Kulturë
Shpëtim Çekrezi: Për një numër të ri do kohë, do profesionalizëm dhe përqendrim
E merkure, 15.10.2008, 07:33 PM
Dështimi në këtë profesion nuk mund të korrigjohet
Albert Zholi
Nga Albert Zholi
Iluzionisti, prestigjatori kërkon punë, durim, përqendrim, seriozitet. Këto janë dhe karakteristikat e iluzionistit tashmë të mirënjohur Shpëtim Çekrezi. Për 15 vjet me radhë ai po pushton të gjitha skenat e Ballkanit duke korrur suksese të njëpasnjëshme. Greqia ishte vendi që i hapi rrugën e profesionit, Kosova e konsolidoi, ndërsa Tirana po e lartëson për çdo ditë. Ai për “Telegraf” rrëfen gjithë eksperiencat e jetës në këtë rrugë mbushur me pengesa të panumërta.
Ku janë fillimet e tua të para si iluzionist (magjistar)?
Unë me përmbysjen e regjimit komunist emigrova në Greqi. Dhuntitë e mia për magjinë dhe iluzionin ishin shfaqur që fëmijë, por morën formë dhe perfeksion në këtë vend. Bëja numra të ndryshme me shokët dhe me fëmijët e lagjes. Jam nga Librazhdi një vend i pastër i qetë që të falë imagjinatë të zhvilluar. Por në Greqi unë pata fatin të takoj një prestigjator rus në Kalkidhiqi. Ai ishte profesionist dhe më dha mundësinë që ta perfeksionoja më shumë këtë art. Fillimet si profesionist ishin të vështira, por dhanë menjëherë rezultat. Në Kalkidhiqi kam dhënë shfaqjen e parë si profesionist në këtë fushë, PS Kalkidhiqis dhamë shumë shfaqje në shumë vende të tjera turistike në Greqi. Ishte viti 1993. Pra ky vit shënon daljen time në skenë. Greqia më hapi dyert e këtij profesioni. Nga Kalkidhiqi vazhdova punën në një qytet më të madh dhe më me kulturë. Në Selanik ekzekutova një numër shumë të rrezikshëm ngrirja e vajzës në këmbë të karriges. Është një numër i vështirë.
Kur u larguat nga Greqia?
Në vitin 2000. Tashmë unë kisha hyrë si duhet në profesionin tim. Greqia kishte shumë hapësira për ta ushtruar këtë profesion. Menjëherë në Shqipëri u lidha me iluzionistin (magjistarin) Nadir Mura si asistent i tij. Me të kam dhënë shumë aktivitete në shumë qytete të Shqipërisë.
Po jashtë Shqipërisë keni pasur kërkesa?
Për të dhënë numra të ndryshëm kërkesat janë të pa fundme, por unë kam pasur një kërkesë dhe një eksperiencë interesante në Prishtinë. Kam punuar dy vjet si iluzionist në Lojërat e fatit në këtë qytet. Aty kam fituar shprehi dhe përvojë që kanë rritur aftësitë profesionale dhe mënyrën e komunikimit me publikun. Eksperienca të tilla rrallë të jepen dhe duhen shfrytëzuar. Televizioni është po aq magjik sa dhe vetë arti im i iluzionit (magjisë).
Kjo eksperiencë sa ndikoi në të ardhmen tuaj ?
Shumë. Pas Prishtinës para disa kërkesa në Maqedoni ku kam dhënë jo vetëm spektakle, por edhe numra specialë në televizionin ALSAT si dhe në shumë shkolla të mesme. Shkupi u bë vendi i dytë më i rëndësishëm për aktivitete dhe spektakle. Edhe këtu lidha një kontratë.
Po lidhjet me Shqipërinë në këtë kohë i ndërpreve?
Fill pas ardhjes nga Greqia unë këtu dhashë shfaqjet e para. Tashmë u bënë dy vjet që unë së Bashku me Rita Latin dhe Behar Meren kemi dhënë spektakle në të gjithë Shqipërinë. Kemi pasur kërkesa nga shumë bashki apo komuna sidomos në stinën e verës kur vijnë emigrantët apo në festat e fundvitit.
A jeni ftuar kohët e fundit në Greqi?
Sigurisht. Asnjëherë nuk i kam shkëputur lidhjet me Greqinë. Shpesh herë ftohem në diskotekat kryesore në Kalkidhiqi, Patra, Selanik, etj… Greqia ka një shtrirje gjeografike të madhe të aktiviteteve.
Pra ju e keni shtrirë kryesisht aktivitetin tuaj në Ballkan?
Jo. Ballkani ka qenë si fillim. Tashmë unë kam shumë kërkesa në të gjitha vendet evropiane, ku ka emigrantë shqiptarë dhe kryejnë aktivitete shoqata të ndryshme kulturore artistike. Këto ditë më kanë ardhur ftesa nga disa shoqata në Gjermani, Itali, Mal i Zi etj..
Kush është aktiviteti juaj i fundit ?
Në Tetovë. Isha i ftuar special në një diskotekë të madhe për fillimin e vitit të ri shkollor studentor. Aty ishte ftuar Adelina Ismajli dhe shumë humoristë kosovarë një trupë e vogël baleti. Kohët e fundit unë kam një bashkëpuntore ose asistente Laura Cufaj, e cila është njëkohësisht balerinë. Mirëkuptohemi dhe ajo ma ka lehtësuar punën.
Aktualisht çfarë bashkëpunimi kryen dhe me kë?
Po përgatis disa numra të rinj për aktivitetet e fundvitit me qëllim që të jem me një performancë të re. Numrat unë i ideoj, punoj, përgatis vetë mbasi luaj dhe vetë rolin e menaxherit. Për një numër të ri do kohë, do profesionalizëm dhe përqendrim. Dështimi në këtë profesion nuk mund të korrigjohet. Këto isha ftuar në emisionin e ri special që po organizon Top- Channel “Edhe ti vlen”, një emision serioz që promovon talente në formë konkursi (apo spektakël). Ideator është një regjisor gjerman që merret me projektimin e një performance krejt të re në dimensionet e deritanishme televizive shqiptare. Këtu unë demostrova disa numra të rinj me nxjerrjen e brisqeve nga goja, pëllumbat dhe nguljen e thikës në dorë në një mënyrë të re. Në numrin e ri do të realizoj ngrirjen në lartësinë 1.5 metra nga dyshemeja të një femre. Është një numër i vështirë, por do ta realizoj.
Kjo do të jetë e veçanta e këtij fundviti?
Jo. Unë thashë po përgatitem për një spektakël të përzgjedhur, ku po bashkëpunoj me Shoqatën “Nënë Tereza” me president z. Fran Babaj, për të riorganizuar trupën e shoqatës ku do të kompletohemi për një lëvizje mbarë shqiptare. Deri në fund të muajit Nëntor ne do kompletohemi me një trupë baleti, me humoristë, këngëtarë për një spektakël të kompletuar në të gjitha drejtimet. Pra do të jetë një ndër trupat më të konsoliduara dhe më ambicioze si dikur trupat e estradës profesioniste. Kjo do të jetë një trupë e re me vizion të ri.
Çfarë kërkon profesioni juaj. A mund të merret me shkollë?
Jo. Ky profesion është dhunti. Eshtë diçka e brendshme. Ajo kërkon imagjinatë dhe kurajo. Janë disa dhunti specifike që zoti dhe natyra ja fal pakkujt,
Kush ka qenë numri që ka pasur më shumë tronditje në sallë?
Kur kam ngulur thikën në dorën time. Gjaku dhe shikimi i thikës tejpërtej dorës ngjalli klithma në sallë.
Fran Babaj President i shoqatës “Nënë Tereza”
Në datën 4 korrik Shoqata Kulturore Artistike “Nënë Tereza” organizoi me Prefekturën e Elbasanit një spektakël shoë me rastin e 15 vjetorit të aktivitetit të iluzionistit Shpëtim Çekrezi. Kjo ditë përkoi më festën Kombëtare të SHBA, ku salla e Qendrës Kulturore Librazhd ishte mbushur plot. Me këtë rast z. Shpëtim mori dhe një titull special nga shoqata dhe përfaqësues të pushtetit vendor të Prefekturës, për punën e bërë brenda dhe jashtë atdheut duke u paraqitur denjësisht para publikut. Ai mori titullin “Nderi i Trupës Artistike Nënë Tereza” me motivacion për shfaqje të shkëlqyera në Kosovë, Kaçanik, Pejë, Prishtinë Mitrovicë, Ulqin, Tuz, Shkup, Tetovë. Në të gjitha këto aktivitete ai ka shkëlqyer duke fituar duartrokitje të fuqishme. Ai ka numra të rrallë, të cilat kërkojnë përqendrim, përgjegjësi, vullnet, guxim si ndodhi në vitin 1997 në Kaçanik në një festival trupash artistike nga diaspora, (Kanadaja, Amerika, Australia, Mal i Zi) ku trupa jonë në sajë dhe të numrave special të Shpëtimit fitoi simpati të veçantë dhe Shpëtimi mori vlerësimet maksimale nga aktorë dhe kolegë dhe një çmim special për këtë aktivitet