| E diele, 05.04.2020, 10:55 AM |
Eshtë koha për reflektim dhe jo për vetëlavdërim
Nga
Enver Bytyçi
Një
sondazh i publikuar sot ka fiksuar si rezultat fitoren absolute të Lëvizjes
Vetëvendosje prej 52 për qind, nëse zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të
mbaheshin tani. Nuk dua të ndalem në interpretime të tjera, sepse më mjafton
kjo që të shpreh drohnë që kur një subjekt politik mbërrin kuota të tilla
pëlqyeshmërie të ndikojë për ngritjen kultit të individit te lideri përkatës.
Albin
Kurti krijoi një qeveri të shpresës në koalicion me Lidhjen Demokratike të
Kosovës. Por pas 50 ditësh përmes një mocioni votëbesimi, aleatja e saj, pra
LDK, e rrëzoi nga qeverisja. Ai vazhdon të drejtojë një qeveri në detyrë, por
jo të besuar në parlament. Rrëzimi i qeverisë Kurti ishte pa dyshim një kurth i
disa liderëve të pavotuar si individë, por me ndikim dhe fuqi politike të mjaftueshme
për të diktuar për një kohë të caktuar rrjedhat politike në Kosovë.
Megjithatë
i kam parë si aktin politik të seancës parlamentare dhe zhvillimet para e pas
saj edhe në anën tjetër të medaljes. Të gjithë pajtohemi se presidenti i
vendit, në krye të një garnizoni politik të dështuar, përdori në kohë Covidi-19
mjete në dukje legale, për të rrëzuar një qeveri legjitime, e cila filloi ta
sfidojë atë, para së gjithash në aspektin e luftës kundër korrupsionit 13
vjeçar të asaj që quhet “Epoka e Hashim Thaçit”. Kurti po e rrezikonte në
themel karrierën politike të një njeriu të fuqishëm në projektet e tij
anti-Kosovë. Për këtë pjesë kam shkruar.
Por
kam thënë gjithashtu se edhe kryeministri Kurti nuk mundi të shndërrohet nga
opozitar në shtetar. Eskili shkruante këtu e 2400 vite më parë se ‘Kur e drejta
tejkalohet, kthehet në të kundërtën e saj’! Albin Kurti ka të drejtë të
realizojë programin dhe premtimet elektorale të Vetëvendosjes gjatë qeverisjes
që ushtron. Por sjellja, dialogu, përulësia, modestia, urtësia, maturia,
përpjekja për të gjet mjetet adekuate për të arritur qëllimin, nuk janë pjesë
programore. Këto janë e duhet të jenë pjesë e karakterit, përgjegjësisë dhe
formimit të njeriut, në rastin konkret të liderit të Vetëvendosjes, Albin
Kurti. Aq më tepër kur kundërshtari i tij politik është një tigër i plagosur
dhe i sprovuar në intriga, marifete, marrëzi, hajni, krijimin e grupazheve etj.
Aq më tepër kur rivali i tij politik, presidenti i vendit, ka sunduar edhe si
kryeministër, edhe si president.
Albin
Kurti nuk duhet të ngrejë shpatullat pas këtij sondazhi. Sepse përballë tij ka
një divizion politikanësh të korruptuar. Nëse vemë re, në Lidhjen Demokratike
të gjithë ata që kanë punuar si ministra, kryetarë komunash, apo poste të tjera
të larta janë bashkëpunues me Hashim Thaçin. Kur ndodh kjo në LDK, duhet ditur
se në partitë e tjera ky fenomen është akoma më i përhapur. Ndoshta tentakulat
e kësaj marrëdhënieje bazuar në bashkëpunim në krimin e korrupsionit shkon deri
te ndonjë bashkëpunëtor i vetë Kurtit në VV!
Por
anketimi dëshmon se zoti Kurti ka mbështetjen e qytetarëve! Ky është një sukses
i jashtëzakonshëm. Megjithatë ai duhet të ketë parasysh se mbështetjen e
qeverisë Kurti e japin edhe votuesit e Vjosa Osmanit dhe disa ministrave të
Lidhjes Demokratike. Kjo do të thotë se anketimi duhet parë me shumë
objektivitet. Pavarësisht kësaj është e sigurt se kuotat e mbështetjes së
qytetarëve të Kosovës për qeverinë Kurti janë të larta, më të larta se për
shumë qeveri të mëparshme. Dhe mos harrojmë edhe njëherë, janë kuota mbështetje
për qeverinë “Kurti”, jo domosdoshmërisht për Lëvizjen Vetëvendosje”!
Kjo
analizë reale duhet të shërbejë që zoti Kurti të mos kalojë në eufori, njëlloj
euforie, e cila e dëmtoi disi gjatë 50 ditëve në qeverisje. Euforia çon në
mendjemadhësi. Dhe mendjemadhësia ndëshkohet po aq sa edhe korrupsioni nga ana
e qytetarëve. Prandaj është koha për reflektim, në vend se për vetëlavdërim!