Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Tribun i popullit...
E enjte, 30.01.2020, 07:44 PM
Vllazen e Motra Shqiptarë!
Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u
punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At
Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.
Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e
Shqipni…
Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen
gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit
të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:
“VITIN 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTES”
Melbourne, 20 Nandor 2019. Me respekt, Fritz
RADOVANI
Kujtoj…Sot,
mbas pak vjetësh librin:
Daniel
GAZULLI - Fritz RADOVANI
Në 70 – vjetorin e vdekjes së Poetit tonë Kombëtar!
Ia
kushtojnë, Autorët.
Dhjetor
2010.
Kopertina®: Foto e Përkrenares Gj. Kastriotit Vienë, D. Gazulli 2007
Portret i At Gj. Fishtës, Grafikë nga F. Radovani,
2010.
JETA
DHE VEPRA E
AT
GJERGJ FISHTËS OFM.
ASHT PËRGJITHMONË:
MENDJA,
ZEMRA DHE SHPIRTI I
POPULLIT
SHQIPTAR !
Në vitin 1916,
themeloi e drejtoi fletoren “Posta e Shqipnisë”.
Në vitin 1919 asht
sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit.
Në vitin 1921 asht
zgjedhë deputet i Shkodres në Parlamentin Shqiptar.
Në vitin 1921 asht
edhe nënkryetar i Parlamentit tonë.
Në vitin 1930 asht
në Athinë anëtar i delegacionit të Konferencës Ndërballkanike.
Në vitin 1931 asht
ftue për mbrojtjen e të drejtave të Shqipnisë dhe të Shqiptarëve në disa
shtete, ku ka spikatë fjala e Tij, në 1931 në Stamboll dhe 1932 në Bukuresht.
Në vitin 1931 asht
ftue në New York me përfaqsuesit e 60 shteteve të Botës ku u zgjodh anëtar i
Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Amerikë.
Me 6 qershor 1921, në zgjedhjet e para
Parlamentare në historinë e Shqipnisë, Shkodra e dërgon At Fishten përfaqësues
të vetin bashkë me miqtë e Tij Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh
Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i shkelqyeshëm në lamen e
gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar profesionist, do të
shfaqej në Parlament si një orator i pashoq, një atdhetar i flaktë në akuzën
kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe kompetent si
ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat “sa me pasë nder me
e pasë çdo parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte
punimet.
Me fjalën e Tij të
zjarrtë i tregoi mbarë Europës se At Fishta ishte dhe mbetet Tribun i Popullit
Shqiptar, që luftoi pa i ba syni vek për të Drejtat e Shqiptarëve për
vetvendosje, tue demaskue haptas qellimet e fqinjëve grabitqarë të Tokave tona
përrreth, të cilët vepronin dhe mbroheshin nga Fuqitë mëdha.
Polemikës së At Fishtës i jep shpirt
satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e
devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me
guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë
mbreti i polemikës shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse
si synim i polemikës së tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me
barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”...
“Shka ka me dijtë me folë mbi
politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi
ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin
e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër
ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil,
stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta,
batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah
mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende
primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga,
batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet.
Po, por dija, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë
mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të
Tiranës, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.
Një portret i përkryem i “udhëheqësit”
tonë të ardhshëm...
Në trazimet e vitit 1924 ishte përkrah
Nolit, Currit, Gurakuqit, dhe s’ kishte si të ishte ndrysh. Atyne që fenë dhe
klerikët i kanë gjykue vetëm si antikombëtar, mjaft t’u kujtojmë se ndër
figurat madhore të atij viti demokratik të papërsëritshëm ishin një pop,
Noli, dhe një frat, At Fishta.
Më 1925 At Fishta detyrohet të mërgojë
në Itali për të mos pasë fatin e Currit, mbytë në Shpellën e Dragobisë, të
Gurakuqit vra në Bari t’ Italisë e të Dom Gjon Gàzullit, varë në Shkodër.
Mbas kthimit prej mërgimit, murgu poet,
prozator, dramaturg, pedagog e gjuhëtar, arkeolog e muzeolog, gazetar e
diplomat, piktor e arkitekt, u tërhoq nga jeta politike. Po prap Ai asht
shembull i shkëlqyeshëm i intelektualit që e vijon luftën ku drejtpërdrejt e ku
tërthoras, nëpërmjet shtypit. Sikur Fishta të na kishte lanë “vetëm”
publiçistikën e Tij plot vlera, përsëri Ai do të kishte zanë vend nderi në
Enciklopedinë e Vërtetë Shqiptare, ashtu siç kishte zanë vend nderi në
Enciklopeditë e Europës për së gjalli jo vetëm si epik i madh, por edhe një
ndër satirikët ma të shquem të kontinentit, me veprat madhore “Anzat e
Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”.
Legjendë e gjallë, tashma 60-vjeçar,
merrte rrugën e Athinës, të Stambollit e të Bukureshtit, tue i lanë nder
Atdheut me përfaqësimin e Tij tue akuzue haptas mbrapaskenat e Beogradit e të
Athinës. Ndërkohë përfundonte kangët e Lahutës, të cilën e botoi të plotë në
vitin 1937, sidhe arrinë të plotësojë e të përmirësojë “Mrizin e Zanave” me
lirika nga ma brilantet në shqip, e pse jo, në letersinë botnore.
E na vjen me u
shprehë me fjalët e Tij në Vlonën e Flamurit para arkivolit të Avni Rrustemit:
“…fatzeza, moj
Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty...”