Kulturë
Fatmir Halimi: Lasgushi - Poeti i parë i letërsisë moderne shqipe
E merkure, 01.01.2020, 12:38 PM
LASGUSHI - POETI I PARË I LETËRSISË MODERNE SHQIPE
(Në
përkujtim të 120-vjetorin e lindjes)
NGA
MA. SC. FATMIR HALIMI
1.HYRJE
Llazar Gusho u
lind në Pogradec, më 27 dhjetor të vitit 1899. Ka vdekur në Tiranë, më 12
nëntor 1987. Në letërsinë shqipe është i njohur nën pseudonimin Lasgush
Poradeci, qe poet, shkrimtar e përkthyes shqiptar. Pseudonimi letrar me të
cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir
Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur etnonimin e vendlindjes, Poradeci.
Lasgushi është Autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” botuar në
vitin 1933 dhe “Ylli i zemrës” në vitin 1937, Këto dy përmbledhje poetike
i ka botuar në Bukuresht të Rumanisë. Veç të tjerash, pas luftës së dytë
Botërore Lasgushi njihet edhe për poemat: “Eskursioni teologjik i Sokratit”,
“Mbi ta”, “Kamadeva”, etj. L. Poradeci gjatë jetës së tij përktheu disa nga
kryeveprat e letërsisë botërore si: “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit,
Poemat e Hajnes, të Majakovskit, lirikat e Gëtes, poezi të Lanaut, Brehtit;
Hygoit, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, e poetëve të tjerë.
Mirëpo studimin
tonë do ta përqendrojmë, në dy kryeveprat e letërsisë moderne shqipe në poezi,
që janë Vallja e yjeve dhe Ylli i zemrës.
2.VALLJA E YJEVE DHE YLLI I ZEMRËS
Këta dy libra për
shumë çka janë të veçantë në poezinë moderne shqipe, pasi që sjellin risi të
paparë deri atëherë në letërsinë tonë. Tiparet veçuese të tyre janë;
struktura gjuhësore, forma e përsosur, sistemi i ndërtimit të veprës,
përdorimi i figurave letrare sidomos i metaforës. Lasgushi me këto vepra është
i veçantë edhe në trajtimin e temave, si mbi frymëzimin, mbi krijimin e botës
dhe temën e dashurisë, e cila trajtohet gati në të gjitha ciklet e tyre, dhe me
të drejtë disa studiues e quajnë poet i dashurisë. Shumë më parë, Aristoteli
metaforën e quante mbretëreshë e tropeve stilistike, ndërsa e dimë që poezia
është mbretëreshë e arteve, e kritiku dhe studiuesi ynë letrar S. Hamiti,
Lasgush Poradecin e vlerëson si mbret të saj, pra mbret të poezisë në letërsinë
moderne shqipe. Edhe pse këta dy libra janë shkruar në një periudhë të
afërt kohore, Vallja e Yjeve, më 1933 dhe Ylli
i zemrës, më 1937 janë pak a shumë të ndryshëm nga
njëri tjetri, sidomos te tema që trajtojnë, por e ruajnë formën, strukturën
gjuhësore dhe stilin, ku mund të them se nga libri i parë edhe janë marrë disa
poezi tërësisht dhe që janë kooperuar bukur
në të dytin Ylli i zemrës. Pra Lasgushi te të dy librat i kushton
rëndësi të madhe fjalorit gjuhësor, të shprehurit figurative, strukturës dhe
formës së poezisë.
3.Vallja e Yjeve
Veprën Vallja
e Yjeve, Lasgush Poradeci e botoi në Rumani (1933) nën përkujdesjen e
Mitrush Kutelit. Poezitë e kësaj vepre sollën një ndjeshmëri të re në letërsinë
shqipe, një kërkim të thellë gjuhësor e formal dhe një formë të paparë deri
atëherë. Vallja e Yjeve ka këtë strukturë ciklike: I.(Në vend parafjale) Zog’i
Qiellit, II. Vallja e Qiellit III. Vallja e Dherit, IV. Vallja e Yjeve, V. Vallja e Përjetësisë, VI. Vallja e
Vdekjes, VII. Kur nuk ndjehesh fare mirë. Prandaj,
poezia e Lasgushit, siç lexohet në njësitë e vogla, duhet të lexohet në
tërësinë e sistemit të vet poetik. Pra, te vepra poetike Vallja
e Yjeve, ai krijoi një sistem të njënjëshëm poetik. Poezia e tij, për
gjuhën e bukur shqipe, figurën origjinale, formën e re dhe ndjeshmërinë e re
është e papërsëritshme e letërsinë tonë. Ajo Nis me poezinë Zog’
i Qiejve, e cila fillon me vargjet:
Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak… Do
t’j-a marr që sot e tutje si bilbil parëverak,
Që nga fund i vetëvetës do të këndoj një mall të ri:
Që në fillim kjo
vjershë paraqet kodin poetik të tij, duke sjellë tek lexuesi mesazhin se poetit
nuk i pëlqen më kënga e vjetër, por do të këndojë këngën e re dhe mallin e ri
duke e nxjerrë nga fund i vet-vetes. Poezia Zog’i Qiejve është një këngë
për mënyrën e lindjes së poezisë dhe të ngritjes së saj deri në nivelin suprem
të përjetësisë. Poezi e një rëndësie tjetër është vjersha Naim
Frashërit, e cila nis me vargjet e Naimit, të vjershës së
tij Fjalët e qiririt:
E ku shkruhen në kartë
Fjalët
e gjuhës së zjarrtë
Këtu, Lasgushi i
këndon poetit tonë të madh, atë e ngrit në piedestalin më të lartë, deri në
adhurim të të shenjtit:
Sepse Hije-e shentëruar nër të gjallët sikur t’ishte…
…Sikur të ishte nër të gjallë, Ti, xhuraja dhembshurishte,
Ti rapsod që pranë shqipes dit’ e nat’ i llodhe ballët,
Për punën që bëri
ai në lërimin e gjuhën shqipe, të cilën e pasuroi në veprat e tij. Në të
njëjtën kohë ndjen dhembje për vdekjen e tij, por edhe për njerëzit që sot e
bastardojnë gjuhën:
“Ndaj shëmton
fjal’e të folur nga padija, nga nakari” këtë gjuhë: “yll’i
vjershërisë! Verb i Perëndisë!”.
Lasgushi përveç
motivit patriotik, motivit për gjuhën, frymëzimin, ai i këndon edhe dashurisë,
të cilat vjersha janë përmbledhur sidomos në ciklin Vallja e Yjeve. Dashuria
është jo vetëm një emocion, por edhe fuqi themelore jetësore. Ai e këndon këtë
ndjenjë si fuqi tokësore e qiellore. Por, thellësia e saj vërehet në botën
njerëzore, kur e dashura këndohet në nivel të bukurisë trupore e shpirtërore.
Këndimi lasgushian i dashurisë shfaqet sidomos në lirikat personale. Atëherë
tingëllon i veçantë zëri i tij, figuracioni origjinal dhe variantet e ndryshme
të ndjenjës së thellë. Titujt e këtyre lirikave; Syr’i fshehur, Vesë
dashyrije, Erë trendeline, Ç’dëgjoj me sy të trembur etj. nuk dalin si
emërtime, por vetëm si një figurë e zgjedhur. Kështu titujt e vjershave të
dashurisë në të vërtet janë figura, metafora. Të gjitha këto lirika marrin
karakterin e varianteve të një teme, - dashurisë.
4. Ylli figurë qendrore
Për shumë poetë
qielli ka qenë sinonim i hapësirës, i kozmosit. Edhe pse në qiell lëvizin hëna
dhe dielli, ato sikur janë të afërta me njeriun, poetin. Por trup qiellor për
ta pushtuar, apo figurë për poetët e ëndërrimit kozmik ka qenë dhe mbetet ylli.
Këtë figurë e ndeshim me një funksion shumë të ngarkuar poetik në veprën e L.
Poradecit. Ylli i Lasgushit, si figurë qendrore e tij nuk është vetëm një
simbol, në të përmblidhet një kuptim mbi jetën, ndoshta edhe vetë botëkuptimi i
poetit. Figura e yllit bartet gati në të gjitha ciklet e veprës Vallja
e Yjeve. Duke e interpretuar figurën e yllit në vallen e tij të
hapësirës së paanë, mund të thuhet se poeti donë ta humanizojë kozmosin,
hapësirën, njerëzimin. Pra edhe kështu është një figurë e humanizuar që zë ‘fill
me dashuri’, ‘plotë me jetë-e mall të valë’. Ky yll duke
lëvizur në hapësirën e pakufishme herë është ‘i lum’ e herë është ‘i mjerë’, i
lum (lumtur) është ylli kur është plotë zjarr të dashurisë, e i mjerë kur i
venitet dashuria, kur lodhet në këtë hapësirë të paanë për t’u afruar te
tjetri.
4. Dashuria, tema themelore
Në veprën Vallja
e Yjeve tema themelore është dashuria, e cila përveç figurës së yllit
plotësohet edhe me fjalët ( simbolet ) si: zjarr, mall, varr, flakë etj.
Dashuria, kjo temë e përjetshme njerëzore në veprën e Lasgushit projektohet në
dy rrafshe kuptimi; në një anë si ndjenjë humanizuese, si frymë lëvizëse e
jetës, dhe në anën tjetër dashuria si fuqi e afrimit të Trimit me Vashën
(djalit me vajzën). Tek tema e dashurisë, por edhe te temat e tjera Lasgushi
përdor figurat e hapësirës (largësia pakufi), figurat e kohës pakufi
(përjetësia). Në temën e dashurisë për-veç këtyre përdor edhe figurat e
kontrastit:
Dashuri-Heu! Mall I ri!
Dashuri! Këngë e durimit
Liri! Nëse robëri!
Kontrasti ‘Ti
liri/Ti robëri’ nuk përmbledh figura me kuptime që kundërshtohen, kemi
të bëjmë me një shkrirje, me një figurë që shpreh një situatë. Pra,
dashuria në poezinë e L. Poradecit këndohet si një varrë që për të mbetur
gjallë përditë e do nga një lëndim të ri, (dashuror). Është një ‘fshehtësi plot llaftari|plot
ëmbëlsi vërerore!’, ndërsa vasha një qenie dhembshurisht e ëmbël. Kjo
është një temë e përhershme e tij, ashtu siç është krijimi poetik që nuk lidhet
me moshën.