| E enjte, 12.12.2019, 08:36 PM |
ALBER KAMY – SHKRIMTAR I ABSURDIT DHE I REVOLTËS
Sizifin duhet ta përfytyrojmë të lumtur. (Kamy)
Ekziston e vërteta jote, por edhe e vërteta
ime. (Kamy)
Nga Xhelal
Zejneli
Alber Kamy (Albert Camus) ka lindur në Mondovi të Algjerisë më 7
nëntor 1913. Vdiq në aksident rrugor në Villeblevin, afër Parisit, më 4 janar
1960. Është romancier, eseist, dramaturg dhe filozof francez. Rrjedh nga një
familje e varfër punëtorësh. Babai i tij ishte francez, ndërsa nëna spanjolle.
U shkollua në Algjeri. Ishte agjent tregtar, meteorolog, nëpunës në një agjenci
anijesh si dhe nëpunës në prefekturë. Qysh si nxënës gjimnazi, sensibiliteti i
tij përshkohej nga tre pasione të mëdha: nga letërsia, nga teatri (ishte
dramaturg, regjisor dhe aktor), si dhe nga sporti, e sidomos futbolli. Gjatë
gjithë jetës së tij, më së miri ndjehej në shoqërinë e aktorëve dhe të
sportistëve. Teatri për të ishte një shkollë e pazëvendësueshme e moralit
ekipor apo kolektiv dhe kundërpeshë e vetmisë gjatë të shkruarit. Kamy i takon
filozofisë së ekzistencializmit.
* * *
Ekzistencializmi (fr. Existentialisme është drejtim
dhe doktrinë filozofike që ka pasur jehonë të madhe në letërsi dhe në art.
Filozofi francez Emanuel Munie (Emmanuel
Mounier, 1905-1950) i cili është një nga përfaqësuesit më të
rëndësishëm të personalizmit francez, thotë
se rrënjët e ekzistencializmit shkojnë thellë në të kaluarën, në antikë. Munie
dhe Zhan Val, thonë se ekzistencialistë të
pavetëdijshëm kanë qenë Sokrati dhe Platoni,
pastaj stoikët, Shën Augustini, Shën Bernari, Paskali dhe Men
de Biran. Ekzistencializmi modern fillon me filozofin
danez Seren Kjerkegor (Sören Kierkegaard,
1813-1855). Pas tij pasojnë filozofët gjermanë Martin Hajdeger (Martin
Heidegger, 1889-1976) dhe Karl Jaspers (Karl
Jaspers, 1883-1969). Në kuptim të plotë të fjalës, ekzistencialistë të
vërtetë janë shkrimtarët, përkatësisht filozofët francezë Zhan-Pol
Sartri (Jean-Paul Sartre, 1905-1980), Merlo-Ponti (Maurice
Merleau-Ponty, 1908-1961), Alber Kamy (Albert
Camus, 1913-1960) dhe bashkëjetuesja, përkatësisht ithtarja e
filozofisë së Sartrit - Simon de Bovuar (Simone
de Beavoir, 1908-1986). Ekzistencializmi niset nga këto pyetje: a
i prin ekzistenca esencës, d.m.th. a i prin qenia thelbit apo anasjelltas?
* * *
Pikëpamjet e veta
filozofike Kamy i paraqiti në veprat “Miti i Sizifit” (Le
Mythe de Sisyphe, 1942) dhe “Njeriu i revoltuar” (L’Homme
révolté, 1951). Tezat e përgjithshme të tij realizohen dhe eksplikohen edhe
në një varg romanesh, në radhë të parë tek “I huaji” (L’Étranger,
1942) dhe te “Murtaja” (La Peste,
1947) si dhe në esenë “Vera” (L’Été, 1954).
Filozofia e Kamysë,
krejt asaj që e quan “absurde”, ia kundërvë përvojën e revoltës,
si i vetmi kuptim i absurdit. Sipas tij, “historinë e çojnë përpara
pikërisht ata të cilët në çastin e duhur, dinë të protestojnë kundër saj”. Kjo
nënkupton “tensionin e pandërprerë dhe qetësinë e tkurrur për të cilën
flet poeti”. Mirëpo, jeta e vërtetë ndodhet pikërisht te thelbi i
ndarjes së njeriut më dysh. Revolta vazhdimisht përplaset me të
keqen, ndërsa arti dhe revolta do të vdesin vetëm kur të vdes njeriu i fundit.
Madje, thelbi i artit qëndron në revoltë, për arsye se arti
gjithmonë është protestë ndaj realitetit, flakërim ndaj
ekzistencës. Përballë të menduarit, vepra artistike, në
sferën e shqisave ruan absurden.
Detyrë kryesore e artit është të pasqyrojë absurditetin, për arsye se sikur
ky absurditet të mos kishte qenë ekzistenciale dhe e papërsëritshme, përkatësisht
e painterpretueshme, dhe sikur bota të ishte e qartë, as që do të kishte art.
Mirëpo, liria e
artit, sipas Kamysë nuk vlen shumë po qe se nuk ka qëllim tjetër përveçse t’i
sigurojë liri krijuesit artistik. E po qe se liria paraqet rrezik, atëherë është
më se e qartë se ajo nuk do të turpërohet.
Kamy me rreptësi e
mohon teorinë e realizmit socialist, për arsye se ky
art sa më tepër që është socialist, aq më pak është realist.
Kjo estetikë që ka dashur të rrënjoset në realitet, është
bërë idealizëm i ri, skemë e re, po aq e pafrytshme sa ka
qenë edhe idealizmi borgjez. Dy estetikat
– njëra që rekomandon refuzimin e plotë të së tashmes dhe
tjetra që synon refuzimin e krejt asaj që nuk është e tashme,
në fund bashkohen larg realitetit, në të njëjtën gënjeshtër dhe në eliminimin
e artit. Akademizmi i së djathtës përbuz mjerimin, gjë
të cilën akademizmi i së majtës e shfrytëzon,
por në të dy rastet mjerimi sa vjen e shtohet, ndërsa arti gjithnjë më tepër
pakësohet. Por, pa kulturë dhe pa liri relative me të cilën ka të bëjë arti,
edhe një shoqëri e përsosur nuk është gjë tjetër veçse një xhungël. Kështu
që, çdo krijim autentik si revoltë, është dhuratë
për ardhmërinë.
Përballë
spontanitetit të kësaj revolte, sipas Kamysë, revolucionet shoqërore
konkrete nuk sjellin kurrfarë ndryshimesh të njëmendta dhe nuk ofrojnë
perspektiva. Revolucioni Borgjez Francez, i vitit 1789, e solli në
pushtet Napoleonin III. Revolucioni i Madh Socialist i Tetorit, i vitit 1917, e
solli diktatorin Stalin. Revolucionarët italianë e sollën Musolinin, ndërsa
Republika e Vajmarit – Adolf Hitlerin.
Pra, në këtë botë
absurde, në të cilën njeriu është i huaj dhe i cili nuk
e njeh as veten, padrejtësi dhe vuajtja do të ketë gjithmonë.
Me fjalë të tjera, revolucioni mbështetet në ide dhe dëshiron t’i japë formë
botës dhe ta ndryshojë atë sipas konceptit teorik të vet. Prandaj, revolucioni
nuk i vret vetëm njerëzit, por edhe parimet. Megjithëkëtë, “revolucionari
njëherazi është edhe revoltues, e kur pushon të jetë revoltues, nuk është
më as revolucionar, por polic dhe funksionar që kthehet kundër revoltës”.
Filozofia e absurdit, sipas Kamysë, nuk do të thotë njëherazi edhe afirmim të irracionales.
Te “Miti i Sizifit” Kamy shkruan: “...kur e
vërej kufirin e arsyes, nuk e mohoj atë, ngase e pranoj fuqinë relative të saj”.
Revolta dhe protesta e Kamysë, përkundër rrëfimit me
pasion dhe talentit me të cilin janë pasqyruar, janë të pjesshme,
jokonsekuente dhe të kufizuara nga pozicioni kundërthënës i tërë filozofisë
së tij të absurdit – thotë kritiku francez Gaetan Picon (Gaëtan
Picon, 1915-1976). “Është për të ardhur keq që Kamy nuk shkon deri në
fund të revoltës së tij dhe të pasioneve të tij. Na duket sikur kemi të bëjmë
me një energji që qëndron pezull, me një forcë që është ndalur në gjysmë të
rrugës” – thotë Pikon.
* * *
Kamy, sikurse edhe
Sartri, librat e tij të parë i shkroi para Luftës së Dytë Botërore, për t’u
bërë pas luftës, krahas Sartrit, autori francez më i lexuar dhe më me ndikim.
Ndërmjet romanit “Neveria” (La Nausée, 1938) të
Sartrit dhe romanit të parë të Kamysë “I huaji”, të
botuar katër vjet më vonë, ka ngjashmëri të mëdha, por edhe dallime
të mëdha. Ka pasur kritikë letrarë që kanë thënë se “I huaji” është
kopjim i “Neverisë”. Heroi qendror i romanit “I
huaji” – Merso (Meursault), i ballafaquar me konvencionet
e shoqërisë qytetare si dhe me indiferencën e paimagjinueshme të botës, është i
pushtuar nga ndjenja e absurditetit të jetës dhe
nga nevoja për revoltë.
Letërsia e Kamysë
është e afërt me rrethin e letërsisë ekzistencialiste të
pasluftës, por, te Kamyja është shumë më i theksuar synimi nga artizmi,
madje në të gjitha zhanret në të cilat u dëshmua: në roman,
në novelë dhe në dramë si dhe në esenë lirike dhe
në atë filozofike.
Letërsia për të
është një përpjekje që të paraqitet absurditeti i jetës dhe i botës, përvojë e
privilegjuar e luciditetit të njeriut, por edhe synim për ta përkufizuar dhe
për të arritur të bukurën. Ekonomia rigoroze e shprehjes dhe
e matjes së fjalës në përgjithësi, dozimi me maturi i emocioneve dhe i
racionalitetit, respektimi i theksuar i traditës – në radhë të parë i
traditës klasiciste franceze – janë karakteristika të frymës dhe të
stilit të Kamysë.
Opusi i Kamysë nuk
ofron një imagjinatë spektakulare të papërmbajtur, as edhe postulate të një
sistemi filozofik të fortë. Vepra e tij kurrë nuk mbyllet në vete si një
përfundim i padiskutueshëm i autorit. Përkundrazi, ajo rishqyrtohet dhe vihet
në pikëpyetje. Prej entuziazmit rinor nga drita dhe nga klima
e nxehtë e Mesdheut, duke u përshkuar nga ndjenja e
absurditetit të jetës dhe të botës, në kontakt me përvojën e sëmundjes dhe
të luftës, duke kërkuar humanizëm dhe solidaritetit njerëzor
mbi gërmadhat e vlerave të rrënuara, e deri te bilanci i ankthshëm i
luciditetit dhe i pafuqisë së shkrimtarit të shekullit XX, vepra e Kamysë
pasqyron me maturi lakoren subtile të dilemave të njeriut dhe të shkrimtarit të
kohës sonë.
Fryti më i mirë i
krijimtarisë rinore të Kamysë, pa dyshim është “Gostia” (Noces,
1939), libër me katër ese lirike poetike për Mesdheun. Në faqet e
këtij libri janë të pranishëm në mënyrë alternative poeti dhe moralisti:
Kamy dëshiron që çështjet të cilat i shtron, t’i ndjejmë,
por edhe t’i njohim. Metafora dhe refleksioni filozofik dhe moral
ndërrohen radhazi dhe ndërthuren. Në to jehon besimi në mbretërinë e kësaj
bote, si një rrugë e vetme dhe e arritshme për njeriun, e përbërë
nga drita, nga kaltërsia e qetë e qiellit, nga aroma e
detit dhe e luleve, nga nxehtësia e diellit dhe e
plazhit, nga jeta e trupit, që e ka filozofinë e vet. Në esetë
lirike “Gostia” dhe “Vera”,
vërehet ndikimi i romancierit, eseistit, dramaturgut dhe poetit
francez, Andre Zhid (André Gide, 1869-1951), më
1947 i laureuar me Çmimin Nobel. Vërehet edhe ndikimi i filozofit dhe
poetit gjerman Fridrih Niçes (Friedrich Nietzsche,
1844-1900).
Në vitin 1942 del në
dritë romani “I huaji”, një nga veprat
fundamentale të letërsisë botërore pas luftës, si dhe eseja
filozofike “Miti i Sizifit”. Në këta dy libra
autori kërkon kuptimin e fatit njerëzor pas shkatërrimit të vlerave
krishtere dhe të vlerave qytetare. Tek “I huaji” Kamy
flet për një ndarje ndërmjet individit dhe universit.
Mersoja është i përshkuar nga ndjenja se në botën ku jeton, është i rrethuar
nga gënjeshtrat e mëdha të njerëzve dhe të institucioneve të shoqërisë, ndaji i
dorëzohet botës së pafund të elementeve.
* * *
Romani “Murtaja” dhe
eseja filozofike “Njeriu i revoltuar” synojnë
të jenë udhërrëfyes të revoltës dhe të solidaritetit
kolektiv pas përvojës së absurdit dhe të vetmisë.
Pjesët dramatike të
Kamysë, “Kaligula” (Caligula, 1944) dhe “Mosmarrëveshja”, në
një anë, si dhe “Shtetrrethimi” (L’État de siege,
1948) dhe “Të drejtët” (Les Justes, 1950), në
anën tjetër, janë alegori dramatike të cilat po ashtu
radhiten në polet e absurdit dhe të revoltës.
Kamy ishte i
mllefosur nga agresiviteti i “progresistëve” të
Parisit. Për këtë flet në romanin e tij të tretë “Rënia” (La
Chute, 1956), vepër kjo tejet interesante dhe e ndërlikuar. Ai e quan roman
për “heroin e kohës sonë”, e ky është intelektuali
– akuzues i akuzuar, gjyqtar i penduar. Ky rrëfim përmban 170
faqe dialog, ose më saktë monolog, për arsye se
bashkëbiseduesit të rrëfyesit nuk i ofrohet rasti që të thotë qoftë edhe një
fjalë të vetme. Protagonisti i tij, ndonëse i pajisur me një kulturë impozante,
tregon sesi krejt ajo kulturë ia ka vrarë atij pastërtinë shpirtërore dhe
njerëzoren. Përkundër kësaj, njeriu mund të bjerë në greminën e pashpresë. Me
një ironi të madhe, me virtuozitet dhe stil të përkryer “Rënia” duket
sikur dëshmon për ndjenjën e luciditetit dhe të pafuqisë së shkrimtarit të
shekullit XX.
* * *
Një kohë, Sartri dhe
Kamy kishin raporte të afërta. Autorin e “Neverisë” e
quanin anije, ndërsa autorin e romanit “I huajit” – barkë të
lidhur për këtë anije. Në vitin 1951 Kamy botoi librin “Njeriu i
revoltuar”. Shumë studiues e konsiderojnë si një ese të rëndësishme të
shekullit XX. Duket sikur kemi të bëjmë me historinë e dramatizuar dhe
dramatike të ideve evropiane që nga iluminizmi deri
te mesi i shekullit XX. Në të vërtetë, ky libër është fryt i përvojave kryesore
të Kamysë: i përvojës së fashizmit dhe i preokupimit të qarqeve të caktuara të
parisienëve në periudhën e pasluftës me idenë e dhunës revolucionare në
shërbim të komunizmit. Kamy në të jep analizën dhe kritikën,
si të totalitarizmit të majtë, ashtu edhe
atij të djathtë.
Ndërkaq,
intelektualët e tubuar rreth Sartrit, i cili e pranonte
vetëm kritikën e totalitarizmit të djathtë,
pikëpamjet e sipërthëna të Kamysë i pritën me kritika të ashpra.
Midis këtyre dy
viganëve të mendimit estetik evropian, në revistën Combat të
Parisit u zhvillua një polemikë e ashpër që zgjati muaj të tërë. Kritika që
Kamy ia bëri totalitarizmit të majtë, për qarqe të caktuara të
Perëndimit ishte e mirëseardhur. Në vitin 1957 u laureua me Çmimin
Nobel për letërsi.
* * *
Kamy lëngonte nga
TBC-ja. Ishte duhanpirës i pasionuar, njësoj sikur Sartri. Nuk e përfillte
institucionin e bashkëshortësisë konvencionale. Gjatë jetës, kishte disa lidhje
dashurie. Në vitin 1937 u njoftua në Algjeri me Fransin For (Francine
Faure, 1914-1979), matematikane dhe pianiste e specializuar për
Johan Sebastian Bahun. Nga martesa e tyre e lidhur më 3 dhjetor 1940, më
1945 (pas çlirimit të qytetit ) lindën në
Paris binjakët: vajza Katrin (Catherine) dhe djali Zhan (Jean). Kjo ishte
grua e dytë e Kamysë. Kamy vdiq më 1960, në moshën 47 vjeçare, në një aksident
rrugor.
“Erdha t’ju tregoj se, po qe se nuk do të qani në varrimin e nënave tuaja,
do të dënoheni me vdekje” - Kamy drejtuar studentëve dhe profesorëve të Harvardit.
* * *
Sartrit iu nda Çmimi
Nobel më 1964, d.m.th. 7 vjet pasi iu dha Kamysë. Por, ai e shkagoi (e refuzoi)
atë. Më 1945 e kishte refuzuar edhe çmimin “Legion d’Honneur” (Legjioni
i Nderit). Më 14 tetor 1964, Sartri i dërgoi Komiteti të Nobelit
një letër në të cilën kërkonte që ta hiqnin emrin e tij nga lista e të
nominuarve. Njëherazi i paralajmëronte anëtarët e jurisë se, po qe se do ta
laureonin, ai nuk ka për ta pranuar Çmimin. Komiteti i Nobelit ndërkaq,
nuk e mori parasysh kërkesën e Sartrit dhe më 22 tetor 1960 ia ndau Çmimin
Nobel. Arsyet e refuzimit të Nobelit, Sartri i shpjegoi në një prononcim të
botuar më 23 tetor 1964 në gazetën Le Figaro të Parisit. Midis
tjerash, ai thotë se nuk dëshiron që një çmim i tillë të ndikojë që ai
të “transformohet”, duke shtuar njëherazi se nuk dëshironte
të merrte anë në konfliktin kulturor midis Perëndimit dhe Lindjes, duke pranuar
një çmim nga një institucion kulturor prominent perëndimor.