Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Si qëmoti
E diele, 05.04.2020, 10:52 AM
Si qëmoti
Nga
Edison Ypi
Kush
kapet duke e pritur të dashurën me kufje në vesh ose duke shkruar mesazhe në
celular, dënohet 7 vjet burg pa të drejtë apelimi.
Selfiet
dënohen me rjepje lëkure, varje në litar, ose pushkatim në vend pa gjyq.
Udhëtimet
bëhen vetëm me tren me qymur me lokomotivë të zezë që bën çuf-çuf. Treni ndalon
në çdo stacion. Pamja e stacionit kur treni ka ikur është një rrënqethje
estetike e pakonkurueshme. Më të shijshmit e stacioneve janë ata ku as hypën as
zbret kush. Të vetmet përshëndetje lamtumire që lejohen në stacionet e trenave
janë ato me psherëtima, shami', lot.
Romanet
shkruhen me penë e bojë dhe lexohen ulur në karrike pranë dritares me
vështrimin larg dhe një gotë verë në pravaz. Nuk është roman i mirë kur ai i
thotë asaj “Të dua pafund”, se s'ka as kuptim, por “Të dua më tepër se beduini
pikën e ujit” ose “Të dua më tepër se Leonardo proporcionalitetin”.
Autorët
që eksperimentojnë “forma të reja” të shkruari shkohen në hell.
Ndalohet
të shohësh më tepër se 1 film në javë. Kurrë në televizor. Vetëm në kinema.
Kush kapet duke parë film në kompjuter, shpallet budalla dhe dërgohet në
çmendinë.
Përveç
avullit, korentit, barutit, synetllëkut, mbathjeve të mëndafshta të femrave,
kush tenton të shpiki kollajllëqe që ngathtësojnë trupin dhe mpijnë trurin, si
për shembull kolltuqe të rehatëshme, dyshekë të butë, jorganë të ngrohtë,
thekse buke, qëruese patatesh, dënohet me internim të përjetshëm prapa maleve.
Makina
ndizet me manovelë. Ndenjëset jenë të ngurta. Xhamat ulen e ngrihen me një
rrip. Motori bën zhurmë sikur thyen arra. Makina nxjerr nga pas pak tym.
Lavatriçja
mund të vazhdojë të ekzistojë, por e thjeshtë, pa ndërlikime elektronike.
Frigoriferin
lejohet ta përdorin si mjet eutanasik ata që me vullnetin e vet duan të vdesin.
Ndalohet
përdorimi i ashensorit si mjet që favorizon ngathtësinë dhe dhjamosjen.
Kondicionerët
e ajrit të shpallen “Armik i Shëndetit të Popullit”. Asgjësimi i kondicionerëve
me çdo mjet dhe mënyrë të shpallet detyrë patriotike.
Pse
bëhet lufta, s'ka pse ta dijë ushtari, e di vetëm gjenerali.
Ushtari
lejohet të mbajë me vete fotografinë e të dashurës. Nëse të dashur nuk ka, mund
të mbajë fotografinë e nënës, por jo shoqëruar me vargjet e Eseninit. Ushtari i
plagosur mund të dashurohet me infermieren që i lidh plagët.
Mosmarrveshjet
mes burrave nuk zgjidhen me llogje kavaje por me duel si nëpër romane.
Për
habere të ngutëshme dërgohen dhe merren vetëm telegrame. Për komunikime të
gjata, përdoret letër e shkruar me penë e bojë mbyllur në zarf që laget me
gjuhë, ngjitet me tutkall. Mbi zarf, adresë, pullë, kuti postare, heshtje,
pritje, ankth.
Televizori
nuk është për filma por për habere. Filmi shihet në kinema rradha kaq karrikja
aq. Filmi ka femra të bukura vetëm sipas përcaktimit të Gina Lollobrigita-s;
“Femër e bukur nuk është ajo që bëhet aq më tepër joshëse sa më tepër çvishet,
por ajo që bëhet aq më tepër ndjellëse sa më tepër vishet”.
Po
qe se televizioni ka më tepër personazhe të ftohtë e të famshëm se të ngrohtë e
të dashur, hidhe në plehra.
Jo
më pak se dhjetë vite burg për cilindo që nuk jeton si qëmoti dhe ankohet se i
dhemb mesi, i dhemb koka, i rrjedhin qurrat, e zë gripi, mezi i del kaka.