| E enjte, 21.11.2019, 08:02 PM |
DUKE RILEXUAR (NDRYSHE) TUCOVIQIN
Nga Adil FETAHU
*“Me hyrjen e ushtrisë sonë në Kosovë, kemi hyrë në
tokë të huaj. Deçani mund të mallëngjejë shpirtin e romantikëve nacionalë,
veçse për stabilitetin e rexhimit të ri në këto anë kjo nuk do të thotë asgjë.
Shkaku themelor i të gjitha të këqijave, prej të cilave vuajmë sot dhe do të
vuajmë shumë në të ardhmën, është se
kemi hyrë në tokë të huaj dhe me paramendim është tentuar vrasja e një populli
të tërë, gjë që është krim”.
* “Qeveria deklaroi përmes Minstrit të punëve të jashtme,
se Shqiptarët do të dënohen në mënyrë shembullore, shtypi borgjez kërkonte
shfarosjen e tyre të pamëshirshme, dhe ushtria këto i zbatonte”
(DimitrijeTucoviq: “Serbija i Arbanija”/Serbia dhe Shqipëria, fq.84/.
*
Gjeneratat e mëhershme e njohin veprën dhe personalitetin e intelektualit
të shquar serb, socialdemokratit
Dimitrije Tucoviq (1881 – 1914), themelues dhe kryetar lëvizjes dhe
Partisë Socialdemokrate në Serbi,
redaktor i gazetës “Radniçke novine” (shq. Gazetë e Punëtorëve)
dhe gazetës “Borba”. Shqiptarët e njohin Tucoviqin përmes librit/studimit të
tij kryevepër, me vëllim të vogël, por me vlerë të madhe: “Srbija i Arbanija –
jedan prilog kritici zavojevaçke politike srpske burzhoazije” (shq. Sërbia dhe
Shqipëria – një kontribut kritikës së politikës pushtuese të borgjezisë
serbe), libër ky i botuar herën e parë
në vitin 1914, ndërsa i përkthyer dhe botuar në shqip, në vitin 1968, me një
“Pasthënie” të thuktë nga historiani ynë, Ali Hadri.
Ata që kanë pasur rastin ta lexojnë librin “Srbija i Arbanija”, kanë parë
se me çfarë realizmi historik shkruan Tucoviqi për gjendjen e shqiptarëve dhe
për mizoritë e soldateskës serbe kundër shqiptarëve në Luftën Ballkanike dhe në
fillimet e Luftës së Parë Botërore.
Libri Sërbia dhe Shqipëria është një studim mjaft i thellë, për kohën kur
është shkruar, me përmbajtjen e sistemuar, pas një Parathënie të shkurtër të
autorit, në katër kapituj: (1) Nga jeta
e shqiptarëve: - Atdheu dhe përhapja; - Organizimi fisnor dhe gjakmarrja; -
Gjendja ekonomike; - Karakteri i popullit dhe jeta shpirtërore; (2) Autonomia e
Shqipërisë: - Fillimi i lëvizjes për autonomi;
- Veriu dhe Jugu, Gegët dhe Toskët; - Përspektiva e së ardhshmës; (3)
Luftërat për Detin Adriatik: - Deti Adriatik dhe luftat në Lindje. –
Austrohungaria dhe Italia, - Deti Adriatik dhe Ballkani; (4) Serbia dhe
Shqipëria (që është edhe titulli i librit): - Lakmitë imperialiste të
borgjezisë sonë; - Të prirurit kah deti; - Disfata e ndërmarrjes imperialiste;
- Okupimi ushtarak i Shqipërisë; - Përfundimet e politikës imperialiste.
Ne shqiptarët e njohim Tucoviqin kryesisht përmes librit të përmendur,
“Serbia i Arbanija”, por janë edhe
dhjetë libra tjerë voluminozë, “Vepra të zgjedhua” (I-X) të Tucoviqit, afro
6000 faqe tekst: memoare, biografi, ditarë, letërshkëmbim me personalitete të
njohura të lëvizjes punëtore, artikuj të botuar në gazeta, etj.
Nga Parathënia e librit “Serbija i Arbanija”
“Jemi marrë këtu me çështjen shqiptare në një mënyrë paksa më të plotë,
më tepër nga nevoja praktike, se sa nga interesi teorik. Politika e qeverisë
sonë ndaj Shqipërisë përfundoi me një disfatë që na kushtoi viktima të mëdha.
Viktima edhe më të mëdha na presin në të
ardhmën. Me politikën imperialiste të
qeverisë serbe kundër popullit shqiptar, në kufirin perëndimor të Serbisë, u
krijuan marrëdhënie të tilla, sa që është vështirë të vendoset në një të ardhme
të afërt paqja dhe gjendja normale. Njëkohësisht kjo politikë e hodhi
Shqipërinë në krahët e dy fuqive të mëdha më të ineresuara për Balkkanin
Perëndimor (Austrohungarisë dhe Italisë, v.j.), E pra, çdo forcim i influencës
së cilitdo shtet kapitalist në Siujdhesën Ballkanike, është një rrezik serioz
për Serbinë dhe zhvillimin normal të të gjithë popujve të Ballkanit.
Por, për t’iu përgjigjur këtij qëllimi praktik, na është
dashur të merremi me gjendjën në Shqipëri. Kjo ka qenë aq më tepër e nevojshme,
pasiqë, e para, shtypi ynë, në përpjekjen e destinuar për falimentim në ndihmën
e një politike të gabuar e të mbrapshtë, me muaj e me vjet ka përhapë mendime
tendencioze mbi popullin shqiptar; dhe e dyta, sepse me këto mendime edhe vetë
qeveria u mundua ta justifikojë politikën e saj imperialiste kundër Shqipërisë.
Duke i njohur më mirë rrethanat dhe konfliktet e
interesave në këtë pjesë të Ballkanit, mund të kuptohet më drejtë gjendja e
Shqipërisë dhe të krijohen marrëdhënie më të mira në mes të popullit serb dhe
atij shqiptar. Një njohje më e mirë nevojitet sidomos për proletariatin, mbi të
cilin rëndon kryesisht misioni i lartë që ta luftojë rreptësisht politikën
imperialiste të borgjezisë dhe të qarqeve sunduese dhe, në një problem aktual
praktik, të tregojë se sa e shëndoshë dhe shpëtimtare është puna e
socialdemokracisë së Ballkanit, për miqësinë, aleancën dhe bashkimin më të
plotë të të gjithë popujve të Ballkanit.
Nëse ky libër i vogël do t’iu shërbejë si ndihmë partive
socialdemokrate të Ballkanit në këtë mision historik, shpresat tona të
përvuajtura nuk do të shkojnë kot.
Beograd, 1 janar1914 D.T.”
* * *
Tucoviqi largpamës
dhe vizionar
Me këtë rilexim të Tucoviqit, këtu nuk do të merremi me përshkrimiin mizorive
që bënë ushtria serbe dhe ajo malazeze gjatë pushtimit të tokave
shqiptare, gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, sepse ato
tashmë janë të njohura e të publikuara edhe nga autorë tjerë: Raporti i Komisionit Ndërkombëtar mbi
Luftërat Ballkanike”(publikuar në vitin 1914); Raporti i peshkopit të Shkupit e
Prizrenit, Lazër Mjeda, për viktimat e popullsisë muslimane të Kosovës
dhe Maqedonisë në Luftën Ballkanike, dërguar Vatikanit më 24.01.1913; të dhënat prej atij Raporti të Lazër Mjedes i ka marrë Leo Freundlich kur e ka botuar
librin e tij “Golgota Shqiptare”(1914). Nga ato raporte shihet
gjithë mizoria dhe gjenocidi serb mbi shqiptarët, të kryera në vitet 1912-1913.
Ne këtu do të merremi me Tucoviqin nga një aspekt tjetër, se sa ishte ai
largpamës kundër politikës nacional-shoviniste të borgjezisë serbe ndaj
shqiptarëve, dhe si mendonte të krijoheshin raporte të shëndosha dhe paqe midis popujve të Ballkanit. Tucoviqi
me një dashamirësi të veçantë synonte bashkimin e popujve të Ballkanit në një
lidhje federale apo konfederale, sipas shembullit të ShBA-ve. Synonte një
bashkësi që do t’iu garantone të gjithë popujve liri, zhvillim e përparim. Ai e
kishte kuptuar më së miri çështjen e ngatërruar të popujve të Ballkanit,
gjithnjë të gatshëm për t’u therrë mes vete. Duke kritikuar politikën
militariste të pushtetit, që po hynte në
borxhe dhe po shpenzonte buxhetin për
armatim, në një kohë kur ekonomia ishte e varfër dhe e prapambetur, Tucoviqi
thoshte: “Në vendin tonë më së pari hyni makina e vrasjes, e mandej makina e
punës… Kulmi i abuzimeve militariste është tentativa për daljen në det përmes
okupimit të Shqipërisë…, e për të shtruar mbarë Shqipërinë e Veriut, së cilës i
është vu syri, Serbia do të ishte e detyruar të mbajë garnizone të mëdha
ushtarake dhe, pa dyshim, të derdhë gjak çdo vjet për rivendosjen e qetësisë..
Dalja në Detin Adriatik duke pushtuar Shqipërinë është gjë që kushton shtrejtë,
është një absurditet ekonomik, ndërsa skllavërimi i popullit shqiptar, si mjet
për dalje në det, u tregua edhe si absurditet politik… Politika grabitçare e
Serbisë së vogël dhe ekonomikisht të pazhvilluar, duhej të përpiqej për t’i
bashkuar e jo për t’i shtypur popujt e vegjël rreth vete. Ëndërra për dalje në
Detin Adriatik, duke pushtuar Shqipërinë është gjë e kaluar, por hija e saj do
ta errësojë për një kohë të gjatë diellin mbi krye të popullit serb…, do të
mbetet në historinë e popullit serb si përmendorja më e përgjakshme e një viti
regjimi lufte të borgjezisë…Mbas një gjysëm viti urie, vuajtje, shkatërrimi dhe
flijimi të kotë të jetës së njerëzve, mbeturinat e shkreta t’aradhës bregdetare
u kthyen, duke lënë pas vete, si shenjë, më se 5000 varre ushtarësh dhe
urrejtjen e përgjithshme të popullsisë… Dhe dijeni se këto krime do mbahën mend
brez pas brezi, siç mbahet mend Nata e Bartolomeut”, thoshte Tucoviqi në
Kuvendin e Serbisë, derisa deputetët e
shikonin njeni-tjetrin dhe kthenin kokën në tjetrën anë.
Gjakova – qytezë e
pastër shqiptare
Duke iu kundërvu propagandës së mediave për shqiptarët si racë më e ulët
dhe dembelë, Tucoviqi kishte shkruar një
fejton në gazetën “Borba”, nga ç’kishte pa e vërejtë në Gjakovë. “Gjakova
është qytezë e pastër shqiptare. Turqë nuk ka fare, e ata pak serbë, një grush
sish, e kanë pjesën e vet që quhet “Lagjja e Serbëve”, në të cilën nuk kanë
punëtori tjera përveç kafeneve. Tërë masën tjetër të popullsisë së Gjakovës e
përbëjnë shqiptarët. Edhe rrethina e Gjakovës është pothuajse ekskluzivisht
shqiptare. Në tërë këtë anë Serbia ka gjetur vetëm përmendore të mesjetës, mure
të ftohta, të cilat kanë vlerë për arkeologët dhe artistët. Për shembëll,
Deçani mund të mallëngjejë shpirtin e romantikëve nacionalë, veçse për
stabilitetin e këtij rexhimi në ato vise nuk do të thotë asgjë. Dhe shkaku i të
gjitha të këqijave të cilat i vuajmë tash dhe nga të cilat do të vuajmë shumë
në të ardhmën, konsiston në faktin se kemi hyrë në tokë të huaj. Dhe Gjakova
nuk është qytezë shqiptare vetëm në raportin e popullsisë, por ajo është
shqiptare me tërë jetën e jashtme dhe me ekonominë. Nuk janë aty vetëm minaret
e xhamive të ngritura kah qielli, as vetëm shtëpitë në formë kullash me frenxhi
dhe muret e përshtatura për luftë. Nuk është vetëm veshmbathja tipike shqiptare
që shihet në rrugët e Gjakovës, veçse tërë zejtaria dhe tregëtia është në
duarët e shqiptarëve. Kështu, Gjakova, kjo qendër më e ashpër e shqiptarisë,
qerdhe e kaçakëve, me jetën e vet ekonomike paraqet pamje krejtësisht tjetër të
shqiptarëve, kundrejt asaj që llomotisin gazetat e Beogradit, qoftë nga
mosdija apo me qëllim. Rrugë të tëra
janë përplot dyqane tregëtare e punëtori zejtare; në to sheh njerëz të rritur,
me ato tirqit e tyre të ngushta të bardha dhe me plisat e bardhë mbi kokë; në
punëtoritë e tyre punojnë nga 4-5, 6-8 punëtorë. Janë të shumta punëtori
rrobaçepësie, në të cilat punohen rrobat e veshjes popullore shqiptare,
zbukurimit të të cilave iu kushtohet vëmendje e madhe, sa që mund të kushtojnë
disa qindra dinarë; ka edhe këpucëtarë, zdrukthtarë etj”.
*
Nuk kemi iluzione se Tucoviqi ishte një dashamirës i përzemërt i
shqiptarëve, kur shkruante, botonte e
kritikonte regjimin për politikën kriminale dhe krimet e llahtarshme të
ushtrisë serbe, apo kur i lavdëronte shqiptarët për vetitë pozitive. Por, ai ishte një internacionalist i thekur
dhe ishte patriot i vendit dhe i popullit të vet, donte ta ruante e përparonte me zhvillim
ekonomik, arsimim, shëndetësi, me të drejta politike, civile e sociale dhe në
paqe e marrëdhënie të mira me popujt
fqinjë. Po të qohej nga varri e ta
shihte Serbinë sot, do t’i duhej të vazhdonte punën aty ku e ka lënë para një
shekulli, për ta ndryshuar mentalitetin “Tariguz” të regjimit aktual.
Libri i Tucoviqit: “Srbija i Arbanija” është një nga studimet e para dhe më
të argumentuara, për ta luftuar nacional-shovinizmin serb i cili thirret në
mite dhe histori të rrejshme. Pikëpamjet e Tucoviqit për imperializmin,
shovinizmin, militarizmin dhe mentalitetin serb ndaj shqiptarëve, janë
aktuale edhe sot, sikur para 105 vjetëve kur është botuar ai libër.
Bile, në opnionin e një mase të madhe të
serbëve, Tucoviqi sot konsiderohet si
tradhtar i kombit, i cili me shkrimet dhe qëndrimet e tij ia qiti faqen e zezë
politikës dhe shtetit të Serbisë së asaj kohe.
Pse, a mos është sot gjë më e mirë, do thoshte edhe vet Tucoviqi, po të
zgjohej nga vorri, të cilit ia kanë lëkundur eshtrat e ndërruar vendin e
vorrimit gjashtë herë deri më tash!