Kulturë
Rexhep Shahu: Çmimi i lirisë është po aq i lartë sa ai i poshtërimit
E shtune, 22.02.2020, 10:55 AM
ÇMIMI I LIRISË ËSHTË PO AQ I LARTË SA AI I POSHTRIMIT
(Fragment nga libri i
Rexhep Shahut, Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelen)
NGA
REXHEP SHAHU
Ti
the, Jo, Havzi, në atë kohë kur nuk guxohej të thuhej jo, sepse të shkonte
koka.
Por
ti the jo, krenar e i bindur. Jo! Nuk ju dua, the ti. Unë nuk ju dua ju. Unë
jam kundër jush.
Këto
gjëra sot merren lehtë, Havzi, por atëhere në 1975 kur diktatura nxirrte zjarr
prej goje, të shkonte shurra pika - pika po ta mendoje e jo më të shpreheshe,
siç shpreheshe ti. Nuk të pikonte shurra, por pshurrje gjak po të mendoje e jo
më të veproje, siç veprove ti.
Ti
ëndërroje të ardhmen Havzi. E mendoje të bukur. Të linin të ëndërroje, ishin
gati me ta falë të ardhmen, por nuk të duronin në të tashmen që jetove ti, ishe
i ashpër ndaj tyre e ndaj vetes tënde, u shkaktoje frikë Havzi. Jetohej nën
frikë, Havzi.
Le
të gënjejë kush më shumë e kush më pak se nuk kemi patur frikë. Frikë deri në
qiell, frikë sa bëheshim gogla dushku nga frika.
Për
këtë që ishe, siç ishe, siç të njoha vonë ndër vite përmes të tjerëve, përmes
veprimeve e sjelljeve të mira e të këqia të të tjerëve, unë të desha e të
nderova gjithnjë e më shumë.
Ti
Po-në e kishe po dhe Jo-në e kishe jo.
Unë
nuk u angazhova as në 1996 e as herë tjera që kam shkruar e as në 2005 kur u
bëre Nderi i Qarkut Kukës, as 2018, për ty e me ty se isha apo jam antikomunist
apo komunist, disident apo jo disident. Jo! Nuk kam konkuruar, as konkuroj këtu
për këto gjëra. Unë kam një veprimtari shkrimore në tri dekada dhe aty konkuroj
me veten e kohën në të cilën jetoj.
Unë
u angazhova dhe dua ta çoj deri në fund idenë, mendimin, projektin që ndërtova
me mend për ty Havzi. Busti yt, Shtëpia jote, nr. 14, nr. special i revistës
Illz, revistë lëtrare e e Tiranës kushtuar ty dhe shkrimtarëve martirë, libri
Shkrimtarët për Havzi Nelën – Shpirti i lirë i Lumës, përgatitja e botimit të
librit tënd Shtatë Fletore me 5548 vargje tuat, ky ishte projekti im që u
mbështet fisnikërisht nga kryetari i bashkisë Kukësit dhe humanisti Flamur
Hoxha. Aktiviteti i fundit i projektit tim është ky libër: Bisedë me Havzi
Nelën.
Unë
e çmova dhe e çmoj shumë qëndresën tënde që duhet të jetë model për të gjithë.
Mësova
prej teje të them Po dhe Jo, ashtu siç ta gjykoj. Ti je shkollë e madhe
vlerash, shkollë morali, qëndrese, dinjiteti.
Gjithkujt
i lejohet me ndryshue, nuk është mëkat as krim ndryshimi. Mund të jesh komunist
e bëhesh anti- komunist, njeriu i lirë e bën lirinë e vet, bën zgjedhjen e vet.
Shpikësit
e armëve, të kallashnikovit, të katjushkave, të bombave shfarosëse i kemi
gjeni, i kemi shpallë gjeni ani se me armët që ata kanë shpikë janë shfarosë
njerëz. Shpikësi i dinamitit aq i nevojshëm për ekonominë e zhvillimin, aq
shkatërrues e rrënues, krijoi me emrin e tij çmimin Nobël të paqes që e
lakmojnë pothuaj gjithë të diturit e botës, Nobël në shumë fusha të kulturës e
dijes njerzore. Ndoshta edhe këto vertetojnë atë që po dua të them, që nuk
është mëkat ndryshimi dhe gjithkujt i lejohet të ndryshojë mendje e sjellje,
gjithkush ka të drejtë të ndryshojë, të pendohet, të njerzohet a të bëjë ç’të
dojë me veten e jeten e tij dhe askush nuk ka të drejtë ta gjykojë me stilin e
mënyrën socialiste a komuniste të thashethemnajës që i keqi është i keq
gjithmonë, që i keqi nuk “lejohet” të bëjë mirë as të bëhet i mirë, edhe të
bëjë mirë nuk i quhet e mira, nuk bëhet dot i mirë, që e mira e të keqit duhet
refuzuar, që një njeri me biografi të keqe nuk quhet i mirë as rehabilitohet në
sytë tanë edhe pse ia shpëton jetën një fëmije apo një gruaje apo dikujt
kujtdo.
Shkurt
për “komunistin” e “antikomunistin” damka nuk të hiqet kurrë edhe pse ke kryer
dënimin që të është caktuar, nuk je i pranueshëm kurrë, ose bisht qeni do të
mbetesh gjithmonë. Kjo është ajo që shefat apo pronarët e partisë nuk duan të
pranojnë të tjerë se ju duket se po zvogëlohet copa e tyre por edhe pronarët
apo shefat e antipartisë nuk lejojnë të afrohet kush se rrezikohen nga të
ardhurit e rij që ndjehen të rehabilituar. Shkurt posti i qelbur tek partia ose
te antipartia mbrohet me refuzimin e tjetrit, me dëbimin e linçimin e tjetrit.
***
Ti
nuk u pendove, për asnjë vuajtje, ndonëse i pate të rënda e shkatërruese për
mëse dy dekada. Ti Havzi u mësove me dhimbtat e tua, me plagët e shpirtit, me
dërmimet që t’i bënë dhe sikur nuk bëje pa ato dhimbta, ato plagë shpirti që
shpesh të dukeshin si lëvdata mbase ngaqë nuk ishe mësuar kurrë të dëgjoje një
lëvdatë po veç qortime, përbuzje, linçim, urrejtje, të dukeshin mbase si
dekorata të qëndresës tënde ato plagë që kishe në shpirt.
Si
askush, e pagove shumë të lartë e të rëndë çmimin e lirisë, e pagove me litar
në qafë. Besoj plotësisht se ti ke qenë gjithmonë i bindur se liria ka çmim
shumë të lartë por nuk janë dakort njerzit ta paguajnë çmimin për të, nuk janë
gati njerzit ta paguajnë çmimin e lirisë. Ti e pagove Havzi dhe u bërë i lirë.
I lirë me qenë trim, i lirë me qenë vetja, i lirë me vdekë krenar. Ti e ke ditë
mirë se të gjithë do të vdesim, por çeshtja është se ti vendose me vdeke me
nder e dinjitet si trim e jo si zvarranik. Ti e ke ditë se çmimi i lirisë është
po aq i lartë sa ai i poshtrimit, i zvarritjes. Ti zgjodhe të mos paguash për
poshtrimin e zvarritjen, por për lirinë.
Një
gjë ta dish edhe pse s’ta kanë thënë kurrë. Të kanë patur e të kanë zili të
gjithë ata që të kanë njohur. E vështirë me qenë si ti, e vështirë të bësh si
ti.
Fati
të përplasi të jesh në burg me të dënuar ordinerë ë kamufluar si të dënuar
politikë, me përdhunues e ngacmues nxënësesh që për hir të ruajtjes së cipës
publike, duheshin fshehur veprat e vërteta penale të tyre e duheshin ndryshuar
akuzat nga përdhunues e ngacmues nxënësesh në agjiacion e propagandë, nga
fajtorë të pështirë ordinerë, i shndrruam në fajtorë politikë, e më pas në
heroj...
Çfarë
nderi u bëri monstrave diktatura dhe ne me heshtjen tonë…
Ty
të ra gjatë të rrish me monstra të tilla, që në Amerikë i fusin në karrike
elektrike. Këto lloj monstrash të shiteshin ty si politikanë, si të burgosur
politikë.
Ti
ke qenë naiv e besues përtej çdo kufiri ndershmërie. Edhe u ke besuar këtyre
lloj monstrave.
Tani
i kemi nëpër këmbë këto monstra Havzi, dhe të zvogëlojnë ty e zmadhojnë veten
në tavolina të pista ku rreken ta shkruajnë historinë e fallsifikuar të
disidencës së tyre që të mashtrojnë brezat që do të vijnë…
Por
ti që e doje veten dhe dinjitetin nuk bëje lojra.
Nuk
u përgjërove, nuk spiunove që të të merrnin me të mirë, nuk u lute nëpër gjyqe,
nuk the asnjëherë se jo, nuk e kam thënë apo nuk e kam bërë këtë, jo, me keni
keqkuptuar, jo, më kanë ngatërruar me tjetër kënd, unë jam i pafajshëm por më
kanë marrë në qafe…
***
Shoh
e dëgjoj njerëz që flasin shkëlqyeshëm në tavolina, tubime e tribuna, por
gjithmonë kanë një hije frike në sy, rrotullojnë sytë sa andej këndej nga një
frikë e madhe se mos po vjen ndokush që nuk duhet me ardhë, nuk duhet me qenë i
pranishëm aty...
Është
luks i madh e privilegj i jashtëzakonshëm të jesh e të ndjehesh i lirë, të mos
kesh frikë nga vetja jote, nga e djeshmja dhe e sotmja, nga bëmat e tua apo nga
njerëz të tjerë të cilëve u fshihesh në jetë...
Është
bekim të mos i fshihesh askujt, të mos fshihesh prej askujt. S’ka paqe më të
bardhë e më të hijshme se sa të mos i trembesh askujt.
Po
vetes a mund t’i fshihesh?!
***
Sa
herë ngushtohem e vihem në siklet nga presioni banal e i pandershëm i
“antikomunistëve” të shpikur që shtiren si të tillë, që shtiren se kanë bërë
namin dhe e kanë palosë për vdekje kushedi sa herë Enverin a Ramizin, pra sa
herë ngushtohem Havzi, u bëj një pyetje të thjeshtë e të vogël, ku ke punuar
gjatë diktaturës, çfarë ke punuar, çfarë shkolle ke mbaruar... Dhe aty zbulon falsitetin
e disidencës së tyre ndaj regjimit të kaluar komunist.
Ti
Havzi, Trifoni, Vilsoni e Genci jeni heroj, të varur ose të pushkatuar. Por
ndokujt nuk i mjafton kjo gjë por thonë se jeni treguar mosmirënjohës ndaj
partisë, pasi partia u ka çelë sytë, u ka shkolluar e ju i jini kundërvënë. Nga
shkaku i mosmirënjohjes tuaj partia u ka dënuar...
Stuhi
të tilla fjalësh shpesh bëjnë shpjella të mëdha mërie. Gjenden njerëz të pistë
në radhët e të dënuarve që mallkojnë në bllok komunistët. Gjenden si të porositur
nga sigurimi i shtetit antikomunistë me lejë që drejtojnë gishtin e mallkimit
ndaj komunistëve të thjeshtë por jo ndaj Ramiz Alisë dhe byroistëve, pasi
marrin rroga nga bizneset e pinjollëve të byroistëve.
120
mijë anëtarë të Partisë së Punës të Shqipërisë kanë jetuar në Shqipëri gati
gjysmë shekulli, kanë qenë anëtarë të thjeshtë partie, bujq, blegtorë, mjelse,
kooperativiste, minatorë, sharrtarë, saldatorë, sondistë, oficerë, etj etj. 120
mijë anëtarë partie janë shumë. Por nuk janë kriminelë këto anëtarë partie. Me
to kemi bashkëjetuar dhe rrallë familje që nuk ka qenë e lidhur dhe e përzier
me ta. Të shash komunistët pa pushim edhe me libër shtëpie njejtë si me recitue
parullën “Parti Enver - jemi gati kurdoherë”, do të thotë ta shpikësh një
ndarje, ta thellosh dhe të mbash ndezur një flakë urrjetje e refuzimi ndaj të
përndjekurve e të dënuarve të diktaturës. Këtë e bëjnë besoj ordinerët se atyre
u mungon fisnikëria.
***
Tri
dekada pas rënies së diktaturës, që është më shumë se një brez njerzor, ne përgjithësisht
sillemi si në diktaturë, ashtu mendojmë, bardh e zi, ashtu akuzojmë, ashtu
gjykojmë, ashtu vendosim. Ndoshta jemi ne ata njerzit e rij të socializmit,
njeriu i ri i partisë që kemi mbete tani në hava në udhëkryqe dhe nuk e gjejmë
veten tonë në këtë kaos.
Pa
aspak droje dhe me turr i thuhet gjithkujt komunist, spiun. Edhe komunisti i
dikurshëm i thotë dikujt sot kështu edhe spiuni i dikurshëm i thotë dikujt
kështu. Si është e mundur që shoqëria ka mbetur në vendnumëro, ka qëndruar në
vendnumëro. Po 30 vitet që ikën, po gjithë këto ndryshime të jashtëzakonshme që
kanë ndodhur, gjithë këto përparime e pozitivitete, gjithë kjo liri që na është
dhënë, liri edhe me tepri. Si mundet të mos i kuptojme e të mos e pranojme
çfarë ka ndodhë në 30 vite por të qëndrojmë e të kalojmë në të shkuarën dhe me
kutin e të shkuarës të gjykojmë të sotmen. Nuk arrij ta kuptoj Havzi këtë
katastrofë, kështu e quaj unë nuk i vë dot emër tjetër.
Dikush
që ka qenë fëmije 5-6 vjeç në komunizëm nuk mund të jetë komunist edhe pse ne e
akuzojmë kështu. Është e pamundur.
Po
duhet të jetë e pamundur që dikush të shprehet kështu për të rinjtë. Ata që
kanë qenë të rritur e kanë infeksionin e kanë mikrobin enverist por jo fëmijët.
***
Për
sytë e botës... për veten tonë tek tjetri përballë.
Ne
më shumë jetojmë tek tjetri e për tjetrin, jo për veten. Vdesim ta dimë si
është vetja jonë tek tjetri, si na sheh tjetri, a jemi të mirë tek tjetri, tek
sytë e tjetrit, a i vlejmë tjetrit, a na pranon tjetri.
Ndodh
kështu në përditshmërinë tonë gjithmonë. Ndodh kështu mbase nga pasiguria në
veten e për veten që kanë shumica e njerzve.
Gratë
psh, rrinë me orë para pasqyrës, vish këtë, vish atë,... gjithmonë kryesisht
për sytë e botës, më shumë për sytë e të tjerave, pak për sytë e të tjerëve,
akoma më pak për sytë e të tuve.
Gjithmonë
ankth për t’u pëlqyer nga të tjerët, për të sfiluar para të tjerëve, gjithë
jeta sfilim, paqetësi, ankth për pëlqim e pranim, dyshim i pafund që prevalon
mbi problemet e tjera...
Shumëkush,
në pamundësi të gjetjes së paqes e të vetpranimit nga vetja, rri peng e në
varësi ankthi a po pelqehet, a po pranohet nga tjetri përballë i afërt a i
largët, nga eprori, nga shefi, nga partia, nga udheheqja... Tjetri, tjetri, ky
është problemi, si dukemi tek tjetri. Pasiguria në vetvete bëhet vrasëse para
të tjerëve.
Tjetri
ka bërë burg, ka përjetuar tmerre në burg, ka mbijetuar, ka dalë në liri prej
dekadash dhe kur vjen puna, rri si kukuth para shefit të tij të të përndjekurve
politikë, shef që nuk ka vuajtur asnjë orë burg, shef që është më i mangët
intelektualisht, shef që është një copë pijaneci ordiner, që ka patur babanë
spiun, që ia kanë shembur në hu babanë në burg e jashtë burgu, që mund t’i ketë
shtuar një germë emrit të tij në fund, shef që nuk e ka mbaruar shkollën 8 – vjeçare,
që ka blerë diplomën e gjimnazit, që ka blerë diplomë fakulteti në ndonjë
kioskë në vendet fqinje ose në kioskat e Tiranës, që me këto diploma dhe me
presione si i përndjekur politik ka fituar poste e grada në qeverisjen e PD
duke qenë total analfabet funksional, që si pasaportë morali e presioni përdor
fotografitë me liderët e partive.
Para
këtij tipi, pse duhet të kompleksohet i përndjekuri politik real, pse nuk duhet
të revoltohet e ta refuzojë këtë tip, këtë tip shefi. Pse duhet të sforcohet i
ndershmi për t’i pëlqyer të pandërshmit... tjetrit të pandershëm. Para tjetrit,
në rastin tonë shefave të tillë, i përndjekuri politik real rri si para zotit,
sikur ia ka shpirtin në dorë. Si e sheh veten njeriu i ndershëm tek ky lloj
tjetri... Havzi, neveritem kur shoh se si këmbëngulin ca të përndjekur politikë
të paguajnë kafe apo dreka për shefat e të përndjekurve politikë apo për
xhelatët e tyre të dikurshëm, për kuadrot e dikurshëm. Nuk arrij ta kuptoj këtë
marrëdhënie, këtë përulje, këtë sjellje kaq të sjellshme ndaj tjetrit të
pështirë. Nuk e kuptoj këtë të përndjekur tek tjetri, te sytë e tjetrit.
Nuk
e kuptoj këtë varësi të padukshme tek tjetri... Besoj se kjo ndodh së pari kur
nuk ke të konsoliduar veten, personalitetin, kur je në hava, kur je as mish as
peshk e aq më pak kur je karakter deledash. Kur matesh me hijen e mëngjesit,
kur mendon se je gjigand ndërsa zoti të ka falë liliput dhe rri varur në hekur
që të zgjatesh...
Asnjëherë
nuk e deshem veten më shumë se sa dukjen para syve të të tjerëve, e trusim
veten, nuk e përfillim dhe vetem të dukemi mirë tek të tjerët, kjo është
çeshtja kryesore tek shumë njerëz.
Një
tendencë interesante vrasëse është edhe ajo që para të njohurve të rinj duam të
shfaqemi sa më bukur, dhe shpërfillim të njohurit e vjetër, shpërfillim njerzit
që kemi pranë, sikur nuk na hyjnë në sy njerzit që kemi pranë nga siguria
ndoshta se i kemi pranë në mënyrë të padiskutueshme, na duket se ata janë të
dënuar të na rrinë pranë, janë të dënuar të na duan e të na pranojnë gjithmonë,
ndërsa ne shpërlahemi t'u pëlqejmë të huajve, të tjerëve, tjetrit të largët apo
tjetrit të ri, të njohur të ri.
Jetojmë
kështu shumicën e orëve të jetës për sytë e tjetrit, për sytë e botës, për të
tjerët, duke lënë në harrim ata që ke pranë, ata që flenë dhe zgjohen me ty,
ata që i ke apo të kanë në sy.
Jetojmë
larg vetes, atje ku mbërrin shikimi, te tjetri jetojmë e për tjetrin jetojmë,
duke e braktisur pa mëshirë veten dhe sytë që të mbajnë brenda...
Nuk
e di se ç’ndodh në vende e në popuj të ndryshëm, nuk e di a është planetare apo
vetëm fat popujsh të vegjël, apo fat njerzish të vegjël ky ankth i njeriut për
veten tek tjetri përballë, tek sytë e mendja e tjetrit përballë. Njeriu duket
ndjehet rehat brenda lëkurës së vet kur është mirë në sytë e mendjen e tjetrit
përballë, larg apo afër qoftë tjetri përballë.
Duket
se jetojmë të jemi mirë tek tjetri... Ti Havzi ishe i lirë nga këto lloj
prangash, nuk të interesoi vetja tek tjetri përballë.