| E merkure, 01.01.2020, 12:31 PM |
DOLI NUMRI I RI KATËRMBËDHJETË I REVISTËS MALËSIA
Doli nga botimi numri 14 i revistës për kulturë, shkencë
dhe çështje shoqërore Malësia, në Podgoricë, Mali i Zi, i cili në mënyrë
tematike i kushtohet poetit tonë
kombëtar, At Gjergj Fishtës, me rastin e 148–vjetorit të lindjes së tij. Në
këtë numër kanë bashkëpunuar autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut,
Mali i Zi dhe Brukseli, sikurse janë: Nikë Gashaj “Hyrja”; Prof. Dr. Zef
Mirdita ”Atë Gjergj Fishta, kolos i mendimit dhe i letërsisë shqipe”; Prof. Dr.
Lush Culaj ”Gjergj Fishta dhe çështja kombëtare”; Prof. Dr. Vebi Bexheti “
Lidhja e Prizrenit dhe Kongresi i Berlinit në veprën ”Lahuta e Malcís” të
Gjergj Fishtës”; Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi “Fishta- personalitet profetik i
kulturës shqiptare”; Prof. Xhelal Zejneli “Homeri shqiptar-Gjergj Fishta”; Prof.
Dr. Alfred Çapaliku “Dy poezi të Gjergj
Fishtës për Anton Xanonin”; Prof. Dr.Anton Nikë Berisha“Gomari – Viska i
Babatasit”, kryevepra satirike e Fishtës”; Prof. Dr. Artan Haxhi”Persiatje mbi
prozën e Fishtës”; Prof. as. Dr. Orjeta Baja “Stilema të nivelit sintaksor në
veprat epike të Atë Gjergj Fishtës”; Prof. as. Dr. Kolë Tahiri ”Popullariteti i
“Lahutës së Malësisë” në trojet shqiptare gjatë periudhës së monizmit komunist”;
Don Viktor Sopi“At Gjergj Fishta, ushqyes dhe pastrues i kulturës shqiptare”; Dr.
sc. Ismail Doda “Figura e Oso Kukës në “Lahutën e Malcís” të At Gjergj Fishtës”;
Ndue Ukaj ” Martin Camaj për poezinë fishtjane”; recensione: Prof. Dr. Zymer
Ujkan Neziri ”Roli i eposit heroik
shqiptar në krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës”(Dr. Jakup Sahiti, Roli i
letërsisë popullore në krijimtarinë letrare të Gjerg Fishtës, Instituti
Albanologjik i Prishtinës, 2009, 485f.); Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri “Eposi
heroik shqiptar i Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë
sllavojugorë”(Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të
shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, “Onrufi”, Tiranë, 2007, 244 f.); Thënie për Gjergj Fishtën: Dhurata Myrtollari .
Sikurse e kemi cekur më lartë, motivimi i drejtpërdrejtë i
kushtimit tematik të revistës Malësia, është 148-vjetori i lindjes së Fishtës, mirëpo arsyet pse një numër të
veçantë të revistës sonë po ia kushtojmë këtij shkrimtari, studiuesi dhe
patrioti kombëtar janë më të mëdha, ndërmjet të tjerash, në veçanti po i
nënvizojmë:
Së pari, motivimi i nxitjes së botimit është studimi më i
thelluar i jetës dhe veprës së Fishtës, i cili në periudhën e sistemit
komunist, për arsye politike dhe ideologjike, u ndalua më se dyzet vjet nga
mësimi në shkolla e në universitete, si dhe nga botimi dhe studimi në trojet
shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e Luginë e Preshevës. Kjo
ndalesë bëri që disa gjenerata të mos kishin mundësi ta njohin këtë figurë të madhe të kulturës shqiptare.
Së dyti, ka të bëjë me vlerën e madhe artistike të
veprimtarisë letrare të Gjergj Fishtës e, në veçanti, të kryeveprës “Lahuta e
Malcís”. Gati e tërë lënda me të cilën Fishta ndërtoi këtë vepër, është
nxjerrur nga jeta e pasuria shpirtërore e popullit shqiptar (Martin Camaj). Kot mundohen Grekët e
sotëm – thonte Faik Konica – të
gjejnë në letërsin e vet një vepër më të plotësueme se “Lahutën”.
Së treti, kontributi jashtëzakonisht i madh i Gjergj
Fishtës si kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në
Kongresin e Manastirit (Bitoli i sotëm- Maqedonia e Veriut), më 1908.
Së katërti, rëndësia e madhe e tij si sekretar i
përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, më 1919
-1920.
Së pesti, në zgjedhjet e qershorit të vitit 1921, Gjergj
Fishta zgjedhet deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë.
Prandaj, është me rëndësi angazhimi i tij politik për përfaqësimin dhe
artikulimin me dinjitet të interesave të popullit dhe të shtetit shqiptar.
Së gjashti, merita e madhe e Fishtës, për mbrojtjen
cilësore të interesave të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes së drejtave
njerëzore të vëllezëve shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, si pjesëtar i
delegacionit shqiptar në konferencat ballkanike:1930 në Athinë,1931 në
Stamboll, 1932 në Bukuresht dhe më 1933 në Selanik.
Së shtati, kontributi i madh i Fishtës si bashkë
themelues dhe antar i Shoqërisë letrare
“Bashkimi”, në Shkodër, më 1899, qëllimi i së cilës ishte zgjimi kombëtar i
popullit me anë botimesh në gjuhën amtare.
Së teti, Fishta u emrua në vitin 1902 drejtor i Gjimnazit Françeskan në Shkodër, i cili qysh prej themelimit
të tij në vitin 1861 drejtohej nga të huajt. Me ardhjen për drejtor, Fishta në
shkollë bëri shtiemen e gjuhës shqipe si
gjuhë mësimi. Pra, zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë
në shkollë. Nën drejtimin e tij shkolla mori një hov të ri. Shkolla e P.
Gjergjit – kështu e quajshin shkodranët. Ajo u bë qendra e atdhetarvet, ku në
mbrëmje mbledhshin djelmoshat e qytetit për të marrë këshilla e mësime nga goja
e Mjeshtrit t’idesë kombëtare Gjergj Fishtës. Pranë kësaj shkollë Fishta formoi
dhe një grup amatorësh Teatri, e me këta çfaqi herë mbas here copa të ndryshme,
të përpiluara prej tij, në Salonin e vogël t’oborrit të Shkodrës, të cilin ai
vetë, me shijen e vetë të pashoqe, e ndreqte, e mirsonte, e pikturonte – mbasi
duhet dijtë- se ishte edhe një piktor i mirë. Kështu pra populli i Shkodrës
pati fatin të kishte në gji të vet, qysh prej vitit 1907, një teatër – mund t’a
quajmë - kombëtar.
Këto çfaqje, gjithmonë me subjekt shqiptar, ngjallën një
entuziazëm në zemrat e të gjithëve dhe emeri i P. Gjergjit u bë ylli i rinisë. U krijue një brez i ri me
shpirt e me zemër shqiptar, fanatik i çështjes kombëtare.
Në vitin 1923, Shoqnija “Rozafat” organizoi në Shkodër
një ekspozitë pikturash kombëtare. Në këtë ekspozitë Fishta paraqiti 24 copë
piktura origjinale të tij të punura me një mjeshtri aq të madhe sa disa prej
tyre u miratuan nga Akademia e Vjenës.
Së nënti, Fishta së bashku me patriotin Luigj Gurakuqin formuan “ Komisin Letrare”, në Shkodër, më
1916, e cila kishte për qëllim me i vë
themelet e një gjuhe të përbashkët letrare të shqipes.
Së dhjeti, duke iu mbajtë gjithnjë parimit të vet
themelor se shtypi âsht arma mâ e mirë për të përhapë mendimet, e mjeti mâ i
përdorshmi për t’i çelë syt popullit, Fishta themeloi revistën letrare,
filozofike dhe diturore “Hylli i Dritës”, më 1913. Po ashtu, më 1916, themeloi
dhe drejtoi gazetën politike- letrare ”Posta e Shqypnis”. Përveç këtyre, për
një kohë të gjatë drejtoi dhe revistën: “Zâni i Shna Ndout”.
Së njëmbëdhjeti, nevoja për njohjen më të mirë të gjeneratave
të reja me veprën e rëndësishme letrare-artistike të tij, si dhe me kontributin
e madh të përgjithshëm të Fishtës për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Së dymbëdhjeti, ndjenja e borxhit ndaj këtij vigani dhe
personaliteti të madh të kulturës kombëtare. Fishta njihet si poeti më popullor
i shqiptarëve, si poeti më i përzëmërt i këtij populli.Ai ka qenë figura
emblematike e gjuhës dhe kulturës shqipe dhe apostulli i Atdheut të vet. Prandaj,
ai është nderi dhe krenaria e shqiptarisë. Ai e meriton këtë nderim dhe
vlerësim. Është një botë e tërë çi e ka nderuar si të tillë, çi e ka
cilësuar si poetin më të madh të kombit
shqiptar.
Poezitë e tij epike, lirike e satirike, jo vetëm u
njoftën, u studiuen dhe u çmuan në tërë botën shqiptare, duke lënë vragë të
pashlyeshme, por jehuen edhe në botën letrare të jashtëme, tue e bë të njoftur
emrin shqiptar ndër rrethet intelektuale të botës së qytetëruar.
Gjergj Fishtën e nderoi dhe ngriti bota shqiptare, por
dhe bota e jashtme duke i dhënë atij dekorata e tituj nderimi. E dekoroi Mbreti
i Austro-Hungarisë me Rilterkreuz (1912), Papa Piu XXII me Medaljen e Meritimit(1925),
Parija e Përgj. e Urdhnit Françeskan me titullin Lector Jubilatus(1929) ,
mbreti i Turqisë me dekoratën Mearij kl.II (1912) dhe Greqia me dekoratën
Foenix(1931).
Fishta, më 1939 u zgjedh anëtar i rregullt i Akademisë
Italiane të Shkencave dhe Arteve. Kryetari i kësaj Akademi, Luigj Federzoni në
telegramin që i dërgoi Ernest Koliqit si Ministër i Arsimit të Shqipërisë në
rasën e vdekjes së poetit, me 30 dhjetor të vitit 1940, ndër të tjerat u shpreh:
Akademia e tyre humbi një ndër pjestarët e vet më të shkëlqyeshëm.
Eqrem
Çabeja thekson: vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në
jetën popullore të Shqipërisë, ajo nuk do t’ishte çka është pa njohjen e thellë
të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vëndin dhe
njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të
artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë
vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale
që ka mundur të ruaj gjer sot jeta shqiptare.
Lazgush Poradeci thote:
Fishta është shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar. Ndërsa, Karl Gurakuqi u shpreh: Shqipërinë e
deshti aq fort sa qe gjáll e për të cilën shkrîni krejt jetën e vet. Shqipënia qe
ideali i tij, për tê punoi, për tê vuajti e me emnin e saj në gojë dha frymën e
fundit. Për tê pat këndua:
Dersá t’muendem me ligjrue
E sá gjall me frym’un jam.
Kurr, Shqipni, s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’ përmend’ kam!
Prandaj, emri i
tij do të duhej të shkruhej me germa të artë në historinë kombëtare.
Në këtë numër të revistës “Malësia”, autorët, punimet e
veta përgjithësisht i kanë
përgatitur enkas për këtë rast. Prandaj,
shpresojmë se përmes këtij botimi do të japim një kontribut të vlefshëm për
njohjen sa më të plotë të veprës dhe të personalitetit të Fishtës.
Gjithashtu me këtë publikim dëshirojmë të nxisim
studiuesit për hulumtime, analiza, shqyrtime dhe vështrime të mëtejshme
shkencore mbi kolosin e historisë dhe
kulturës kombëtare shqiptare, Gjergj Fishtën.
Nikë Gashaj, themelues dhe
kryeredaktor i revistës Malësia (e-mail: malesia@t-com.me)