E enjte, 14.11.2024, 05:26 PM (GMT)

Editorial

Aleks Kapllaj: Lajme të mira nga Kina dhe Italia!

E enjte, 12.03.2020, 07:35 PM


Lajme të mira nga Kina dhe Italia!

Nga Aleks Martin Kapllaj

"Jemi në luftë. Të parët tanë, në kohë lufte shkonin e rrezikonin jetën, për të mbrojtur vendin, ndërsa ne, këtë luftë kundër këtij armiku të panjohur dhe të padukshëm të njerzimit, mund ta bëjmë që nga divani"- tha dje në darkë profesor Massimo Galli, primario i spitalit të infektivit SACCO i Milanos.

Vetëm duke bërë si Kina dhe tani si Italia, jam i sigurtë që do t'ja dalim ta ndalojmë përhapjen kaq të shpejtë të këtij virusi, për ti dhënë kohë shkencëtarëve të gjejnë vaksinën që mbron organizmin tonë nga ky virus.

Që me datën 21 shkurt, ditën kur u zbulua i infektuari i parë në Itali, që ishte edhe i infektuari i parë i një qytetari evropian, që jetonte në Evropë, u kuptua qartë se kjo epidemi është botërore.

Që nga ajo ditë kam mbajtur një ditar, me foto të përditshme të përhapjes së këtij virusi, si në Kinë, ashtu edhe në vendet e tjera të botës.

Duke mos qënë specialist, u jam referuar studimeve të shkencëtarëve në mjekësi, virulogëve dhe qëndrave kërkimore shkencore, për përhapjen e epidemive të ndryshme si Ebola, Hiv, Sars, morbilo e shumë epidemi të tjera që kalojnë nga kafsha te njeriu, si dhe informacioneve të OBSH, rreth evolimit të situatës në Kinë dhe në Itali.

Shkencëtarët dhe specialistët evropian e kanë vlerësuar seriozisht këtë virus, duke marrë parasysh shpejtësinë e përhapjes së tij dhe përqindjen e lartë të pacientëve të sëmurë që kanë nevojë për reanimacion, ku nëse sëmundja përhapet, nuk mund të përballohen me aparatet e disponueshëm sot, respektivisht për çdo vend në Botë.

Pra, të gjitha sforcimet që kerkojnë specialistët dhe drejtuesit e shëndetësisë janë masat që duhen marrë për ngandalsimin e përhapjes, që të fitohet kohë, në prodhimin e aparateve për reanimacion dhe në prodhimin e vaksinës kundër virusit.

Shumë politikan të djathtë e të majtë në fillim e morën jo seriozisht këtë virus, por pak ditë më vonë rezultuan pozitiv me Covid-19 dhe e pranuan rrezikshmërinë e tij dhe lehtësinë e tyre.

Në fillim kishte edhe specialistë që e konsideronin këtë virus si një grip pak më i rëndë se të tjerët, por këto zëra u heshtën duke parë se spitalet nuk po e përballojnë mbingarkesën e pacientëve me këtë virus që kanë nevojë për reanimacion.

Çdo masë që kanë marrë shtetet botërore deri tani, përveç Kinës dhe Italisë, nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar përhapjen e virusit, i cili vë në gjunj çdo sistem shendetsor në botë.

Vetëm Kina dhe Italia, kjo e fundit ka akoma për të bërë, e kanë marrë seriozisht ndalimin e përhapjes së virusit.

Dhe këtë e thonë rezultatet në Kinë, që ka ditë që të infektuarit e ri janë shumë pak, dhe të shëruarit janë 61 656, nga 80 969, që janë të sëmurët total deri sot.

Një qytetar evropian, Françesko Vitali, që jeton në Hong Kong, qytet me 7,5 miljon banorë, thotë se ka disa ditë që në këtë qytet metropolitan, ka vetëm 2-3 raste të reja infektimi, sepse të gjithë janë mbyllur në shtëpi dhe dalin një herë në javë për shpenzime dhe nevoja jetike dhe kush mundet punon në shtëpi ose ka marrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit, pra në restorante kanë reduktuar numërin e klientëve, por para se të futen brenda masin temperaturën dhe u dezinfektojnë duart.

Ndërsa një kanal Tv francez, që ka bërë një reportazh nga Pekini, dha pamje nga kryeqyteti kinez me 22 miljon banorë, ku nuk shihej asnjë përson në rrugë dhe vetëm 3 makina në qarkullim e rastet pozitive me virus janë ulur ndjeshëm, çdo ditë e më shumë.

Wuhani i Wubei-t, u izolua komplet, nga pjesa tjetër e Kinës dhe e Botës, por qeveria kineze nuk u mjaftua me kaq: ajo vendosi në kuarantinë edhe pjesën më të madhe të vendit.

Ky rezultat erdhi pas masave drastike, që mori qeveria kineze, kur ndaloi daljen e njerzve nga shtëpia vetëm për nevoja jetike e shëndetsore, duke dalur vetëm një përson për familje një herë në javë dhe për urgjenca shëndetsore dhe duke ruajtur funksionet jetike të një shteti dhe gjithçka në shërbim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

6 ditë më parë, Bursa e Kinës i rekuperoj të gjitha humbjet që ka pasur, që nga fillimi i janarit, kohë kur u zbulua dhe u pranua prezenca e virusit, Covid-19 në provincën Wubei-t.

Ndërsa në Itali, me 10 mars, qyteti i vogël i Codogne-s, në Lodi, ku u zbulua i infektuari i parë me 21 shkurt, nuk kishte asnjë të infektuar të ri nga virusi dhe u bë shembulli i Evropës për ndalimin e përhapjes së virusit e cila u fut në kuarantenë të plotë.

Sot pasdite edhe OBSH e pranoi, se kemi të bëjmë me një pandemi me përmasa botërore dhe masat do të jenë në nivel të tillë.

Pra vetëm kur të përdorim pjesë të këtij virusi, Covid-19, për të prodhuar vaksinën, do të jemi në gjendje të fitojmë këtë luftë që po bën njerzimi kundër këtij armiku të padukshëm e të panjohur, prandaj urimi i ynë është, Covid-19, të raftë koronavirusi.

Të bëjmë si Kina dhe Italia: kuarantenë totale, në funksion të ruajtjes së jetës tonë që ka vlerë më shumë se gjithçka tjetër.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora