E merkure, 13.11.2024, 06:22 AM (GMT)

Mendime

Agim Gashi: RTK-ja perandori e ekstremit të majtë

E merkure, 08.10.2008, 07:17 PM


Agim Gashi
Agim Gashi
RTK-ja PERANDORI E EKSTREMIT TË MAJTË

Shkruan: Agim Gashi

Do të ishte krejt pa kuptim të hysh në problemet e RTK-së,  pa pasur një njohje paraprake se çka po ndodh në brendinë e këtij institucioni njëpartiak të Kosovës. Të duket se brendia e RTK-së, mban mbi supe një perandori komuniste të vdekurish; gazetarë e puntorë vijnë njëri pas tjetrit, janë përzier, kanë rënë dhe janë ngritur në këto katër vitet e pasluftës, të mugëta barbarie  e gjakderdhjeje ndërshqiptare, që ende e ruajnë shkëlqimin e madhështinë e kohëve të shkuara, kanë luftuar e janë ndeshur secili për të grabitur sa më shumë poste e para, derisa një ditë do t’i përpijë vala karrieriste dhe e gjithëpushtetshme, e t’i fshijë nga historia e keqe shqiptare.
Por, kur pas një nate të 13.03.2003 dhe pas një ore të gjatë kacafyetjesh, para kamerave televizive e në një emision të drejtpërdrejtë, dhe me një të vetmen dëshirë për ta vazhduar avazin e vjetër, ata e panë fare qartë (nëse do ta shohin), se bota shqiptare kishte ndërruar faqe, dhe fuqi të reja do të dalin në skenë. Aty u pa fare qartë se brenda RTK-së  kishin mbetuar dhe instaluar forca komuniste të së kaluarës, forca të cilat simpatizojnë diktaturën staliniste, (pa pyetur për hallet e të tjerëve), ndërsa së jashtmi prisnin probleme të tjera të shekullit 21-ë, të natyrës perëndimore e që nuk do të zgjidhen aq lehtë.
 
Dihet fare mirë se RTK-ja tani jeton e frymon në pasurinë e huaj.  RTP-ja që ishte një shtëpi e popullit shqiptar e që ishte një pasuri shqiptare e kosovare, kishte një mori gazetarësh, kamermanësh, inxhinierësh, redakorë të profileve të ndryshme, orkestrën e saj, këngëtarët e që numronte mbi 1300 puntorë e me mbi 52 objekte, të cilat sot u uzurpuan nga klika komuniste, nuk do të jetë kafshatë  e lehtë për Bordin e Adem Demaçit edhe pse ai tani po e lozë rolin e diktatorit Hoxha, duke i rënë tavolinës me grusht se „Sa do të jem unë në këtë Bord nuk do të vijne të djathtët ne këtë shtëpi“.
                    
RTK-ja sot është vendi i „perandorive të një njeriu”, është perandori e cila do të rrnojë sa është gjallë njeriu që e kanë në krye. Por si duket kjo „perandori“ nuk do ta ketë të gjatë, sepse të gjithë ata që duan të fitojnë në kurriz të të tjerëve, janë të denuar si mos më keq. Edhe kungullit nuk i shkon gjithmonë mbi uj. Kur atë natë dhe atë orë të gjatë kacafyetjesh në mes të varfërve e të pasurve, kryetari i Sindikatës së pavarur të RTP-së fliste mbi vuajtjet dhe urinë e punëtorëve të kësaj shtëpie mediale, shpejt dilnin  në pah qeshjet cinike e mospërfillëse të kryebordistit Adem Demaçit dhe të asaj zonjes së PS-së e ardhur si përforcim nga Tirana për të majtët në Kosovë. Si t’iu thuhet atyre që qeshin në tragjedinë e të tjerëve?- Të mjerët brina nuk kanë dhe ndryshe nuk duken.
 
Zotëri Adem Demaçi duke e humbur kontrollin nga e vërteta tha se: „Nuk dua të lejoj që RTK-ja të marri ngjyrime politike dhe se nuk dua që partitë politike t’i fusin hundët në RTK”! A nuk na duket kjo frazë si një parullë komuniste e kohërave të shkuara? Apo edhe thënja e hoxhollarëve të së kaluarës: „bëj çka të them unë, e jo çka veproj unë“! Nuk i ke fjalët përnëmend, Zotëri Demaçi, sepse çështja paraqitet krejt ndryshe po ta shohësh nga një kendvështrim tjetër. Që RTK-ja i takon krahut të djathtë politik të Kosovës, këtë e dinë edhe fëmijët në djep. Që RTK-ja ua mbanë anën të majtëve të Kosovës, këtë e dinë edhe të majtët por edhe të djathtët. Që RTK-ja po ndjell urrejtje ndërshqiptare, po paralajmëron luftëra vllavrasëse të stilit të revolucionit të vonuar demokratik, këtë më tani po e dinë edhe në Kinë. Që RTK-ja në plan të parë po ju jep më  përparësi kohore „liderëve“ të krimit se sa Presidentit të Kosovës, këtë po e shohim të gjithë.
 
Pra e parë me sytë tanë, çështja me të cilën Ju po merreni, po merr ngjyra krejt tjera dhe se RTK-ja e Juaj tani i ka marrë ngjyrat politike të së majtës së Kosovës dhe se ju nuk mund të dilni kollaj nga këto ngjyrime, sepse ju jeni i ngjyer në këto bojra qysh se moti. Mund të Ju them se njerëzit e ngjyer me këto bojra e kanë vështirë ta duan popullin dhe atdheun. Ose më mirë me thënë, se ata e duan edhe popullin edhe atdheun, porse e duan ashtu siç thonë vllëzërut siamez të Kinës, Kubës, Serbisë, Rusisë e Greqisë, por edhe qysh urdhëron Nanosi e Klosi diku nga bunkerët.
 
Popullit të  Kosovës i është dashur të luftojë për këtë liri kundër shumë pushtuaesve me radhë, madje dhe sot e kësaj dite lufton. Ai është populli më i ri dhe më me plot elan në Evropë, por pse të mos thuhet edhe në botë. Me gjithë të mirat dhe të ligat e tij, ky popull duhet të qëndrojë në thelb të shumicës së problemeve vetanake, dhe çdo plan që synon t´i  zgjidhë këto probleme pa i lënë hapsirë të zhvillohet ashtu si do ai, është i destinuar të dështojë. Tani pas luftës së Kosovës, populli është i veshur me lavdi. Disa lavdinë e kanë të merituar dhe ju qoftë hallall, disa e kanë të rreme, e disa të tjerë si synim e kanë karrierën, despotizmin e disa dhe diktaturën staliniste- enveriste.
 
Populli ka votuar bukur, mirë e qetë. Ndërsa Ju Zotëri Demaçi, para kamerave televizive, në një kacafyetje debatike mundoheni ta frikësoni popullin edhe ashtu të frikësuar se në Kosovë po zihet diç e pa parashikuar. Qofsh me jetë profeti Demaçi. Kështu populli nuk ka dashur të Ju shohë. Ai ka pasur besimin në Ju, Ju ka dashur, Ju ka lavdëruar e ngritur epose për Ju, e JU ? Ju sot nuk e leni këtë popull t‘i kalojë ato fazat e para të rritjes së tij, duke ndjellur urrejtje ndaj Presidentit, ndaj luftës e ndaj çdo të mire që është në dobi të këtij populli. Deshet ju apo nuk deshet, populli shqiptar është në rritje e sipër, është në miqësi me amerikanët dhe evropianët. Ai po shkon para kah perëndimi e jo nga Moska. Komunizmi ka vdekur njëherë e përgjithmonë, por bashkë me to po vdesin edhe dokrrat e rrenat e parullave famkeqe që mashtronin popullin e ngratë, se vetëm komunizmi është shpëtim i popullit.
 
Dhashtë zoti e Kosovës t´i  mbetet vetëm çerdhja e RTK-së si çerdhe e fundit komuniste. Sepse për fatin e pushtuar të RTP-së që nesër synon të bëhet gjithkombëtare, dinë edhe të tjerët. Ky kontest është i zgjidhur. Ju e keni formuar RTK-në e Adem Demaçit, por në vend të huaj. Lëshojeni pasurinë e RTP-së dhe të atyre punëtorëve që kanë mbetur në rrugë tash e trembdhjetë vite, ta gëzojnë atë çka e meritojnë . E Ju zotërinj të RTK-së, mund të shkoni edhe në Tiranë apo Beograd, ku i keni shokët e idealit. Dhe pa hyrë ne punët e juaja të brendshme,  ju sygjeroj t’i lini ato debate irrituese, sepse e keni bërë skllop.
                     
Dhe krejt ne fund diç për Zotëri Adem Demaçin

Zotëri i nderuar,
 
Nelson Mendela u dergj burgjeve famkeqe të Apartheidit Jugoafrikan, vetëm një vit më shumë se Ju, dhe u bë President i Afrikës së Jugut, pasi që ishte idoli i atij kombi ashtu siç ishit edhe Ju për ne. Tani lind pyetja: pse u bë Nelson Mendela president i Afrikës Jugore e nuk u bëtë Ju president i Kosovës, apo edhe Pjetër Arbnori i Shqipërisë? Sepse nuk ditëm por edhe nuk mundëm të jemi pranë jush ashtu siç ishin Jugoafrikanët për idolin e tyre. Së pari që nga dita e parë e daljes nga burgu i Nelson Mendelës, atij iu urdhërua që asnjë fjalë të mos e fliste për opinionin, pa u kshilluar me disa dhjetra këshilltarë që ia kishte caktuar populli dhe partia e tij. Sepse, populli e dinte se ai nuk mund ta ketë mendjen e shëndoshë pas të gjitha atyre vuajtjeve. Këtë e dinte edhe Nelson Mendela, dhe as që i shkoi mendja ta bënte të kundërten. Ndersa Juve, Baca Adem, nuk ju ofrua një eskortë këshilltarësh sikurse Mendelës, por edhe sikur të Ju ofrohej, Ju nuk do ta kishit pranuar, sepse keni menduar se më të mençur se Ju në botën shqiptare nuk ka lindë e as që do të lindë! Kështu Ju humbëm ne si popull, por  hubët edhe Ju si njeri. Ky është dëmi më i madh që iu bë popullit shqiptar që nga lufta e dytë botrore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora