Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Qeveri e unitetit kombëtar
E shtune, 11.01.2020, 11:17 AM
Qeveri e unitetit kombëtar
Nga
Blerim Latifi
Dështimi
i Vetëvendosjes dhe LDK-së për të formuar qeverinë, duket se i bën të
pashmangshme zgjedhjet e parakohshme. Partitë tjera me gjasë nuk janë të
gatshme për një formulë tjetër të koalicionit qeveritar. Nuk është demokratike
kur koalicioni postzgjedhor nuk e pasqyron rezultatin e zgjedhjeve. Por, edhe
zgjedhjet e parakohshme nuk premtojnë të sjellin zgjidhjen e duhur. Gjasat më
të mëdha janë që edhe pas tyre do të kemi situatë ngërçi të njëjtë, sikurse e
kemi tani. Pra, rrezikojmë që edhe për një gjysmë viti tjetër të mos kemi
qeveri që funksionon në kapacitet të plotë ekzekutiv. Qeveria teknike është një
variant tjetër i humbjes së kohës. Mbase gjëja më e duhur është formimi i një
qeverie të unitetit kombëtar, e cila brenda një viti do të përfundonte marrëveshjen
me Serbinë, do të bënte reformën zgjedhore, si dhe ndryshimet kushtetuese për
ta nxjerrë institucionin e presidentit nga negociatat partiake të ndarjes së
pushtetit, duke e vendosur zgjedhjen e tij të drejtëpërdrejtë nga populli. Në
këtë mënyrë shteti do të dilte nga bllokada e dyfishtë në të cilën ndodhet :
nga bllokada në politikën e jashtme dhe bllokada në politikën e brendshme.
Natyrisht, krejt kjo bëhet e mundur nëse politikanët e vendosin interesin
shtetëror, para interesit të egove të tyre për pushtet.