Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Begzad Ademi - Veteran i arsimit, Veprimtar i kauzës kombëtare

| E shtune, 07.03.2020, 05:57 PM |


In memoriam

Begzad Ademi, veteran i arsimit nga Malësia e Bujanocit

Veprimtar  i devotshëm i kauzës kombëtare

Nga Sevdail Hyseni

Në përvjetorin e 28-të të Referendumit, të 1 e 2 marsit të vitit 1992 dhe në prag të Ditës së Mësuesit, në moshën 71 vjeçare, u nda nga jeta mësuesi, pedagogu dhe veprimtari i devotshëm i kauzës sonë kombëtare Begzad Ademi, nga Muhoci, Malësia e Bujanocit.

Këto dy ngjarje nga më të rëndësishmet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk arritën ta gjejnë midis nesh, mësuesin tonë të dashur, për shkak të një aksidenti të shkaktuar me veturën  e tij, në rrugën Breznicë-Tërnoc, nga u kthye i vdekur prej spitalit të Nishit.

Ndarja nga jeta e mësues Begzadit, ishte një hidhërim për gjithë ata, që e njohën për së afërmi, ose kishin dëgjuar për veprimtarinë e tij, arsimore, politike e atdhetare. Ai, ishte një burrë i urtë, fisnik e bujar, me tipare të një malësori të vërtetë.

Për t'i dhënë nderimet e fundit mësues Begzadit, në ditën e varrimit të tij, kishin ardhur miq e dashamirë të shumtë, personalitete të shquara nga jeta arsimore, politike e institucionale të Komunës së Bujanocit dhe më gjerë nga rajoni. Në emër të kolektivit të Shkollës Fillore "Migjeni", në Muhoc, një falim mortor e mbajti drejtori Sadik Demiri, si dhe u vendosën kurora lavdie mbi varrin e tij.

Begzad Ademi, lindi, më 26 mars të vitit 1949, në Muhoc, të Komunës së Bujanocit. Shkollimi fillor e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Preshevë, kurse Akademinë Pedagogjike në Shkup.

Fillimisht mësues Begzadi, u angazhua si punëtor i arsimit në Shkollën Fillore "Migjeni", në fshatin e tij të lindjes në Muhoc. Pas 12 vjet përvojë pune, ai, përjashtohet nga procesi arsimor, kinse në mungesë të përshtatshmërisë moralo-politike, të cilën formulë e zbatonte ish sistemi komunist kundër kuadrove shqiptare në Bujanoc dhe rrethinë. Pra, ishin ngjarjet e vitit 1981, të cilat sollën pranverën e protestave shqiptare në Kosovë, me rastin e rrëzimit të autonomisë së saj dhe diferencimit ideopolitik të intelektualëve shqiptarë në Kosovë dhe në krahun e saj lindor të Luginës së Preshevës.

Me kaq nuk përfunduan sakrificat jetësore për mësues Begzadin, ai pas një varg ankesash nëpër gjyqe, arriti të kthehet në punë në cilësinë e punëtorit administrativ të shkollës, të cilën detyrë prej kontabilisti e ushtroi deri në vitin 2005.

Pas rrëzimit të ish regjimit komunist dhe lindjes së pluralizmit në Luginë të Preshevës, mësues Begzadi, u gjend në krye të proceseve demokratike, duke u bërë një zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve në Malësi të Bujanocit dhe më gjerë. Ndryshimi i rrethanave politike, solli në vend drejtësinë e nëpërkëmbur të mësues Begzadit, i cili njëzëri nga kolektivi i shkollës, prej nga u larguar dhunshëm, u emërua drejtor me mandatin deri në pensionimin e tij.

Mësues Begzadi, ishte bashkautor me Prof. Dr. Shefik Haliti dhe Adem R. Ademi, për hartimin e monografisë së Shkollës Fillore "Migjeni" në Muhoc, një libër shumë i qëlluar, i cili doli nga botimi me rastin e 65-vjetorit të themelimit të shkollës, vatër kjo që edukoi shumë breza shkollarësh deri në doktorë shkencash.

Gjithashtu, për shkak angazhimeve të pandërprera në shumë fusha të veprimtarisë shoqëroro-politike, Partia për Veprim Demokratik e emëroi për këshilltar komunal dhe anëtar të kryesisë partiake, për ta dekoruar në përvjetorin e 29-të të saj, gjatë vitit të kaluar, më 24 gusht 2019, me Mirënjohje për kontributin  e tij si veprimtar i palodhshëm në promovimin e vlerave arsimore, kulturore, politike e kombëtare.

Shëmbëlltyra dhe personaliteti i mësuesit Begzad Ademit, do të shërbej si udhërrëfyes për brezat e tashëm dhe të ardhshëm, se si duhet të punohet dhe veprohet për të mirën e shoqërisë sonë, duke e kujtuar me respekt për njeri të mirë, të urtë, fisnik e bujar, karakteristikë kjo e burrave të Malësisë së Bujanocit.