E enjte, 14.11.2024, 05:16 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe Amerika

E shtune, 14.03.2020, 03:19 PM


SHQIPTARËT DHE AMERIKA

Nga Xhelal Zejneli

Puna e Kosovës është çështje amerikane. Puna e Kosovës, nuk është çështje e kryeqendrave të fuqive historike të Evropës – Londrës, Berlinit dhe Parisit. Shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Të tillë do të mbeten deri në jetë të jetëve. Shqiptarët si komb, duhet t’i drejtojnë sytë, jo nga fuqitë evropiane, por nga ShBA-ja. Kauzës shqiptare në Ballkan mund t’i dalë zot vetëm Uashingtoni. Miqësia ndërmjet kombit shqiptar, në një anë dhe ShBA-së, në anën tjetër, është e përjetshme. Politika kombëtare e shqiptarëve duhet të jetë proamerikane. Interesi kombëtar i shqiptarëve është dhe duhet të jetë miqësia e përjetshme ShBA-në. Cilido shqiptar që do të vinte në dyshim miqësinë me ShBA-në, do të merrte mbi vete mallkimin e historisë. Vënia në dyshim e miqësisë shqiptaro-amerikane, paraqet akt tradhtie të lartë.

MBËSHTETJA E SHQIPTARËVE NGA ShBA-ja

Në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919-1920, Shqipërinë e mbrojti Presidenti amerikan Udro Uilson (Thomas Woodrow Wilson, 1856-1924). Në deklaratën e tij prej 14 pikave, të shpallur më 8 janar 1918, ai kërkoi vendosjen e paqes mbi bazën e parimit të kombësisë dhe të vetëvendosjes së popujve. Kundërshtoi kompromisin anglo-franko-italian të janarit të vitit 1920 që parashikonte kalimin e Shkodrës dhe të Shqipërisë së veriut në kufijtë e Mbretërisë Serbo-Kroate- Sllovene.

Kah fundi i vitit 1992, Presidenti amerikan Xhorxh Bush i vjetri (George Herbert Walker Bush, 1924-2018), në mesazhin e Krishtlindjeve e paralajmëroi Beogradin se “Kosova është vija e kuqe për ShBA-në, të cilën Serbia nuk guxon ta kalojë. Ndryshe, do të ballafaqohet me përgjigjen amerikane”.

Në muajt e parë të vitit 1999 Presidenti Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946) mori vendim për ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së për ta ndalur fushatën e Serbisë për pastrimin etnik të Kosovës dhe për t’i dhënë fund gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.

Në mëngjesin e 7 qershorit të vitit 2007, Presidenti Xhorxh Bush (George Walker Bush, 1946) mbërriti në aeroportin e Rinasit. Ishte i pari president amerikan në detyrë që e vizitonte Shqipërinë. Në sheshin e Skënderbeut u prit me entuziazëm nga qytetarët. Në konferencën për shtyp në Tiranë, paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pas tetë muajve, më 17.02.2008 Kosova shpalli pavarësinë. Në Samitin e NATO-s në Bukuresht, të mbajtur më 2 prill 2008, Shqipëria mori ftesë për t’iu bashkuar aleancës veri-atlantike.

Presidenti Barak Obama (Barack Hussein Obama, 1961) dhe sekretarja e Departamentit të Shtetit Hilari Klinton (Hillary Diane Rodham Clinton, 1947), punën e Kosovës e trajtuan në përputhje me politikën amerikane të presidentëve Klinton dhe Bush. Për ta, puna e Kosovës ishte çështje e mbyllur. Beogradit s’i mbetej tjetër pos ta njihte pavarësinë e saj.

Më 14 dhjetor të vitit 2019, Forcat e Sigurisë të Kosovës u transformuan në Ushtri të Kosovës. Kjo nuk mund të bëhej pa mbështetjen e administratës së Presidentit Tramp (Donald John Trump, 1946). Sot e kësaj dite Uashingtoni ndihmon në modernizimin dhe në ngritjen profesionale të Ushtrisë së Kosovës dhe të policisë kosovare. Për shumë vende të botës, Presidenti Tramp i suprimoi ndihmat financiare të ShBA-së. Përjashtim bëjnë vetëm Izraeli, Kosova dhe Gjeorgjia.

Udhëheqësit e Kosovës duhet të tregohen kooperues me Uashingtonin. Atë që e ka bërë Amerika për shqiptarët, ndodh një herë në 2000 vjet. ShBA-ja s’heq dorë nga Kosova, por në rast se zemërohet, mund t’i reduktojë ndihmat dhe investimet. Shqiptarët kurrë s’guxojnë ta dëshpërojnë apo ta zhgënjejnë Uashingtonin.

Dihen synimet e Serbisë ndaj Kosovës. Por, Beogradi e di mirë se garant i sigurisë së Kosovës është ShBA-ja. Uashingtoni mund t’u zemërohet pushtetarëve shqiptarë, por Kosovën kurrë s’ka për ta lënë vetë dhe të pambrojtur.

ShBA-ja në asnjë rrethanë nuk do ta mbështeste një politikë antidemokratike, antiamerikane, antiperëndimore, politikë të ekstremit të majtë, të ekstremit të djathtë, një ideologji staliniste, bolshevike, marksiste-leniniste. Uashingtoni kur s’do ta mbështeste një politikë shqiptare, në Tiranë apo në Prishtinë, që do të kishte lidhje, transparente apo të fshehta, me Teheranin. Uashingtoni dhe fuqitë evropiane nuk do të parapëlqenin që politika shqiptare të ketë lidhje të ngushta as me një Turqi, të udhëhequr nga presidenti i përtashëm i atij vendi. Fatmirësisht, politikat dhe ideologjitë e sipërthëna, në botën shqiptare kanë perënduar qëmoti.

*   *   *

Interesi strategjik amerikan nuk është çështje që mund të vihet në dyshim nga presidenti amerikan. Janë institucionet ato që e përkufizojnë interesin strategjik të ShBA-së, si: Shtëpia e Bardhë, Kongresi, Senati, Departamenti i Shtetit, Pentagoni.

Gjatë presidencës së Trampit, këshilltarë të caktuar të administratës së tij kanë deklaruar se “Uashingtoni do të pranonte një marrëveshje për të cilën bien dakord Prishtina dhe Beogradi”. Deklarata e sipërthënë e parafrazuar, paraqet shmangie nga qëndrimet e administratave të presidentëve Klinton, Bush dhe Obama. Qëndrimi i këtillë i këshilltarëve të Trampit i krijon mundësi Beogradit që të ngulë këmbë për një marrëveshje kompromisi.

Rrallëkush e di domethënien e deklaratave të këshilltarëve të dministratës së Trampit se Uashingtoni do të pranonte një marrëveshje për të cilën do të kishin rënë dakord të dyja palët.

Miqësia me ShBA-në vërtet është interes strategjik i kombit shqiptar, por edhe shqiptarët paraqesin interes strategjik për ShBA-në. Duke mos qenë sllavë, shqiptarët janë përçues të natyrshëm të interesit amerikan në Ballkan. Nuk duhet harruar se në këtë rajon mëtojnë të penetrohen edhe fuqi të tjera, si Rusia, Kina. ShBA-ja depërton në rajon pikërisht nëpërmjet shqiptarëve. Serbia ndërkaq, është përçuese e interesit rus në gadishull. Ajo është satelite politike historike e Rusisë. Nga kjo rezulton se në kontestin midis shqiptarëve dhe Serbisë, Uashingtoni, Londra dhe Berlini natyrshëm anojnë nga shqiptarët.

Nga sa më sipër del se Uashingtoni nuk mund të heqë dorë nga mbështetja për Kosovën. Si mund ShBA-ja të heqë dorë nga Kosova, në një kohë kur Serbia vazhdimisht përqendron armatime ruse në territorin e vet. Me një veprim të tillë, Serbia rrezikon, jo vetëm Kosovën, por tërë Ballkanin Perëndimor, përfshi edhe Kroacinë. Rrjedhimisht, prania e ShBA-së në rajon është më se e domosdoshme.

*   *   *

Nuk është mirë të ushtrohet trysni mbi qeverinë e Kosovës për ta përshpejtuar dialogun me Serbinë. Ndoshta Trampi dëshiron që “çështjen” e Kosovës ta mbyllë para zgjedhjeve presidenciale në ShBA. Ai tentoi të arrijë marrëveshje me Korenë e Veriut, por nuk ia doli. Administrata e tij ofroi një plan edhe për zgjidhjen e konfliktit historik midis Izraelit dhe palestinezëve, por as kjo s’kaloi. Administrata e tij ishte e angazhuar edhe në zgjidhjen e kontestit rreth emrit midis Shkupit dhe Athinës. Ky angazhim u mbyll me Marrëveshjen e Prespës.

Administrata e Trampit duhet të respektojë qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin e saj, për arsye se kjo qeveri buron nga vullneti i popullit, i shprehur në mënyrë demokratike në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019. Respektimi i vullnetit të qytetarëve, është parim bazë i demokracisë amerikane.

Uashingtoni duhet të kërkojë nga Beogradi që t’i japë fund:

- luftës speciale ndaj Kosovës;

- luftës psikologjike ndaj Kosovës;

- armatosjes nga Rusia;

- përqendrimit të armatimeve ruse pranë kufirit të Kosovës;

- veprimeve destruktive që kanë të bëjnë me pengimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare;

- veprimeve destruktive që ndërlidhen me çnjohjen e Kosovës nga vendet që tanimë e kanë njohur.

Po qe se trysnia ushtrohet vetëm mbi qeverinë e Kosovës, atëherë pala serbe del e privilegjuar, Kosova ndërkaq vihet në pozitë të pabarabartë. Po qe se taksat mbi mallrat serbe hiqen, ndërsa Beogradi vazhdon të sillet ndaj Kosovës sikundër sillet sot, a do të thotë kjo se ato do të duhej të riktheheshin? Një sjellje e tillë e Beogradit do ta diskreditonte politikën e Uashingtonit, Londrës dhe Berlinit.

Serbia i ka shitur Kosovës mallra me vlerë mbi gjysmë miliard euro. Me ato para ka blerë nga Moska armë. Me to i është kanosur Kosovës dhe vazhdon t’i kanoset edhe sot. Një tregti si kjo s’është parë dot në historinë e njerëzimit.

Uashingtoni, Londra dhe Berlini duhet t’ia rikujtojnë Kleonit të Ballkanit, Vuçiqit se ai dhe ministri i tij I. Daçiq, kanë qenë pjesë e pandarë e politikës së zjarrvënësit të gadishullit,  Millosheviqit. Është për t’u habitur sesi Franca, Gjermania dhe Turqia e Erdoganit, vitet e fundit kanë bërë investime të konsiderueshme në Serbi. Në vend që të ndëshkohet dhe të izolohet për gjenocidin e kryer, Serbia shpërblehet.

Në Beograd është përmendur një plan Ahtisari + +. Ç’përmban ky farë plani, rrallëkush e di. Plusi i parë ka të bëjë ndoshta me heqjen e taksës, ndërsa plusi i dytë, mbase parashikon për serbët e Kosovës njëfarë autonomie kulturore. Pjesë e këtij plani me siguri janë edhe investimet amerikane në Serbi dhe mbështetja për integrimin e saj në BE.

Në anën tjetër, Beogradi do të duhej ta njihte tërësinë e tokave, sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës si dhe të mbështeste anëtarësimin e saj në OKB.

E gjithë bota e di se s’ka shqiptar në rruzullin tokësor që do të nënshkruante një marrëveshje me Serbinë, me të cilën do të krijohej në Kosovë një bashkësi komunash me shumicë serbe, një “zajednicë” apo një “dodik republikë”.

Uashingtoni duket sikur i thotë Prishtinës: “Hiqeni taksën menjëherë dhe pa kusht, ndërsa punët e tjera me Beogradin, na i lini neve”.

Duhet shtuar se në vend të Federika Mogherinit, përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, tani është ish-ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Zhozep Borel. Ky vjen nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Si “lehtësues” i BE-së në dialogun e sipërthënë është propozuar ministri në largim i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Edhe ky i një vendi që s’e ka njohur Kosovën. Krahas Lajçakut, në këtë detyrë ka qenë i parashikuar edhe diplomati gjerman Kristof Hojzgen (Christoph Heusgen). Prania e përfaqësuesit të Uashingtonit, pjesëmarrjen e Burelit apo të Lajçakut e shndërron në formalitet të kulluar. Në dialogun që pritet, çdo gjë do të jetë në duart e Uashingtonit.

*   *   *

Është imperativ i kohës që udhëheqësit e Kosovës, veprimet dhe qëndrimet e tyre që kanë të bëjnë me dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, t’i harmonizojnë dhe t’i bashkërendojnë me përgjegjësi politike. Faktori politik i Kosovës duhet të respektojë:

- Kushtetutën e Republikës së Kosovës;

- Presidencën e Republikës së Kosovës;

- Kryeministrinë e Republikës së Kosovës - organin ekzekutiv apo qeverinë;

- organin ligjvënës të Republikës së Kosovës - kuvendin e saj.

Qeveritarët e Kosovës duhet të njihen edhe me mendimet dhe qëndrimet e partive opozitare.

Dialogu me Beogradin nuk është punë individësh, qoftë ky kryetar shteti, qoftë kryeministër qeverie. Dialogu me Beogradin është punë e kryetarit të shtetit, e kryeministrit të qeverisë dhe e kryetarit të kuvendit. Marrëveshja eventuale, miratohet apo hedhet poshtë, në Kuvendin e Kosovës. Ka raste kur për vendime të tilla organizohen edhe referendume.

Interesi i Kosovës është mbi interesin e individit, mbi interesin e një koniunkture dhe mbi interesin e një partie politike. Animozitetet midis politikanëve, mendësia provinciale dhe të gjykuarit fisnor, janë nën nivelin e imperativit të kohës. Nuk është kohë e bajraktarizmit. Zënkat midis udhëheqësve politikë, për Kosovën janë një luks i papërballueshëm. Shqiptarët duhet ta harrojnë rapsodinë e katundit. Duhet dalluar luftën për pushtet nga ideali për shtet. Burrat e mëdhenj të shtetit, më tepër shikojnë para se që kthehen pas.

Qeveria paraprake ra për shkak të taksave. Mosmarrëveshjet midis partnerëve të bashkëqeverisjes mund të përfundojnë edhe me rënien e qeverisë. Në një kohë kur Kosova ballafaqohet me eksodin e rinisë saj, ky do të ishte skenari më i padëshiruar. Të rinjtë i kanë marrë në sy rrugët pa kthim. Për zbrazjen e Kosovës, dikur e fajësonim politikën serbomadhe dhe elaboratin “Dëbimi i shqiptarëve” të Vaso Çubrilloviqit, që e lexoi më 7 mars 1937 në Klubin Kulturor Serb në Beograd. Sot ndërkaq, për dyndjen përmasash biblike të të rinjve, shqiptarët duhet ta fajësojnë vetveten.

*   *   *

Fati i popujve të vegjël është në duart e fuqive të mëdha. Shqiptarët duhet të jenë të lumtur se i takojnë sferës amerikane të ndikimit dhe zonës amerikane të interesit. Miqësinë shqiptaro-amerikane duhet ta kultivojnë:

- inteligjencia shqiptare;

- klasa politike shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, çamët;

- shqiptarët në diasporë – në ShBA, në Evropë dhe gjetkë;

- shtresat shoqërore që janë determinantë sociologjikë dhe historikë;

- qeveritarët dhe pushtetarët;

- partitë politike shqiptare që janë në opozitë;

- mediumet e shkruara dhe ato elektronike;

- analistët politikë dhe ndërtuesit e opinioneve.

Është e turpshme të flitet në janë shqiptarët me Amerikën ose jo. Cili prej politikanëve shqiptarë është proamerikan dhe cili s’është. Cili është proamerikan i madh dhe cili më pak proamerikan. Është e tmerrshme dhe rrëqethëse të dëgjosh t’i thuhet një udhëheqësi politik shqiptar të Kosovës: “Ti je antiamerikan”! Shqiptarët, sot e mot, janë me ShBA-në dhe kurrë s’kanë për të qenë me Rusinë, me Kinën, me Ankaranë apo me Teheranin.

Është infantilizëm politik t’i numërosh të mirat e ShBA-së për shqiptarët dhe për Kosovën. Uashingtoni është pranë Kosovës që nga viti 1991 deri më sot. Dhe ka për të qenë pafundësisht. Ndihmën për Kosovën, Uashingtoni e ka përkufizuar si “ndërhyrje për të shmangur një katastrofë humanitare përmasash të jashtëzakonshme”. ShBA-ja u ka ndihmuar dhe vazhdon t’u ndihmojë të gjithë popujve të rajonit për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe për t’i çuar para proceset demokratike.

Është e neveritshme kur i dëgjon fjalët dhe shprehjet “ndarje e Kosovës”. Fjalët e këtilla i dëgjon në Prishtinë dhe në Tiranë. I dëgjon prej politikanëve, prej analistëve politikë, prej gazetarëve. I dëgjon edhe nëpër debate. Njeriu që ka formim politik, kur s’e përdorë një shprehje të tillë. Tërësia e tokave e Kosovës është çështje e paprekshme dhe e padiskutueshme. Përdorimi i një shprehjeje të tillë krijon mundësinë e diskutimit për një gjë të tillë. Shprehja e tillë e trimëron Serbinë dhe është në favor të saj.

Janë do çështje politike dhe kombëtare, të cilat për nga natyra dhe karakteri kompleks, mbeten konfidenciale dhe shërbejnë për përdorim të brendshëm dhe në rrethe të ngushta. Ka çështje që, ndonëse preken nëpër kancelaritë evropiane, përsëri mbeten jashtë tryezave të bisedimeve dhe jashtë agjendave. Sikur çështjet e tilla të bëhen publike për opinionin e gjerë, atëherë mund të ndodhë keqinterpretimi i tyre.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora