Faleminderit
Albert Vataj: 95-vjetori i vdekjes së Luigj Gurakuqit
E hene, 02.03.2020, 07:49 PM
SOT NE 95-VJETORIN E VDEKJES SE LUIGJ GURAKUQIT
Nga
Albert Vataj
I
pashoq ishte ai në vlerat e nalta të qytetarisë dhe dijes, kombtarizmës dhe
përkushtimit. “Shqiptar i vlefshëm” do të mëtonte kësisoj At Gjergj Fishta.
“Pionier i qytetërimit” ishte përcaktimi i klerikut, politikanit dhe
veprimtarit të letrave, Fan Noli. Padër Anton Harapi për Gurakuqin do të
shtonte: “mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, simbol i
bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni.
Luigj
Gurakuqi, dijeshumë, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së
Shqipërisë, poet, pedagog, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet, ekonomist, i
gjendun në krye në të gjitha ngjarjet më kulmore të jetës shqiptare në çerekun
e parë të shekullit XX, tepër aktiv e në rol udhëheqës.
"Humbja
e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne,
por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të
Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve, interesohen
për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit kombëtarë. O
Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe hedhin futën e zisë për
ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me një nderim të posaçëm do ta çojmë
në atë vend ku je lindur, ku je rritur dhe për të cilin ti re viktimë!
O
Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është
shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin
tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të
vrau! Ndofta edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë
forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët
duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta.
Do
të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e
tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të
madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti!
Eh, lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën
tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do
ta realizojmë", tha në fjalën e lamtumirës, atdhetari dhe rilindasi, Hasan
Prishtina.