E marte, 29.04.2025, 08:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Dashnia, kjo hyjni e shpëtimit të botës

E hene, 20.04.2020, 12:33 PM


DASHNIA, KJO HYJNI E SHPËTIMIT TË BOTËS

(Lexime poetike. Abdullah KONUSHEVCI: “LUTJA XXXIII”), 12

Nga Prend BUZHALA

Lirisht e pa drojë e themi që Abdullah Konushevci (1958- 2013) është ndër poetët elitarë të poezisë bashkëkohore shqipe. Që në vitet '70 ai u dallua si penë e mprehtë: në poezi, eseistikë, po edhe në shkrimet kritike-letrare e në përkthime. La pas vetes veprat poetike Pasqyrë dhe diell (poezi, "Rilindja", Prishtinë, 1979}, Rënia e mollës (poezi, "Rilindja", Prishtinë,1981), Qerrja e diellit (poezi, "Rilindja", Prishtinë,1983), Loja e strucit (poezi, "Rilindja", Prishtinë,1987), Të qenët të mosqenë (poezi, "Rilindja", Prishtinë, 1990), Pikat AD (poezi, "Papyrus", Prishtinë,2002), Dashni dhe vdekje (poezi. "Nositi", Prishtinë, 2011), kurse ndër shkrimet studimore e kritiko letrare: Demaçi, vepra letrare (monografi, "Nositi", Prishtinë, 2008), Për poezinë (kritikë letrare, "Nositi", Prishtinë, 2008), Romani 'Gjarpinjtë e gjakut' i Adem Demaçit (artikuj të zgjedhur letrarë nga Abdullah Konushevci, kritikë letrare), NOSITI, Prishtinë 2011). Kanë mbetur të shpërndarë në shtypin e kohës edhe shumë shkrime letrare e studimesh gjuhësore, dokumentare, kritike, eseistike etj. Ishte edhe hartues tekstesh shkollore.

Meqë për nja dy-tri vite në rrjetin social komentoja shpesh poezitë e tij, ndër të tjera shënova: "Vlerat poetike-antologjike të Abdullah Konushevcit, nuk reshtin së krijuari e së shqiptuari thellë-thellë. Kësaj radhe, zgjodha poezinë LUTJA XXXIII (e publikuar më 31.12.2010 dhe e përfshirë te vëllimi poetik "Lutje dashurie" (poezi, "Nositi", Prishtinë, 2012).

1.

Ne Lutje, Hyji është masë e të gjitha gjërave? është shumësi sprovash, në të cilat gjithçka rrëfehet, paraqitet, shqiptohet, përgjërohet? është njaj froni i të gjitha gjykimeve qenësore, kundruall gjyqeve te tokës që kryqëzojnë Njeriun dhe Dashurinë, atë Vuajtjen e tij të shenjtë dashurore? gjykim i përgjëruar hyjnor, i shtrirë kudo e mbi çdo gjë... Dhe, le ta themi, poeti arrin ta shqiptojë këtë thellësi të emocionit të dashurisë. Ai e ndien pikëtakimin e dy botëve: tokësores dhe hyjnores nëpërmes asaj Dore të Hyjit, aq metafizike e aq konkrete njëherësh. Poeti na e shqipton të vërtetën e vetëdijes sonë, se në tokë ka aq shumë moskuptime të vuajtjes dhe dashurisë

Fali, o Zot

Nuk e dinë ç’është me vuejtë

Nuk e dinë ç’është me dashtë

Pra, na e tërheq vëmendjen, se ne tokësorët e vdekshëm vetë e kërkojmë të largohemi nga të kuptuarit e dashurisë dhe vuajtjes sipas masës hyjnore e thellësisht njerëzore? të largohemi nga vetë ky realitet dhe prapëseprapë aty jemi, së andejmi mësyjmë ta kërkojmë, me jetën e vdekjen tonë, sepse, në fund të fundit, askund kjo qenie njerëzore nuk mund të qëndrojë, përpos tek Absoluti Hyjnor... për t'i dhënë kuptim e qenësi dashurisë, si ë vetmes rrugë shpëtimi. Dhe për të cilën ia vlen edhe të vdesësh:

Ani, mua më merr

Ajo le të jetojë

2.

Edhe te kjo poezi, sikundër në të gjitha të tjerat me këtë tematikë (me mbi 50 këso tekstesh poetike), lexojmë apelativin “Zot”.

Për të komunikuar me Hyjin, për t’i shprehur dëshirat e bekimet, për t’i përballuar luftërat e betejat me jetën, për t’u takuar drejtpërdrejt me fuqinë e Hyjit (A. Gasparino), për ta përjetuar katarsisin e plotë shpirtërore, mëshirën dhe përmirësimin; për ta modeluar jetën sipas planeve të Hyjit, dhe, më në fund, për t’u gjendur përballë vetes e për t’u takuar sy më sy me veten, - a nuk arrihen këto përmes formës më të thjeshtë të poezisë, siç është vetë urata? Së këndejmi, kjo thjeshtësi e uratës a nuk do të shprehej më së miri në trajtën e saj më të lartë e më të bukur, siç është poezia? Prandaj, ka pasur të drejtë shkrimtari ynë, Visar Zhiti, i cili thotë për poezinë e Nënë Terezes (1910-1997), se është formë e lutjes, e lartë artistikisht, që i drejtohet njeriut për ta bërë Zot, i kërkohet emocioni i bukur, dhimbje për të përsosur vetveten, dashuri dhe dritë për terret e brendshme, hapësirë për endjet e shpirtit, natë për t’u çlodhur përkohësisht ose për jetë”. Kurse E. M. Brunds do të nënvizonte se shqetësimi dhe lutja janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin: “Lutja ka vlerë të madhe për shqetësimet. Janë shqetësimet ato që shpesh i shtyjnë njerëzit te Perëndia në lutje, ndërkohë që lutja nuk është gjë tjetër, veçse zëri i njeriut të shqetësuar.” Nëna Tereze do t’i ketë përjetuar thellësisht shqetësimet e mëdha të njerëzimit, prandaj e ka bashkuar zërin e saj të brendshëm tek Shpirti i Lutjes.

Në librin e tij të fundit poetik “Lutje dashurie”, poeti Abdullah Konushevci ka vetëm një gjuhë - gjuhën shpirtërore në lutjet e tij poetike... Te Fuqia e Lutjes, posi tek librat e shenjtë, ku shihet Dora e Hyjit, poeti sheh Kurmin e qenies-femër... Tashmë binomi Trup/Shpirt, në këtë trajtë të përgjërimit lirik, merr kuptimin e Fuqisë së Fjalës, kurse secili Episod Lutjeje është edhe një Episod Dashurie, i një rizgjimi shpirtëror... i një identifikimi qenieplotë në mes të tri subjekteve: Hyjit, Folësit lirik (Poetit) dhe Subjektit të Dashurisë ...

Të lutesh, do të thotë ta kërkosh Hyjin për diçka, të qëndrosh para Hyjit për të kërkuar mirëkuptim, ndihmë, mëshirë, të kesh shpresë... Të lutesh, a nuk do të thotë se duhet të shqiptosh shprehjen në nivelin më të lartë? Ta hapësh Unë-in tënd, qenien tënde plotësisht përpara Qenies Supreme Hyjnore? Dhe, së këndejmi Lutja ka edhe karakter ritual, ngrehet drejt simbolikës rituale. Lutja poetike e poetit e ngërthen këtë dimension të simbolikës individuale, të ritit personal, të përsëritjes rituale të ... me identifikim qenieplotë ...

3.

Folësi lirik e di që, me anë të lutjes së tillë, do të rimarrë forca të reja, sepse Hyji sikur pret aq e aq gjëra të mëdha nga lutësi i tillë,... Nuk është Lutje drejtuar ndonjë idhulli totalitar për t'ia falur jetën... por LUTJE E LIRISË SË SHPIRTIT për t'iu afruar Të Madhërishmes, Fronit te Hyjit, e që këtu identifikohet e mishërohet me DASHURINË, me qenien-femër që do...me Atdheun, me Jetën, me Vlerat Universale. Kortezhi i apostujve merr pjesë në këtë ritual e akt dashurie... Kaq hyjnore e kaq dehëse është ajo...

Poetit i duhet ta shpikë Lutjen, për ta gjetur strehën e shpirtit, për ta artikular zërin shqetësues të ndërgjegjes, për të kërkuar dritë kundruall abuzimeve të lemerishme ... Qenia-që-do (le të lexohet si femër a Atdhe...nuk ka rëndësi...ekziston liria e leximi personal...) identifikohet me BUKURINE, me SAKRIFICËN për dashurinë ... Prandaj, edhe dashuria e ndërmjetvetshme (poeti gati sa nuk thotë...se për dashurinë edhe kryqëzohet në gozhda...deri në dhimbje).

4.

Struktura e vargjeve të kësaj poezie-lutje, shënjon shkallë të lartë të shqiptimit poetik:

Zot, pikë¬pikë

po më shteron gjaku

Dhe pikë e fundit

Le të derdhet

Gjaku i Krishtit në teologjinë e krishterë, përkujton gjakun e derdhur gjatë shtegtimit të kalvarit të tij drejt kryqëzimit,, si dhe më vonë të derdhur pikë-pikë në kryq. Sipas krishterimit, ky gjak i derdhur është shpëtimi i njerëzimit. Poetët e rimarrin këtë ngjarje si simbolikë për referenca edhe historike, edhe gjithënjerëzore në arketipin e lirisë apo të dashurisë, përgjithësisht në arketipin e vlerave të epërme njerëzore, sikundër janë sakrificat për liri apo martirizimet e pafund për dymijë vjet për besim e liri besimi. Kësisoj, edhe te kjo poezi, vjen çasti i zemërimit të skajshëm, kur protagonisti lirik, në situatat më të ngjethshme, thotë:

Le të derdhet

Mua aq më bën

Poezia dhe Lutja përafrohen tek një thelb i përbashkët: nuk mund të shqiptohen së jashtmi me ndonjë urdhër a thjesht me ndonjë dëshirë të atypëratyshme. As sakrifica nuk bëhet e pavullnetshme... Nuk e do atë sakrificë ritualesh të moçme, si në partneritetin pagan të zotave: "Më flijo diçka nga vetja jote, të të shërbej, si Zot i fuqishëm që jam; sakrifiko që Unë, Zot mbi zotna, të jem sundues" - si veprojnë këta të zotnave të politikës rituale... Prandaj poeti nuk i dëshiron flijimet e padenja; te secili akt sakrifice, ai kërkon një spastrim të qenies, të vlerave sublime. Vetëm duke e bërë vetëflijimin e shenjtë të dashurisë, ti arrin t'u shërbesh të tjerëve. Mirëpo, vargjet e mëposhtme na sugjerojnë edhe situatat kur Kosova ishte vend burgosjesh masive politike, e ushtruar nga dhuna politike e regjimit pushtues serb, Kosova ishte në një BURG KOLEKTIV... ishte hapësirë për përgjakje nëpër "betejat epike", në betejat për liri e për ndërtimin e paqes dhe progresit qytetar e njerëzor.

Po na kërcënojnë, Zot

Duan me na nxjerrë në gjyq

Me na vjerrë në litar

Historia është një pergamenë që dëshmon PAFAJËSINË E TË GJYKUARVE si Sokrati apo Jezusi. Sokrati u angazhua drejtpërdrejt në kritikat ndaj demokracisë athinase, prandaj ia montuan një gjykim (aktakuzë të rreme) për ta hequr qafe. Jezusi u gjykua me kryqëzim me një grabitës...

I gjatë është KATALOGU ynë HISTORIK i pafajësisë... Dhe kur shpallet pafajësia, qoftë edhe pas sa e sa shekujsh, apo pas sa e sa dekadash, ajo e ka vlerën e vet historike: çlirimin nga epoka e errët e dënimeve të të pafajshmëve; çlirimin nga diktaturat dhe dhuna... Le ta kemi parasysh dënimin e 35 mijë shqiptarëve, kryesisht të rinj, që u gjykuan, u dënuan dhe u burgosën për Republikën e Kosovës gjatë viteve '80... me etiketat e rënda, si: separatist, nacionalist e shovinist shqiptaromadh, irredentist, terrorist, edhe pse ishin duarthatë... gjykatësit, në bashkëpunim me prokurorët e sidomos me policinë e UDB-në, hidheshin në kërkim të njollosjes dhe nxirosjes së tyre... Dhe Republika e Kosovës atyre të burgosurve iu dha të drejtë: pafajësia e tyre janë pavarësia, demokracia dhe liria...

Por, e (ri)shkruar në kushtet e pasluftës, optika e poetit sikur sugjeron edhe një shtresë tjetër kuptimore-asociative: tash në kushtet e lirisë, përse përsëri duan gjyqe për ne, përse e duan kokën tonë në litar? Mund të na dërgojë edhe në të tjera drejtime të SHUMËSISË KUPTIMORE (shumësia kuptimore, polisemantika, është figurë e poezisë moderne) ky asociacion poetik: ka një etje të sëmurë nga kundërshtarë politikë e nga medie armiqësisht të disponuara kundër Tjetrit, një rendi politik: që prapa grilave, mundësisht, të shohin shumë njerëz krejtësisht të pafajshëm! Porse poeti, së thelli, e shqipton formulën e tij:

Vdekja është fytyra tjetër e dashnisë

Ekziston një ndërlidhje e nduarnduartë në mes fushave të ndryshme të jetës lutjesore. Romano Guardini do të thoshte: "Historia na dëshmon se si pjesët e një fushe të jetës kalojnë pa ndërprerje në fushat tjera..." Së këndejmi, dashuria personale, në mënyrë rrezatuese, shpërndahet si spektër ngjyrash tek fushat tjera të qenies: në atë të erosit atdheut, në dashuri karitative, në humanizëm etj etj. ... Kjo fytyrë e dashnisë arrihet vetëm me mundime, sakrifica e vuajtje. Kurse poetit i mbetet ta rikëndojë formulën biblike në mënyrën e tij:

Fali, o Zot

Nuk e dinë ç’është me vuejtë

Nuk e dinë ç’është me dashtë

Këta që kërkojnë gjyqe e koka, nuk dinë çka është vuajta, as kanë pikë ndjesie për dashuri (poeti përdor trajtat gege të foljes, si semantema e leksema lirike: me vuejtë, me dashtë). Injoranca ia kalon secilës egërsi, prandaj poeti lutet për falje. Shënjohen si personazhe lirikë (a anta-gonistë) të injorancës, që kërkojnë gjyqe e koka në litar! Në mungesë të dashurisë dhe vuajtjes!

Te e fundit, falja, mëshirimi kundruall së keqes, do të thotë edhe TRIUMF I SHPIRTIT... edhe nëse nuk e kuptojnë, edhe kur kanë aq shumë MUNGESA SHPIRTI e humanizmi, aty është dështimi i tyre... theqafja... Kurse poeti e shqipton këtë në trajtën e një LUTJEJE, në trajtën e një URDHRI TË PËRSHPIRTSHËM LIRIK. Qenia më e përsosur e botës moderne ka krijuar parimin e botës së hapur, veprës së hapur (Umberto Eko). Dhe poezia vjel e vjel nga një hapje e tillë e pakufishme, e pakushte... Urdhri i tillë lirik, shqiptohet përtej një rituali, shqiptohet si ritual i shpirtit. Ti do të shndërrohesh a transorfmohesh në një person dhurues, në një qenie që është burim i hapur mirësish. Vetëm njeriu që është i realizuar si qenie e tillë, di ta dhurojë edhe vetëmohimin e tij. Poeti është si ajo qenie e empatisë së brendshme, që dëshiron ta rrëfejë e ta shfaqë gatishmërinë e vet, ndaj atyre që ndiejnë nevojë për afri, të shfaqë mirëkuptimin më të thellë ndaj atyre që gjenden edhe në situata tejet të vështira jetësore a ekzistenciale.

Duke i kënduar asaj qenieje që i bart mbi supe për çdo ditë kryqëzimet e tij të përditshme, poeti bëhet vetë një I Kryqëzuar në artin e tij, në Fjalën e Tij. Sikur kjo Falje për të tjerët nuk do të ishte e tillë:

Nuk kanë me mësue kurrë

Ata që nuk i preku dora Jote

Zot, ki mëshirë për dashninë tonë

Ajo është drita dhe rruga është

Deri te mbretëria Jote

Prej malli dhe dashurie

Nuk do të ishte ashtu sikundër thonë disa mendimtarë, si Gandi: "Të dobëtit kurrë nuk mund të falin. Falja është atribut i të fortit", apo si Harriet Nelson: "Fali të gjithë ata që të kanë ofenduar, jo për shkak të tyre, por për veten tënde" , apo si Isaac Friedmann: "Falja është hakmarrja më e shijshme". Deri te kjo njësi strofike, edhe orkestrimi figurativ-shprehës, edhe rikëndimet, janë të frymës biblike. Por papritmas, në njësinë e fundit ndodh një tjetër motiv:

Ani, mua më merr

Ajo le të jetojë

Me frymëzimin e tij poetik-lutjesor, poeti arrin deri te froni i Perëndisë ... Thuhet diku: një zemër që digjet për Dashurinë, është përgatitja më e mirë për Lutjen, mbasi ajo nxitet nga prania vepruese e Frymës së Shenjtë. Dashuria e vetërealizuar është HIR, është si Atdheu, është vetë Atdheu, vetë Liria (shenjat poetologjike të ndërlidhjes shpirtërore e kuptimore). Njësoj, si te thuash Atdhe, Dashuri, apo Zot, apo të gjitha këto të shënohen vetëm me leksemën aq lirike AJO... dhe prapë jemi aty, te kuvendimi përgjërues i poetit me Hyjninë, për qenien që do, për DASHURINË, këtë Hyjni shpëtimtare të botës...

______________________

Abdullah KONUSHEVCI

LUTJA XXXIII

Zot, pikë-pikë

po më shteron gjaku

Dhe pikë e fundit

Le të derdhet

Mua aq më bën

Po na kërcënojnë, Zot

Duan me na nxjerrë në gjyq

Me na vjerrë në litar

Fali, o Zot

Nuk e dinë ç’është me vuejtë

Nuk e dinë ç’është me dashtë

Vdekja është fytyra tjetër e dashnisë

Nuk kanë me mësue kurrë

Ata që nuk i preku dora Jote

Zot, ki mëshirë për dashninë tonë

Ajo është drita dhe rruga është

Deri te mbretëria Jote

Prej malli dhe dashurie

Ani, mua më merr

Ajo le të jetojë

(Prishtinë, më 31 dhjetor 2010)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx