Kulturë
Resmi Osmani: Natyra dhe peisazhi në poezinë e Ndre Mjedës
E enjte, 16.04.2020, 05:20 PM
Natyra dhe peisazhi në poezinë e Ndre Mjedës
Sprovë nga Resmi Osmani
Në vijim të hulumtimeve për
artin poetik, stilistikën, mjeteve shprehëse dhe mesazheve që përcjell te
lexuesi poezia e Ndre Mjedës, nuk mund të mos bjerë në sy përfshirja e
peisazhit dhe natyrës, jo vetëm si bukuri e trojeve shqiptare, që i shtojnë
hijeshinë, e bëjnë atë të pëlqyeshme e të dashur, por edhe si pjesë e përditshmërisë së jetës,
në të mirë e në të keq, në brenga e gëzime. Si të tillë, poeti e bën
element strukturor të stilistikës së vargëzimit, për të ngjallur
ndjesi dhe emocione, për të përcjellë te lexuesi me fuqinë dhe bukurinë e
fjalës mendimin dhe filozofinë, mesazhin që poeti synon t’ i përcjellë lexuesve.
Po ti referohemi Da Vinçit,
piktura është poezi memece, kurse poezia pikturë memece, e verbër. Si njëra si
tjetra, synojnë të imitojnë, (rikrijojnë jo besnikërisht) artistikisht natyrën,
secila me mjetet e saj. Duke e përcaktuar syrin si dritare të shpirtit dhe
veshin(dëgjimin) portën ku hyjnë fjalët dhe tingujt, në rastin e poetit Mjeda,
kemi të shkrirë në një të vetëm: piktorin dhe poetin. Vëzhgimi, me sy të
mprehtë, soditja , kundrimi i natyrës, pejsazhit, dukurive të lidhura me
stinët, e habitatit me larminë dhe shumllojshmërinë e elementëve përbërës,
paraqesin një tablo piktorike, herë herë edhe fantazmagorike, me element
mitikë, që nxisin përfytyrimin lëndor apo abstarkt. Kjo materje bëhet njësh me
poezinë, që është harmoni dhe sintezë e artit të fjalës, e që në këtë rast
lidhet pazgjidhshmërisht me shikimin, soditjen e natyrës, për t’i dhënë
lexuesit(apo dëgjuesit në rastet e recitimeve) jo vetëm kënaqësi estetike, por
edhe meditim dhe reflektim nëpërmjet emocioneve që ngjall fjala e bukur dhe e
figurshme.
Pavarësisht nga tipologjia e
poezive; lirike, elegjiake, baladeske, realiste apo romantike,si kusht të
forcës shprehëse dhe emocionale ka
bukurinë, që i vishet mendimit dhe forcës sugjestionuese nëpërmjet
fjalës,tingëllimit,rimës e ritmit, të gjitha në një sintezë që përfshijnë kohën
dhe hapsirën, me elementet e saj që janë pjesë e natyrës, pejsazhit dhe
mjedisit ku vendoset subjekti. Këtë Mjeda e bën mjeshtërisht, si pak kush
tjetër. Lulet, zymbyli e tëndafili,zambaku, vjollca e borziloku, pemët e
lulëzuara, zogjtë: shqiponja, bilbili, dallëndyshja, lejleku: drurët e pyllit:
pisha, bredhi, ahu; burimet, prrenjtë dhe lumenjtë, ograjat dhe livadhet; det e
qiell, diell, yje e hënë, thuajse një univers, janë pjesë e Atdheut të bukur,
por që ato ja shtojnë edhe më bukurinë.Në këtë sfond është njeriu shqiptar,
malësori e fusharaku, bujku e luftëtari dhe njeriu i thjeshtë që lufton për
liri, e për ta bërë vendin e tij më të begatë,
si qëmoti, pa ardhur mynxyra e robërisë otomane.
Pejsazhi, dukuritë natyrore:
acari dimëror, bora, murlani, pranvera, dielli dhe drita e hënës lulet,
bukuritë, për poetin janë jo vetëm stoli dhe pjesë e mjedisit jetësor, por edhe
mjete artistike, sfond i zhvillimit të ngjarjeve që u japin bukuri, madhështi e
hijeshi vargjeve dhe mjeshtërisht përdoren si metafora, krahasime, paralelizma
figurative e simbole për të ngjallur te
lexuesi jo vetëm përjetime dhe emocione, por edhe vegulli e përfytyrime, të
cilat bëjnë që poezia jo vetëm të mbahet mend gjatë por edhe dëshirën për ta
mësuar përmenç e për ta recituar me zë.
Elementë të natyrës,të
peisazhit dhe mjedisit jetësor, shërbejnë si një metaforë te kënga e parë e
Trinës te Andrra e jetës, metaforë e dyfishtë që shërben njëhershe edhe si
prolog i poemës. Motrat, si dy qershi, si dy mollë të këputura nga një degë,
dega nënkuptohet është e ëma që i ka sjellë në jetë. Në gjashtë strofa, jepet i
plotë, përshkruar me penel artisti sfondi i zhvillimit të poemës, si një
skenografi ku hasen pylli, kënga e bilbilit, ushtima dhe gurgullima e gurrës,
drita e hënës dhe vallja e zanave, paqja në natyrë, por edhe paralajmërimi i
dramës që do të ndodhë. E tillë metaforë haset edhe te “Vaji i bylbilit”, në
pesë strofat e para.
Veçori stilistike e
vjershërimit të Mjedës, është ekonomia e fjalës, që e bën poezinë e tij
sintetike dhe me peshë si një materie e rëndë.Për këtë i vijnë në ndihmë
simbolet, që i merr nga natyra. Në pesë strofat e par te “Vaji I bylbilit”,
ndryshimi imotit jepet nëpërmjet simbolit të së pjesëshmes, jepet e
tëra;shkrirja e borës, dimri po shkon, pastaj kalohet nga e veçanta te e
përgjithshmja, aty gjenden: bora, dimri, murlani, fushat, malet, blerimi,
livadhet dhe pemët e lulëzuara. Dhe gjithë këto në pesë strofa! Me fjalë të
zgjedhura dhe të kursyera jepet moti: “Me shi pshtjellun acarija/Përmbi
bjeshkë po shungullon/ E prej maleve stuhija/Ujët e detit përvëlon/Gjimon
moti e par e mbrapa/Mnershëm rrfeja po
kërcet” Është një tabllo madhështore e dhënë me tërë ngjyrat, që i ngjall
lexuesit përfytyrimin e plotë të sfondit ku zhvillohet veprimi dhe të përjetojë
dhimbjen e heroit lirik. Dhe më tej:”Kjo duhi që s’ka pushim/ E ksaj zemre a
pasqyra/ a pasqyra e vajit tim” E gjithë kjo si paralelizëm figurativ me
personazhin e poezisë “I tretuni”, që s’është tjetër kush veç poeti.Një strofë
me vargje rrënqethëse për acarin dimëror, është ajo që ve në dukje mjerimin e
Lokes:”Binte bor e frynte veri/Tue çue akull për gjith vis/Nelt orteku
ushton për mneri/Tuj fundue çetin e lis”I tillë i pashpresëdhe i ashpëre I
hidhur është dhe fundi i saj. Mbi bazën e të kundërtave, bukurisë së natyrës
dhe brengave njerëzore, ndërtohen kontrastet;”Tash ndër arë lulëzoj
qershija/E me borë dimni po shkon/Kurrë s’mbarojnë t’zezat e mia/Gjama jote
kurr s’mbaron”.
Lulet janë gjerësisht stoli
e vargjeve të Mjedës, jo vetëm si mjet stilistik për krahasime që hasen shpesh,
por edhe si pjesë e bukurive të atdheut dhe mjedisit ku çojnë jetën
personazhet. Poeti pyet: “A lulzojnë lule të ershme/Mal e fushë si në kohë të
atëhershme”Lulet janë pjesë e pandarë e atdheut. Ndër me të pëlqyerat, siç e
kam vënë në dukje më parë janë: Zymbil, trëandafili, zambaku, vjollca.Nuk na
thotë që janë më të bukurat, se vetë emri lule simbolizon bukurinë, por ato
janë të erandshme. Atje ku ka lule gëlon jeta, atje ku ato vyshken, jeta është
mjerim. Te “I tretuni” gjejmë vargjet:”Atje ku nuk lulzojnë zymylat/S’asht
vend për bylbyla”, ndërsa te “Andrra e jetës”:”E n’balkue mbaruen lulet’ për
të rrëfyer se në atë shtëpi jeta po shuhet.Lulet janë edhe shenjë nderimi pë
rata që ikin nga jeta. Lokja i thotë së bijës:”Merri kto lule e çoja/S’lumes
dhanti për te.” Skenat idilike, që mund ta themi se janë të pakta, vendosen
dhe kanë si sfond melodik këngën e bilbilave dhe si dekor trëndafilat dhe
zymbylat që çlirojnë aromën e këndshme.” Bashkë me lule- na thotë poeti- “ Len
dashnia/Me kang t’shpendit qi galdon/E prendverës bukurija/ Bashkë prej gjumit t’tan i zgjon”.
Lulet janë pjesë e pejsazhit.Ograjat
janë bleroshe, kodrinat të lulzuara, pemët kanë endur lule, fusha vishet me
blerim, prroi ulet lehtas nga mali, dalë prej borës që i jep ushqim.Lulet dhe
blerimi simbolizojnë zgjimin e natyrës dhe gjallërimin e jetës, si sfond ku
rravgojnë personazhet, në ditë të mira apo të vështira, në gëzime dhe hidhërime.Një
skenografi sugjestionuese ku pulson mendimi dhe shtillet veprimi.
Sa herë në poezitë dhe
poemthat, bëhet fjalë për atdheun apo viset amtare, poeti nuk le pa përdorur si
mjete artistike dhe nxjerrë në relief
bukurinë dhe madhështinë e peisazhit. E tillë është hyrja në tri strofat
e para të poemthit Lissus: kodra të stolisura me vreshta,fusha të lulzuara,
ullishta gjelbërore, ku kodra e Velës prek qiellin dhe me yjet mban kuvende të
shpeshta. Te “Scodra”, poemthi nis me një mal,Taraboshin e mnert që është ndeja
e hyjnive, rrjedhën e Drinit,si dëshmitar i shekujve.Në poemthin “Liria” dhe
poezi të tjera Shpaloset bukuri e bjeshkëve, e vargmaleve mbuluar nga retë e
mjegulla, sa duken sikur zbresin nga qielli.
Mjeda e ka dashur me shpirt
natyrën shqiptare. Përveç prirjeve të tij prej artisti, vëzhguesit të hollë, e
njeriu të ndjeshëm, për këtë , jam i mendimit, ka ndikuar edhe jeta prej
famullitari, në fshatrat e thella, mes njerëzve bujarë dhe bukurive natyrore,
të cilat ai i ka përjetësuar në vargjet brilante të poezive të tij. Krijime që
na ngjallin emocione edhe njëqind vjet më pas, se arti i vërtetë nuk ka mort.
Tiranë, më 15.04.2020