Mendime
Rezolutë e Kongresit të VI të Misionarëve të Pajtimit
E premte, 03.01.2020, 06:11 PM
R E Z O L U T Ë
E KONGRESIT të VI të
misionarëve të pajtimit
Organizuar me dt. 27 shtator 2017
Mbi Domosdoshmërinë e
bashkëpunimiT Të gjykatave shtetërore me gjykatat kanunore për dhënien e
drejtësisë.
Kjo rezolutë u shqyrtua nga pjesmarrësit e kongresit të
VI të misionarëve të pajtimit dhe iu dorëzua për plotësim e miratim misionarëve
të pajtimit në të gjithë territorin e vendit nga dt 1 tetor deri me 31 dhjetor
2017. Kryesia e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar mori sugjerimet e nevojshme nga misionarët dhe
grupet e punës së komitetit në 2800 fshatra dhe në 60 bashki. Pas miratimit në
terren kjo rezolutë u dërgohet deputetëve të Kuvendit të Shqipërise,
Presidentit të Republikës, Qeverisë Shqiptare, Përfaqësuesve të Vendeve
Perëndimore, Organizatave Ndërkombëtare dhe mediave vendore e ndërkombëtare,
brenda dt. 20 janar 2018.
Kongresi vlerësoi:
1- Bashkëpunimin e
Qeverisë Shqiptare dhe të policisë së shtetit me Komitetin e Pajtimit
Mbarëkombëtar në procesin e pajtimit dhe të mbrojtjes së familjeve që emigrojnë
për shkak të gjakmarrjes duke bërë të mundur uljen e numrit të vrasjeve me 50
%.
2- Mbështetjen e Selisë së Shenjtë dhe të Papa Françeskut
ndaj strategjisë së Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për mbrojtjen e
emigrantëve që kërkojnë një jetë më të sigurt në vendet perëndimore.
3- Mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të
Këshillit të Evropës dhe të qeverive të vendeve perëndimore si SHBA, Gjermania,
Kanadaja, Franca, Anglia, Austria, Hollanda, Zvicra, Norvegjia, Suedia,
Finlanda, Danimarka, Italia, Greqia, Luksemburgu, Australia, Irlanda, Islanda,
Zelanda e Re etj. Në bashkëpunim me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar, kanë
marrë në mbrojtje të drejtën e jetës së familjeve shqiptare që emigrojnë për
shkak të rrezikut që u kanoset në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë kongresi
vlerësoi punën e gjykatave perëndimore të emigracionit si dhe organizatave në
mbrojtjen e të drejtës së jetës së familjeve shqiptare që rrezikohen duke
shprehur konsideratën e lartë për punën e bërë nga IRB në Kanada, OFPRA në
Francë e CEDOCA në Belgjikë.
KONGRESI FALENDEROI:
1 - Ambasadorin e SHBA-së, Shkëlqesinë e tij z. Donald Lu
dhe Ambasadoren e BE- së, Shkëlqesinë e saj znj. Romana Vlahutin për
këmbënguljen dhe punën e palodhur me faktorin politik e shoqëror në Shqipëri që
të realizohet reforma në Drejtësi.
2 - Ministrin e Drejtësisë z. Ylli Manjani, i cili
vlerësoi lart parashtrimet që bëri Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar për
reformën në drejtësi si dhe punën e bërë nga pleqësitë (gjykatat kanunore) duke
shprehur gatishmërinë për ngritjen e Gjykatave të Paqnit në bashkëpunim me
Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar. https://www.ata.gov.al/manjani-takim-me-shoqerine-civile-per-drejtesine-gjykate-pajtimi-per-organizimin-gjyqesor/
3 – Ministrin e Brendshëm z. Sajmir Tahiri, i cili
konfirmoi para opinionit publik se në sajë të bashkëpunimit me strukturat e
Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar është bërë e mundur zgjidhja me pajtim e 41
000 konflikteve për parandalimin e dhunës.
4 - Bashkë reporterët e Këshillit të Evropës Joseph
O’reilly (Irlandë) dhe Andrej Hunko (Gjermani) për takimin që bënë dhe
mbështetjen që i konfirmuan Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar në procesin e
pajtimit dhe mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Evropë. https://www.ata.gov.al/raporteret-e-kie-se-takim-me-komitetin-e-pajtimit-mbarekombetar/
5 - Pleqësitë (Gjyakata Kanunore) të 2800 fshatrave të
Shqipërisë dhe 60 Bashkive që gjatë periudhës 27 vjeçare të tranzicionit post
komunist kanë zgjidhur me marrëveshje e
pajtim mbi 900 000 konflikte e hasmëri për: ndarjen e tokave, ujërat, pyjet,
kullotat, për rrugët brenda fshatit, kalimet në pyje e lumenj, gardhet, dëmet e
bagëtive, prerjet e lëndëve drusore, shfrytëzimin e rërave dhe guroreve, vend
varrimet dhe kalimet në tokat e të tjerëve, fejesat me shkuesi dhe prishjet e
tyre, martesat dhe divorcet, lidhjet e fshehta të dashurisë, grindjet e çastit
dhe fyerjet, borxhet, dëmet në prona,
uzurpimi i tokave në qytete nga lëvizja e pakontrolluar demografike, konfliktet
mbi dyqanet dhe rrugët para tyre, konflikte mbi ndërtimet, konfliktet për
shkaqe mosbindjesh ndaj prindërve, konfliktet për vjedhjet, për dëmtimet e
pronave, nga rivaliteti në biznes,
konfliktet për varret në qytete, konfliktet mbi shpronësimet, hasmëritë
për vendimet e gjykatave, hasmëritë për
vrasjet e trashëguara para dhe gjatë sistemit komunist, hasmëritë për
vrasjet e reja, hasmëritë e vrasjet për nderin, hasmëritë për vrasjet për
grabitje, hasmëritë për vrasjet aksidentale,
hasmëritë për ndarjen e padrejtë të pronave, hasmëritë për dhunën e
konfliktet brenda familjes, për grabitjet e shtëpive e të kopshteve, për
grabitjet e dyqaneve, hasmëritë mbi trafikimin e femrave dhe të lëndëve
narkotike, hasmëritë mbi borxhet e pashlyera dhe humbjen e pasurisë në kazino,
etj.
Kongresi Konfirmoi se
1- Vendimet e pleqësive "gjykatave kanunore"
nuk janë kundërshtuar asnjëherë dhe palët jetojnë në paqe e vëllazëri ndërsa
vendimet e gjykatave shtetërore në të gjitha rastet kanë thelluar konfliktin e
hasmërinë mes palëve. Nga 600 000 vendime të gjykatave shtetërore palët kanë
shkuar në hasmëri e gjakmarrje duke sjellë pasoja tragjike me vrasjen e 3500
personave, vetëvrasjen e 4200 vetëve dhe kalimin në depresion të 22 000
qytetarëve. Për shkak të vendimeve të padrejta e korrupsionit në të gjitha
shkallët e prokurorive dhe gjykatave qytetarët ndjehen të terrorizuar, e
urrejnë sistemin e drejtësisë shtetërore dhe nuk kanë shpresë në përmirësimin e
tij.
Kongresi shprehu shqetësimin SE
Me gjithë punën e jashtëzakonshme të qeverisë dhe policisë së shtetit për
parandalim e krimit, edhe në vitin 2017 pati dhjetëra vrasje me origjinë
sociale, 25 prej të cilave brenda familjes e në sy të fëmijëve. Gjithashtu ka
pasur disa herë tentativa për vrasje të emigrantëve mbas depërtimit të padrejtë
nga ndonjë vend perëndimor ku kishin kërkuar azil për shkak të hasmërisë. Me 10
shkurt 2016 u vra për gjakmarrje, pak ditë mbas kthimit nga Anglia, Xhevahir
Brasha, emigrant nga rrethi i Hasit. Vrasësit kishin marrë informacion në një
kohë shumë të shkurtër që ai ishte kthyer në Shqipëri. Në vitin 2017 u vranë për hakmarrje
gjakmarrje dy ish drejtues të lartë të policisë së shtetit, Artan Cuku dhe
Ervin Dalipaj. Në muajin shtator 2016 Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla
largon familjen e tij për shkak të
rrezikut që i kanosej nga hakmarrja në Shqipëri. http://lajmifundit.al/2016/09/llalla-kercenim. Në muajin maj 2016 ish Kryeministri Sali
Berisha i bëri thirrje popullit shqiptar nga parlamenti që të armatosej sepse
familjet shqiptare janë të pasigurta dhe shteti nuk mund ti mbrojë ato. Kur
ishte kryeministër, edhe pse vrasjet ishin dy tre herë më të shumta se në vitin
2016, ai mashtronte opinionin evropian se Shqipëria është vend i sigurt për të
mos rënë në kundërshtim me kërkesat e BE-së. http://alb365.com/berisha-ne-kuvend-te-armatoset-populli-tahiri-prokuroria-ta-marre-te-pandehur. Populli shqiptar
e ka parë me respekt qëndrimin e Kryeministrit, z. Edi Rama në
takimin me kancelaren Gjrmane znj. Angjela Merkel i cili deklaroi se shqiptarët
nuk largohen nga vendi i tyre vetëm për arsye ekonomike por edhe për shkak të
pasigurisë për jetën. Megjithëse qeveria e re e Rilindjes Kombëtare dhe Policia
e Shtetit kanë arritur rezultate pozitive në përmirësimin e punës dhe kanë
bashkëpunuar me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar duke bere te mundur uljen me
50 % te numrit te vrasjeve përsëri mbeten te pazgjidhura mijëra konflikte te
cilat, në se nuk mbyllen me pajtim, shkojnë drejt hasmërive e vrasjeve. Më
problematike mbeten 7560 konflikte për shkak te plagosjeve, 9701 konflikte për
çështje nderi, 6789 konflikte për shkak të dhunës brenda familjes, 3400
konflikte për prishjen e fejesave me shkuesi, 34800 konflikte për pronën në
qytet, 98700 konflikte për tokat në fshat, 33568 konflikte për fyerje të
personit, 41890 konflikte për borxhe te pakthyera, 5260 konflikte për trafik
femrash, 980 konflikte brenda familjes për shkak të shfaqjes së prirjeve
homoseksuale, 15600 konflikte për tradhti bashkëshortore, 13789 konflikte për
lidhje të fshehta dashurie si dhe 61567 konflikte për shkak te divorcit.
Forca e Zakonit tek Shqiptarët
dhe Tradita e së Drejtës.
Shqiptarët janë populli më i lashtë i Mesdheut dhe flasin gjuhën e tyre të
vjetër shqipe që është degë më vete e familjes indo-evropiane. Ata janë
pasardhës të ilirëve me dëshmi kulturore e gjuhësore nga Ilirishtja e
Pellazgjishtja. Huazimet në gjuhë dhe kulturë janë kryesisht latine, helene,
bizantine, sllave dhe turke. Krahas veçorive etnike e gjuhësore me kodin e tyre
të lashtë etik, Kanunin, shqiptarët kanë ruajtur e kultivuar brez mbas brezi
zakonin e rregullit në komunitet, kulturën e ligjit, kanë mbrojtur lirinë dhe të drejtat e njeriut,
diversitetin kulturor e bashkëjetesën fetare duke vënë të drejtën mbi fenë dhe
ideologjinë. Si në zonat rurale edhe në ato urbane jeta shoqërore është
udhëhequr nga demokracia kanunore e bazuar në kuvendet e popullit e pleqësitë
"gjykatat kanunore" që funksionojnë deri ne ditët e sotme. Kjo
trashëgimi është një pasuri e çmueshme në mbështetje të shtetit të së drejtës
dhe vlerave të Bashkimin Evropian sepse bazohet në parimet e demokracisë, të
lirisë e të drejtave të njeriut, në lirinë e jetës, të mendimit, të fjalës, të
pronës, të besimit si dhe ne respektimin e detyrimeve dhe rregullit në
komunitet. Ndërsa politika ka sjellë vazhdimisht kriza e institucionet e
shtetit janë thelluar në korrupsion, kanuni gëzon besimin e opinionit publik.
Populli në mungesë të drejtësisë ka zgjedhur të respektojë traditën kanunore
për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e konflikteve si dhe të detyrimeve të
nevojshme në komunitet. Kanuni ka fituar terren edhe në luftën kundër krimit të
organizuar, kundër vrasjeve e akteve të terrorit më tepër se ligji dhe
drejtësia shqiptare. Kanuni ndodhet në luftë të përhershme me shkelësit e
ligjit dhe të rregullit në komunitet ashtu si dhe me aktet tragjike të vrasjeve
në shoqëri e dhunën në familje. Për të shmangur vrasjet e konfliktet sociale
populli është detyruar të kërkojë organizimet tradicionale, kuvendet kanunore,
gjyqet e pleqve, komisionet fshatçe të ndarjes së tokës e zgjidhjes së
konflikteve. Kanuni me ndikimin e tij ka ulur korrupsionin në Bashkitë dhe
Komunat tradicionale si Mirditë, Kukës, Dibër, Pukë etj. ka penguar trafikimin
e femrave dhe dhunën në familje, ka sjellë lirimin pa kushte dhe respektimin e
të drejtave të grave e fëmijëve që nëpërkëmben e ngujohen padrejtësisht nga
frika e hakmarrjes e gjakmarrjes të nxitura nga krimi i organizuar e
terrorizmi, në kundërshtim të plotë si me ligjin edhe Kanunin.
institucionet shtetërore dhe
gjykatat kanunore.
Krahas me institucionet shtetërore populli ka zgjedhur e organizuar
kuvendet dhe vendimmarrjet në komunitet duke gjetur zgjidhje afatgjata për
mbrojtjen e vlerave te përbashkëta si pyjet, ujrat, kullotat, rrugët etj.
Vendim-marrje të tilla kanë gjetur në shumë raste mbështetjen institucioneve të
shtetit, të qeverisjes lokale e qëndrore si dhe të donatorëve prestigjozë si
Banka Boterore etj. Edhe pse shumica e qytetarëve mbështesin reformimin e
sistemit të drejtësisë nuk kanë besim dhe pritshmëri për një drejtësi te mirë
shtetërore pa një bashkëpunimin korrekt me gjykatat kanunore ku ushtrohet
mendimi dhe kontrolli qytetar në çdo vendim-marrje. Edhe policia ka sugjeruar
shpesh herë zgjidhjen me mirëkuptim të konflikteve të raportuara, nëpërmjet
pleqësive në komunitet, dhe ky është një hap pozitiv i bashkëpunimit të
policisë me komunitetin per zgjidhjen paqësore të problemeve. Kjo ka sjellë si
rezultat ndalimin e ndërhyrjes me forcë të policisë gjë e cila e agravon
situatë duke e çuar atë në hasmëri e gjakderdhje të mëvonëshme. Parlamenti ka
miratuar ligjin për ndërmjetësimin e liçensuar ashtu si dhe bizneset e tjera
por fatkeqësisht ndërmjetësit e liçensuar janë refuzuar që në ditët e para për
shkak të mungesës së përvojës dhe pagesave që kërkojnë në kompromis me
avokatët. Qytetarët për çështjet e tyre më jetike kanë gjetur drejtësi e barazi
vetëm nëpërmjet pleqësive kanunore sepse vendimet e tyre si në fshat edhe në
qytet janë vullnetare, pa pagesë, të
mirë arsyetuara dhe nuk kontestohen nga palët. Kur lind nevoja, me mirëkuptim
të palëve, ato shqyrtohen sipas hierarkisë kanunore deri në Pleqësinë e Lartë
Kanunore (Gjykata e Naltë e Paqnit). Këto pleqësi (Gjykata Kanunore)
perfaqësohen nga njerëz me reputacion në shoqëri e integritet të lartë moral
dhe janë shumë më të besueshëm se gjyqtarët e shtetit. Ato janë organizuar prej
27 vitesh nën strategjinë e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar që luan rolin e
“Gjykatës së Lartë Kanunore”duke dhënë shpesh here udhëzime në nivel më
bashkohor se gjykatat shtetërore. Gjykatat kanunore kanë arsyetimin e qartë të vendim
marrjes dhe familjet e perfshira në gjykim e zbatojnë atë me korrektesë.
Objekti i gjykimit në këto gjykata ka qenë mjaft i gjërë, që nga konflikte të
thjeshta deri tek vrasjet duke e lënë pergjegjësinë e krimit mbi fajtorin që të
ndiqet nga shteti dhe palët të pajtohen. Këta “gjyqtarë” janë vazhdimisht të
kërkuar nga qytetarët jo vetem për konfliktet e sotme por edhe ato të
trashëguara që nga koha e Mbretit Zog apo e sistemit komunist. Edhe në
periudhën e sundimit të Mbretit Zog e të sistemit komunist janë aplikuar zgjidhjet kanunore në
shërbim të paqes e shuarjes se konlikteve. Procedurat e shqyrtimit e dhënies së
vendimeve në këto gjykata kanunore janë kryesisht pa protokolle sepse rrëfimet
dhe fjala e dhënë është shumë e rëndësishme në këto vendime. Mbajtja e
procesverbaleve siç është praktika e vendim-marrjeve të gjykatave shtetërore
konsiderohet e pa nevojshme dhe e dyshimtë. Shqyrtime bëhen duke dëgjuar palët.
Këto vendime mund të jenë shembull për gjykatat shtetërore pavarësisht se nuk
kanë protokolle për administrim provash por bazohen mbi dëshmitë e
drejtpërdrejta të palëve, terrenin e ngjarjeve, dialogun e garancinë për
respektimin e vendim-marrjes. Në ndonjë rast ka pasur evoluime të praktikave
sipas kohës e duke i përshtatur ato me termat dhe praktikën shtetërore si kërkesë
për gjykim e pleqnim, seancë dëgjimi paraprak,
akt-marrëveshje kanunore e palëve etj. Mediat të lidhura ngushtë
me nevojat e mbijetesës dhe të konkurrencës nuk kanë mundur asnjëherë ta
pasqyrojnë realitetin e kësaj situate.
Keqinterpretimi i Kanunit
Krimet ndaj jetës e pronës, vrasjet barbare e dhuna në familje, ngujimi i
grave e fëmijëve gjate tranzicionit post komunist nuk i përkasin kanunit siç
keqinterpretohet shpesh herë nga grupe e individë të pa informuar, ose nga
struktura të errëta të krimit të organizuar e terrorizmit. Ato janë atentati më
i rëndë ndaj traditës dhe kulturës shqiptare. Me futjen në kodin penal të
termit gjakmarrje parlamenti ka institucionalizuar fenomenin në kundërshtim të
plotë si me ligjin edhe me kanunin sepse vrasjet e periudhës së tranzicionit
janë krejtësisht vrasje në një shoqëri në depresion, jashtë procedurës,
hierarkisë e natyrë së gjakmarrjes. Në anën tjetër miratimi i ligjit që
përcakton dënimin me 25 vjet deri në burgim të përjetshëm të aktit të
gjakmarrjes kur vrasësit e parë që e shkaktojnë atë janë të lirë ose dënohen më
pak, kanë nxitur hakmarrjen në mënyrë të fshehtë dhe me pagesë.
Faktorët që mbajnë prezent
kanunin
Kanuni i ka rrënjët në strukturën e hershme të shoqërisë shqiptare dhe në
një tërësi të ndërlikuar vlerash, traditash, zakonesh dhe besimesh që lidhen me
të në kohë të ndryshme. Rikthimi i Kanunit ndodhi për shkak të disa faktorëve:
Faktori social e kulturor: Shqiptarët, edhe
pse përshtaten me ndryshimet në kohë, ruajnë traditën në jetën shoqërore dhe
familjare, në praktikat fetare e marrëdhëniet ndëretnike, në ritet mortore e
festat komunitare, në marrëdhëniet në komunitetet krahinore e në lidhjet
fisnore, në martesat e marrëdhëniet në çift, në lidhjet prindër - fëmijë
etj. Këto tradita te cilat edhe pse janë
tronditur nga ndryshimet dhe presionet e ndryshme të kohës prapë shfaqen në
kulturën e praktikat e përditshme të jetesës brenda dhe jashtë familjes.
Shqiptarët u futën dhe dolën nga sistemi komunist pa përvojën e fenomeneve si
korrupsioni, droga, prostitucioni, trafikimi i grave e vajzave, bixhozi,
braktisja e fëmijëve, rrëmbimi i pronave, vrasjet, vetëvrasjet etj. Shteti
shfaqet i pafuqishëm në luftën kundër këtyre fenomeneve rrënuese ndërsa Kanuni
është përballur me sukses me to sepse ka gjetur mbështetjen e qytetarëve dhe
mbron vlerat e shoqërisë dhe të shtetit të së drejtës.
Faktori politik: Me rënien e
komunizmit pati një ç’organizim të skajshëm të shoqërisë shqiptare e cila nuk u
orientua nga ligji dhe shteti i së drejtës por nga lëvizjet kaotike që
tronditën jetën sociale, përhapën krimin, korrupsionin dhe vetëgjyqësinë. Për
të shmangur vetëgjyqësinë e mbrojtur jetën e qytetarëve si dhe rregullat
paqësore në komunitet u thirr për veprim Kanuni me kuvendet dhe pleqësitë e
tij. Ato u organizuan në mënyrë të natyrshme si në fshatra edhe në qytete.
Degjenerimi i institucioneve të shtetit dhe i sistemit të drejtësisë nën
kontrollin e partive politike të kthyera në pronë familjare e liderit dhe një grupi
biznesmenësh rreth tyre ka rrënuar besimin e qytetarëve për shtetin e së
drejtës, ka krijuar diferencën e madhe midis popullit që është në kufijtë
ekstremë të varfërisë dhe një grupi të pasurish që kanë në duar monopolin mbi
politikën, mbi shtetin, mbi tregun dhe pasuritë natyrore të vendit. 60 % e
popullsisë nuk shkon në votime sepse kanë bindjen se shteti dhe partitë
politike nuk u përkasin atyre por janë pronë e liderëve dhe familjeve të tyre
që pasurohen në kurriz të taksave të publikut dhe korrupsionit. Përballë kësaj
gjendje qytetarët kanë qenë të detyruar të sjellin në mendje modelin më të mirë
për demokracinë, për një jetë normale me rregull e drejtësi, duke iu referuar
Kanunit.
Kanuni dhe Ligji 7501 për tokën
Në vitin 1991 parlamenti miratoi ligjin 7501 mbi tokën duke përjashtuar nga
e drejta e pronësisë pjesëtarët e familjes që banonin në qytet. Kanuni përballë
kësaj shkelje të së drejtës themelore të njeriut hyri menjëherë në lojë duke
imponuar ndarjen e drejtë të tokave dhe eliminuar konfliktet e vrasjet që
nxiteshin nga zbatimi i këtij ligji. 70 % e familjeve në veri e në jug të
Shqipërisë pranuan ndarjen sipas Kanunit me vendime të pleqësive,
"gjykatave kanunore". Me vendimet e gjykatave kanunore familjet në fshat
vendosën tua lënë pjesën e trashëgimisë anëtarëve të familjes që ishin në
qytet. Këtij gjykimi kanunor iu nënshtruan edhe komisionet e shtetit si në jug
edhe veri duke u dhënë tokë pjesëtarëve të familjeve në qytet nëpërmjet një
çertifikate të lëshuar nga gjendja civile ku paraqitej në mënyre fiktive prania
e tyre si banues ne fshat edhe pse ishin banorë në qytet. Kjo gjë u përshëndet
nga dy partitë kryesore politike dhe deputetët e tyre që nuk kanë qenë
asnjëherë të aftë të bëjnë ligje të drejta. Me ligjin 7501 mbi tokën u hodh
hapi i parë drejt gjithë pranimit të zgjidhjeve kanunore dhe formimit te
pleqësive (gjykatave kanunore). Përveç ndarjes së tokës, pleqësitë “gjyqet
kanunore” kane vepruar lirshëm për shume aspekte te tjera të jetës shoqërore. Këto
zgjidhje kanunore kane eliminuar konfliktet dhe hasmëritë që thellohen nga
vendimet e gjykatave shtetërore. 60 % e
qytetareve nuk i dërgojnë çështjet konfliktuale në gjykatën shtetërore sepse jo
vetëm nuk gjejnë drejtësi por duhet të paguajnë shuma të pa përballueshme që të
shpëtojnë nga kthetrat e padrejtësisë.
27 vjet Komitet i pajtimit
Mbarëkombëtar:
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar u krijua në vjeshtë të vitit 1990 nga një
grup intelektualësh të shquar me qëllim parandalimin e konflikteve dhe përplasjeve
midis grupimeve sociale gjatë rënies së sistemit komunist dhe ndryshimeve
politike në vend. Komiteti u bë prezent për opinionin publik në takimin e
themeluesve me ish Presidentin e Republikës, z. Ramiz Alia. Nga viti në vit
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar u bë një faktor shumë i rëndësishëm për paqen
e stabilitetin në jetën sociale të vendit. Komiteti e ka përqendruar punën e
tij vullnetare në zgjidhjen e konflikteve dhe pajtimin e mijëra familjeve në
hasmëri duke promovuar kulturën e ligjit e traditën pozitive në mbështetje të
shtëtit të së drejtës. Komiteti krijoi grupet e punës në çdo fshat të përbëra
nga misionarët më me reputacion të cilët vazhdojnë të kryejnë rolin e pleqësive
(gjykatave kanunore) dhe bordet e tyre drejtuese (pleqësitë e apelit në rrethe). Komiteti ka krijuar përvojën e
tij në parandalimin e konflikteve midis grupimeve sociale e politike,
veçanërisht në ngjarjet e vitit 1997, kur misionarët e tij bënë të mundur të
bindnin familjet në veri të vendit për të mos iu përgjigjur thirrjes së
qeverisë për të dërguar djemtë në luftë kundër protestuesve në jug. Në ato
ngjarje Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar u bë një ndër faktorët kryesorë për
të shmangur luftën civile. Populli në Jug të
Shqipërisë, që ishte përfshirë në trazirat me armë, zgjodhi
Koordinatorin e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, Z. Pasho Uruçi, në krye të
Komitetit të Shpëtimit Publik për të udhëhequr në mënyrë paqësore protestat që
po degradonin në dhunë kundër institucioneve të shtetit, dyqaneve e banesave familjare.
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar me misionarët e tij dhe grupet e
pleqësisë vazhdon të udhëheqë procesin e pajtimit në të gjithë territorin e
vendit, në 2800 fshatra e 60 Bashki, sipas traditës pa asnjë mbështetje
financiare nga donatorët, nga shteti apo bizneset. Komiteti punon sipas
programit dhe strategjisë së miratuar në 6 kongreset e misionarëve të pajtimit për promovimin e
kulturës së ligjit dhe mbështetjen e shtetit të së drejtës. Komiteti ka
orientuar grupet e punës dhe pleqësitë kanunore që të bëjnë pajtimin e palëve
në konflikte e hasmëri duke lënë përgjegjësinë mbi fajtorin që të ndiqet
penalisht nga shteti si dhe lirimin e familjeve të ngujuara. Grupet e pleqësisë
(gjykatat kanunore), të themeluara nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar gjatë
27 viteve të tranzicionit post komunist, kanë zgjidhur dy herë më shumë çështje
konfliktesh e hasmërishë se gjykatat shtetërore.
Ekspeditat e pajtimit
Kongresi vlerësoi lart punën e ekspeditave të misionarëve të pajtimit dhe
miratoi raportin 2 vjeçar të ekspeditës së pajtimit për vitin 2015 – 2016,
publikuar në: www.pajtimi.com. Kongresi
falënderoi grupet e ekspeditës së komitetit të pajtimit mbarëkombëtar që e përqendruan
punën vullnetare në jug të Shqipërisë në 61 njësitë lokale ku shtrihet
gazsjellësi i Adriatikut sipas angazhimit të Komitetit të Pajtimit
Mbarëkombëtar në takimin me zyrtarët e qeverisë shqiptare dhe të ekipit të TAP
të përfaqësuar nga z. Vugar Veysalov. Bashkëpunimi i strukturave të pushtetit
vendor dhe të policisë së shtetit në këto zona me grupet e Komitetit të
Pajtimit Mbarëkombëtar si dhe qëndrimi korrekt i drejtuesve të projektit TAP
për të respektuar të drejtën e pronësisë ka eliminuar çdo përplasje që pengon
ecurinë e punës së këtij projekti.
Krahas punës me zonën e gazsjellësit ekspeditat e pajtimit kanë zhvilluar
aktivitete në çdo rreth për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në fushatat zgjedhore e në votime
pa konflikte e përplasje sociale. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme e
Policinë e Shtetit Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar bëri të mundur që edhe
familjet në hasmëri të merrnin pjesë në votime në çdo moment që kërkuan, duke i
shoqëruar ato.
Kongresi Konstatoi SE:
1- Gjykatat dhe
Prokuroria Shqiptare kanë vlerësuar dhe lënë në fuqi Rekomandimin e Qeverisë
Shqiptare, nr: 1716, dt 29/9 2009, MPÇSSHB, që u kërkon institucioneve vendore
e ndërkombëtare ti referohen Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për
verifikimin e çështjeve të hasmërive me qëllim eliminimin e të dhënave fiktive
dhe abuzimeve. Bazuar në këtë rekomandim, prokuroritë dhe gjykatat kanë dënuar
të gjithë përfaqësuesit e shtetit dhe të OJQ- ve që kanë lëshuar vërtetime
hasmërie pa e arkivuar çështjen për
shqyrtim e ndjekje në Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar.
2- Në gjykatat administrative e ato
penale ndodhen 340 mije dosje me konflikte te mprehta. Ne 40 % te këtyre
konflikteve palët janë tërhequr për ta zgjidhur çështjen me vetëgjyqësi sepse
nuk kane besim tek drejtësia. Për shmangien e vetëgjyqësisë dhe zgjidhjen e
këtyre konflikteve janë angazhuar misionarët e pajtimit nga Komiteti i Pajtimit
Mbarëkombëtar si institucioni i vetëm i zgjidhjes me drejtësi i besuar nga
populli dhe Qeveria Shqiptare.
Përballja me Krimin e Organizuar
Kongresi dënoi veprimtarinë e individëve të inkriminuar që në kundërshtim
me interesin e familjeve në hasmëri kanë krijuar “misione” e “shoqata” të rreme
nën emra tërheqës si :”Komiteti i Pajtimit të Gjaqeve”, “Misioni i Pajtimit
Nënë Tereza”, “Instituti Shtëpia e Drejtësisë e Pajtimit Kombëtar”, “Misioni
Kombëtar i Pajtimit të Gjaqeve”, “Mësues për Fëmijët e Ngujuar”, “Lidhja e
Misionareve të Pajtimit e të Paqes”, “Misioni Mbarëkombëtar i Pajtimit e Paqes”
etj, me qëllim përfitimi të fondeve në emër te familjeve në gjakmarrje. 76
milion euro nga donatorët e huaj e bizneset vendase janë marrë nga këto OJF të
rreme që kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Avokatin e Popullit, por
asnjë qindarke nuk ka shkuar tek familjet e ngujuara nga gjakmarrja. Avokati i
Popullit i ka nënshkruar këto "memorandume bashkëpunimi" pa dijeninë
e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar. Kongresi
konstaton me keqardhje se disa avokatë, zyra emigracioni e gjykata ne vendet
perëndimore u kërkojnë familjeve qe emigrojnë për shkak të gjakmarrjes të
marrin vërtetime nga këto pseudo misione që ndodhen ne listën e bashkëpunimit
me avokatin e popullit duke favorizuar kështu krimin e organizuar të mashtrimit
dhe falsifikimeve. Rekomandimi i Qeverisë Shqiptare me nr. 1716, dt 29/9
2009 – MPÇSSHB, është lëshuar sipas ligjit nr: 8465 dt. 11.3.1999 dhe ligjit
Nr. 8788, datë 7.05.2001, vendimit nr:
3190 dhe 3190/1 që përcaktojnë qartë rolin e Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
si forum kryesor që udhëheq strategjinë e pajtimit në shkallë kombëtare,
arkivon e ndjek çështjet e familjeve në hasmëri. Rekomandimi u kërkon
institucioneve vendore e ndërkombëtare që ti referohen Komitetit të Pajtimit
Mbarëkombëtar për verifikimin e çështjeve të hasmërive me qëllim eliminimin e
të dhënave fiktive dhe abuzimeve. Ministria e Punëve të jashtme të republikës
së Shqipërisë, raportet e departamentit te shtetit te SHBA-se, të OKB-së, e
organizatave të tjera ndërkombëtare i referohen Komitetit të Pajtimit
Mbarëkombëtar për të dhënat mbi familjet në gjakmarrje sepse vetëm ky komitet
ka potencialin dhe aftësitë organizative e profesionale për të ndjekur me
përparësi rastet e gjakmarrjes si në territorin e Shqipërisë ashtu dhe në
Kosovë, Malin e Zi e Maqedoni. Asnjë institucion, organizatë apo individ nuk e
ka ekspertizën, kapacitetin dhe eksperiencën e Komitetit te Pajtimit
Mbarëkombëtar në procesin e pajtimit, të ndërmjetësimit e të zgjidhjes së
konflikteve për parandalimin e gjakmarrjes.
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar është mbështetur nga Gjykatat Shqiptare
dhe Prokuroria në të gjithë veprimtarinë e tij si dhe në luftën kundër
strukturave të errëta e krimit të organizuar. Me kërkesë të kryetarit të
Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, z. Gjin Marku, gjykatat dhe prokuroria
kanë shqyrtuar me vëmendje dhe me ekspertizë të plotë kallëzimet e rreme e
shpifjet që kishin për qëllim prishjen e imazhit të Komitetit të Pajtimit
Mbarëkombëtar dhe kryetarit të tij si dhe pengimin e procesit të pajtimit. Nga
analiza dhe shqyrtimi i këtyre i kallëzimeve të rreme, gjykatat dhe prokuroria
kanë konkluduar se ato janë produkt i krimit të organizuar dhe se kryetari i Komitetit të Pajtimit
Mbarëkombëtar është i vetmi person kompetent, i autorizuar dhe i besuar nga
shteti shqiptar për dhënien e opinioneve (vërtetime, ekspertiza, letër
konfirmime etj) mbi çështjet e hasmërive dhe gjakmarrjen. Qeveria e re e dalë
nga zgjedhjet e vitit 2013 vendosi menjëherë nëpërmjet zyrës së Kryeministrit
kontaktet e bashkëpunimit me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar dhe largoi nga
detyra duke i dërguar për ndjekje penale oficerët e policisë qe u implikuan ne
kallëzime te rreme ndaj Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar e kryetarit të tij,
si Agron Kuliçaj, ish Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Arjan
Hoxha, ish shef i sektorit kundër krimit ekonomik ne Policinë e Tiranes, Oltion
Demiraj, ish oficer policie ne drejtorinë e policisë Tirane, Agim Loci ish
oficer i policisë së burgjeve, i pa arsimuar, me një dipllomë false etj.
Komiteti konstatoi se këto kallëzime të rreme e shpifje janë bërë disa herë
reference e dëmshme e disa gjykatave perëndimore për refuzimin e azilit e
depërtimin e disa qytetarëve shqiptarë të rrezikuar nga gjakmarrja në Shqipëri.
Në të gjitha rastet e këtyre refuzimeve familjet që janë kthyer në Shqipëri
janë përballur me atentatet e vrasjen për hakmarrje e gjakmarrje. Ankimet e
familjeve për pasojat që kanë pasur, nga këto kallëzime të rreme në media e
internet kundër Komitetit te Pajtimit Mbarëkombëtar, i kane shkuar prokurorisë
dhe institucioneve te shtetit nga Melita Ziza, nëna e të ndjerit Saimir Ziza që
u vra brenda oborrit të shtëpisë tre muaj mbas depërtimit në Shqipëri, si dhe
nga Gjon Mhilli, ndaj te cilit u kryen disa atentate mbas kthimit ne Shqipëri.
Gjon Mhilli i ka kërkuar prokurorisë qe Niko Kuri- Ervion Cara të ndiqet
penalisht për mashtrime e nxitjen e vrasjes së bashku me ish oficerin e
policisë së burgjeve të ashtuquajturin Agim Loci, bashkëpunëtor në mashtrimet
ndaj familjeve ne gjakmarrje i cili nxirrte edhe vajzën e tij në internet si
përfaqësuese e fëmijëve të ngujuar për të tërhequr fonde. Për këto mashtrime ne
polici dhe nxitjen e vrasjeve për gjakmarrje nga Niko Kuri e Agim Loci janë
bërë denoncime në polici e prokurori nga Manushaqe Haxhia, Llesh Prenga,
Leonora Prroni, Vale Gazidede etj. Edhe
babai i vjedhesit Ervion Cara - Niko Kuri i eshte drejtuar me kërkese te
posaçme Kryeministrit, Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrit të Brendshëm dhe
Drejtorisë së Policisë ku thuhet se:
“... Ne vitin 2012, struktura të terrorizmit e krimit te organizuar
në policinë e shtetit iniciuan veprimtarinë kriminale të djalit tim Ervion Cara
(i njohur zyrtarisht si Niko Kuri) për vjedhjen e kamerës e videove të punës me
pajtimet. Keto video në mënyrë të paligjshme jane shfaqur në internet me fjale
fyese poshtërimi për misionarët e drejtuesit e pajtimit. Kam bere thirrje
djalit të ndërrojë rrugë e të kthehet në shtëpi por ka ndërprerë çdo lidhje me
prindërit e tij... dhe i kërkoj policisë të dënoje oficerët e policisë që e
kanë mbështetur e inkurajuar veprimtarinë e tij kriminale si dhe të atyre që
kanë dashur ta trafikojnë atë për të fshehur gjurmët e krimit".
Kongresi shprehu indinjatën për bashkëpunimin e këtyre elementëve të
inkriminuar në montazhin e rremë të emisionit Fix Fare dhe në falsifikimin e
çështjes së familjes Skeja e cila ishte në gjakmarrje të shumëfishtë. Ata
kishin organizuar vjedhjen e kamerës dhe
videove të punës së Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për ti deformuar e shfaqur në internet me montazhe
të rreme e shpifje ndaj Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar. Prokuroria dhe
gjykatat kane verifikuar se montazhet e publikuara ne media e internet bëheshin
nga bashkëpunëtori i këtij grupi, autori i vjedhjeve të kamerës dhe videove të
punës së komitetit i quajtur Ervion Cara-Niko Kuri. Ky individ i larguar nga
shtëpia që në moshën 14 vjeç është vjedhës që endet rrugëve duke mashtruar se
jam gazetar investigativ. Edhe pse kërkohet nga policia e gjykata ai fshihet.
Në bashkëpunim me Adelajda Xhamani, e njohur mbas divorcit të saj për skenat
erotike në sytë e qytetarëve, u angazhuan në kontakte provokuese ndaj
përfaqësuesve të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe misionarëve të
pajtimit dhe kërkonin para duke deklaruar se kemi video për ju, ... prandaj
është mirë të hidheni (të paguani) me qëllim që ti fshijmë ato. Mbasi
përgatitën një intervistë të rreme me vjedhësin Niko kuri -Ervion Cara,
Adelajda Xhamani telefonon Kryetarin e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe
Nënkryetarin e tij, z. Preng Cara duke kërkuar që të takohen me kryeredaktorin
se vetëm ai mund ta pengojë botimin e kësaj interviste. Niko Kuri - Ervion Cara
ishte në konflikt me babain e tij për shkak se i ati e pengonte të merrte në
shtëpi vajza minorene 10 vjeçare që endeshin rrugëve. Kryetari i Komitetit z.
Gjin Marku si dhe z. Preng Cara refuzuan takimin me kryeredaktorin duke i
quajtur këto veprime të papranueshme. Me sugjerimin e misionarëve të pajtimit
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar bëri një kërkesë me shkrim për takim me
pronarin e gazetës që kishte botuar këtë intervistë të rreme duke i treguar
tendencën e gjobë vënies ndaj anëtarëve të komitetit. Dy ditë mbas kërkesës
media njoftoi vdekjen e Adelajda Xhamani nga një attak kardiak. Komiteti i
Pajtimit Mbarëkombëtar shprehu shqetësimin për këtë rast dhe ka kërkuar takim
me pronarin e kësaj gazete për tu sqaruar se në sa persona qarkulloi letra e
komitetit e cila ishte kofidenciale vetëm për pronarin, por takimi është
zvarritur krejtësisht pa kuptim. Asambleja kombëtare e misionarëve të pajtimit
shpreh bindjen se ky grupim individësh të inkriminuar kundër Komitetit të
Pajtimit Mbarëkombëtar kanë mbështetjen e grupeve radikale ekstremiste që kanë
sulmuar me shpifje e trillime figurën e nënë Terezës e misionin e saj deri në
ditën e lumturimit. Ato janë kundër kulturës së pajtimit dhe punojnë për
përhapjen e kulturës së terrorizmit në territoret shqiptare.
Mbështetja e Strategjisë së
Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar.
Me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, të organizatave vendore e
ndërkombëtare Komiteti i Pajtimit Mbarekombetar do promovojë "Dhomën e
Gjykates se Larte Kanunore" me qëllim dhënien e kontributeve për ligjet,
drejtësinë e institucionin e ndërmjetësimit. Dhoma e "Gjykatës së Lartë
Kanunore" do jetë vullnetare ashtu si grupet e pleqësive që punojnë në procesin
e zgjidhjes së konflikteve me pajtim. Kjo gjykatë do kontribuoje me sugjerime e
praktika të gjithë pranuara. Një shembull inkurajues për punën e Komitetit në
këto organizime të dobishme është iniciativa e qeverisë shqiptare për reformën
në drejtësi. Nxjerrja para Kuvendit të Shqipërisë i modelit pozitiv te odave të
pleqësive kanunore nga Kryeministri Shqiptar është një tregues i çmueshëm i
ndryshimeve që po ndodhin në politikë për një qeverisje me vizione euro
atlantike. Kjo është tregues i qartë i
mbështetjes që qeveria shqiptare i ka bërë dhe vazhdon ti bëjë strategjisë se
Komitetit te Pajtimit Mbarëkombëtar për aplikimin e traditës në mbështetje të
shtetit të së drejtës. Një inkurajim tjetër i rëndësishëm i punës dhe
përpjekjeve të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar mbetet mesazhi i
Departamentit te Shtetit Amerikan dhënë nëpërmjet ambasadorit James Jeffrey në
vitin 2006 i cili deklaroi se strategjia e Komitetit te Pajtimit Mbarëkombëtar
për aplikimin e traditës në mbështetje te shtetit të së drejtës do ketë
gjithmonë mbështetjen e departamentit te shtetit te SHBA-se. Promovimi i kësaj
strategjie bëhet akoma më i nevojshëm kur në gjykatat shtetërore jepen vendime
te pa arsyetuara që kanë sjellë pasoja të rënda në shoqërinë shqiptare. Dhoma e
"Gjykatës së Lartë Kanunore" është e domosdoshme për mbështetjen
afatgjatë të reformës në drejtësi. Për rëndësinë e madhe dhe vlerat historike
që ka, promovimi i "Gjykatës së Lartë Kanunore" do të bëhet në vendin
ku ajo ka pasur themelin e saj, në kryeqendrën e Arbërisë, në Gëziq, Mirditë,
pranë selisë së "Mbretit
ProgoN" dhe të pasuesve të tij, princërve: Gjini, Dhimitri,
Kolanjan Blinishti, Lek Dukagjini etj.. Pikërisht para kësaj selie ndodhet edhe
sheshi i Kuvendit të Përhershëm Arbëror në të cilin merrnin pjesë edhe
përfaqësuesit e 15 katedraleve kryesore të Mbretërisë së Arbërisë. Rrënojat e
godinës së Gjykatës së Lartë Kanunore i ka vizituar disa herë edhe At
Shtjefën Gjeçovi, autor i kanunit të Lek
Dukagjinit. Angazhimi i Muzeut Historik Kombëtar për bashkëpunimin me Komitetin
e Pajtimit Mbarëkombëtar mbi kulturën e ligjit e shtet formimit tek Shqiptarët
dhe botimin e Kanunit të Origjinës do të jetë një kontribut shumë i madh i
Qeverisë Shqiptare për kulturën tonë kombëtare, drejtësinë shqiptare, Kuvendin
e Shqipërisë dhe Gjykatën Evropiane të
Drejtave të Njeriut e cila ka ruajtur lidhje të vazhdueshme me Komitetin e
Pajtimit Mbarëkombëtar për vendim-marrjet e saj në interes të qytetarëve të
Shqipërisë. "Gjykata e Lartë Kanunore" do jetë kurdoherë në ndihmë të
Kuvendit të Shqipërisë, të drejtësisë shqiptare dhe Gjykatës Evropiane të
Drejtave të Njeriut.
ORIENTIMi:
Shqiptarët duhet të integrohen në familjen europiane me
kontribute historike dhe aktuale për demokracinë dhe shtetin e se drejtes.
Tradita pozitive mund të aplikohet në mbështetje të shtetit të së drejtës.
Zakonet e mira për respektimin e rregullave në shoqëri mund të reflektohen në
pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të qytetareve në vendimmarrjet publike
bashkëkohore, dialogun mbi ligjet dhe reformat, forcimin e kërkesës qytetare
për demokracinë dhe respektimin e ligjit.
Ligji mbështet procesin e pajtimit dhe zgjidhjen e
konflikteve me ndërmjetësim prandaj vendim-marrjet ne komunitet apo ne gjykatat
kanunore duhet të jenë në mbështetje të kushtetutës, të ndihmojnë respektimin e
ligjit dhe sistemin shtetëror të drejtësisë duke sugjeruar zgjidhje, praktika e
modele me vlera për shtetin e së drejtës. Strukturat e shoqërisë civile
kontribuojnë për fuqizimin e demokracisë e te institucioneve të Shtetit te se
Drejtes pavaresisht se ligji 8788 dt. 7. 5. 2001, mbi OJF-te, neni 6, shprehet
se OJF-të e ushtrojne veprimtarinë e
tyre jashtë e në mënyrë te pavarur nga organet e interesat shtetërore.
Interpretimi i drejtë i Kanunit është detyrë parësore e
përfaqësuesve të komunitetit, shoqërisë civile dhe medias për parandalimin e
vetë gjyqësisë dhe shkeljeve të ligjit. Dhoma e “Gjykatës së Lartë Kanunore” të
japë kontribute e sugjerime për zgjidhje ligjore të pranueshme të çështjes së
pronësisë mbi tokën dhe të drejtës mbi pasuritë e tjera të cënuara gjatë
tranzicionit duke kontribuar sipas standarteve perëndimore dhe kartave
ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Gjykata e Larte Kanunore” te japë sugjerime në çdo rast
që shihet e nevojshme mbi reformimin e kodit penal dhe atij civil në përputhje
me kartat botërore e europiane të të drejtave të njeriut si dhe Kushtetutën e
Shqipërisë, në mbrojtje të jetës, të
familjes dhe dinjitetit të personit.
Institucionet e Shtetit Shqiptar të kontribuojnë për
sqarimin e opinionit publik mbi kanunin dhe deformimet e tij. Shteti shqiptar
të mbështesë procesin e pajtimit të familjeve në hasmëri si dhe lirimin pa
kushte të grave dhe fëmijëve të ngujuar, sipas përvojës dhe strategjisë së
krijuar nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar që bëri të mundur nxjerrjen nga
ngujimi të mbi 900 fëmijëve në një periudhë 5 vjeçare 2013-2017.
Miratuar në Kongresin e 6 të Misionarëve të Pajtimit dhe
nga anëtarësia e misionarëve të pajtimit në rrethe si dhe Asambleja Kombëtare.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit
Mahmut Coka.
Sekretari i Përgjithsëm i Asamblesë Kombëtare
Sali Gera