E shtune, 21.12.2024, 02:11 PM (GMT)

Sport » Legjenda

Marjeta dhe Kushtrim Zaçe, dy yje të sportit shqiptar

E merkure, 08.10.2008, 11:24 AM


Kushtrim dhe Marjeta Zaçe
E rrallë. Dy bashkëshortë që kanë marrë vlerësimin më lartë në sport: Mjeshtër i Merituar Sporti

Nga Agron SEJAMINI

Nuk gjen një rast të dytë në Shqipëri që dy bashkëshortë të jenë Mjeshtra të Merituar Sporti. Marjeta dhe Kushtrim Zaçe, të dy të uruar dhe të bekuar nga Zoti, për tu bërë yje të sportit shqiptar...

Ndryshe, nuk do arrinte në ato lartësi e madhja, Marjeta Pronjari!

Tre vajza të rritura vetëm me mundin dhe dhëmbshurinë e nënës, ngaqë babanë e humbën shumë shpejt...Tre vajza që me mbarësinë e tyre shumë shpejt bënë që mamaja e tyre të "harronte" se ishte pa burrë e djalë...

Sa herë shkonte në shkollë, ndjehej keq ngaqë mësuese Eftalia "e turpëronte" mes prindërve të tjerë...

- Ti Fluturije, as mos pyet dhe as mos prit! Nuk luan nga vëndi Marjeta, aty e ke...- dhe i tregonte me gisht tabelën e nderit, ku e para ishte fotografia e çupës së saj.

Kështu nga viti në vit. Derisa një ditë, kur ishte në klasën e shtatë, si për ta bërë nënën më të lumtur të botës, "detyron" drejtorinë shkollës që fotografinë e saj t'ia vendosin në përmasa akoma edhe më të mëdha, në koridorin e shkollës.Tashmë Marjeta Pronjari, nuk ishte vetëm krenari e klasës dhe e shkollës në mësime por edhe krenaria sportive e Korçës. Në kampionatin kombëtar të atletikës që u zhvillua në Vlorë ajo kishte kërcyer së larti 1.40 cm, rezultat i njëjtë me atë që arriti kampionia e vendit, shkodrania, Sh. Nika.

U gëzua e dhëmbshura nënë, pa e ditur se ky sukses, do i nxirrte çupën nga shtëpia... Specialistët e Federatës së Atletikës ishin surprizuar me të dhënat fiziko-sportive që kishte shpalosur vajza korçare dhe vendosin që ajo të vinte në Tiranë. Qëllimi ishte që kjo sportiste me shumë të ardhme, të trajtohej dhe stërvitej me parametra bashkëkohorë. Fillon teknikumin e mesëm pranë Institutit të Kulturës Fizike "Vojo Kushi". Traineri i saj caktohet Taqo Duka, një nga specialistët më të mirë, që kishte mbaruar studimet katër vjeçare për fizkulturë në Bashkimin Sovjetik. "Një vajzë e ndrojtur, e thjeshtë, e brishtë..."- kështu e përshkruan Taqoja Marjetën në atë takim të parë. Dhe filluan nga puna. Gjithçka nga e para. Madje pak më shumë se kaq. Ajo deri më tani ishte stërvitur dhe kishte konkuruar me stilin aring që nuk ishte bashkëkohor dhe rezultativ. Detyrimisht duhej filluar me stilin barkush që kishte përparësi të padiskutueshme edhe pse nuk ishte shumë i përshtatshëm për femrat ngaqë kërkonte shpejtësi, forcë dhe një përgatitje të lartë fizike. Parametrat fizik, pasioni, këmbëngulja, disiplina, besimi i sportistes së re, u bënë mbështetja kryesore për trainerin e privilegjuar që tashmë ju dha mundësia t'i dukej puna, më shumë se kolegëve të tij. Për herë të parë një sportiste shqiptare stërvitej në ditë me dy seanca. Ajo ç'lodhej nëpërmjet lodhjes... Ishte dhe mbetet modeli i shtangës për femra. E pabesueshme duket por Taqoja këmbëngul kur thotë se edhe sot nuk e kalon kush Marjetën, me ato 120 kg. ule-ngritje të vazhdueshme. Intensiteti dhe përgatitja e lartë shkencore bënë bujë në ambjentet sportive. Bujë por edhe rrëmujë... "E dogji atë talent të madh Taqoja me atë shkencën e tij", "I mallkuar qoftë që nuk e la të gëzohet si nënë"... Por ato gojë të liga, i mbylli po vetë Marjeta me rezultatet e larta që arriti dhe me fëmijët si yje që lindi...

E ngacmojmë profesor Taqon dhe i themi nëse mund të shkonte më lart Marjeta... I lumturuar dhe krenar për sportisten e vet, shpërthen në ligjëratën tij pasionante dhe shumë domethënëse.

"- Me çfarë të shkonte më shumë Marjeta?! Me atë gotë çajin e shoqëruar me djath e marmalatë. Shoqet e saj binin në sfungjer ajo në rërë, aq sa edhe sot rrezik t'i ketë në trup, shënjat e shëmbjeve... Ajo për mua është heroinë e femrës shqiptare. E privuar nga ndjesitë dhe kënaqësitë e moshës bëri që emri i Shqipërisë të renditej në Europë mes më të mirave, në kërcimin së larti. Një fëmijë 15 vjeç që festonte ditëlindjen duke konkuruar në Torino, në Universiadën Botërore. Një stadium i tërë, i çuar më këmbë, mbështeste me duartrokitje të zjarrta kalimin e asaj steke... Më pas ishim në një takim ndërkombëtar atletike në Vjenë të Austrisë. Marjeta u cilësua sportistja e dytë më e dalluar, kur e para ishte kampionia gjermane në atletikë, Gusenbur dhe i treti, austriaku Kristi i dhjetëgarëshit, të dy ata rekordmenë botërorë. Nuk kam për ta harruar kurrë ditën e ceremonisë së mbylljes. Më thërret presidenti i akitivitetit që ishte ulur në podium dhe më fton t'i ulesha në krah. Pasi më përgëzoi më pyeti: - Ku është stërvitur Pronjari dhe cili është traineri i saj. Në Shqipëri - ju përgjigja,- dhe unë jam traineri i saj... Më shumë dyshoi se sa më besoi tek kujtonte çudinë shqiptare që quhej Marjeta Pronjari. Jo më pak emocione, përjetuam edhe në Laipcig, në Kampionatin Europian më 1968. Marjeta me rezultatin e arritur për moshën që kishte, ishte në krah të stekave më të larta të botës. Në ambjentet e konferencave për shtyp, habia për mjeshtërinë e Marjetës justifikohej edhe me meritat e trainerit "rus" ngaqë unë flisja shumë mirë rusisht. Por kur mësuan se edhe unë isha shqiptar mblodhën buzë e supe, në shënjë çudie. Të përmënda tre takime ndërkombëtare nga katër që pati ajo gjithësej... Shumë pak! Ajo duhej të konkuronte një herë në dy javë në këto lloj veprimtarish, për nivelet e larta që kishte kapur...15 vjeçe- Mjeshtre Sporti dhe 18 vjeçe- Mjeshtre e Merituar. Kush tjetër si ajo?!

E si për të mos i mjaftuar ato lartësi që kapi, e ato emocione që përjetoi nga steka, nuk la pa provuar edhe dashurinë tjetër... volejbollin.

Erdhi me emër të madh, me titullin Mjeshtre e Merituar Sporti por ndërsa e shikoje që shkëlqente para rrjetës, të dukej sikur gjithë atë lavdi ia kishte dhënë volejbolli. Shumë shpejt ishte e denjë për të qënë siguri dhe besim, në krah të Tamara Nikollës dhe Ela Tases. Ndryshe nuk do ishte pesë vjet në pesëshen tonë përfaqësuese. Kështu, shkëlqimi në volejboll, ishte qershija mbi tortën e karrierës brilante sportive, të Marjeta Zaçes.

Në ambjentet e Institutit të Fizkulturës "Vojo Kushi" nisi e u gatua fama dhe lavdia por dhe... dashuria. Të dy të veshur me tuta sporti pa e njohur dhe pa u parë ndonjëherë, krejt rastësisht, shkëmbehen diku mes pallatit të sportit "Partizani" dhe Institutit. Pasi shkëputen disa metra, Kushtrimi kthen kokën. Në të njëjtën kohë edhe Marjeta kishte bërë të njëjtën gjë. Kthimi i kokave njëherësh, nuk mund të ishte rastësi sesa ndjesi. Pas disa ditësh, një shoku i vet i lutet Kushtrimit që të shkonin të stërviteshin nga Instituti i Fizkulturës duke ditur që ande ka edhe vajza... Qëlloi që aty diku në një cep të pistës, pa tek stërvitej në kërcim së larti ajo vajza "që kishte kthyer kokën" para ca ditësh. Nuk folën por mendërisht ajo stërvitej te fusha e basketbollit dhe atij i dukej koshi stekë... Nga kjo ditë Kushtrimit, kjo fushë basketbolli prej betoni, i dukej shumë herë më e mirë, se ajo me parket e pallatit të sportit...

E për të tu bërë basketbollist i ekipit të shquar të "Partizanit" nuk ka qenë e lehtë. Madje ka edhe histori. Që e tregon po vetë Kushtrimi me të njëjtin emocion sikur të flasë për një film interesant, ku dhe vetë jeta e tij i ngjajnë një skenari...

Mbase gjatësia dhe saktësia në gjuajtje, e detyruan mësuesin e fiskulturës, Lefter Shkëmbin, që të bënte pjesë të ekipit të " Minatorit" të Tepelenës edhe nxënësin e shkollës tetëvjeçare, Kushtrim Zaçen. Zhvillohej kampionati i kategorisë së dytë në qytetin e Vlorës dhe bashkë me të rriturit ishte edhe ky 14 vjeçar që u aktivizua pak por në sy ra shumë...I deleguari i Federatës së Basketbollit Naim Pilku, i afrohet trainerit të "Minatorit" dhe pyet se si quhet ai djalosh, duke pëshpëritur se ky ka për tu bërë basketbollist me emër. Pak kush mund të vinte bast për një tepelenas në atë kohë, por ja që Naimi tashmë e ka fituar bastin... Më shumë se të luajturit me të rriturit e qytetit apo koshave të shënuara në ato pak minuta që luajti, atë djalosh e gëzuan fjalët e atij burrit nga Tirana. Si për të gëzuar edhe të shtëpisë, ngjarjen ua tregoi edhe prindërve. E ndërsa priste të gëzohej, babai i tërhoqi vëmëndjen: "Hap sytë për mësimet, bir, se sporti nuk të jep bukë..."

Pasi mbaron shkollën tetëvjeçare, familja e çon te dajat e tij në Durrës. Për të vazhduar shkollën e mesme por edhe për ta shkëputur nga sporti. Për më tepër që mund të mbetej i pashkolluar nga që njerëzit e nënës kishin biografi të keqe. Me dhimbje e la sportin, por fjala e prindërve për të ishte ligj. Kujtojmë se në fillim të shkrimit, kemi thënë që edhe ky ka qënë i bekuar nga Perëndia... Në një orë fiskulture, mësuesi, Lutfi Bagoi, kishte mbetur pa mënd, për basketbollin e bukur që luante. Kur shokët e klasës, nuk çonin dot topin as në tabelë, ky nga të gjitha pozicionet dhe largësitë, i bënte kosha. E shkëput dhe e pyet. Nuk i tregon të vërtetën pasi nuk i interesonte çfardo e mirë që t'i ofrohej. Gjithësesi, mësuesi i fiskulturës e këshilloi që të shkonte të takonte një pasdite, te këndi sportiv, trainerin e ekipit të rrinjve të basketbollit të "Lokomotivës", Dhimitraq Gogën. U ledhatua dhe u emocionua djali i shkretë tek krahasonte në shqiptim "Minatori" dhe "Lokomotiva", por gjithçka ishte e pamundur. E si mund të rrezikonte veten e më tepër dajat e vet, duke zbuluar me dashje vendlindjen dhe biografinë. Por mësuesi i bindur se nuk ishte gjë e zakonshme, ajo që kishte zbuluar te talenti i tij, e largon nga ora e mësimit duke i dhënë ultimatumin: "Po nuk e takove Dhimitraqin, nuk kam për të pranuar në mësim"...

Të nesërmen, shkon te këndi lojrave, me sa duket më shpejt se sa duhet... Mirëpo veç një "punëtori" që lagte fushën e basketbollit me ujë nuk kishte njeri. I mërzitur nga pritja, pyet nëse do vijë Dhimitraqi apo jo? Fati i troket në derë përsëri djaloshit tepelenas... Ai nuk ishte punëtori i fushës por traineri i të rriturve. Në vënd të përgjigjes nëse vjen apo jo Dhimitraqi, pasi i hedh një top dhe e vë të gjuaj në disa pozicione, i thotë: "Nesër hajde të fillosh stërvitjen me të rriturit...". Kushtrim Zaçe, 16 vjeçar, harron të gjitha porositë dhe biografitë dhe fillon përsëri basketbollin...

Stërvitej me të rriturit por më shumë aktivizohej me të rinjtë për arsye të moshës. Tre herë bashkë me shokët e vet nxjerrin "Lokomotivën" kampione të Shqipërisë për të rinjt. Natyrisht që për talentin e tij kishte nevojë edhe ekipi përfaqësues që shumë shpejt e bëri pjesë të tij. Emri i Zaçes tani kishte pushtuar shtypin dhe kronikat sportive... Ndërkohë, drejtuesit e "Partizanit" kishin hedhur sytë nga tepelenasi i "Lokomotivës" dhe mezi prisnin të mbushte moshën për ushtar. Por Kushtrimi megjithë emrin e madh të këtij klubi, nuk do ta pranonte kurë një gjë të tillë, përsa synimi kryesor për të, ishte vazhdimi i shkollës. Pa ditur se tre muaj më parë i ishte dërguar fletëkërkesa për ushtar, rregjistrohet për Inxhinieri Mekanike duke u aktivizuar edhe me "Studentin".

Shfrytëzohet alibia dhe gjykata ushtarake e vë para faktit se ka shkelur ligjin, pasi duhej të kishte filluar të kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Edhe pse kishte një muaj që kishte filluar shkollën e lartë, e shkëpusin dhe e çojnë ushtar në Zall Herr. I Tankeve quhej reparti por ai ishte në brigadë pune për arsye të biografisë. Mendoni një basketbollist i shquar, antar i ekipit kombëtar të hapi tunel... Gati gati si i një burgosur. E thërresin në Komandë dhe i thonë që të plotësojë një kërkesë ku të të shprehë dëshirën që të luajë me ekipin e "Partizanit". Nuk pranoi muajin e parë tek kujtonte poshtërsinë që i bënë duke e shkëputur nga Universiteti. I lodhur nga puna, i mërzituar nga mos përkrahja, pas tre muajsh pranon të bëjë lutjen për të shkuar te "Partizani". Aty gjeti Agim Fagun, Nikolin Palin, Dodan Përmetin... Më pas në krah të tij edhe Kastriot Mushi, Edgar Prifti, Robert Kuqo... Yje të basketbollit, që kishe qejf t'i shikoje e jo më të luaje me ta. Kështu, u bë pjesë e magjisë së këtij sporti që i dha shkëlqimin dhe emrin që mbase nuk do t'ja jepte asnjë universitet...

I dha emër për të mos u harruar nga adhuruesit e shumtë të tij në mbarë Shqipërinë. Por i dha edhe mirënjohje dhe krenari bashkëqytetarëve të tij për emrin e artë që ka shënuar në sportin shqiptar. Ndaj edhe kur ai nuk e priste, ata i bënë surprizën e madhe duke e shpallur "Qytetar Nderi". "Më 15 shtator të këtij viti kam ndjerë emocione që nuk i ka ndjerë në asnjë ditë të jetës sime..." - thotë Kushtrimi tek kujton atë pritje të shkëlqyer dhe të jashtëzakonshme që i bënë bashkëqytetarët e tij. I mbushur në mall dhe nostalgji për vendlindjen, ajo masë e madhe njerëzish i ngjante si me një të dielë të asaj kohe, kur shkonin për të parë një ndeshje basketbolli. Flokë zbardhur dhe i burrëruar ishte në pamjen e parë por thellë shpirtit ndjehej si atëhere, 14 vjeçar. Vetëm dashuria dhe krenaria për vendlindjen të mban gjithë jetën të rri dhe të pastër... Nuk i bëhej të largohej kurrë nga qyteti i tij, atë ditë të 15 shtatorit edhe pse shpirtërisht me të jeton në çdo kohë...

Një jetë të tërë i adhuruar dhe i respektuar Kushtrim Zaçe nga ai basketboll që ka luajtur aq bukur dhe që i dha gjithë atë emër. E përse duhej ta privonte edhe djalin e tij, Henrin nga kjo kënaqësi. Qysh të vogël e bëri pjesë të ekipit "Partizani" duke e marë me vete jo vetëm në takimet zyrtare por edhe në stërvitje. Sepse e çlodhte dhe e mbështeste me tifozllëkun e tij fëminor, paçka se zëri i tij, ishte i pandjeshëm në atë korr të fuqishëm tifozash. Por edhe lojtarët e ekipit i hapnin vënd Henrit të vogël, në ato foto simbolike të dorëzimit të një trofeu apo fillimit të një takimi. I bënin vënd sepse edhe ai kishte pjesën e vet në ato shpërthime të babait të vet që përfundonin në kosh. Jo pak herë tre pikësha... I rritur në këtë ambjent sportiv dhe entuziast edhe te ai fëmijë, lindën ëndërra dhe dëshira. Të gjitha shkriheshin me lojën magjike të basketbollit. Ndërkohë që fati e kishte ledhatuar duke i dhënë atë shtatlartësi, aq shumë të dëshiruar edhe nga babai... 1.91 cm Zaçe i madh, 1.98 Zaçe i vogël. Kaq i mjaftonte të atit, për ta vazhduar akoma edhe më me qejf atë udhë të artë që ai sapo kishte lënë. E afroi qysh në moshë të re pranë topit dhe koshit. Por mbi të gjitha duke e përgatitur fizikisht me një program të avancuar. E vinte të luante në çdo rol, anësor apo fundor. I tregonte teknikat e saktësisë në gjuajtje. Dy orë stërvitej me ekipin por edhe dy orë të tjera i caktonte përgatitje individuale. Dalloi tek i biri teknikën e lartë dhe inteligjencën që shkonin në harmoni të plotë me shtatëlartësinë. Gjithçka synohej për të prekur majat e niveli bashkëkohor. Jo vetëm të dhënat fiziko-taktike por edhe rezultatet, dëshmonin se udha ishte e mbarë dhe gjithçka mund të synohej. Luajti dhe shkëlqeu te "Studenti" dhe "Partizani". Efektive dhe rezultative loja e tij edhe me ekipin përfaqësues... Çka bënë që të fillonin ofertat... Më fatlum e ndjeu veten traineri i një ekipi anglez që e bindi deri sa e bëri pjesë të ekipit të tij. Në atë kampionat zonal që u zhvillua, Henri ishte më i miri si organizator dhe pikëshënues... Dhe kur gjithçka premtonte, një traum në gju e largon përfundimisht nga sporti. Pikërisht në një moment, kur i kishin hedhur sytë nga Henri 22 vjeçar, disa ekipe elite të basketbollit evropian. Nuk ishte e thënë që Zaçja i vogël, të bëhej më i madh dhe i më famshëm se i ati...

Por të mos harrojmë, se arriti të shënojë emrin e tij në historinë e artë të basketbollit shqiptar. Dhe kjo nuk është pak, paçka se mëndja na shkon te majat që synonte dhe mund të kapte Henri...

EMRI: Marjeta Zaçe (Pronjari)

DATËLINDJA: 3 shtator 1951

VENDLINDJA: Korçë

GJENDJA CIVILE: Martuar me dy fëmijë

ARSIMI: Diplomuar në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike "V.Kushi"

PËRVOJA PROFESIONALE

1971 As/pedagoge në ILKF'Vojo Kushi"

1978 Pedagoge në ILKF "Vojo Kushi"

1992 Drejtuese e Katedrës së Atletikës në ILKF

1992 Zëvendëspresidente e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar

1993-1996 Sekretare e përgjithshme e Komitetit Olimpik Shqiptar

1999-2001 Punonjëse Shkencore pranë Qendrës Kërkimore të Sportit

KARRIERA SPORTIVE

1964-1974 Atletikë, 31 rekorde kombëtare dhe 7 vjet kampione kombëtare në kërcim së larti dhe pesëgarësh.

1974-1979 Anëtare e Ekipit Kombëtar të Volejbollit për femra

1968 Femra e parë në Shqipëri me titullin "Mjeshtre e Merituar Sporti"

KARRIERA POLITIKE

Anëtare e Partisë Demokratike nga viti 1991

1996-1997 Deputete e Kuvendit të Shqipërisë

1996 Anëtare e Këshillit Kombëtar dhe anëtare e kryesisë së P.D.

1998 Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, dega Tiranë

2002-2005 Deputete e Kuvendit të Shqipërisë

2005 Zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

Pengu 35-vjeçar i Taqo Dukës

Ende nuk është shkëputur ajo ndodhi që i mohoi këtij dueti të shkëlqyer trainer-sportist, një rekord të merituar.

Kishin bërë stërvitje të fortë duke e shoqëruar me rezultat rekord. Për fat Marjeta në garë kishte emocione pozitive. Gjithçka i kthehej në mobilizim dhe besim. Edhe në atë Kampionat Kombëtar të Atletikës që u zhvillua në Elbasan, në vitin 1973 ishim shumë optimist. Kaluan provat e para dhe steka lëviste vetëm nga dora e gjyqtarisë dhe jo nga trupi i Marjeta Pronjarit. Të sigurtë guxuam dhe kërkuam që steka të vendosej në lartësinë 1.80. Pa u matur mirë ajo lartësi, pamë sy dhe fytyra që na përcillnin habi dhe dyshim. Qetësia dhe këmbëngulja jonë, te dikushi mund të jetë ndjerë edhe kapriço apo mëndjemadhësi... kur për ne kjo lartësi në stërvitje ishte bërë e zakonshme. Mbarrojnë matjet dhe gjyqtaria nis fillimin e garës. I gjithë stadiumi në qetësi dhe në pritje të mrrekullisë. E përqëndruar dhe shumë e gjakftohtë Marjeta, nis hapin e vrullshëm dhe shpërthyes. Fluturon dhe steka nuk rrëzohet... Shpërthejnë ovacionet. Nisin përqafimet për këtë shifër marramëndëse të nivelit botëror. Sikur të ishte dhënë komandë, të gjithë sportistët e këtij aktiviteti, i turen Marjetës duke i dhënë përqafimet e rastit... Shumë kush fshinte sytë nga dyshimi dhe lotët e gëzimit por ajo stekë tashmë ishte shndërruar në një dëshmitar shprehës, tek qëndronte ashtu siç e kishte fiksuar gjyqtaria. Mirëpo ishte po ajo gjyqtari që i "vërsulet" si për ta dënuar pse nuk u rrëzua... Pas disa minutash na njoftojnë se rekordi nuk është i vlefshëm pasi në mes, steka është pak e deformuar. Një mospërputhje e çuditëshme me të vërtetën dhe i pa shpjegueshëm vendimi i gjyqtarisë. Si ka mundësi ta matësh dhe më pas të njoftosh se fillon gara e kërcimit për lartësinë 1.80 dhe më vonë të thuash është harkuar steka...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora