| E diele, 19.01.2020, 11:33 AM |
Shpirt Artisti
Nga
Edison Ypi
-Rënkoj
kur flas, qaj kur këndoj, e kam gjoksin zjarr, mëndjen vullkan, kam Shpirt
Artisti, më duhet një skulptor.
-Pra
e do skulptorin të gdhendi në allçi kuaj me krahë, kuçedra që nxjerrin zjarr
nga goja, tigra dhe luanë ëndërrash, shqiponja krahëhapura në fluturim që t'i
vendososësh te porta dhe mbi muret e shtëpisë ?
-Jo
jo, e dua skulptorin të më gdhendi mua, jo në allçi, në mermer
-Shtatore
mermeri për surratin tënd ?!
-Ma
gjej skulptorin të ma bëjë shtatoren dhe leri ofendimet. Paret i kam gati. Më
ka mbetur skalitësi. Shtatoren e meritoj. Pa shtatore ndjehem i mjerë. Dua të
pavdekësohem. Jo kot. Jo se m'u tek. Jo për interesin t'im. Jo për lavdinë e
vetes. Për të mirën e Shqipërisë. Kam Shpirt Artisti.
-Nga
një shtatore për shqiptarët që kanë Shpirt Artisti, Shqipëria do shndrrohej e
tëra në një pyll me më tepër shtatore se shkurre. Megjithatë mos u mërzit. Do
ta gjej për ty një skulptor gjenial, një Mikelanxhelo, ta gdhendi shtatoren
tënde më madhështore se "I menduari" i Rodenit ta vendosim ku ishte
shtatorja e kurvit
Pas
ca ditësh, një tjetër,
-Trullosem
kur dëgjoj bilbilin. Dridhem si purteka kur bje muzgu. Më dridhet kurmi kur
vjen mbrëmja. Fërgëlloj si gjethja kur fryn puhiza. Por nuk di ta shpreh vetë
zjarrin që më djeg kraharorin. Atë zjarr dua të m'i ndezë një tjetër. Për të
mirën e njerzimit. Që shpirtin t'im prej artisti të mos e mbulojë balta e
mediokritetit dhe pluhuri i harresës. Që shpirti im prej artisti të mos humbasi
nëpër katakombat e harresës, por të shërbejë brez-pas-brezi si dëshmi e
gjenialitetit të sotëm shqiptaresk përfaqësues i denjë i të cilit unë jam, dua
një Shekspir, një Balzak, një Kadare, një Dostojevsk, të shkruaj për mua një
roman që të mbetet në shekuj.
-Pa
merak. Do ta gjej për ty një Shekspir.
Kaluan
ca ditë.
-Të
duhet një piktor i madh që ta bëjë ty një portret të denjë për tu ekspozuar në
muzeumet më të famshëm të botës ? i thashë njërit që po rrinte i menduar në
kafene. Çfarë preferon, Leonardo apo Botticelli ? Fol !
-Kur
lind dielli bëhem me krahë, kur shoh Hënën zhytem në mendime, me këtë Shpirt
Artisti kaq të spikatur që kam, besoj se një Botticell më përshtatet më tepër.
-Botticelli
do, Botticelli do ta gjej.
Pas
këtij që kërkoi Botticelli, tjetri me Shpirt Artisti ishte njëri që zjente
përbrenda.
-Vagner,
tha, sa të bëjë.
-Patjetër,
i thashë, e rregullojmë, do ta kesh brenda javës. Por a s'më thua, ç'e do aq
buçitës ?
-E
dua aq të fuqishëm që simfonia që do më kushtohet mua të mos jetë më pak
gjëmimtare se shpirti im prej artisti.
-Pa
merak. Vagner për ty, Mikelanxhelo, Shekspir, Botticell, për tre të tjerët,
janë hall që zgjidhet. Hall që nuk zgjidhet është kush mundet me qeveris kaq
shumë shqiptarë me shpirt artisti ?!