Kulturë
Bardhyl Maliqi: Shtatë ditë para apo pas vdekjes
E diele, 16.02.2020, 10:39 AM
SHTATË DITË para APO pas VDEKJES
Nga Dr.
Bardhyl Maliqi
Krijuesi poliedrik Mexhid
Mehmeti, ndër të tjera është edhe laureat i çmimit “Hivzi Sulejmani” nga LSHK,
për veprën më të mirë në prozë, romanin e tij të parë “Shtatë ditë pas vdekjes”. Ky roman, ashtu si edhe romanet simotra
të shkrimtarëve shqiptarë dhe botërorë
që kanë trajtuar, në kohë, hapira dhe rrafshe diakronike të ndryshme temën e
vdekjes, qysh nga “Frymë të vdekura” të
Nikollaj Gogolit, gjer te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”të Ismail
Kadaresë. Ose vepra po me ketë temë, por që i shmangen emrit të mortjes me
eufemizmin shpirti si p.sh: “Shpirti”
(Trupi vdes, shpirti kthehet) të Brian L. Weiss apo romani “Udhëtimi i fundit” i Kostandin Voglit etj.
Me qindra filozofë, teologë, shkrimtarë dhe
shkencëtarë në mbarë botën, përfshi këtu të 5 mijëvjeçarët e ekzistencës së
shkrimit, i janë referuar vdekjes si fund i natyrshëm i jetës, si ekzistencë
tjetër fizike apo vetëm shpirtërore, si jetë në një tjetër dimension, si pamundësi apo domosdoshmëri. Po përmend disa
emra, por pa qëndruar në pikëpamjet, pasi kjo do të dilte jashtë qëllimit të
këtij shkrimi.
Mitet, Librat e shenjtë, Faraonët, “Epi i
Gilgameshit”, Homeri dhe Hesiodi, Zarathustra dhe Moisiu, Krishti, Muhameti dhe
Buda, Sokrati dhe Platoni, Aristoteli dhe Zenoni, Pitagora apo Dante Aligeri e
qindra të tjerë i janë drejtuar Tejjetës apo vdekjes në forma, rrugë e mënyra
të ndryshme: përmes bindjes së verbër, dyshimit apo argumentimit, refuzimit dhe
braktisjes. Ne shpesh nuk e ftillojmë dot nëse pas autorit, filozofit apo mitit
qëndron bindja apo alegoria, e vërteta apo dyshimi. Ne e dimë p.sh se Dante
Aligeri ishte njeri i ditur, se besonte te ekzistenca hyjnore, se vepra e tij
megjithatë është alegorike. Arsyeja është e thjeshtë, edhe Dantja, megjithëse
njeriu më i ditur i epokës, nuk e kishte përvojën e vdekjes. Pra vepra e tij
është alegorike.
Por
le të kthehemi tek vepra e Mexhidit. Nuk është e qartë nëse titulli i këtij
romani emblematik të autorit Mexhid Mehmeti është si në kopertinë “Shtatë ditë
pas vdekjes” apo sipas përmbajtjes themelore të romanit “Shtatë ditë para
vdekjes”? Ndryshimi nuk qëndron tek ndajfoljet e vendit dhe të kohës pas dhe para, por shumë më tepër se kaq.
Pse? Mbase sepse megjëithë faktin që vdekja si koncept themelor filozofik,
psikologjik, social, ekonomik, juridik, fetar, jetësor apo pasuror zë shumë
faqe në literaturën fetare dhe kanunore, në të vërtetë është një dukuri e
pastudiuar mirë. Kjo ka një arsye themelore. Ashtu si thamë për
Danten, librat, pavarësisht nga vjetërsia dhe lloji, i kanë shkruar njerëzit,
mirëpo asnjeri nuk e ka pasur dhe nuk e ka eksperiencën postmortum, ndaj në të
gjithë këtë literaturë, përfshi edhe librin e Mexhidit, apo eseistikën time, nuk
jepet asgjë nga vdekja me përjashtim të aluzioneve mungesore nga përvojat e
jetës. P.sh ekzistenca jonë në formën e hijes, që shikon, dëgjon, ka ndjesi ,
por nuk shprehet dot, nuk mban dot asnjë lloj qëndrimi, për faktin e thjeshtë
se nuk ekziston.”...Ka shtatë ditë që nuk
gjendem në mesin e të gjallëve, edhe pse si hije jam kthyer mes tyre!Pluhuri
m’i verbon sytë...Kam etje....etje!”[1]
Një nga anatemat kryesore të autorit është ajo me
Xhebrailin (Gabrielin), apo Gabriolin siç e shkruan shkrimtari, emri
i këtij meleku
(engjëlli),
shpesh dhe krye ëngjëlli, i cili përmendet në tekstet e
shenjta të besimit mysliman, Kurani dhe hadithet e profetit Muhamed, burimet e besimit hebre dhe atij të
krishterë në formën Gabriel, që në shumë aspekte ka të njëjtat atribute dhe
funksione me melekun Xhebrail. Ashtu siç parashtrohet edhe në rastet e emrave
të dy melekëve të tjerë Mikail dhe Azrail, edhe
emri Xhebrail mban prapashtesën "il" që është forma arabe e emrit
"el (oh)" që në hebraisht do të thotë zot, perëndi. Pjesa tjetër e
emrit, xhibr, në hebraisht është në formën "geber" që do të thotë
"i fuqishëm". Kuptimi etimologjik i fjalës do të ishte “fuqia e
Zotit". Të dyja këto fjalë pranohen me burim nga gjuhët antike, më saktë
nga gjuha suriane apo ajo keldane. Në formën Gabriel ajo është përfshirë në
gjuhët antike greke dhe latine. Ironia qëndron në faktin se ky kryeëngjëll
anatemohet si djalli në faqet e romanit, pasi veprimet e tij nuk janë në sinkron
me ato të personazhit kryesor, por shpesh në kundërvenie.
Është
momenti kur vdes kryepersonazhi, që do të jetë edhe protagonisti kryesor i
këtij libri. Është hera e fundit që e sheh këtë botë nga vështrimi i të
gjallit. Dhe për pak çaste e sheh gjithçka nga pikëvështrimi i të vdekurit. Që në atë çast para tij shfaqet kryedjalli. “Në një çast pashë sesi mbi kokën time zgurdullonte sytë Gabrioli...I
poshtri, thashë me vete, paska ardhur të bindet në vërtetësinë e vdeksjes sime!
Qen qeni, shtiret si ëngjëll. Lë përshtypjen
se e ka goditur vdekja ime, se iu dhimbskam pa masë, kurse në të vërtetë është
gjarpër me shtatë kokë dhe po t’ia heqësh të shtatat, i dalin shtatëmbëdhjetë
të tjera. U ndjeva i lumtur se po shkoja në botën tjetër. Atje ku ndoshta nuk do t’i gjeja
gabriolët...”[2]
Një
pyetje e drejtpërdrejtë do të ishte ajo që e gjen përgjigjen në faqet e mëpastajme
të librit. Cilët janënë të vërtetë gabrolët? Pa asnjë hezitim: Gabriolët janë
ëngjejt e shndërruar në diaj: kryetarët e partive, politikanët, deputetët dhe gjithfarë
pushtetarësh qëndrorë apo lokalë. Kjo është konstantja. Këtë Personazhi kryesor
e thotë disa herë.Fillon në kryeherë kështu dhe si e tillë vazhdon gjer në fund
të veprës, e thënë ndryshe është kënaqësia e vdekjes përballë shëmbëlltyrash të
tilla që ta helmojnë jetën dhe ta vështirësojnë ekzistencën. Në të kundërt, përse do të donin njerëzit të
iknin nga kjo botë? Tej në theqafje, veç sa më larg saj!
“Përse t’i verboj ata
sy, pëpara se të shakullepsem në baltën e trupit tim për dy dashuritë e mia të përnjëhershme?!
Vetëm satanai ka vështrime të tilla Jo, ndoshta edhe Gabrioli?! Ai farë
personazhi im që aq shumë i shëmbëllen Danjollit të Qosjes ...Përse tërë ato
përpjekje gabriolësh e zvarranikësh për të ma përdhosur fytyrën, poezinë...për
të m’i zhduku nga mendja tempujt, heronjtë, luftërat...?”[3]
Personalisht unë e besoj shkrimtarin si njeri
dhe si autor i kësaj vepre letrare. Si njeri edhe unë si ai e kam provuar
ekzistencën në zgrip të jetës. E kam parë vdekjen me sy, e kem ndier ikjen nga
kjo botë dhe ndjesinë e çuditshme se shoh dhe dëgjoj gjithçka, por nuk mund tëreagoj
për asgjë, asnjë çast. Kam provuar ta shkruaj
këtë përvojë, por ndryshe, nga pozitat e të gjallit, që e pa vdekjen me
sy. Ndryshe vepron Mexhidi, ndaj vepra e
tij përbën një veçanësi në raport me veprat e tjera të prozës sonë. Te një
kryevepër jona, te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë flitet për
vdekjen dhe për të vdekurit, por prej të gjallëve ama. Asgjëkund nuk veprojnë
apo flasin të vdekurit. Kjo ndodh tek “Udhëtimi i fundit” i K. Voglit, por me
tjetër objeksion dhe fizionomi.
Kryepersonazhi i romanit “Shtatë ditë pas
vdekjes”, shikon, flet dhe vepron, ka ndjesi gjatë gjithë veprës, por duke qenë
hije, duke mos u ndjerë prej të tjerëve ai nuk mund të veprojë. Por kumtin e
transmeton bukur mirë ama, se kumti është merita kryesore e romancierit, pa të
zere se nuk e ke shkruar veprën. Unë e kam të qartë, qoftë edhe nga përvoja
vetiake, qoftë nga jeta e të tjerëve se janë lakejtë e pushtetit, gabrielët
politikë që ta vështirësojnë ekzistencën. Është kjo arsyeja pse njeriu dëgjon
apo sheh ligjërata, copra fjalish, mendime të çoroditura nga toka deri në
Kashtën e Kumtrit. Gabriolët çorodisn gjithçka.
Gjithçka, por jo dashurinë. Atë mund ta
kushtëzojnë, por jo ta çorodisin. Vetëm se në dashuri ne jemi pengu i
zgjedhjeve tona. Mbase kjo është edhe domethënia e gruas në shtratin e dhomës
dhe të shembëlltyrës apo hijes së tjetrës në pasqyrën e kujtimit, në ëndërrim
apo në rrugë, kudo ku ndjesitë tona kryqëzohet zakonisht, ashtu siç ndodh me
personazhin kryesor të kësaj vepre.
Hija ime prej lugati ( qoftëlarg) duhej të
ikte sërish nga kishte ardhur, duhej ta linte ngrohtësinë e dashurisë familjare
dhe të kthehej në dheun e ftohtë….Të kthehej në mbretërinë e krimbave dhe të
përjetësisë vdekatare…… o zot, po të mos kthehesha me kohë mund të përtërihej
ajo farë traditë antike e kenotafeve, siç u thoshnin dikur grekët e vjetër
varrezave të zbrazëta, që i bënin për të afërmit e tyre të pagjetur…..Vallë, a
do ta kisha me vështirë se para shtatë ditësh kur vdiqa? Apo ndoshta edhe s’kam
vdekur ende! Kushedi…..”[4] fq
23-24
Nga ky citim i gjatë dalim në disa përfundime
që kanë të bëjnë me perceptimin njerëzor të jetës në tokë, të ngrohtësisë dhe
dashurisë familjare në raport kundërshtije të drejtpërdrejtë me hijet tona prej
lugati, me largimin në dheun e ftohtë dhe në mbretërinë e vdekjes. Nuk mendoj
se ky është shkas për të kujtuar kenotafet e grekërve të vjetër pasi këto
varreza të zbrazëta bëhen edhe sot për të afërmit e pagjetur nga vrasjet në
luftra, nga pushkatimet apo nga fatkeqësitë natyrore si termetet, vullkanet apo
tsunamet, ndërsa pjesa e fundit e citimit na bën të kujtojme, jo vetëm titullin
e librit, por edhe emërtimin e këtij shkrimi (Shtatë ditë para apo pas
vdekjes).
“Kujtoj se nuk është e tepërt t’iu rrëfej se gjatë tërë jetës kam
rrojtur vertikalisht. Madje as gabriolët, që shpesh më zinin rrugën duke më
venë pusi e prita skutave të ndryshme të jetës, nuk ia arritën të më përkulnin
e të më shtrinin për tokë. Me menyrën e ecjes vertikalisht kisha arritur t’i
bindja,jo vetëm gabriolët tejpërtej kurrizit tim të drejtë kisha një shufer
çeliku…… Shi për këtë edhe vdekja ime mbase do të ketë qenë e drejtë.
Vertikale…. Më brengos vetëm periudha shtatë ditëshe që nga dita e vdekjes e këndej
sepse përkundër shpirtit tim kryeneç, trupi do të më jetë shtrirë! Edhe
percjellja e kufomës në rrugën e përmotshme do të jetë bërë e shtrirë! O, Zot
edhe do të jem varrosur ashtu siç nuk kam dëshiruar kurrë: i shtrirë
horizontalisht…. Bah, kjo ndoshta edhe është arsyeja e kthimit tim midis të
gjallëve!”[5]
Ne kemi folur edhe gjetiu për mënyrën e ecjes dhe preferencën e vdekjes vertikale
të protagonistit të romanit, për sfidën ndaj gabriolëve dhe zvarranikëve
gjithfarësh, por këtu na del edhe një nga motivet kryesore të kthimit të tij në
botën e të gjallëve. Sfida ndaj të qenit shtrirë, horizontal, i barabartë me të
tjerët, në kohën kur në jetë ai ka pasur një lloj dinjiteti që të tjerët e
quajnë kryeneçësi. Pra nuk është vetëm dashuria e pa realizuar me vajzën që
tani i sjell trendafila tek varri në pamundesi për t’u martuar dikur me të,
pasi ajo e zbuloi botën e tij kur ishte një adoleshente e hajthshme, ndërsa ai
burrë i pjekur, i martuar dhe me fëmijë.
“Se kush mund të pyesë pse të jem kthyer në
mesin e të gjallëve mu pas shtatë ditësh? Përse atëherë java ka vetëm shtatë
ditë e jo dhjetë? Perse femija shkon në shkollë pas shtatë vitesh e jo pas
dhjetë vitesh? Përse nëpër përralla, balada, legjenda etj, përmenden shtatë
kodra, shtatë male, shtatë dete, shtatë qiej, shtatë vëllezër, shtatë motra,
shtatë shkurtabiqë…? Përse ylberi I ka shtatë ngjyra?- do të isha përgjigjur me
pyetje unë! A do ta këm me vështirë tash të ndahem nga të gjallët, apo atëherë
kur vdiqa!; ah, atëherë kur vdiqa…
Autori i është qasur argumentimit të titullit
të romanit “Shtatë ditë pas vdekjes”. I është referuar numrit shtatë në
rrafshin jetësor dhe folklorik, por nuk ka argumentuar aspektin shkencor, apo
atë fetar të formimit të botës prej Bigbongut, apo Perëndisë në shtatë ditë.
Mbase edhe pse nuk janë fort bindëse dhe të argumentuara, pra nuk janë
shkencore por hipotetike. Megjithatë ky vështrim eseistik i autorit për
titullin e veprës së vet jo vetëm që është i bukur, por dhe na ndihmon ta
kuptojme atë.
“Arkivoli me të cilin ishte përcjellur kufoma ime paskësh qënë i mbuluar
me flamurin tonë kombëtar. Çudi si nuk e paskësha vërejtur këtë gjë edhe pse në
varrimet e sotme është me shumë rëndësi, nuk më bëri aq përshtypje, ndoshta
para madhështisë të vdekjes i humbka vlera patriotizmit. Megjithatë me erdhi
mire që me paskëshin mbuluar me flamurin kombëtar së paku për inat të Gabriolit
dhe të gabriolëve të tjerë, fundja e kam merituar një gjë të tillë”.[6]
Krahas përshkrimit të ceremonive të sotme
mortore, simbolikës të flamurëve dhe të fjalimeve këtu me të drejtë dhe me kurajo autori na
krijon bindjen se shovinizmi, patriotizmi, nacionalizmi dhe gjithë izmat e tjera të sotme nuk janë
asgjë para madhështië së vdekjes, pasi vdekja nuk pyet për to, ashtu si nuk
pyet edhe për gabriolët apo shkaktarët e tjerë të saj. Vdekja nga pikpamja
dialektike është nje domosdoshmeri, jo vetëm shkencërisht por dhe në
pikëvështrimin human, një domosdoshmëri që i jep kuptim jetës dhe vlerave të
saj. Në këtë aspekt edhe monumentet apo
memorialet absurde të Ahmet Zogut apo të Mitat Frashërit në Tiranën e sotme
çvlersohen ashu si çvleresohen në sytë e opinionit dhe veshët e dëgjuesve edhe
flamurët dhe vleresimet bombastike të ngjashme me ato të kohes së diktaturës.
Aty ku autori permend se dikush vë perditë
lule mbi varrin e protagonistit dhe shtron hipotezat në se ishte bashkëshortja, vajza apo ndonje
kalimtar i rastit, por nuk mund ta thoshin saktesisht se kush qe, veçse e
pranonin me një farë gezimi që tingellonte natyrshem për anëtarët e familjes,
“mirpo tek bashkëshortja ime kishte shkaktuar shqetësim. Vallë kush ishte
personi që vinte lule tek varri i ish të dashurit të saj? Ja kishte shtruar
pyetjen vetes. Edhe në këtë rast xhelozia kishte shtrirë krahët e mbretërisë së
saj… ishin perhapur fjalët: një fantazmë në formë femre çdo natë venka lule të
freskëta mbi varrin tim, hijen e asaj fantazme mund ta merrja me mend vetëm
unë… me kujtohet premtimi që më pati dhëne dikur: “ne se nuk mundem të të pushtoj të gjallë, do të pushtoj të vdekur”?!
[7]
Ndjesitë njerezore në përgjithësi të të
gjallëve, por në këtë roman dhe ato të të vdekurve në raport me të gjallët, apo
të të gjallëve në raport me të vdekurit, ndërthuren natyrshem dhe janë pjesë e
strukturës romanore dhe rrëfimit të autorit, të cilat zëvendesojnë natyrshëm
mungesën e një subjekti të mirëfilltë si tek librat e tjere, pra edhe gëzimi
njerezor për lulet e fresketa mbi varre që është shprehje e respektit të të
gjallëve për të vdekurit, nuk mund të jenë të vetmet ndjesi, që shkaktojnë tek
të gjallët, pasi edhe xhelozitë apo hakmarrjet primitive të njerëzve të sotëm
ndaj varrezave dhe varreve të veçanta janë të tilla që të habisin me skajet e
ligësisë të shpirtit njerëzor, që në të vërtetë nuk mund të quhet shpirt, si:
thyerje e varreve, vjedhja e luleve dhe zbukurimeve, ndryshimi i identiteteve,
mbulimi i varrezave apo gërmimi i tyre për të mohuar apo tjetërsuar ekzistencën
e të parëve, që na kujton rastin e varrezave te çifuteve të Selanikut, kur do
të ndërtohej Universiteti. Akt që e demaskon publikisht nobelisti grek Niko
Kazanzaqis në veprën e tij. Po ashtu veprimet e grekëve në varrezat çame, të
serbeve në ato shqiptare dhe boshnjake etj. Pra hijet e fantazmave që shetisin
natën mbi varre nuk janë vetëm ato që çojnç vetëm lule, por edhe ato që i shërbejnë
në një mijë mënyra vdeksjes. Rasti për t’i kuptuar dhe për t’i vlerësuar të
gjitha këto na jepet me leximin e kësaj vepre. Dhe me tej. Pse jo të mos i
miratojmë veprimet tona shtetërore që i krijojne hapsira shovinizmit për të
ngritur pretendime territorial, pasi në Shqipërinë e Jugut varrezat e grekërve
te ardhur si pushtues të interpretohen si varre autoktone. Këtu është shkelur
parimi kryesor i marrdhënieve midis popujve a i Reciprocitetit. Ne nuk kemi të
drejtë të vemi në varrezat e të parëve tanë në Filat, Pargë apo Paramithi për
të venë një tufe lule tek njerezit e fisit, të lindur dhe të vdekur atje në
mënyrë të natyrshme ose të vrarë nga barbarët, ndërsa grekët paskan të drejtë
të ndërtojnë varreza, të venë lule, të shpalosin flamurët dhe fjalimet e
pushtuesve grekë në Shqipëri.
Në faqen Fq 44 kap. IX përshkruhet gjendja e
kufomës së protagonistit prej vetë atij: bosi i dheut që e vriste në supe,
varri i ngushtë ku s’mund të ktheheshe, që e bënin shiun të mireseardhur,
megjithë kalbjen e shpejtë të qefinit që e mbulonte, kundërmimi i kufomës që
nuk lejonte të ndihej as era e luleve që i sillte Mrika tek varri. Hamendësimi
për zbulimin e këtij varri në kohë të tjera, vlerat e tij arkeologjike,
gjeneralitetet, viti, vendi dhe koha kur është gjetur kafka dhe natyrisht emri
dhe mbiemri i atij që e kishte zbuluar, por jo edhe emri i personit të varrosur
në të. Kjo është në të vërtetë një lloj proteste e dhimbshme dhe therëse ndaj
pseudoshkencës që mistifikon gënjeshtrën dhe fshin të vërtetën. Në këtë kuptim reinkarmimi mbetet ëndërr e të gjallëve
sa për të përballur me mirë vdekjen dhe sado ironike të jetë jeta mes
gabirollëve dhe lakejve të tjerë të pushtetit mbretëria e vdekjes është më e
trishtueshme dhe më e keqe.
Në kapitullin X të veprës në ditën e shtatë
pas vdekjes shkruhet gjerësisht për fletoren e shënimeve kur protagonisti ishte
gjallë. Tani fletorja ndodhet në duart e të vdekurit, lexohet dhe përjetohet
prej tij, ku shënimet në formë palimpsesti na tërheqin vëmendjen në aspektin
psikologjik dhe filozofik. Mënyra e shprehjeve përmes pohimit dhe mohimit në të
gjitha shënimet ruan pikërisht këtë strukturë. P.sh: “ne që jemi këtu edhe pse nuk jemi… ne që jemi gjetiu edhe pse nuk jemi
atje, ne që jemi këtu…. Po nuk jemi as këtu, sepse këtu askush nuk mbetet pa
vdekur…”[8] janë tipike për
këte kapitull dhe të vecanta në aspektin strukturor të tekstit. Më poshtë
autori përmes protagonistit përshkruan në të vërtetë biografinë e tij, marrjen
e diplomës universitare ndër këmbëzat e gabriolëve, mungesën e punësimit të
përhershëm, punet e përkohshme si mlsues, profesor, përkthyes dhe publicist
ndër përpjekjet mbinjerëzore për të qëndruar me kurrizin drejt, për të mos u
bërë gjellë e servilizmit, as mëkatar i pamëkat. Ingranazhet e shpifjes shpesh
e tjetërsojnë njeriun, ose e bëjnë të vemendshëm ndaj pafytyrësisë të kësaj
bote dhe sfidues ndaj saj ose një zvarranik që sa herë duan ja presin bishtin,
e shpallin tradhëtar, spiun, me biografi të prishur, e detyrojnë të konfrontohet
edhe fizikisht, të armiqësohet me të gjithë botën dhe të preferojë me mirë
vdekjen se sa këtë lloj jete. Ndaj autori e përfundon këtë pjesë rrëfimi me
dhprehjen “me vdekjen time do të ketë një
shkallë me pak për t’u ngritur në piedestalin e pushtetit të tyre të rremë…”[9]
Çvendosja e aksionit romanesk në
kapitullin XII në dritën galaktike dhe
në pikat magjike të Kashtës së Kumtrit, ku formesohen fjalë të pakuptueshme, të
shoqëruara nga zëra të çuditshem që ndjehen, por nuk kuptohen pa e ditur
origjinën e tyre dhe as mënyrën se si deshifrohen, një problem ky që sqarohet
nga pikpamja përmbajtësore me kuptimin e këtyre fjaleve në shqip “ra ylli në një zabel. Ndaji yjet, ndaji
yjet”. Kemi ndërkëmbimin e përjetësisë me përkohësinë e ëndrrës me
zhgjëndrrën, e jetës me vdekjen, opinionet e njerëzve të ditur apo
shkrimtarëve, por pa dalë dot në një përfundim, pasi kurthi i përhershëm është
kryqëzimi në mote dhe hapësira të
ndryshme, të jetës me vdekjen, ku çvlerësohen edhe përjetimet, lulet dhe
bukuria dhe ku mund të degjosh brenda vetes vetëm zërin e nënës:“ O, bir, nuk do të shoh kurrë më”!
Pronësija e të vdekurit në dy metra dhe
në të vertetë është e përkohshme, pasi varrmihësit e përhershëm tjetërsojnë dhe
çbëjnë gjithçka. Kjo na sjell ndërmend përmes kësaj mënyre rrëfimi dhe
përmendjes së toponimeve të Mollës së Kuqe apo Karpateve tjetërsimin e trojeve
të gjithë gadishullit Ballkanik. Ne e dimë mjaft mirë se deri në shekullin e
gjashtë para erës sonë Gadishulli kishte si banorë të përhershëm Ilirët, Elenet
dhe Maqedonët. Kjo e ben protagonistin ti verë hejbet në shpinë për të baresur
nëpër boë dhe për t’u ndjerë as i gjallë e as i vdekur, për ta parë botën me
sytë që nuk shohin më e megjithatë për të ndjerë etje të vazhdueshme. Këtu
përcillet edhe një lloj ankthi për t’u takuar me fantazmën, një ankth i
ngjashem me atë të Kostandinit e ngritur nga varri për të sjelle të motrën duke
mbajtur fjalën e dhënë.
Apologjia e dashurisë së vonuar në të vërtetë
është me se njerëzore. Pse pak prej nesh të gjallëve kanë patur rast të takojnë
dashuritë e vonuara, e megjithatë kanë rendur pas grave dhe fëmijëve që nuk
kanë asnjë faj në këtë rast, e kur ne pasagjerët e këtyre dashurive na duhet
t’u mbushim mendjen të dashurave të martohen me tjetërkënd. Një shok që e pat
lexuar këtë libër më thotë një ditë se edhe unë këtë fat kam patur. Dashurinë e
vërtetë e takova tepër vonë, ndaj kam mbetur si protagonist i këtij libri
shpirt-thyer pranë trupit të arrës ku kemi shënuar inicialet tona. Kjo na bën
gjithashtu të hamendësojmë në faktin se kemi vdekur para shtatë ditësh, se po
vdësim tani apo megjithëse të vdekur nuk do të vdesim kurrë! Këtu nuk flitet
për ringjallje, po për jetën përtej varrit, gjithmonë në mënyrë hipotetike,
ashtu siç ndodh edhe tek dhjetra autorë të tjerë që ngarkojnë të vdekurit me
pengjet e të gjallëve dhe na bëjnë që shpesh të mendojmë se dashuria jonë ndaj
të gjallëve e tejkalon fuqinë e vdekjes.
Këtu nuk është fjala për të vërteta
shkencore, pasi dihet që nga vdekja nuk ka as kthim, as ritrupëzim, as tjetërsim
dhe as metamorfizim si në librat e fesë, në mite dhe në folklor. Truket
mashtruese nuk janë mjetet e arsenaleve
magjike të shkrimtarit, pasi vepra letrare e shkruar me zjarrin e shpirtit dhe
ankthin e zhgënjimit transmetohet si shumë e besueshme dhe njerëzore dhe
qellimi i saj nuk është që njerëzit të ndjejnë humnerën dhe as t’u nënshtrohen
zvarranikëve të pushtetit. Në këtë kuptim dilemat provokuese mes jetës dhe
vdekjes në të vërtetë janë vetëm një mjet për ta përjetuar si të gjallë
mjedisin letrar të tekstit, pasi kjo vepër përveç leximit si akt mekanik,
përveç mendimit si akt botëkuptimor ka edhe përjetimin si akt shpirtëror. Këto
janë mjetet që përdor shkrimtari për ta shkundulluar trurin dhe shpirtin e
lexuesit.
Një problem tjetër që shtrohet në këtë vepër
është përpjekja mbinjerezore e protagonistit për ngjitjen e rrugës së
përbaltur, pasi nuk ka ku të kapet se gabriolët ua kanë prerë degët pemeve duke
na kallur në shpirt përveç zhgënjimit nga jeta edhe dëshirën për hakmarrje.
Zotërimin e pushtetit për t’u bërë
kafshues i kundërshtarëve. Edhe kjo ndjesi përcillet në mënyre të
besueshme pasi nga përvoja jetësore e dimë mirë se kur të tjerët na e sjellin
në majë të hundës në e dëshirojmë hakmarrjen, por një varg faktorësh që kanë të
bëjnë me personalitetin, edukimin dhe familjen na pengojnë për të vepruar si
ata.
Në aspektin shkencor dyshimi është motorri që
e lëviz kërkimin përpara, në se ky dyshim do mungonte njeriu nuk mund të
arrinte zbulimet e sotme tekniko-shkencore dhe as aspiratën për të pushtuar
“Kozmosin”. Ky roman ka përngjasim në lidhje me këtë motor kërkimi me shkencën
“Deshira për liri në të vërtetë është
vetëm dëshira për të mashtruar; nën maskën e dëshirës për liri, zbulojmë
dëshirën e vërtetë për të roberuar… Lideret politikë nuk i duan njerëzit, ata
duan qe nga njerëzit të bëjnë instrumente”[10], kjo do ta
tjetërsojë njeriun dhe metaforikisht do ta detyrojë të bëjë vetvrasje. Ndaj
mendimi se t’i japesh njeriut pak pushtet
do të shohesh se është ne gjendje ta keqpërdorë, ndërsa i gjithë pushteti e bën
tiran[11] është një dilemë
e madhe, pasi heronjtë e revolucioneve zakonisht kanë përfunduar në
antirevolucionarë. Kjo në aspektin historik mund të argumentohet me shembuj dhe
fakte konkrete prej sejcilit. Është e dhimbshme por e vërtetë. Prandaj mendimi
se për të arritur në Jug duhet të udhëtojmë larg në Veri që tingëllon si
paradoks provohet nga jeta se nuk është dhe aq paradoksal. Le të marrim një
shembull: Kolombi u nis drejt Perendimit për të shkuar në Indi, pra në Lindje
dhe në mes rruge krejtë rastë sisht zbuloi Amerikën! Kush fshihet pas
personazhit K të “Procesit” të Kafkës? Në një farë mënyre me qindra, mbase edhe
ne.
Romani mbyllet me alegorinë e protestes se
bishtit të këputur të zhapiut që përpëlitet dhembshëm edhe pasi të ketë dhënë
shpirt. Në fq 107 të kapitullit XX autori thotë: “bishti i zhapiut përpëlitet jo për të mbijetuar apo për të mbetur
gjallë si unë… ai është ritual që i paraprin vdekjes.” Supozimet dhe
pandehmat e ndarjes se shpirtit nga trupi i cili në torzon e vet, brenda
trungut mban jetën, nuk është gjë tjetër vetem se tallja e autorit me
bestytnitë. Ndërsa pëllumbeshat shpirtbardha, të ngjashme me Mrikën janë vetëm
një ngushellim për jetën që iku, ndaj dallimi mes dramës dhe historisë është
dallimi mes trillimit dhe të vërtetës. Kuptohet jo te vërtetës se shkruar nga
politikanët, por të vërtetës së patjetërsueshme.
Fletorja e
shënimeve, dialogu me zërat kozmikë, shkrimet në hapsira qiellore, veprimi real
dhe veprimi multidimensional, qëndrimi mes gruas dhe të dashurës, femra që e do
dhe femra që e përndjek, miqtë dhe gabriolët, meditimet dhe përsiatjet,
dialogët imagjinarë dhe hapsirat e okupuara të mendimit, vdekjejeta dhe
jetëvdekja janë dimensionet ndërvepruese, që realizojnë skalitjen e tipreve
kryesore të personazhit. Ndërdija dhe arealja, vetëdija dhe realja kapërthehen
me njera tjetrën duke i shërbyer integrimit të personazhit në disa realitete të
ëndrrës dhe zhgjendrës. Si shije e dashurisë apo “zhdukje në mbretërinë e krimbave dhe të përjetësisë vdekatare”, siç
thotë autori.
Autori brenda subjektit romanor dhe
personazhi fluid gërshetohen aq mirë sa edhe lexuesi e ndjen se ky roman nuk
është si i stisur me material të jashtëm duke venë në dispozicion vetëm ca fjalë
prej shkrimtari, por i përjetuar organikisht, se pa e kaluar vetë këtë gjendje
as nuk mund ta imagjinosh, pa le ta shkruash e ta bësh lexuesin ta përjetojë si
gjendje vetiake. Kjo është mënyra e vërtetë dhe mbase e vetme e të shkruarit të
letërsisë së arrirë.
I shtriri horizontalisht është i përkuluri
përtej reales, vdekatari i zakonshëm, i nënshtruari. I nguluri vertikalisht
është personazhi etik, ai që ia vlen ta admirosh dhe t’i shembëllesh.
Personazhi ynë nuk ringjallet si Kostandini, ai s’ka amanetin e besës apo
pengun e fjalës së dhënë për të transmetuar, por të vërtetat e zakonshme dhe
universale të njeriut, vdekatarit të zakonshëm të kësaj bote. Ne sipas Biblës
jemi pluhuri që bëhemi pluhur, por edhe tej letërsisë teiste të tiillë jemi. Po
të parodizonim ca vargje nga një poezi e Kadaresë (Kënga e ushtarëve të vjetër) do të thonim: “Nga vdekja vijmë, / drejt vdekjes shkojmë, / në vdekje ne na shkoi kjo
jetë, / gjithnjë drejt vdeksjes shtegëtojmë, / siç shtegëtojnë në qiell
retë...”.
Ëndërra e autorit për personazhin etik, për
vdekjen verikale, për shembëllimin e monumentit apo përmendores, janë ëndrrat e
çdo njeriu të ndershëm, jo të atij që ëndërron përjetësinë. Autori e di mirë se
jeta dhe vdekja janë dy procese që lindin njeri-tjetrin, sado që kjo duket
paradoksale, është një e vërtetë e thjeshtë. Kështu duhet kuptuar dhe referenca
hyrëse e veprës, me prejardhje nga gjuha e popullit:“Lum kush jeton pas vdekjes, / mjerë kush vdes për së gjalli!” [12]
[1] Mehmeti M. Shtatë ditë pas vdekjes, LShK, Prishtinë 2006, fq. 12
[2] Mehmeti M. Shtatë ditë pas vdekjes, LShK, Prishtinë 2006fq. 34
[3] Po aty, fq. 103
[4] Mehmeti M. Shtatë ditë pas vdekjes, LShK, Prishtinë 2006, fq. 23-24
[5] Po aty fq.26
[6] Mehmeti M. Shtatë ditë pas vdekjes, LShK, Prishtinë 2006, fq. 36
[7] Po aty, fq.38
[8]Mehmeti M. Shtatë ditë pas vdekjes, LShK, Prishtinë 2006 fq. ...
5 po aty, fq. 53
[10]Mehmeti M. Shtatë ditë pas vdekjes, LShK, Prishtinë 2006, fq. 97
[11] Po aty
[12]Mehmeti M. Shtatë ditë pas vdekjes, LShK, Prishtinë 2006, fq.11