E enjte, 26.12.2024, 06:39 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Ndue Dedaj: Bulqiza, dritë në fundin e tunelit

E shtune, 11.01.2020, 11:19 AM


BULQIZA, DRITË NË FUNDIN E TUNELIT...

NGA NDUE DEDAJ

Është 28 dhjetori i vitit që sapo uli siparin. Jemi nisur drejt Bulqizës me dëshirën për të lexuar sadopak të nesërmen e minierës-qytet, teksa e sotmja është jo pak e trishtë. Natyrisht që Bulqiza nuk është një vogëlushe, larg në male, që pret një shportë me dhurata nga Plaku i Vitit të Ri, që në këtë rast i bie të jetë qeveria, por që të gjithë të përmbushin detyrimet ndaj rajonit industrial minerar më të rëndësishëm të vendit: shteti, sipërmarrjet e kromit, sindikatat, shoqëria civile, donatorët e projekteve të zhvillimit të zonave rurale, pasi Bulqiza nuk është vetëm kromi i nëntokës, por dhe agroturizmi etj.

Mbërrijmë, pa shkuar ora dhjetë, në Qafën e Buallit, që kredhet nën një diell të ftohtë, kurse maja e mali të Duriçi është larëzuar nga bora, që na sajdis me fluria të rralla. Termometri shënon dy gradë nën zero. Këtu merr rruga për në Krastë e Bizë të Martaneshit, por një herë tjetër do të udhëtojmë asaj ane, edhe pse një i njohuri ynë na thotë: “S’keni ç’bëni më atje, është mbushur me hidrocentrale, sa të vrasin sytë”. Rruga e Arbërit, pasi lë prapa Urën e Vashës, të vjetrën e të renë, do të përshkojë lugun e Planit të Bardhë, Bulqizën, Fushën e Vajkalit, Shupenzën etj., duke qenë një nga rrugët më panoramike të Shqipërisë. Por tregues i saj në Bulqizë tash për tash është vetëm tuneli i papërfunduar në Qafë Buall dhe gjurma e trasesë së rrugës. Duket e pabesueshme, por nga Kinostudioja e deri në Bulqizë, nëpër rrugën e re, do të jenë veçse 40 kilometra, kurse deri në doganën e Bllatës bëhen 70. Atëbotë Dibra do të jetë një lagje e Tiranës, do të marrë një kuptim të ri dhe vetë “Rruga e Dibrës”. Kohë më parë një grup prej njëzet vetësh ndërmorën një rrugëtim të pazakontë për kohën e sotme, nëpër gjurmën e Rrugës së Arbërit në ndërtim, nga Klosi në Zall-Bastar të Tiranës, edhe si një kujtesë për gjyshërit e tyre që e kishin pasur atë rrugën e jetës. Kështu e nisim ditën tonë bulqizake, në kërkim të një reportazhi për këtë vend e këta njerëz. Lë t’i shohim e prekim gjerat nga afër.

Qyteti është gjallëruar nga ardhja e emigrantëve. Pyesim për banorët dhe na thonë se në letra janë rreth 40 mijë, por vetëm gjysma banojnë realisht, gjysma tjetër ka lëvizur. Bashkia ngërthen një territor mjaft të hapur, nga Martaneshi përkufi me Tiranën, në Trebishtin kufitar me Maqedoninë e Veriut, dy orë e gjysmë larg nga Bulqiza. Mjafton dhe ky fakt për të kuptuar se reforma territoriale nuk solli asgjë të re, të paktën në jetën e komuniteteve të tilla larg nga qendrat urbane dhe pa infrastrukturën e duhur.

Udhërrëfyesi ynë është një gazetar i ri kurajoz, Sami Curri, 25-vjeçar, që shkruan për BIRN, njëherësh veprimtar i palodhur për kauzat e minatorëve dhe banorëve, pasi nuk është vetëm kromi i nëntokës që kërkohet të sjellë shumë më shumë të ardhura për ta, por dhe mbrojta e pyjeve, lumenjve nga hidrocentralet “kontrabandë”, duke zhveshur mjedisin nga drurët dhe bimësia tjetër, si në rastin e Liqenit të Zi, nga më të bukurit e këtyre bjeshkëve.

Kronika e gjallë dhe e vdekur e një miniere

Bulqiza shfrytëzohet prej 72 vitesh dhe prapë nuk shterron. Një vend që e ka bekuar natyra dhe historia përjeton dhe vdekjen e vet, po të mendosh se nga viti 2014, në pesë vite, ka 27 të rënë në minierë. Në qytet të zë syri një shtatore të minatorit të djeshem, po jo dhe një obelisk në nderim të minatorëve të shumë që i mori e nuk i ktheu më nëntoka. Elegjia e tyre është një peng i minieres dhe familjeve. Miniera “Golgotë” ka kryqëzuar shumë vetë, duke i shuar njërin pas tjetrit, si në një kronikë vdekjesh të paralajmëruara.

Tranzicioni i mbylli minierat e tjera të vendit, mbeti vetëm Bulqiza. Shfrytëzimi i kromit do të bëhej përmes sipërmarrjeve të shumta. Shteti në pamje të parë ishte dorëjashtë, pasi ishte sipërmarrje e lirë, por jo qeveritarët e radhës. Samiu na njeh me kronikën e gjallë dhe të vdekur të minierës. Janë 2100 punëtorë që hyjnë dhe dalin çdo ditë në puset dhe galeritë e kromit në Bulqizë dhe Martanesh, por janë dhe nja dy apo treqind që punojnë në të zezë. Fabrika e pasurimit ka zbritur në 100 punëtorë. Ngjitemi deri te Pusi kryesor, pastaj vijnë “katet” e tjera të minierës, shpateve gri të Duriçit, zona e Parë, zona D etj. Sheshin e vogël, ku tubohen vazhdimisht punëtorët për të drejtat e tyre, na vjen ta quajmë “Sheshi i Protestës”. Ata janë mbledhur dhe sot, në një sallë në qytet. Lajmi jo i mirë është se kryesuesit e sindikatës së re: Elton Debreshi, Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Ali Gjata janë pushuar nga puna. Ende sindikatat e mirëfillta nuk kanë terren ndër ne. Mund të majmen me pronat publike vetëm ato sindikata që u fërkojnë supet pushtetarëve dhe vegjetojnë nën hijen e partive. Në Bulqizë e Martanesh operojnë 37 subjekte të shfrytëzimit të kromit, ku kompania kryesore është “Albchrome”, me më shumë se 600 punëtorë. Siç thonë këtu, miniera është si një lëmë që vetëm merr e nuk vë, çka do të thotë se nuk ka një plan për përspektivën se si do të rrojnë këta njerëz kur të mos ketë më krom.

Njëri nga bashkëbiseduesit thotë se shteti nuk iu kërkon sipërmarrësve të kasaj “mbretërie” minerare të investojnë për komunitetin, në përmirësimin e jetesës së tyre. Duket se formula kapitaliste e kohës është “kap ç’të kapësh”, pa dashur t’ia dish se prapë këtu do të ketë njerëz sot e mot. Bulqiza ka gazetën dhe dhe televizionin e vet dhe, si gjithkund tjetër, një kioskë të vocërr ku shiten gazeta, por nuk ka librari, po folur për qendra kulturore - argëtuese, galeri arti, pse jo dhe teatër. Qyteti nuk mund të jetë vetëm shtrimi i rrugëve dhe shesheve me pllaka dhe disa shëtitore e lulishte. Në bazë të ligjit 5 përqind e të ardhurave nga renta minerare shkojnë për pushtetin vendor për investime, por dhe këto nuk mbërrijnë të gjitha për shkak të burokracisë së organeve finaciare të qendrës, të cilat janë dorërrudhura kur është fjala për bazën. Megjithatë specialistët shohin dritë në fundin e tunelit. Në një intervistë dhënë gazetës “Bulqiza”, inxhinieri markshejder Kujtim Alliu thotë se traverbangu i ri Shëngjun - Bulqizë (7310 metra i gjatë) dhe hapja e pusit numër 9 do t’ia shtojnë jetën minierës dhe për disa dhjetëvjeçarë. Traverbangu mbledh ujërat në thellësitë e nëntokës, duke e shpëtuar atë nga përmbytjet në raste shirash të shumtë, lehtëson transportin e mineralit etj. Ëdhe shtypi promocional është optimist për të nesërmen e minierës, ndërsa përgjithësisht mediat e tjera janë kritike sa i përket menaxhimit të sotëm të minierës dhe sidomos ndaj asaj çka (nuk) bën qeveria për të.

Ka pak investime në Bulqizë, të thonë, pasi paratë e kromit më shumë shkojnë në Tiranë. Miniera është këtu, por “frerët” e saj tërhiqen prej andej, si të asaj mushkës, që vetëm duhet të mbajë mbi kurriz, pa bërë fjalë. Ndaj minatorët tubohen rregullisht, protestojnë prej vitesh, edhe pse më “kryengritësit” pushohen nga puna. Problemi është kompleks, nuk janë vetëm kushtet më të mira të punës dhe pagat më të larta, kërkesa që në minierat shqiptare nuk kanë rreshtuar qysh prej grevës së njohur të minatorëve të Rubikut, në gusht të vitit 1938, por fati i “floririt” të nëntokës. Dihet se ashtu si nga deti duhet të përfitojnë të gjithë shqiptarët, edhe ngë kromi i Bulqizës apo pyjet e Pukës duhet të përfitojnë po të gjithë. Por me sa duket nga pasuritë kombëtare përfitojnë vetëm një dorë oligarkësh, siç po quhen përherë e më shumë në zhargonin politik e mediatik një kategori sipërmarrësish të përfolur për aferat me qeverinë.

Nëntoka e pasur nuk ka mjaftuar për ta bërë Bulqizën një nga zonat më të pasura të republikës, pasi pasuria e saj shfrytëzohet për të tjerët, si dje nga socializmi, si sot nga kapitalizmi. Si me “nënën”, si me “njerkën”, Bulqiza dhe bulqizakët, përherë të varfër! Kanë shkelur këtu krejt njerëzit e rëndësishëm të shtetit, të kohës së vjetër dhe të kohës së re dhe prapë Bulqiza ka mbetur mes varfërisë dhe vdekjeve.

Miniera ka historinë e saj. Deri në 90-n kishte 5000 punëtorë, me një kapacitet prej 12 000 tonësh në muaj. Isuf Curri, gjyshi i Samiut, ishte ndër minatorët e parë të minierës, më 1948, bashkë me minatorët e Rubikut, të cilët erdhen për të dhënë përvojën e tyre, ndër ta dhe Pal Marka Deda, që në vitet 70, kur ishte drejtor miniere në Spaç, do ta përpinte jo nëntoka, por burgu i Burrelit. Po ashtu inxhinieri i shquar Todo Manço, një nga “legjendat” e gjalla të minierës. Na kujtohet kopërtina e një libri ku ai paraqitej me veshjen e minatorit dhe kandilin e karbitit në dorë...

Bulqiza sot është një qytet me mbi 10 mijë banorë. Në fillim u ndërtua Bulqiza e vjetër dhe në gjysmën e dytë të viteve ’80 Bulqiza e re. Në qytetin e vjetër është dhe një oxhak, që mendojnë ta bëjnë monument, por dhe një “hangar” me dy-tre automjete të rrënuara që të kujtojnë kohën e socializmit. Kohët kapërthehen çuditshëm. Afër damës së fabrikës së pasurimit një burrë ndanë rrugës mbledh copa kromi, si dhjetëra të tjerë, përfshi dhe gra dhë fëmijë, që rrojnë me “frutat” e nëntokës. Si duket e kanë bëzdisur gazetarët duke e fotografuar, si një “kavie” për publicistikën e tyre, ndaj nuk do që të fotografohet. Me një çekiç thyen gurët për të nxjerrë një kësulë krom. Si një bari i mirë shpirtëror, afrohet dhe i zgjat dorën ipeshkëvi i dioqezës së Rrëshenit, imzot Gjergj Meta (që mbulon dhe Matin, Bulqizën e Dibrën), por njerëz si ky kokrrues i thërrimeve të kromit kanë nevojë në radhë të parë për shtetin si “bari” i tyre.

Valikardhë, në gjurmë të Skënderbeut

Emigrantët, ashtu si dhe udhëtarët që shkojnë e vijnë për në Peshkopi e Dibër të Madhe, e bëjnë një ndalesë te busti i Gjergj Kastriotit, sa për një fotografi. Fusha e Bulqizës, jo ratësisht ka Gurin e Skënderbeut, por ngaqë aty janë zhvilluar disa nga betejat e heroit kombëtar kundër turqve pushtues. Makina jonë fluturon fushës ku pesëqind vjet më parë ngarendnin kuajt e luftës. Sakaq mbërrijmë në fshatin Valikardhë. Nuk na duhet të ecim shumë, por vetëm të kalojmë Urën e Qytetit mbi lumin e Bulqizës, për të parë rrënojat e një kalaje të vjetër, mbi të cilën kanë “mbirë” disa bunkerë, duke e shëmtuar historinë. Këtu mendohet se është Fusha e Torviollit, që quhet dhe Fusha e Kalasë.

Tej është Kulla e Skënderbeut dhe në anën veriore të tij, mali tjetër binjak, ai i Temlës, që sipas vendasve vjen nga fjala tempull i perëndisë. Mësuesi i ri i historisë Gazmir Sejdi na e shpalos me pak fjalë historinë e hershme të Valikardhës, që vjen nga grykë/ fushë e ngushtë. Ai dhe Ardian Ibrahimi, një tjetër vendas i diplomuar për histori, na tregojnë dhe për 6 kishat e këtushme në rrënoja e toponime, si Kisha e Vokajve, Kisha e Ballajve, Kisha e Allushëve etj. Njihesh me këtë guidë monumentesh që mezi iu duken gjurmët, ndërkohe që kërkon me sy se ku mund të shtrihej qyteti antik? Ai ishte në rrënojat e lashta të vendbanimit, si dhe ato të kalasë e kishave të vjetra, në muret afër bregut që i ka përlarë kohë pas kohe lumi i Bulqizës, për të cilin gjithashtu është frika e banorëve se do të ketë fatin e lumenjve të tjerë që po të futen në tuba të mëdhenj…

Shpjeguesit tanë ishin të shqetësuar se nuk po bëhet asgjë për ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Kulla e agroturizmit “Hupi” në Fushë - Bulqizë

Një nga stacionet e reja të Bulqizës tash është dhe kulla-bujtinë “Hupi” në fshatin Lepurakë të Fushë-Bulqizës. Katër vëllezërit Hupi patën ndërtuar katër kulla. Tranzicioni, si kudo tjetër, e boshatisi jo pak fshatin, por ndër ato që nuk iu dorëzuan braktisjes është dhe njëra sosh. E kthyer prej katër vitesh në bujtinë turistike, kulla “Hupi” këtë verë ka pritur mbi 600 turistë të huaj, një grup amerikanësh etj., si dhe plot vendas. Mbase askund më mirë se në këtë kullë bujare dibrane nuk merr kuptim ai që quhet “turizmi familjar”, të shërbyerit e një kuzhine tradicionale etj. Dhe protagonisti i gjithë kësaj është djali i shtëpisë, i riu 33-vjeçar Lulzim Hupi, i njohur nga publiku përmes emisioneve të ndryshme televizive, si “Histori shqiptare” të Alma Çupit etj. Por më mirë ai njihet në votrën e tij...

E kanë vizituar bujtinën disa gazetarë, por dhe Altin Prenga i Mrizit të Zanave për ta inkurajuar. Është ngjitur deri këtu për ta mbështetur humanistja austriake Marianne Graf, si një ringjallëse e kullave të vjetra shqiptare. Ka qenë dhe Kryeministri Rama, pasi bujtina e Lulzimit quhet një histori suksesi në Bulqizë sa i përket agroturizmit. Pronari i saj ka një vizion dhe projekt të qartë se ku don të arrijë, por nuk është vetëm në dorën e tij, ka ende pak mirëkuptim e aq më pak mbështetje, duke filluar nga vendasit e deri te zyrtarët e shtetit. Ai thotë se agro-turizmi nuk bëhet vetëm me bujtinën e tij, por dhe me pjesëmarrjen e banorëve të tjerë të fshatit, pasi dikush prodhon perimet e dikush bulmetin, dikush mbarështron dhitë e kecat e dikush pulat, në funksion të bujtinës, por dhe të resorteve turistike që mund të ngrihen në të ardhmen. Synon përherë e më shujmë cilësi, përherë e më shumë njërëz. Këtë vit që sapo kemi hyrë, në pranverë e mbrapa shpreson për një mijë turistë. Gatuan nëna e tij Sofia, 69 vjeç. I ati, Veliu, që ka punuar sondist nëntokë, nuk jeton më. Gjyshi i tij, Jonuz Hupi, me prodhimet e bashtinës së vet merrte rrugën e gjatë me kafshët ngarkuar dhe i shiste në Tiranë. Ai e kishte merak një dyqan të vetin, dhe si për t’ia përmbushur amanetin, i nipi e ka hapur një të tillë në Bulqizë, që ndihmon bujtinën të mëkëmbët pak nga pak.

Po bie nata dhe bashkë me Ipeshkvin Gjergj Meta marrim rrugën e kthimit për në Rrëshen. Prej dy vitesh e gjysmë ai është jo vetëm “abati” i Mirditës, por dhe i këtyre territoreve verilindore që dikur përfshiheshin në dioqezat sufragane (në varësi) të kryeipeshkvisë së Durrësit, si Kunavia, Lisi e Stefaniaka. Urojmë dhe shpresojmë ditë më të mira për Bulqizën, Martaneshin, Dibrën etj., jo thjesht duke pritur që me Rrugën e Arbërit të ndodhë mrekullia. Shpresa është njeriu vendas i përgatitur për ndryshimin. Dhe ne fatmirësisht takuam disa nga ata, gazetarin e ri Samiun, sindikalistët e rinj të paepur në misionin e tyre, menaxherin e bujtinës “Hupi” Lulzimin, imamin e xhamisë së Bulqizës Andi Topin, që jep ndihmesën e tij dhe për shoqatën e jetimëve, drejtorin e shkollës 9-vjeçare Gazmirin, i pasionuar pas historisë etj. Njerëz që e duan progresin e vendlindjes së tyre dhe përpiqen për të.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora