin pa më pritur e pa më shoqëruar kur emri im shkruhej i pari. Po kuptoja qartë se përballja me kundërshtarët e rinj ishte e vështirë. Në garat e notit pjesëmarrësit përgatiteshin mirë dhe konkurrenca sa vinte dhe bëhej më e ndjeshme. Ndonjëherë dëgjoheshin të pëshpëritura me nënkuptime ironike dhe fyese, herë të tjera vihej në dyshim momenti i fitores, pra, rezultati i arritur në përfundim të garës.

Një të diel shkova në shtëpinë e prindërve, shumë i përmalluar. Për të dyja palët, takimet tona nuk ishin të lehta dhe ishin bërë gjithnjë e më të rralla, ndaj dhe ndjesia e mallit bëhej më e madhe. Por vura re se diçka nuk shkonte mirë si herët e tjera. Më ra në sy sa hodha hapin e parë në dhomën e zjarrit. Nuk dolën të më prisnin te porta e oborrit, të më përqafonin e të më bënin pyetje të shumta, pa marrë përgjigjen e së parës. Të treve bashkë më parë na rrethonte një gëzim i veçantë, një ngrohtësi e papërshkrueshme  me  fjalë...

U shqetësova pa masë dhe s'dija se cili ishte shkaku i asaj tronditjeje të panjohur prej meje. Natyrisht që më kishin larguar qëllimisht, për të mos e mësuar e përjetuar problemin. Babai rrinte i heshtur. Kishte pamje të vrarë në fytyrën e vuajtur, si asnjëherë më parë. Sytë nuk po e fshihnin pikëllimin as te nëna, e cila përherë ishte përpjekur ta mbyllte brenda vetes një situatë serioze e të dhimbshme, për të mos lejuar t'i shkaktonte vuajtje një të afërmi. Këtë herë po e shihja të tjetërsuar, të dobësuar dhe doja ta ndihmoja sa më shpejt të ishte e mundur, por nuk po kuptoja se çfarë kishte ndodhur. Për më tepër, e dija se ndiheshin të lumtur për njohjen time me Marinë.

Po prisja me ankth të mësoja se ç'kishte ndodhur. Pas një heshtjeje të zgjatur, babai më qartësoi pozitën e vështirë të familjes dhe faktin tronditës: dokumente të kohëve të fundit jepnin prova se xhaxhai, vëllai i madh i tim eti, që jetonte larg nesh e rrallë takoheshin, në vitet e luftës kishte marrë pjesë në bandat e Xhaferr Devës. Babai nuk po më tregonte më shumë, duke dashur të mos më pengonte në rrugën e nisur. Kështu e kishin vendosur bashkë me nënën, me sa duket, të më mbanin larg gjithë kësaj historie, po, a ishte e mundur?

Më këshilluan që të mos bisedoja asgjë me shokët dhe unë e mbajta fjalën. Marisë nuk kisha se si t'ia fshihja. Edhe prindërit e saj e morën vesh dhe shumë shpejt qëndrimi i tyre karshi meje ndryshoi e, për më tepër, kufizuan në maksimum shëtitjet e mia me Marinë.

Ndihesha i dëshpëruar, për më tepër që ndodhi në kohën kur po përgatiteshim me një ekip të përzgjedhur për gara noti në rang kombëtar. Një profesionist i notit, por edhe njeri dashamirës, po më ndiqte hap pas hapi në rrugën time, ku nuk njihja ndalesë, por veç punë këmbëngulëse drejt realizimit të ëndrrave të shumta. Fare pranë ndieja Marinë, ndihma e së cilës ishte e pranishme në çdo hap që hidhja në tokë; kur qëndroja në ujë, ajo rrinte në breg, me pritjen e saj të admirueshme.

Specialisti me të cilin stërvitesha, vlerësohej si një nga trajnerët më të mirë për moshat e reja në not. Në një takim të zgjeruar me specialistë të tjerë të fushës, ai më vlerësoi "talent noti". Në moshën time, sapo kisha mbushur 18 vjeç, dhe në pozicionin tim të vështirë ato kohë, vlerësimi i mjeshtrit më dha krahë, më bëri krenar dhe ndihesha i lumtur. Ishte gati e pabesueshme!

Por po më shqetësonte gjithnjë e më shumë ndryshimi i sjelljes së Marisë ndaj meje. Po kështu ndryshuan qëndrim edhe disa shokë të notit. Fillimisht ata më largoheshin me kujdes, si rastësisht, derisa një ditë njëri prej tyre, edhe pse u tregua i kujdesshëm, e tha hapur:

- Andrea, ti je një mjeshtër i lindur noti dhe ne e besojmë e pranojmë se talenti yt është mahnitës, i padiskutuar. Notarët e vërtetë si ti gjenden rrallë mes njerëzve që zhyten e dalin çdo ditë nga deti. Por... disa rrethana na detyrojnë të qëndrojmë larg teje... Ndihem keq teksa po flas në këtë mënyrë me ty, sepse ti je i ndershëm, i sinqertë, njeri me karakter të fortë, por jemi të kushtëzuar në marrëdhëniet me ty. Jam i detyruar të largohem... Të kërkoj falje...

Pra, isha pikërisht unë që nuk meritoja afërsi e miqësi me shokët. Po pse vallë?! Ç'kisha bërë? Cili ishte faji im? Pse po më braktisnin? Unë nuk kisha gabuar askund, gjithmonë kisha qenë korrekt ndaj kujtdo dhe gjithçkaje, në çdo vend. Nuk kisha vjedhur, nuk kisha vrarë... Pse po më ndodhte kjo braktisje nga të tjerët? A do ta përballoja dot këtë situatë? Mosha ime e re nuk kishte njohur situata të tilla. Unë dija si t'u rezistoja vetëm dallgëve të detit dhe erës së papritur.

Nuk guxova të thosha qoftë dhe një fjalë të vetme. Ato ngecën brenda meje dhe pyetjet e panumërta që i bëja vetes, kishin vetëm një përgjigje: biografia e familjes sime! Jeta dhe aktiviteti i xhaxhait në vitet e luftës po i kundërvihej jetës aktive dhe pasionit të zjarrtë të një djaloshi të talentuar ndaj notit, edhe pse ishin larg në kohë dhe në koncept.

Ndihesha i dërrmuar shpirtërisht dhe po përjetoja një gjendje psikologjike tejet të vështirë. Fillova ta ndieja gjithnjë e më tepër qëndrimin diferencues të të tjerëve, dëgjoja që kundërshtohej hapur vlerësimi për rezultatin e arritur, po më pengonin pjesëmarrjen në gara të aprovuara më parë dhe nuk më jepnin asnjë sqarim... Gjithçka qe përmbysur si nga një dorë e pamëshirshme...

Shumë shpejt pësova një tjetër tronditje që më pikëlloi thellë. Marrëdhëniet me Marinë po zbeheshin. Fillimisht ajo përpiqej ta justifikonte qëndrimin e tjetërsuar ndaj meje e më pas duke shmangur takimet tona, pavarësisht vendit e kohës, edhe pse sytë e mi ishin gjithmonë të përlotur.

Pas shumë përpjekjeve të mia për të rifituar Marinë e dikurshme, kurrë nuk e harroj përgjigjen e saj që më ka ngelur gozhdë në zemër:

- Andrea, të dua shumë! Po! Më tepër se ditët e para të njohjes... Por jam e detyruar me forcë të largohem prej teje, të ndahemi përfundimisht nga njëri-tjetri. Nuk ka rrugë tjetër për mua... Jo, nuk gjendet. Jam përpjekur me të gjitha mënyrat dhe për një gjë jam e bindur plotësisht: ti do të mbetesh në zemrën time gjatë gjithë jetës sime!

Lotët i rrëshqisnin në faqe, zëri iu mek dhe vetëm psherëtinte thellë. Nuk e kisha të vështirë të kuptoja situatën e vërtetë që ajo kish përballuar ato kohë, sikurse edhe gjendja ime. E kishin detyruar të vepronte në atë mënyrë, ndaj dhe takimet tona u rralluan, derisa u bënë të pamundura. Jeta po më dukej e pakuptimtë, e boshatisur tërësisht, pa pikë vlere. Dhe kjo më ndodhi në një moshë fare të re, teksa sapo po u trokisja të 20-ve.

Mendoj se është e parealizueshme të njohësh madhësinë dhe thellësinë e dhimbjes shpirtërore te një njeri tjetër, sado i afërt të jesh me të. Ajo është specifike, individuale dhe e pamundur të vlerësohet realisht vetëm duke parë jashtë si në, anën e shfaqshme. Këtë konkluzion e kam nxjerrë nga jeta ime, edhe pse isha i ri në atë kohë dhe përpiqesha të mos e shfaqja gjendjen time shpirtërore tek të tjerët pas ndarjes me të shtrenjtën vajzë, dashurinë e vetme të jetës sime. Njëherësh, po ndërgjegjësohesha se dhe dashuria ime për detin dhe notin ishte në grahmat e fundit.

Kështu, po pësoja dy goditje fatale njërën pas tjetrës dhe nuk e doja jetën në ato kohë. Doja të ulërija, të kërkoja  ndihmë. Po, ku? A mund të shpresoja?

Kishte momente të veçanta kur ecja përgjatë bregut me rërë. Shëtitja kishte zëvendësuar notin, gjë që më trishtonte pa masë. Rastësisht takoja ndonjë nga anëtarët e klubit sportiv. Afrohej, më përqafonte dhe bisedonim miqësisht, paksa më gjatë se zakonisht, pa e fshehur mbështetjen shpirtërore, reflektuar kjo në shikimet e ëmbla e po aq burrërore, si të tregonte se më mirëkuptonte e shpirtërisht ishte pranë meje. Pas ndarjes me të, më mbetej gjatë në shpirt ajo ndjenjë ngrohtësie njerëzore dhuruar nga shikimet që më ishin ngulitur thellë brenda zemrës sime.

Hamendësime të shumta, pasiguri, ëndrra të kota... Një natë më shkreptiu në mendje një vegim: sikur të mundesha të shkoja me not drejt Italisë? Jeta në një tjetër vend, me të tjera koncepte, mund të ma rikthente Marinë. A ishte ndier mungesa ime në ujin e detit, në dallgët e tij? Pa asnjë përgjigje, për më tepër, nuk shihja asnjë rrugëdalje.

Problemet s'kishin të sosur. Babai ndodhej në një situatë të vështirë psikologjike dhe ekonomike. Isha plotësisht i sigurt se nuk do ishte dakord që unë të largohesha. Nëna ndihej keq nga ana shëndetësore. Dyshohej për një sëmundje serioze, emrin e së cilës s'e mësova kurrë, por që i rrezikonte jetën. Me sa duket, ma fshehën enkas llojin e sëmundjes, që të mos  më shqetësonin.

Si një natyrë e ndjeshme dhe njeri i sinqertë, u kujtova se midis shokësh kisha shprehur mendime pozitive dhe admiruese për jetë në Itali, pavarësisht informacioneve të kufizuara. Por tani e kisha të pamundur konsultimin me ndonjë prej tyre, pas të dhënave të dyshimta  në gjirin tim familjar.

Në garat e shpejtësisë kisha thyer disa rekorde dhe, kur një ditë u planifikua një garë rezistence drejt Karaburunit, nisën pëshpëritjet kundërshtuese: "Jo, jo Andrea!", të cilat u finalizuan me përjashtimin tim. Unë ende s'e kisha kuptuar se më kontrollonin dhe survejonin në gjithë lëvizjet e mia. Po përjetoja dita-ditës një gjendje shpirtërore të rënduar, gati-gati depresive. Pyesja shpesh veten se çfarë më kish mbetur ende mua... Një dashuri e thyer në mënyrën më brutale, shkatërrim i ëndrrës që kisha për notin - dy dashuritë e mia të moshës rinore të shkrira në një thelb por që… tani s'ishin më...

Edhe në mjedisin e punës së përditshme kishin ndryshuar qëndrim. M'u kufizua koha e lirë dhe u shtuan orët e punës. I vetmi mbështetës në ato ditë të mjera mbeti vullneti im, I cili nuk më braktisi kurrë. Kur më krijohej mundësia, notoja në detin e dallgëzuar më gjatë se më parë dhe po tentoja të përshkoja largësi të paprovuara, si të isha duke testuar veten.

Mësova saktë distancën Vlorë-Karaburun (13 km) që kërkonte një kohë të gjatë qëndrimi në ujë. Vendosa ta provoj. Nuk po gjeja qetësi kur mendoja që para meje nuk shihja asnjë dritë të vogël, asnjë shpresë të mundshme. Mora vendimin e pakthyeshëm për të notuar drejt Italisë, me besim dhe shpresat që shoqëronin ëndrrat e mia drejt një jete normale.

Një ditë, me vullnet të plotë, vendosa që së pari të arrija i vetëm deri në Karaburun, të qetësoshesha disi e pastaj të vazhdoja rrugën e mëtejshme, e cila do të ishte jashtëzakonisht e gjatë dhe e vështirë. Ishin çaste të papërsëritshme. Truri përpunonte mendimet, zemra mbante ritmin më të përshtatshëm për të përballuar atë ngarkesë jo të zakonshme, ndërsa sytë shihnin vetëm përpara. Tërësia e muskujve të trupit ishte në më të lartën shkallë, zhdërvjelltësia dhe forca perfekte shoqëruar me vendosmëri për arritjen e qëllimit.

Po ndieja lodhje, teksa kisha notuar më shumë se 3/4 e distancës. Këtë herë kisha dhe emocione të paprovuara më parë dhe sforcoja e zemrës po ndikonte drejtpërsëdrejti në lodhjen time.

Një çast, iu drejtova detit:

- O det, jam yti dhe, nëse do të më marrësh, do të mbetem yti në përjetësi.

Nuk mund ta gënjeja veten time më tej. Po përjetoja ndoshta momentin më të vështirë deri atëherë, qysh nga dita e një fillestari në not e derisa më kishin vlerësuar si talent i këtij sporti.

Më është ngulitur në kujtesë momenti i shpëtimit. Papritur, m'u bë se po shihja përpara vetes babanë tim, me pamjen e veçantë burrërore dhe grushtin e dorës së djathtë të ngritur lart. E kuptova se ishte duke më dhënë forcë, për të cilën kisha më shumë nevojë se kurrë. Pranë tij u shfaq edhe nëna ime, që, duke më dhuruar dashurinë e saj të veçantë, më fliste me zë të lartë:

- Andrea! Mos u dorëzo! Ti je shumë i fortë! Të duam shumë dhe kemi besim tek ti! Do t'ia dalësh, si përherë!

Teksa po ndieja ngrohtësinë e fjalëve të nënës, një forcë e panjohur më përshkoi nga koka te këmbët, sa në çast m'u lehtësua frymëmarrja dhe krahët e shpërndanin me lehtësi ujin. Për më tepër, m'u bë se dëgjova dhe duartrokitjet e forta të motrës dhe të të të tjerëve; në krahë të motrës pashë dhe fytyrën bukuroshe të Marisë, e cila u afrua, gati më preku dhe më tha:

- Andrea, të dua shumë! Askush nuk të zëvendëson ty në zemrën time! Jam dhe do të mbetem e jotja gjithë jetën.

E kisha të pamundur të kuptoja se ku ndodhesha, por ndihesha i lumtur, i çlodhur dhe nisa të notoj më shpejt e me më tepër forcë.

Shumë më shpejt nga ç'e mendoja iu afrova cekëtinës. Mendova të çlodhesha disi, në pozicion shtrirë, pasi një lodhje e lehtë po më kaplonte ngadalë, si të më kujtonte orën e zakonshme të gjumit. Një ndjenjë e brendshme gëzimi sikur ma pakësonte lodhjen dhe po bëhesha gati për pjesën tjetër të rrugëtimit, gjithashtu të vështirë.

Nuk di sa kohë kish kaluar ashtu i përhumbur në ndjesinë e këndshme të çlodhjes, kur mbas shpinës sime dëgjova hapa. Duar të panjohura më kapën nga të dyja shpatullat, më shtrënguan fuqishëm në kyçet e duarve, më vendosën një kapuç në kokë dhe më detyruan me duar ta mbaja kokën poshtë. Më ngritën nga rëra dhe ca duar të fuqishme filluan të më tërhiqnin zvarrë. Nuk po kuptoja se ç'po ndodhte dhe cilët ishin ata persona që nuk më bënë asnjë pyetje, por vetëm po vepronin dhunshëm ndaj meje. Folën ngadalë dy-tri fjalë midis tyre, po nuk më dukeshin zëra të njohur më parë. E kisha të vështirë të orientohesha. Ndieja një turbullim të pamjes, djersë të ftohta më mbuluan  ballin dhe... humba ndjenjat.

Nuk di sa kohë qëndrova në gjendje kllapie, por, kur nisa të kthjellohem, e pashë veten të rrethuar nga persona me uniforma të bardha e me injeksione në duar. Nuk isha plotësisht i qartë në mendime; ato më ngatërroheshin me njëra-tjetrën, pa mundur të mësoja të vërtetën. Pyetjeve të mia askush nuk u përgjigjej.

Disa momente më vonë, gjendja e turbulluar m'u përsërit. Po ndihesha si në person i futur në një tunel të errët, pa mundur të dalloja asnjë rreze të dobët a të largët drite në fundin e tij. Gjatë atyre ditëve mizore, nuk më zuri syri asnjë të njohur apo dikë që të shprehte ndonjë interesim për mua. Ndodhesha në një situatë enigmatike dhe të rrezikshme...

Në pamundësi të mësoja ndonjë faktorin real ,pra arsyet e kësaj gjendjeje, vendosa të prisja rrjedhën e kohës. Fati im tashmë ishte në duar të të tjerëve. Cilët ishin këta  njerez? ? Ç'fare kërkonin prej meje?

Në ato çaste të turbullta, para syve më shfaqej shpesh fytyra e një personi rreth 30 vjeç. Ishte i dobët. Kishte një buzëqeshje ironike e vështrim përbuzës, poshtërues. E ngulte shpesh shikimin drejt meje dhe fjalët e tij godisnin si diçka metalike në veshët e mi:

- Na trego të vërtetën! Pse doje të shkoje në Itali? Kë do takoje? Sa kohë ke që bashkëpunon me ta? Ç'detyrë të kanë caktuar? Ne e dimë gjithë aktivitetin tënd të deritanishëm, sidomos kur ti, për orë të tëra, gjoja bëje not. Pranoje, ke qenë gjysmë budallai, ashtu je dhe ashtu do të mbetesh. Nuk na mashtron dot, do ta shohësh!

E kisha të vështirë ta përcaktoja nëse ishte një ëndërr e përsëritur apo realiteti i egër në të cilin po jetoja.

Kaluan disa ditë. Pas largimit nga mjedisi mjekësor, më dërguan në një kapanon, ku kishte edhe njerëz të tjerë. E vetmja gjë e mirë ishte mundësia e komunikimit me ndonjë prej tyre. Mësova me pikëllim se isha një i izoluar dhe më priste burgu. Përfaqësoja, sipas tyre, një person që kishte tentuar të arratisej jashtë kufijve të atdheut dhe rrjedhimisht do të më dënonin me burg politik, sipas ligjeve përkatëse të kohës.

E kam të pamundur të gjej fjalët e përshtatshme për të treguar gjendjen time shpirtërore kur u binda se ndodhesha brenda mureve të burgut. Gjithçka, brenda dhe jashtë meje, i tejkalonte mundësitë dhe përmasat e përfytyrimit tim. Ditëve të para, pamundësia e përshtatjes në ato mjedise bëri që të më përsëriteshin episode të papritura të humbjes së ndjenjave, e ndihmuar kjo edhe nga fakti që unë thuajse nuk haja fare ato kohë. Në njëfarë mënyre, nuk e kisha veten aspak nën kontroll dhe e kisha të pamundur të pranoja atë realitet të hidhur e të padiskutueshëm.

Pas asaj gjendjeje traumatike, nisa ta merrja veten ngadalë në ditët në vazhdim. Gjykova me kthjelltësi e gjakftohtësi situatën në të cilën ndodhesha dhe, jashtë dëshirës sime, kuptohet, po bëja përpjekje për t'u përshtatur sa më parë të ishte e mundur. Me sa kisha parë e dëgjuar në ato mjedise, përparësi kishin ata që bindeshin ndaj personave që kishin pushtet. Kështu ndoshta do të më duhej të sillesha dhe unë (duhet të kujtoj se një nga tiparet e veçanta të karakterit tim ishte krenaria dhe kokëfortësia).

Gjithashtu, falë ndihmës njerëzore nga persona të panjohur më parë, mësova dhe vlerësova këtë ndihmë të sinqertë. Ajo ekziston kudo dhe kurdoherë, edhe në çastin kur nuk e mendon se do të ishte pranë teje.

Përgjatë viteve të kaluara, më ishte bërë shprehi që pothuajse detyrat ditore t'i renditja në mendjen time sipas rëndësisë dhe të pandara nga mundësia e realizimit. Dhe kështu veprova edhe në ato ditë të vështira. Brenda mundësive, fillova të bëja sa të mundja në më të gjatin interval kohe ushtrime për forcimin e muskujve brenda dhomës dhe gjatë kohës kur ndodheshim në oborrin e burgut. Librat që prekja me dorë, i lexoja në një kohë shumë të shkurtër; shpesh i rilexoja. Fatmirësisht, më ndihmoi njohja me një mjek (shlyente një dënim të klasifikuar si të shkallës së lehtë, duke i dhënë mundësi që në kohë të pjesshme të ushtronte profesionin e mjekut). Ai ishte i përkushtuar ndaj leximit, si ndaj librave të profesionit, ashtu dhe të letërsisë artistike. Unë ia merrja dhe ia ktheja pas leximit, duke e falënderuar me sinqeritet.

Tentova të shkruaja, të hidhja në letër pjesë të jetës sime, sidomos pasionin për sportin, por nuk ia dola. Rinia e flakur tej mizorisht; dashuria e vetme, e pastër dhe e sinqertë me Marinë, e këputur përmes; përkushtimin ndaj notit ma privuan në mënyrën më të keqe; persekutimi dhe distancimi i familjes sime të shtrenjtë... A nuk ishin të gjitha një plagë e stërmadhe? Të gjitha sikur u flakën në fundin e detit, pa mëshirë, për të mos e parë më kurrë rrezen e diellit jetëdhënës, as dritën e hënës në netët pranverore...

Jeta ime ishte tepër e zbehtë, për shkaqet që i përmenda më lart. Si e tillë, edhe mua më kishte rënë interesi për pjesët përbërëse të saj. Nuk dëshiroj të jap hollësi për jetën gjatë 8 viteve të burgut. Përmend dhe vlerësoj të vetmin fakt: dëshirën për t'u marrë me aktivitet fizik. Veç kësaj, filloi të më tërhiqte dhe profesioni i hidraulikut. U përpoqa ta mësoj e më vonë ta përvetësoj, si një nga profilet e punës sime mbas përfundimit të dënimit.

Kujtoj me mall një nga shokët e asaj periudhe, ende të papërcaktuar plotësisht në qëndrimin që mbante ndaj shoqërisë në tërësi. Ishte verior, tepër i zgjuar, bujar dhe me koncepte të shëndosha për mënyrën e jetës, për aktualen dhe ardhmërinë e vendit. Sa herë e dëgjoja, mahnitesha përherë e më tepër.

Kurioziteti më nxiti të mësoja arsyen e vërtetë të dënimit të tij dhe ai më tregoi:

- Jetoja i vetëm në një shtëpi të gurtë në fund të fshatit. Me disa kursime, munda të blej një radio, që më sillte një kënaqësi të veçantë, teksa dëgjoja muzikën time të preferuar. Një mbrëmje, para se të shtrihesha për të fjetur, por lëvizja butonin në kërkim të stacionit muzikor. Një çast u habita kur veshi më kapi këto fjalë:

"Mirëmbrëma, të dashur dëgjues! Ju flet 'Zëri i Amerikës".

Dëgjova me përqendrim gjithçka thuhej. Të them të drejtën, nuk i kuptoja të gjitha, por nuk lija të më ikte kot asnjë fjalë, deri në fund të emisionit. Kurioziteti i ditës së parë më tërhoqi dhe bëri që ta dëgjoja çdo mbrëmje në të njëjtën orë. Në fund të emisionit, pa e kontrolluar veten, i ktheja përshëndetjen me zë të lartë në dialektin tim:

"Notën e mirë dhe mirupofshim!".

Kaluan disa muaj dhe unë vazhdoja me të njëjtën përshëndetje në fund të emisionit, ngaqë më dukej sikur më drejtohej mua, edhe pse ishte një largësi e panjohur. Një natë, unë me të njëjtën sjellje ndaj folësit, dëgjova se dikush po shtynte me forcë derën. Hyri brenda dhomës me vrull dhe m'u drejtua me zë ironik (unë e fika radion menjëherë):

"Pa më thuaj tani, me kë po bisedoje? Kë do të takosh? Se dukesh i gëzuar e po të qesh fytyra vesh më vesh. Paske lënë takime sekrete ti dhe ne nuk dimë asgjë për këto punët e tua të fshehta. Mendon se do të na e hedhësh lehtë... Po shpejt ke për ta parë se nuk na mashtron dot kollaj", - dhe në të njëjtën kohë, pa më lejuar të lëvizja, kontrollonte me dyshim e imtësi çdo kënd të dhomës dhe të oborrit.

- Pikërisht ajo ngjarje, - vazhdoi të rrëfente Andrea, - ishte zanafilla e takimeve dhe miqësisë sonë të mëvonshme. Sa herë e kujtoj këtë bisedë me shokun e dhomës në burg, nuk mund të rri pa buzëqeshur. Vitet e mëvonshme, kur e përfunduam të dy dënimin, përshëndetjen e përsëritnim për t'u argëtuar, me një tjetër shok në punën e përbashkët.

Pas daljes nga burgu, më dërguan në një zonë tjetër, për internim, ku nisa të punoja gjithë ditën në çdo punë, kryesisht si hidraulik. Isha i lirë, veç një njeri me zemër të plagosur thellë. Vitet e shumta nuk e shëruan dot plagën time të madhe, dashurinë e përjetshme për notin.

Nëna ime u nda para kohe nga jeta dhe jo shumë kohë pas saj, e njëjta gjë i ndodhi babait. Motra kishte probleme të shumta e të vështira për rritjen e katër fëmijëve të saj.

Atë pjesë të kohës së lirë pas pune, e kaloja duke lexuar libra, që gati m'u kthye në një pasion të ri. Kishte raste kur njerëz të afërt të mi më sugjeronin që të fejohesha e të ndërtoja familje, por unë refuzoja prerë. Bota ime e brendshme ishte krejt e akullt. E mendoja shpesh Marinë, por nuk mund ta takoja dot "Hënën" time të dikurshme dhe asnjë femër tjetër nuk mund të zinte vendin e saj në zemrën time.

Nuk po interesohesha shumë për vehten , sidomos për shëndetin. Nuk i dalloja dot shenjat e tensionit të lartë, duke i pandehur si pasoja të mbingarkesës fizike, mbilodhjes. Sëmundja avancoi, aq sa një ditë më preku trurin. Diagnoza u përcaktua: një gjakderdhje në tru (hemoragji cerebrale), e cila bëri që edhe gjysma e trupit të mos funksiononte si më parë. Ndihma njerëzore dhe ajo mjekësore bënë punën e tyre të dobishme , falë të cilave po vazhdoj të jetoj,  paçka se jo si përpara sëmundjes.

Më vonë mësova se një tjetër sëmundje favorizuese në heshtje për rritjen e tensionit ishte dhe dëmtimi i veshkave prej disa vjetësh, edhe kjo shkaktuar nga pakujdesia  ime.

U largova nga spitali pas mjekimit të kujdesshëm disaditor, po ku të shkoja? Isha në mes të rrugës, pa punë, pa familje, në gjendje shëndetësore të gjymtuar. E vetmja shpëtimtare për mua ishte porta e hapur e azilit, një strehë njerëzore e vërtetë.

Ditëve të para e kisha të vështirë përshtatjen në një mjedis me persona në moshë të thyer, pa asnjë lidhje gjaku mes tyre. Kishte të arsimuar dhe të paarsimuar, por të gjithë së bashku përfaqësonin një familje të madhe me shumë anëtarë, të afërt, të mirëkuptueshëm, të gatshëm për të bërë maksimumin për njëri-tjetrin në çdo moment. Ishte diçka e re për mua kjo mënyrë jetese, pas shumë kohësh që kisha qenë një njeri i harruar, me të vetmin komunikues besnik, librin apo dhe lojën e shahut. Dikur, në vitet e burgut, kjo lojë më tërhiqte shumë dhe luaja shumë mirë, por as që mund të krahasohej me atë që unë bëja në not, ku dhe më patën quajtur "talenti i notit". Dikur, krenari dhe thelbi i jetës sime, por më vonë noti mbeti më e pashërueshmja dhe më e thella plagë.

Në azil, ishte shahu që na afroi dhe miqësoi katër moshatarë. Ndihesha mirë dhe i çlodhur. Madje, kur nuk merresha me ndonjë aktivitet argëtues, ndieja lodhje dhe mërziti.

Padyshim që jeta ka të papriturat e veta. U hidhëruam kur një nga grupi ynë shoqëror ndërroi jetë. Pata një këputje shpirtërore dhe kuptova se ndjenjat njerëzore të nemitura, të zhytura thellë në zemrën time prej shumë kohësh, nuk ishin larguar përfundimisht. Lotët e hidhur të derdhur nga sytë e mi po më dëshmonin se edhe unë isha një grimcë në shoqërinë njerëzore.

Rastësisht mësova se jo larg vendbanimit tonë ishte ndërtuar një pishinë e plotësuar me të gjithë parametrat jo vetëm për notarët, por edhe e rrethuar me një hapësirë ku stolat  ndaheshin  midis tyre nga lule të shumëllojshme  të mbjella rreth e qark.

Si dhe dikur, edhe në ato kohë, më të shumtat e ëndrrave gjatë natës i shihja brenda ujit të pishinës apo dhe detit. Nuk e bisedova me askënd dëshirën time të papritur dhe ringjalljen e beftë të dashurisë për të soditur sipërfaqen e ujit të pastër, spërklat shoqëruese të notarit, momentin e përfundimit të garës, teksa fituesi do të buzëqeshte krenar përmes dihatjes nga lodhja dhe trajneri do të finalizonte triumfin e tij...

Nuk po e kuptoja se ç'po ndodhte tek unë me përjetesën e së njëjtës gjendje shpirtërore të shumë dekadave të mëparshme. Kam përshtypjen se edhe shpejtësia e hapave të mi ishte tej ritmikës së zakonshme. Kështu, u gjenda përpara pishinës, si dikur kur isha djalosh. Ndieja përshpejtimin e rrahjeve të zemrës dhe të frymëmarrjes. Një ndjenjë e brendshme gëzimi, përzier me buzëqeshje, ishte përhapur në krejt fytyrën time. Po më ripërtërihej një pjesë e ndjenjave, të flakura egërsisht në thellësi të qenies sime.

Më dukej sikur nuk po e njihja më vehten , s'kuptoja se ç'po ndodhte tek unë, në ç'kohë e ç'vend po jetoja... I turbulluar, një zë i brendshëm dukej se më kërkonte të kthjellohesha e të qetësohesha.

Pranë pishinës ishin dy stola të gurtë. U ula në njërin prej tyre, por ngrihesha herë pas here dhe ndiqja lëvizjet e adoleshentëve, thirrjet e gëzuara të konform shkujdesjes se moshës. Më tërhoqi vëmendjen njëri prej tyre, që dukej më i heshtur se të tjerët. Ishte më i gjati dhe kishte një zhdërvjelltësi admiruese, por nuk tregonte kujdesin e duhur kur zhytej. Edhe pse aty ndodhej trajneri, iu afrova kur gjeta momentin dhe nisa bisedën me të, duke harruar se ata e kishin kohën të kufizuar dhe se unë po tërhiqja vëmendjen e të tjerëve. Po ndihesha mirë pamvaresisht se më zaptoi të tërin një ndjesi dobësie. Djersë të ftohta më mbuluan ballin dhe u ktheva përsëri te stolat.

Pas pak afrohet drejt meje trajneri, një djalë i ri, më përshëndeti me dashamirësi dhe m'u drejtua gjithë kulturë:

- Tungjatjeta! Po shoh se po na ndjek me shumë vëmendje. Çfarë ju bëri përshtypje te djaloshi notar? Ju dëgjova tek flisnit me njërin nga djemtë e grupit, më të apasionuarin, më të mirin, por jo shumë i kujdesshëm ndaj vetes së tij. Ju i flisnit për notin me shumë profesionalizëm dhe kjo më bëri përshtypje. Kush jeni ju, sepse duket që keni njohuri të mira për notin.

- Emri im është Andrea L..., - nuk arrita t'ia thosha mbiemrin, sepse ishte djaloshi trajner që e përmendi  menjëherë.

Ai u përkul me respekt dhe po më shihte si të kishte përpara syve një njeri të jashtëzakonshëm.

- Po ju keni qenë një notar i paarritshëm, një gjeni. Unë kam dëgjuar shumë për ju, edhe për padrejtësinë që ju është bërë bërë, deri në largimin prej notit, - më tha.

- Po ku më njeh ti mua, djalosh? Nga je informuar për jetën time, për pasionin tim për notin?

Kam lexuar kronikat e vjetra te cilat tregonin për fillimin dhe shkëlqimin e një notari talent, që nuk e meritonte shkelmosjen përgjate rruges të ndritur në këtë sport, dënimin si i burgosur politik, moslejimin për të marrë pjesë në "ndërtimin e veprave", punë fizike që e kryenin të burgosurit e tjerë, por.. jo ju që ishit i burgosur politik...

Ndërsa e dëgjoja, ndjeva një ngrohtësi të brendshme dhe fjalët gati më humbën. Më bëhej sikur isha përpara një ekrani magjik, që po rreshtonte saktësisht vitet e bukura të rinisë. Ato kishin një bazament të veçantë, të papërsëritshëm, një substrat të vetëm të përbërë nga dy komponentë të ndryshëm që krijuan lumturinë time në atë kohë.

Mendova të qëndroja edhe pak aty te stolat e drunjtë, paksa larg pishinës. Përjetova dy emocione të veçanta brenda një kohe të shkurtër atë ditë: pishina dhe kujtimet e së kaluarës që më solli djaloshi. Kuptova se pjesëza të vogla të personalitetit tim jetonin ende. Emocionet më kishin pushtuar dhe duhet të rrija edhe pak sa të mblidhja veten. Shihja rreth e qark, fillimisht drejt parcelave me lule të shumta, si t'u tregoja atyre gëzimin dhe gjendjen time shpirtërore, shumë më të pasur se më parë. Nuk po e matja kohën. Po shihja dhe lulet aty pranë te këmbët e mia, po j'u dëshmoja se ndihesha si me krahë dhe ato më përshëndesnin me lëkundjen e lehtë, ajo krijohej nga flladi pranveror..

U ngrita nga stoli dhe sytë më zunë një vogëlushe që vrapoi të këpuste dy trëndafila. Teksa po kthehej, i tërhoqa vëmendjen, sepse po e shihja shumë i përqendruar. Ajo kishte ecjen e një kërcimtareje, sy të kaltër dhe flokë të verdha kaçurrela. Priti në heshtje, duke menduar se do ta qortoja për këputjen e trëndafilave, pastaj vështroi drejt një gruaje jo në moshë të re, shtatlartë, e mbajtur mirë dhe veshur me shije. Duhet të ish gjyshja. Duke ndjekur instiktivisht shikimin e vogëlushes, shtanga dhe gati u rrëzova nga stoli, po të mos kisha bastunin. U ngrita me shpejtësinë time më të mundshme dhe, sa u afrova pranë asaj gruaje, belbëzova:

- O zot i madh! Të falem, të përgjërohem për këtë mirësi që po tregon ndaj meje! Po shoh para vetes Marinë, të vetmen dashuri të jetës sime të pikëlluar. Apo është vegim? Po më bëjnë sytë? Mos vallë po shoh ëndrrën time më të shpeshtë, që e kam parë në netët e ftohta dhe ditëve të trishta? Por këtë çast fatlum, të ngulitur në çdo qelizë të zemrës e trurit tim, po e jetoj i tjetërsuar dhe nuk e kuptoj pse ndiej se forcat po më shterin. Nuk mundem t’i afrohem pranë e të përjetoj thellë brenda vetes sime ngrohtësinë e papërshkrueshme kur Maria më drejton gjatë shikimin e ëmbël të syve të saj me ngjyrë të gjelbër, përzier me nuancë bojëqielli, dhurata qiellore e moshës sime rinore.

Nuk po qartesohesha se ç’po ndodhte me mua. Si të isha kthyer papritur në një njeri prej guri, as po lëvizja, as po mund të shprehesha më tepër, teksa po shihja një femër të zbehtë,  në pamundësi të hidhte një hap të vetëm drejt meje.

Me një zë fare të ulët, pëshpëriste fjalë të pakuptueshme, mes të cilave dallova disa që i anashkaluan veshit , u futën në thellësi të zemrës sime dhe më rrëqethën:

- Oh, Andrea! Nuk të kam larguar asnjë çast nga frymëmarrja ime, nga rrahjet e zemrës sime, nga mendimet, gjatë gjithë kësaj kohe. Le të më marrë që tani vdekja, do ta pres me kënaqësi...

Pas këtyre fjalëve, Maria humbi ekuilibrin, por dy kalimtarë të rastit e ndihmuan të ulej në stolin kundrejt meje. Vajza e vogël u shtrëngua pas saj.

Nuk mund të përcaktoj sa minuta qëndruam përballë, pa ia ndarë shikimin njëri-tjetrit, pa shkëmbyer asnjë fjalë, por në ndjesinë dhe mendjen time ishim shkrirë në një substancë të vetme, si dikur... Në një moment, ajo u ngrit ngadalë, duke u mbështetur në shpinën e stolit, me dorën tjetër shtrënguar nga vogëlushja dhe me të njëjtin shikim ndaj meje, ktheu kokën lehtësisht, si të më kërkonte falje për largimin e detyruar drejt rrugës...

Për mua ishte e pamundur të çohesha nga vendi e të shkoja në azil. Vazhdoja të përjetoja të kaluarën, të gërshetuar tashmë me kohën reale. E kisha humbur sensin e kohës, minutat dhe orët ndiqnin njëra-tjetrën dhe qëndrimi im i gjatë në atë vend tërhiqte vëmendjen e të tjerëve. Dikush vinte pranë dhe më ofronte ndihmë, por largohej menjëherë sapo dëgjonte falënderimin tim dhe shpjegimin se më pëlqente të rrija në atë vend.

Nuk di sa qëndrova aty, kur befas ndjeva një shtrëngim të fortë në gjoks, errësim të pamjes, pa mundur të qëndroja as mbështetur pas bastunit. Më afrohen dy burra me moshë mesatare, të cilët nuk i morën parasysh kundërshtimet e mia, por më ndihmuan dhe më sollën në spital. Këtë herë e pranuan këmbënguljen time, të vetmin kusht që ndihmën mjekësore do ta kërkoja drejtpërsëdrejti. U larguan, pasi u bindën se mundesha ta vazhdoja rrugën drejt jush.

Kjo është... arsyeja e ardhjes sime në spital. Afërisa njerëzore e përsëritur ndaj meje, bashkë me ndihmën mjekësore dhuruar disa herë kur nuk e prisja, përjetimi i ndjenjave të ngrohta pranë pishinës, takimi i paimagjinueshëm me Marinë, mundën të realizojnë një rikthim timin në vitet e lumtura të rinisë.

Të gjitha së bashku marrin vlerë të shumëfishtë, fuqizojnë njëra-tjetrën dhe po më tregojnë se e kaluara mbeti larg, shumë larg...

Tani po jetoj dhe po i gëzohem asaj si gjithë njerëzit, me emrin që më thërrasin të gjithë, "Notari Andrea".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora