E marte, 29.04.2025, 02:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Tragjedia e poetit dhe e kombit

E shtune, 18.04.2020, 12:26 PM


TRAGJIEDIA E POETIT DHE E KOMBIT

(Lexime poetike. Mihal Hanxhari: “Poeti”), X

Nga Prend BUZHALA

Në poezinë "Poeti" Mihal Hanxhari ( e përfshirë te vëllimi poetik "“Se sytë e mi kështu e shohin botën, Tiranë 2000), na e dëshmon një fakt domethënës të modernes letrare: tragjizmin e krijuesit letrar. Edhe biografia, edhe arti ndërthuren harmonishëm, pikërisht pse sakrifikohen edhe intelektuali, edhe krijuesi i kohëve moderne, kur ekzistencën e tyre e vënë në shërbim të një sistemi vlerash: është njeriu krijues e mendimtar që heq dorë nga instinktet e nevojat tjera luksoze, nga fama apo karriera, vetëm e vetëm që ta ketë lirinë e krijimtarisë, qoftë edhe ashtu, krejtësisht në heshtje e vetmi. Tragjikja e tillë e krijuesit shpesh shërben edhe si motiv krijues, ashtu siç na e thur poezinë e tij Hanxhari. Është vetë autori hero tragjik i këtij krijimi.

1.

Njësoj, si Zef Zorba, edhe Mihal Hanxhari (1930-1999) u zbulua si krijues letrar vetëm pasi vdiq. Edhe jeta, edhe vepra e Mihal Hanxharit përmbajnë një disidencë jashtëzakonisht origjinale: ai gjatë tërë jetës së tij nuk e ka botuar asnjë rresht të krijimtarisë së tij! Ndërkohë që e tërë krijimtaria e tij, e botuar (siç është libri i jashtëzakonshëm i prozave “Na ishte njëherë…”, po ashtu pas vdekjes, si dhe vëllimet tjera) mban jo vetëm shenjën e "refuzimit estetik, po edhe të refuzimit tematik me letërsinë oborrtare (zyrtare komuniste) të kohës. Si të tillë, çfarë e ka shkruar, ai nuk ka dashur as ka mundur ta botojë, ashtu sikundër nuk e ka botuar gjatë viteve të zhurmshme të demokracisë, atyre viteve të thyerjeve të mëdha e të profanizimeve të pafund të botimit të letërsisë së ndaluar. Ajo botohet vetëm mbas vdekjes së autorit! E tërë poezia e Hanxharit është himn tragjik: mbi Shqipërinë dhe mbi Kosovën, mbi peizazhin dhe mbi dashurinë, mbi urat e këputura dhe mbi shtëpinë e vjetër, mbi çastet dramatike e tronditëse të jetës së autorit.

I lindur në Kentaki të SHBA-ve, familja e tij vjen në Shqipëri një vit pas lindjes së tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte anëtar i organizatës DEBATIK. Kreu studime në Universitetin e Budapestit. Duke punuar në Bibliotekën Kombëtare, solli aty literaturë të pasur botërore, për ç`arsye regjimi komunist merr masa politike për shkak të librit botëror që ua servir lexuesve shqiptarë! Këto pak të dhëna, të përmendura shpejt e shpejt, flasin për një dramë jetësore, aq të bujshme dhe të zhvilluar në heshtje: mërgimtari foshnje, debatikasi revolucionar, intelektuali i pasluftës së Dytë Botërore, i dhënë mbas dijes botërore; nuk ka mundur të mos e ruajë identitetin e tij njerëzor të Njeriut të Revoltuar, për ta dëgjuar me guxim dhe hapur zërin e kohëve, përplot kthesa, luftëra, thyerje, përplasje, revolta e përmbysje, ashtu sikundër ishte gjysmëshekulli shqiptar.

2.

Duke qenë njëri ndër individualistët e rebeluar kundër mënyrës së jetesës dhe të shkrimit në kohën e diktaturës, duke u mbyllur në heshtjen e në vetminë e tij të madhërishme në universin e shkrimit, duke e mënjanuar veten nga rrethi shoqëror, si në planin social, ashtu edhe në atë jetësor, duke e shikuar jetën me sytë e përjetshëm të fëmijërisë, ai i ka krijuar edhe mosmarrëveshjet e tij me kohën dhe me regjimin, me oborrtarët letrarë e me institucionet e tij. Dhe, vërtet, poezia, me shprehjen e saj koprrace e të figurshme, do të jetë gjendur ngushtë dhe kokulur për t`i shprehur të gjitha dramat e përjetuara të krijuesit të saj, të gjitha hollësitë e magjishme të ndjesive shpirtërore dhe ato çaste të rënda e tronditëse:

Poet, pushoje këngën

S`është koha për gëzim,

Vëllanë ta kryqëzuan

E vranë edhe poezinë.

Te kjo poezi, si një ritëm funebër, përsëritet distiku "Poet,pushoje këngën/ S`është koha për gëzim". Përsëritet në fillim e në fund të secilës strofë.

3.

Përsëritja është figurë kryesore poetike e kësaj poezie. Dhe e tërë poezia ndërtohet mbi këtë figurë të përsëritje. Rimti i përsëritjes vjen e shkallëzohet nga strofa në strofë. Ritmet e përsëritjes vijnë si tam-tame tragjike sofokliane apo shekspiriane, daullesh që paralajmërojnë preludin e stuhishëm të një tragjedie. Në këtë rast, përsëriten sintagmat dhe fjalitë, me apelativin: "poet"- që qëndron në fillim të vargut. Apelativi (një tjetër figurë që sugjeron dhimbjen) drejtuar poetit, pëshpëritet si lutje e përshpirttshme e zisë, vjen si qortim i brendshëm. I drejtohet poetit, se ashtu dëshiron ta sugjerojë edhe rezistencën e vet shpirtërore kundruall dhimbjes. Përsëritja, së bashku me apelativin, po ashtu të përsëritur, ndërtojnë refrenin poetik, si figurë të diksionit, për ta spikatur gjendjen emocionale të folësit lirik, si dhe për ta përforcuar shkallëzimin e dramës së përjetimit.

Secila përsëritje, secila njësi tekstore e këtij refreni, thur një kontekst të ri kuptimor, përshkrues.

Në strofën e parë:

Dëgjo dëgjo zinxhirat

Si hekuri tingëllin

te lexuesi krijohet imazhi i zinxhirëve dhe hekurit, dhe, kur ndërlidhen me dy vargjet e para, atëherë përfytyrimi ndërtohet mbi një situatë të rëndë të sundimit të egër, që e mban në pranga një botë të skllavëruar. Kësisoj vjen duke u zgjeruar kjo përmbajtje te strofa e dytë:

Dëgjo dëgjo furtunën

Si shfryn e ulërin

Tashmë përsëritet edhe folja "dëgjo dëgjo", fillimisht, për të ndërtuar intonacionin lirik, për të sugjeruar njësitë më të mëdha të përmbajtjes. Tashmë hekuri, zinxhirët, tingëllima e tyre, si dhe furtuna me ulërimat e saj, e japin imazhin e një atmosfere të ngjethshme. E përgatisin lexuesin të hyjë në dramën njerëzore. Përsëritjet, kësisoj, ndërthurin shkallëzimin e tensionit emocional dramatik, në gërshetim me atmosferën e jashtme, të ngjethshme, është përshkallëzim i pikëllimit dhe tmerrit.

Ndërkaq, te strofa e tretë, me vargjet:

Shiko si shuhen vatrat

Syrgjyn e internim

tashmë hyn në temën e madhe të egërsisë së dhunës, sundimit dhe skllavërimit. Tragjikja ka marrë përmasa të mëdha: vatrat shuhen, të panumërt janë të syrgjynosurit e të internuarit.

Na ndan' na shan' na vran'

O Zot do ket' shpëtim

Ndarjet, përbuzjet, vrasjet! A nuk janë, këto sharje e përbuzje, një truall i papërshtatshëm për vuajtjet pa fund? Vjen psherëtima e poetit, si psherëtimë kolektive: "O Zot, do ket' shpëtim"?

Vëllanë ta kryqëzuan

E vran' dhe poezin'

A mund të këndohet kënga në këso zije familjare e poetike? Është kulmi i çastit dramatik. Si ta kapërcejë këtë zi? Ka zi poeti për vëllain e vrarë, ka zi poezia, mbi të cilën rëndon pesha e dhimbjes dhe tragjikes. I vetmi ngushëllim për poetin është apelativi drejtuar vetvetes:

Poet, pushoje këngën

S`është koha për gëzim.

4.

Poeti thur një egologji të tërë poetike, pra, një logos të ego-s së tij, (të Un-it të tij poetik), siç do të thoshte Huserli. Logosin dhe patosin e tij ai do t’i vërë në shërbim të subjektit të tij psikologjik, të Un-it të tij shpirtëror. Ky është një Unë gati si te Fihte: i çliruar nga bota e Unit të dytë, nga bota e tjetërsuar përreth tij. Dhe kulmi i ndërgjegjes dramatike, me tamtame të vrasjes së kësaj ndërgjegjeje, më i rëndi, është ai i puthadorit, servilit:

Po si e puth atë dor'

Që kundërmon veç krim

Tashmë në referencën e vuajtjes dhe martirizimit, ndërfutet dhe mesazhi i ndërgjegjësimit, aludimit, paralajmërimit. A thua, njeriu lind vetëm për të vuajtur?

Refuzimi i së keqes është shpëtim, sikur na sugjerojnë këto vargje. Po aq sa ka tragjizëm te atmosfera e rëndë e terrorit e dhunës, po kaq sfilitje torturuese ka edhe te folësi lirik, poeti, që e shndërron poezinë në gjëmë e vajtim të thershëm kësaj fatkeqësie kolektive e familjare. E, megjithatë, poetit i mbetet që ta kapërcejë këtë gjendje me anë të krijimit.

Albert Kamy thotë: "Nga të gjitha shkollat e durimit dhe të arsyes, mendje-kthjelltësisë, arti është më efektivi. Ai është, po ashtu, dëshmi nxitëse, provokuese, për dinjitetin e vetëm të njeriut: revoltës së ashpër kundër vetë jetës së tij, një këmbëngulje në përpjekjet që shpesh konsiderohen të kota. Kjo gjë kërkon përpjekje të përditshme, pushtet mbi vetveten, vlerësim të saktë të kufijve të të vërtetës, maturi dhe forcë. Kjo gjë paraqet askezën e tij."

Tashmë, si kontrapunkt i strofës së përparshme, vijnë tre emra kulmorë të letërsisë shqipe:

Naimi Gjergji Noli

Nën dhe po drithërijn'

E pra, poeti do t'i drejtohej kohës së tij: si do të ndjeheshin këta tre të mëdhenjtë e letrave shqipe përballë vrasjeve, internimeve, syrgjynosjeve? "Nën dhe po drithërijnë! Shqetësimi i tyre është tej mase revoltues, sepse edhe ata ndiejnë, për së vdekuri, dhembje të thellë! Edhe ata, tek drithërijnë, vuajnë shumë. Po a ndienin ë kështu të gjallët, ata që quhen shkrimtarë të regjimit?

Arti është vuajtje. Me vuajte arrihet urtia më e lartë: njeriu për njeriun duhet të jetë i shenjtë e jo ujk.

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Po s'do ta qash mor nënën

Qyqaren me jetimë

Poet pushoje këngën

Ësht' koha për vajtim

Njeriu më nuk ka siguri. S'ka as strehë, as mbështetje! Mungon edhe e drejta për ekzistencë! Refuzohet kjo nënë me fëmijë jetimë. E, të refuzosh Tjetrin në vuajtje, në këso situatash, do të thotë, t'i shkaktosh Tjetrit vuajtje të pafund. Ata, dhunuesit, duke vepruar kësisoj, a nuk e dënojnë edhe vetveten?

Ky është episodi që mbyll këtë poezi: një nënë me jetimë (poeti nuk ka nevojë të thotë se babai i fëmijëve është vrarë).

5.

Në këngën e tij Mihal Hanxhari është edhe poet që ndërfut paradigmën krijuese të Bertold Brehtit: pasiguria, parandjenja e vdekjes, kryqëzatat kundër të afërmve e njerëzve të tij, sa janë himne tragjike, aq edhe dokumentare, që flasin e ligjërojnë krejt ndryshe e aq me origjinalitet me zërin autentik të tij.

Dhe, a pret shpërblim poeti nga Hyji apo nga koha?

A ka nevojë të shpjegojë, posi ai Jobi bilbik, përse ka kaq vuajtje?

Cili është ky kuptim i vuajtjeve?

Ka vuajtje, sepse mungojnë vlerat e mirëfillta njerëzore e shpirtërore.

Kur paraqiten këta kapituj tragjikë, poeti sikur na thotë se vlera e ekzistencës qëndron mbi të gjitha të tjerat; ekzistenca ka edhe esencën e vet: humanizmin dhe krijimtarinë. Mirësinë dhe dashurinë.

Dhe arti poetik vjen si çlirim i vetvetes.

Çlirim që sugjeron pranimin e lirisë e jo të robërisë, marrëdhëniet humane e me vlerë, e jo ato refuzuese, përbuzëse...

Çlirim që i kthehet gjithmonë etikës së lartë kah e mira, dhe estetikës kah krijimi i krijimi i vlerave të mirëfillta të artit.

-----------

Mihal HAMXHANRI

POET

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha përgëzim

Dëgjo dëgjo zinxhirat

Si hekuri tingëllin

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha përgëzim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Dëgjo dëgjo furtunën

Si shfryn e ulërin

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Shiko si shuhen vatrat

Syrgjyn e internim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Na ndan' na shan' na vran'

O ZoT do ket' shpëtim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Sa varre hapën natën

Dhe plumbi korr e grin

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Vëllanë ta kryqëzuan

E vran' dhe poezin'

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Po si e puth atë dor'

Që kundërmon veç krim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha përgëzim

Naimi Gjergji Noli

Nën dhe po drithërijn'

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha përgëzim

Poet pushoje këngën

S'ësht' koha për gëzim

Po s'do ta qash mor nënën

Qyqaren me jetimë

Poet pushoje këngën

Ësht' koha për vajtim

(Se sytë e mi kështu e shohin botën, Tiranë 2000)

Prend N. Buzhala, 10 prill 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx