Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Albert Camus - ''Murtaja''
E shtune, 11.04.2020, 03:20 PM
ALBER KAMY - “MURTAJA”
Individi
përballë epidemisë
Nga
Xhelal Zejneli
Tri veprat e veta: romanin “I
huaji” (L’Étranger, 1942), dramën “Kaligula” (Caligula, 1944) dhe esenë “Miti i Sizifit” (Le
Mythe de Sisyph, 1942) Alber Kamy i sistemoi në ciklin e
absurdit. Për këtë arsye e konsideronin si një nga përfaqësuesit e
letërsisë ekzistencialiste me të cilën ndërlidhet tema e absurdit të jetës
dhe të botës.
Duke konsideruar se shumëçka
e ndan prej rrethit ekzistencialist të Sartrit (Jean-Paul Sartre,
1905-1980), sidomos pikëpamja mbi natyrën apo karakterin e njeriut, Kamy
deklaroi se cikli i parë i tij është vetëm një lloj pike fillestare. Me librat
e parë dëshironte të shprehë klimën e nihilizmit të kohës.
Shënimet e tij në formë ditari
paralajmërojnë romanin “Murtaja” (La Peste, 1947) që
synon kah vlerat pozitive. Me fjalë të tjera, pak pas paraqitjes së
veprave të ciklit të absurdit, lindin veprat e ciklit të revoltës:
“Murtaja”, dramat “Shtetrrethimi” (L’État de siège, 1948), “Të drejtët” (Les Justes, 1950)
dhe eseja e madhe “Njeriu i revoltuar” (L’Homme révolté, 1951).
Në këtë ese Kamy kritikon totalitarizmin
e djathtë por edhe atë të majtë. Qerthulli i Sartrit
ishte vetëm për kritikën e totalitarizmit të djathtë. Për
këtë arsye, Kamyja u prit prej tyre në tehun e shpatës. Si reagim ndaj “progresistëve”
të Parisit, Kamy boton romanin “Rënia” (La Chute, 1956).
Ky roman nuk i përket ciklit të revoltës, por nuk paralajmëron as
ciklin e dashurisë. Në romanin “Njeriu i parë” (Le
premier homme, 1994, botuar posthum nga e bija Katherine ), Kamy u
kthehet hapësirave të dritës, të dashurisë dhe të lumturisë.
* * *
“MURTAJA” është vepër që flet për murtajën që
e përlau Oranin, qytet bregdetar i Algjerit, i banuar nga algjerianë dhe
francezë. Epidemia fiktive në roman shpërthen në prill të vitit 1940 dhe zgjat
deri në shkurt të vitit 1941. Vepra shtron një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me
natyrën e fatit dhe me situatën njerëzore. Të gjitha personazhet,
që nga mjekët dhe turistët, e deri te ikanakët, mundësojnë për ta kuptuar
ndikimin e murtajës ndaj popullsisë.
Punën në këtë roman, Kamy e
ka filluar në prill të vitit 1941, gjë që shihet në ditarët e tij. Në mars të
vitit 1942 e njofton romancierin dhe eseistin francez Andre Malronë (André Malraux, 1901-1976) se është duke shkruar roman për murtajën.
Supozohet se vepra është
bazuar në epideminë e kolerës, e cila në vitin 1849 ka vrarë një përqindje të
madhe të popullatës së Oranit. Para se Kamy ta shkruante romanin, qyteti ka
qenë i goditur nga murtaja disa herë. Sipas raporteve të qendrave të
kontrollit dhe të parandalimit të sëmundjeve, Orani është shkatërruar nga
murtaja në vitet 1556 dhe 1678.
Epidemitë e mëvonshme, ajo e vitit 1921 (185 raste), e vitit 1931 (76
raste) dhe e vitit 1944 (95 raste) nuk kanë qenë në përmasat siç është
paraqitur në roman. Murtaja që shpërtheu në Oran në vitin 2003 zgjati vetëm një
muaj.
Ndonëse romani përcjell
përparimin e virusit specifik në një qytet të caktuar dhe brenda një kornize
kohore, tema e vërtetë e veprës shkon përtej kornizave të atij vendi dhe
të asaj kohe.
Qëllimi i autorit është metaforik.
Ai merret me çdo infektim që mund ta përlajë çdo shoqëri: që nga kolera, gripi
spanjoll, sida, sarsi e deri te kovid-19. Kamy ka parë lidhjen ndërmjet infektimit
fizik dhe atij psikologjik.
Kamy nuk pajtohej ta
konsideronin filozof ekzistencialist. Megjithëkëtë, romanin “Murtaja”
kritika letrare e ka quajtur vepër klasike të filozofisë
ekzistencialiste. Kamy e quante veten shkrimtar dhe jo filozof.
Toni narrativ është i
ngjashëm me atë të Kafkës, posaçërisht me atë në “Proces” ku
fjalitë shpesh mund të kenë domethënie të shumëfishta, ndërsa tematika
theksueshëm kumbon si një alegori e ashpër e ndërgjegjes së
lartë dhe e gjendjes në të cilën ndodhet njerëzimi. Kamy tregon në mënyrë të
figurshme se në ç’mënyrë bota ballafaqohet me ekzistimin e absurdit,
filozofi teorike kjo, për krijimin e së cilës Kamy kontribuoi me të madhe.
“Murtaja” shpesh është interpretuar si një pasqyrim
alegorik të qëndresës ndaj pushtimit nazist.
* * *
Veprimi i “Murtajës”
është i ndarë në pesë pjesë. Hero kryesor i veprës është Dr. Rije. Pasojnë
ish-revolucionari Zhan Taru, gazetari Ramber, zyrtari i qytetit Gran,
hohshtapleri Kotar dhe kleriku Panlu. Nëpërmjet fatit të tyre,
autori synon të japë pasqyrën e çështjeve thelbësore në muzgun e vlerave
humane.
Pjesa e
parë: Në qytetin e Oranit, mijëra
minj, në fillim pa u vënë re nga banorët, fillojnë të shfaqen dhe të
ngordhin nëpër rrugë. Sakaq, njerëzve u hyn paniku. Për ndodhitë e sipërthëna
nisin të shkruajnë edhe gazetat vendore. Nën trysninë e publikut, autoritetet i
rreken punës për t’i grumbulluar minjtë e ngordhur, duke bërë njëherazi edhe
asgjësimin e tyre me kremacion. Por, organet e pushtetit nuk qenë të
vetëdijshëm se pikërisht grumbullimi i minjve të infektuar në një
vendgrumbullim, do të jetë katalizator i murtajës.
Një mëngjes, personazhi
kryesor, Dr. Bernar Rije para dyerve të banesës së vet vëren një mi
të ngordhur. Pas ca ditësh, kujdestari i ndërtesës i cili e kishte
mënjanuar miun, vdes prej etheve. Në fillim, Dr. Rije nuk
dëshiron të nxjerrë ndonjë përfundim. Këshillohet me kolegun e vet, Dr.
Kastelin për të supozuar bashkërisht se në qytet është shfaqur murtaja.
Që të dy u drejtohen mjekëve të tjerë si dhe organeve të qytetit. Asnjëri prej
tyre nuk i beson teorisë se në qytet do të shpërthejë murtaja. Nuk mund
t’i besohet një supozimi të tillë për shkak të vdekjes së një personi të vetëm.
Por, numri i vdekjeve sa vjen e rritet. Tani duket qartë se kemi të bëjmë me
ndonjë epidemi. Ndërkohë, gruaja e Rijesë mjekohet në sanatoriumin e një
qyteti tjetër, nga një sëmurje kronike që s’ka të bëjë me epideminë e përhapur.
Autoritetet, përfshi edhe
prefektin, nuk duan të besojnë se gjendja është serioze. Lindin
mosmarrëveshje dhe zënka rreth masave që duhen ndërmarrë. Organet
kompetente ndërmorën masa kontrolli dhe
masa parandaluese. Njoftimet zyrtare të organeve të pushtetit
qenë tepër optimiste, ndaj s’kishte përse të ndërmerreshin
veprime emergjente. Në spital u hap një “repart special”, 80
shtretërit e të cilit u zunë për tri ditë. Duke qenë se numri i të infektuarve
rritej me të shpejtë, u ndërmorën masa më drastike. Pas një pritjeje të gjatë
mbërrijnë vaksinat, por me to mund të mbulohen vetëm rastet ekzistuese.
Rezervat për situatat emergjente të vendit - janë shterur. Kur numri i të
vdekurve brenda një dite arriti në 30, kufijtë e qytetit u mbyllën. Më në fund,
autoritetet kumtojnë se ka shpërthyer epidemia e murtajës.
Pjesa e
dytë: Dyert e qytetit janë të
mbyllura. Udhëtimi me hekurudhë është ndaluar. Shërbimi postar është ndërprerë.
Përdorimi i linjave telefonike është kufizuar vetëm për thirrjet e ngutshme.
I vetmi mjet komunikimi me miqtë dhe familjen jashtë qytetit janë telegramet
e shkurtra. Ndarja ndikon në veprimtaritë e ditëpërditshme të banorëve, të
cilët fillojnë të ndjehen të izoluar, introvertë dhe të
deprimuar. Prania e murtajës fillon të ndikojë edhe te
personazhet e veprës.
Një prej personazheve,
gazetari Rajmon Ramber i cili kishte ardhur në Oran me punë, sajon një plan
për të ikur nga qyteti dhe për t’iu kthyer gruas së vet në Paris, pasi
që autoritetet e qytetit e kishin refuzuar kërkesën e tij për vajtje. Ai miqësohet
me kriminelët e nëntokës, duke besuar se ata do të mund ta nxjerrin nga
qyteti i mbyllur.
Personazhi tjetër, kleriku
Panlu e shfrytëzon murtajën si mundësi për ta forcuar pozitën e vet
në qytet duke thënë se murtaja është shfaqur si dënim nga Zoti për
mëkatet e qytetarëve. Predikimi i tij në kishë ndikon te shumë banorë që t’i
kthehen fesë, gjë që në rrethana normale nuk do ta bënin. I
pandërgjegjshmi Kotard e kishte shfrytëzuar situatën për t’u pasuruar. Por
erdhi një çast kur ai nisi të frikësohet nga arrestimi, ndaj si akt
pendimi qe i gatshëm edhe për vetëvrasje, e lëre më t’i kthehet fesë.
Ndërkohë, Dr. Rije, zyrtari i qytetit, Gran dhe turisti Zhan Taru, bëjnë çmos
për t’u ndihmuar qytetarëve, duke i vizituar dhe duke i mjekuar nëpër shtëpitë
e tyre dhe nëpër spitale.
Pasi mëson nga Taru se ka
edhe të tjerë që vuajnë për të afërmit e tyre që ndodhen jashtë qytetit, e një
prej tyre është edhe Dr. Rije, Ramberi emocionohet, ndërron mendjen për
ikje dhe vendos t’i bashkëngjitet treshit në luftën kundër murtajës.
Pjesa e
tretë: Kah mesi i gushtit,
gjendja bëhet edhe më e rëndë. Njerëzit përpiqen të ikin prej
qyteti, por rojet e armatosura i ndalojnë. Në përmasa të vogla shpërthejnë
dhuna dhe vjedhjet, ndërsa autoritetet reagojnë duke
shpallur gjendjen ushtarake dhe duke vendosur orë policore.
Varrimet kryhen shpejtas dhe pa kurrfarë ceremonie
apo konsiderate ndaj familjes së të ndjerit. Banorët i vuajnë në mënyrë pasive shqetësimet
në rritje të mërgimit dhe të ndarjes gjë që shkakton rrënimin e tyre
emocional dhe fizik.
Pjesa e
katërt: Në shtator dhe në tetor,
qyteti ndodhet në mëshirën dhe pamëshirën e murtajës. Dr. Rije merr
lajme nga sanatoriumi se gjendja e gruas së tij po përkeqësohet.
Megjithëkëtë, ai me zemër të fortë vazhdon ta ushtrojë detyrën e vet.
Në anën tjetër, Kotardit murtaja i shkon për shtati ngase, i ballafaquar me të
njëjtën fatkeqësi sikur të tjerët, fillon të ndjejë se edhe ai i përket
bashkësisë njerëzore dhe se është në lidhshmëri me të. Kotardi dhe Taru
shkojnë për të parë operën në tre akte “Orfei dhe Euridika” (e
para operë reformiste Orfeo ed Erudica) të kompozitorit dhe
dirigjentit gjerman Gluk (Cristoph Willibald Gluck, 1714-1787). Aktori
që e interpreton Orfeun, i infektuar nga murtaja dhe i përshkuar nga ethet, bie në skenë.
Pas bisedimeve të gjata me
rojet, më në fund Ramberit i mundësohet të ikë nga qyteti.
Por ai vendos të mos largohet, duke thënë se po të ikte do t’i
vinte turp nga vetvetja.
Kah fundi i tetorit Dr.
Kasteli për herë të parë e provon vaksinën e vet kundër murtajës, por ajo
rezulton e pasuksesshme në rastin e mjekimit të një çuni, bir i zotëri Otonit.
Ndërkohë kleriku Panlu i
është bashkëngjitur grupit të vullnetarëve që
luftojnë kundër murtajës. Ai mban predikimin e dytë dhe flet për vuajtjet e
fëmijëve të pafajshëm, duke shtuar se ky është një sprovë që kërkon nga
besimtarët: o të jenë besimtarë të mirëfilltë, o të heqin dorë nga feja.
Ai e fton bashkësinë dhe e trimëron atë që të mos heqë dorë, por me të
gjitha forcat të vazhdojë luftën kundër murtajës.
Disa ditë pas predikimit,
sëmundja e përlanë edhe Panlunë. Simptomat e tij nuk përputhen me ato të
murtajës. Megjithëkëtë, sëmundja për të ishte fatale. Ai vdes.
Taru dhe Ramberi vizitojnë
një nga kampet e izolimit. Aty takojnë Otonin. Pas përfundimit të
qëndrimit në karantinë, Otoni vendos të mbetet në kamp për të
ndihmuar si vullnetar. Ai beson se kjo do t’ia zbusë dhimbjen nga humbja e të
birit. Taru i flet Dr. Rijeut për jetën e vet dhe për t’i flakur mendimet nga
epidemia, shkon në det për të bërë not. Infektohet edhe Grani, por pas
një kohe e merr veten. Numri i vdekjeve fillon të shënojë rënie.
Pjesa e
pestë: Kah fundi i janarit murtaja
tërhiqet plotësisht, ndërsa qytetarët festojnë hapjen e
paralajmëruar të dyerve të qytetit të mbyllur në karantinë. Por, Otoni
nuk ia del t’i shpëtojë vdekjes nga infektimi. Kotardi i
cili me punët kontrabandiste përfitonte nga epidemia, tani është i shqetësuar
për përfundimin e saj. E rrok paranoj. Në ikje e sipër, e ndalin dy zyrtarë të
shtetit. Edhe se epidemia kishte marrë fund, edhe Taru u infektua nga
murtaja dhe pas një lufte heroike, vdiq. Dr. Rije njoftohet me
telegram për vdekjen e gruas së vet.
Në shkurt qyteti hapet.
Njerëzit përsëri bashkohen me të afërmit e tyre. Ramberi takon gruan e vet. Në
gjendje çmendurie, Kotardi qëllon me armë ndaj njerëzve të ndërtesës ku banon,
për të përfunduar pas hekurave. Grani e vazhdon punën në
romanin që e kishte ndërprerë.
Narratori i kronikës e
zbulon identitetin e vet, duke shprehur dëshirën për t’i paraqitur objektivisht
pikëpamjet e veta lidhur me ngjarjet. Vjen në përfundim se duhet pasur
besim te njerëzit dhe jo të urrehen ata.
Kjo temë e madhe e
fatkeqësisë dhe e luftës, në veprën e Kamysë merr një domethënie simbolike.
Romani është i angazhuar dhe tejet aktual, sidomos sot kur paranoja shoqërore,
si pasojë e kanosjeve të vazhdueshme ndaj njerëzimit në formën e përhapjes
së viruseve vdekjeprurëse, të shpërthimit të terrorizmit, të katastrofës
bërthamore apo natyrore, ka marrë përmasa frikësuese. E keqe vjen dhe ashtu
si ka ardhur, njashtu dhe ikën. Pas një kohe - në një botë si kjo – vjen një e
keqe e re.
E mira e
përgjithshme nuk mund të përfytyrohet jashtë fatit të individit – Kamy.
* * *
Kritika
letrare: Zherman Bre luftën
e personazheve kundër murtajës e ka karakterizuar si “jodramatike dhe të
përkushtueshme”. Sipas tij, për dallim nga ideologjia “e glorifikimit të
forcës” që vërehet në romanet e Andre Malrosë, personazhet e Kamysë, pa
kurrfarë ideologjie dhe kundrejt sakrificave personale, vihen në veprim për
të shpëtuar njerëz dhe jo për ta asgjësuar murtajën. Marina Varner vë
në dukje mungesën e personazheve femra, duke shtuar se në roman nuk kemi
as personazhe arabë. Ajo thotë se romani i përmban edhe pikëpamjet filozofike
të Kamysë “për angazhimin”, “për mendjemprehtësinë e zemërgjerësinë”, “për
heroizmin e vogël e qyqarinë e madhe”,
“për problemet e ndryshme, thellësisht humane, siç janë dashuria dhe mirësia,
lumturia dhe solidariteti i ndërsjellë.” Tomas Hana dhe Xhon Lusi
janë marrë temat që kanë të bëjnë me krishterimin në roman,
sidomos me angazhimin e klerikut Panlu dhe të Dr. Rijesë. Lui Rosi flet
shkurt për rolin e Tarusë në roman. Elvin Sterling e ka analizuar rolin
e Kotardit dhe aktin përfundimtar të tij në fund të veprës.