| E premte, 03.04.2020, 11:33 AM |
Mbajtja e premtimeve, borxh ndaj elektoratit!
Shkruan
Florim Zeqa
LDK-në
nuk mund ta dobësoj askush më shumë sesa lidershipi i saj me mos perfilljen e
vullnetit të elektoratit, sikurse që nuk mund ta ndihmojë askush më shumë sesa
elektorati i saj me kushtëzimin e lidershipit aktual për mbajtje të premtimit
elektoral dhe reformim të thellë të partisë.
Qeveria
e fundit e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ishte qeveria me legjitimitetin
më të madh qytetarë pas shkuarjes në amshim të liderit historik të LDK-së dhe
shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi, Ibrahim Rugova. Koalicioni qeverisës
LVV-LDK, më shumë se dëshirë e lidershipit të këtyre dy partive, ishte vullnet
i elektoratit për ndryshim, i shprehur me votën e mbi 427.000 qytetarëve të
vendit apo përkthyer në përqindje, 50,81 % e votuesve të dalë në zgjedhje kanë
votuar për koalicionin qeverisës pas zgjedhor LVV-LDK.
Të respektohet vota që
determinoi ndryshimin
Puna
e nisur mirë e qeverisjes LVV-LDK kishte ngjallur shpresat e qytetarëve për
ndryshim. Mirëpo, për fatin e keq të vendit, shumë shpejtë shpresat e qytetarëve
u kthyen në zhgënjim të madh.
Pa
dashur të përserisë ato që e din i mbarë opinioni publik, ato të ecurisë së
prishjes së koalicionit qeverisës, dua të theksoj se zhgënjimin e bën akoma më
të madhë tendenca për mos mbajtjen e premtimeve elektorale nga ana e LDK-së.
Siq
dihet, LDK-ja ngritjen e lehtë të saj në zgjedhjet e 6 tetorit e arriti në saje
të premtimit elektoral për mos bashkëqeverisje me partitë e PAN-it. Në saje të
këtij premtimi LDK i mori 206 mijë votat e elektoratit të saj. Pra, votat që i
mori ishin për ndryshim e jo për
vazhdimin e keq-qeverisjes.
Kur
jemi tek ngritja e LDK-së, do u hyja në hak lexuesve po nuk e permenda edhe një
fakt tjetër. I pamohueshëm është kontributi i kandidatës për kryeministre,
zonjes Vjosa Osmani, me emrin e së cilës u tubuan hiq më pak se 176 mijë vota
të elektoratit, pa të cilën LDK-ja nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, jo vetëm që
nuk do të renditej e dyta, do të garonte me AAK-në për vendin e tretë!
Pavarësisht
zhvillimeve të fundit, lidershipi i LDK-së duhet të respektoj vullnetin e
elektoratit edhe në raport me Vjosa Osmanin, si vullnet për ndryshim dhe reforma përmbajtësore në LDK, e
jo si mbështetje pro apo kundër ish koalicionit qeverisës.
Çdo
gjë që del jashtë premtimit elektoral është e dëmshme për LDK-në dhe me pasoja
për vendin. Pra, LDK-së nuk i duhen kalkulimet e pushtetit, por mbajtja e
premtimeve elektorale.
Lidershipi
i LDK-së nuk duhet të harrojë se mbajtja e premtimeve dhe fjala e dhënë është
parim, është vlerë e mbi të gjitha është edhe etikë njerëzore. Çdo shkelje e
parimeve dhe premtimeve paraqet tradhti të pastër ndaj elektoratit, sadoqë
lideri i LDK-së po mundohet ta mbështjellë me hipokrizi të reja politike.
Mallkimi i elektoratit
ndaj abuzuesve të vullnetit politik
Tendecës
së hapur të lidershipit të LDK-së për bashkëqeverisje me partitë e PAN-it,
elektorati rugovian është duke iu përgjigjur me indinjatë, rënkim të thellë dhe
mallkim ndaj abuzuesve me kontrabandim të votës së tyre të shënjtë.
Për
ta ilustruar këtë që e ceka më sipër, po e shkëpus vetëm një detaj të bisedës
së djeshme me një simpatizant të LDK-së dhe adhurues i frymës rugoviane;
"Jam kanë i kallt mas LDK-së rugoviane, kurrë nuk m'ka ba zemra vërr me ju
dhanë votën tjerave parti, po me LDK-në e Isa Mustafës nuk po mundem me u pajtu
kurqysh, por as që ma don zemra ndonjë parti tjetër, por nëse shkojmë në
zgjedhje, pa e votu LVV-në nuk e la, pra
vota ime nuk shkon më për LDK-në e Isa Mustafës" (përfundon citati).
Merreni
me mend se në çfarë deregje e ka pru LDK-në Isa Mustafa me klanorët e tij.
Pavarësisht kamuflimeve politike dhe mashtrimeve, elektorati i ka kuptuar mirë
lojrat plot hipokrizi të liderit partiak.
Sadoqë
Isa Mustafa e thotë ditë e natë se LDK-ja nuk është vartëse e Hashim Thaçit,
përputhja e qëndrimeve të tij me lojrat e presidentit i vërteton shqetësimet e
elektoratit për futjen e sërishme të Isa Mustafës në pazare të pista pushtetore
për vazhdimin e mandatit të presidentit Thaçi në këmbim të postit të
kryeministrit për LDK-në apo anasjelltas dhe jo vetëm.
Mbështetja
symbyllur e liderit të LDK-së dhënë presidentit të vendit në arritjen e
marrëveshjes finale me Serbinë, sikurse edhe në marrëveshjet paraprake, do të
jetë e dhimbshme, tepër e kushtueshme dhe me pasoja të rënda për vendin.
Për
më tepër se kaq, LDK-ja nuk ka nevojë të humbë energji dhe kohë rreth
përcaktimeve ideologjike të Albin Kurtit, kur ato dihen botërisht siq dihen
përcaktimet dhe e kaluara politike e liderit aktual të saj, Isa Mustafa.
LDK
si partia e parë, shtetformuese dhe shtetndërtuese, duhet ta gjejë formulen e
unifikimit të saj. Hedhja e hapave të parë drejt reformave përmbajtësore duhet
të filloj me organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të lira dhe të
ndershme partiake, për ta zgjedhur një kryetar dhe kryesi kredibile që tërheq
vëmendjen e rreth 40 % të votuesve pasiv, si dhe afrimin e veprimtarëve dhe
aktivistëve të viteve të '90-ta që ende jetojnë në Diasporë, për ta
rrumbullaksuar kështu mozaikun unifikues në LDK.