Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Voce Zela
E hene, 27.01.2020, 06:34 PM
Voce Zela
Nga
Edison Ypi
Shqiptarët
do ishin shurdhuar nga ulurimat e kongreseve, urratë e aksioneve, trokitjet e
çizmeve të parakalimeve nëse të gjitha këto nuk do t'i hidhte në hale 1 zë i
vetëm, gjenialja Voce Zela.
Voce
Zela nuk ka qënë kurrë festival, vals, shi, lemzë, djalosh, fëmijë i parë,
lumturi, atdhe, gërshet.
Voce
Zela ka qënë, është, dhe përgjithmonë do jetë, vetëm eter, pasion, shpirt, pa
asnjë lidhje me materialitetin banal, mediokër, vulgar.
Voce
Zela nuk ishte diçka që Shqipëria e fitoi kur lindi dhe e humbi kur Voce Zelës
zemra i ndali.
Voce
Zela, ishte, është, dhe do jetë, një frymë e pashkatërrueshme, Kumt
Providencial, Mëshirë Hyjnore, që Shqipëria e ka pasur, e ka, dhe gjithmonë do
ta ketë.
Voce
Zela është ajo flakëza e qiririt që lëshon atë dritëzën e mistershme që nuk e
lë terrin të bëhet krejtësisht i zi, nuk e lë udhatarin të humbi udhën në natën
e skëtërrëshme.
Voce
Zela është ajo arësyeja misterioze që edhe jetës më fatkeqe, i jep një shkak
për të qënë deri në fund e dashur.
Voce
Zela ishte një element kompensues, një faktor ekuilibrues, që nuk e la
dëshpërimin të bëhej shkatërrimtar edhe kur proletarët ulurinin, fshatarët
rënkonin, shkrimtarët shkarravisnin, këngëtarët zhurmonin, të dobëtit
spiunonin, të talentuarit vuanin.
Për
dhjetra vite Shqipëria ka qënë skëterrë dhe shqiptarët ishin skllevër. Por
shpresa nuk dha kurrë shpirt, mes tjerash, falë Voce Zelës.
Për
të neutralizuar deridiku efektin vdekjeprurës të helmit që villnin plenumet,
kongreset, festivalet, filmat, librat, Zoti u solli Shqipërisë dhe shqiptarëve
Zërin e vet, Zërin e Voce Zelës.
E
pafundme dhe e mbyllur si Universi, Voce Zela u paksoi shqiptarëve robërinë dhe
u shtoi Lirinë.
Kur
këndonte Voce Zela, dimrin e ngrohte, beharin e freskonte, dhimbjet i paksonte,
sëmundjet i shëronte, shpresën e ngjallte.
Voce
Zela ende këndon; Psherëtin me zë të Saj, jet' e trembur se mos vdesi.