Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kurrë
E hene, 13.01.2020, 07:33 PM
Kurrë
Nga
Edison Ypi
Kurrë
nuk i kuptova. Kurrë nuk i desha. Kurrë nuk i durova. Kurrë nuk i mora
seriozisht. Kurrë madje nuk më është dukur se kanë ekzistuar. Kurrë nuk na
rrahu e njëjta erë. Kurrë nuk na lagu i njëjti shi. Kurrë nuk na terri e njëjta
natë. Kurrë nuk na zbardhi e njëjta ditë. Kurrë nuk na ngrohu i njëjti diell.
Kurrë nuk na zbehu e njëjta hënë. Kurrë nuk flisnin, vetëm pëshpërisnin. Kurrë
nuk bisedonin, vetëm brohorisnin. Kurrë nuk punonin, vetëm llapnin. Kurrë nuk
hanin, vetëm lëpinin. Kurrë nuk ecnin, vetëm zvarriteshin. Kurrë nuk ndala së
ëndërruari si të arratisesha. Kurrë nuk i ndava sytë nga gjallesat dhe mjetet
fluturuese dhe lundruese, zogjtë, aeroplanat, harabelat, anijet, gomonet,
peshqit. Kurrë nuk më kuptuan. Kurrë nuk u dhashë rast të më njihnin. Kurrë nuk
u ula në bankën e parë në shkollë. Kurrë nuk fola me mësuesit dhe pedagogët.
Kurrë nuk më shpëtoi soc-autor dhe soc-libër pa e tallur. Kurrë nuk fola në
ndonjë mbledhje kolektivi. Kurrë nuk vajta në aksion rinie. Kurrë nuk vajta në
Teatrin Popullor. Kurrë nuk vajta në Opera. Kurrë nuk pashë, dhe ende nuk kam
parë, dhe kurrë nuk do shoh një film shqiptar nga fillimi në fund. Kurrë nuk
kërkova rritje rroge. Kurrë nuk kërkova asnjë privilegj. Kurrë nuk bëra muhabet
me asnjë shef, drejtor, apo çfardo epror. Kurrë nuk u bëra problem i ndonjë
polici. Kurrë nuk njoha ndonjë sigurimist. Kurrë, për asnjë çast, në asnjë rast
dhe për asnjë arësye, nuk kam pasur të bëj me Sigurimin për të cilin dija vetëm
se ekzistonte dhe asgjë tjetër. Kurrë nuk pata frikë nga Sigurimi. Kurrë nuk u
çlirova nga frika e atyre që nga Sigurimi kishin frikë. Kurrë nuk pashë një edicion
të plotë lajmesh në televizor. Kurrë emri i diktatorit nuk u shqiptua prej
meje. Kurrë nuk u takuam. Kurrë nuk u afruam. Ata vinin, unë ikja. Ata iknin,
unë vija. Ata bërtisnin, unë heshtja. Ata nxinin, unë zbardhja. Ata zbrisnin,
unë ngjitesha.