E merkure, 13.11.2024, 06:16 AM (GMT)

Mendime

Adil Fetahu: Duke rilexuar (ndryshe) Tucoviqin

E enjte, 21.11.2019, 08:02 PM


DUKE RILEXUAR  (NDRYSHE) TUCOVIQIN

Nga Adil FETAHU

*“Me hyrjen e ushtrisë sonë në Kosovë, kemi hyrë në tokë të huaj. Deçani mund të mallëngjejë shpirtin e romantikëve nacionalë, veçse për stabilitetin e rexhimit të ri në këto anë kjo nuk do të thotë asgjë. Shkaku themelor i të gjitha të këqijave, prej të cilave vuajmë sot dhe do të vuajmë  shumë në të ardhmën, është se kemi hyrë në tokë të huaj dhe me paramendim është tentuar vrasja e një populli të tërë, gjë që është krim”.

* “Qeveria deklaroi përmes Minstrit të punëve të jashtme, se Shqiptarët do të dënohen në mënyrë shembullore, shtypi borgjez kërkonte shfarosjen e tyre të pamëshirshme, dhe ushtria këto i zbatonte” (DimitrijeTucoviq: “Serbija i Arbanija”/Serbia dhe Shqipëria, fq.84/.

*

Gjeneratat e mëhershme e njohin veprën dhe personalitetin e intelektualit të shquar serb, socialdemokratit  Dimitrije Tucoviq (1881 – 1914), themelues dhe kryetar lëvizjes dhe Partisë Socialdemokrate në Serbi,   redaktor  i gazetës  “Radniçke novine” (shq. Gazetë e Punëtorëve) dhe gazetës “Borba”. Shqiptarët e njohin Tucoviqin përmes librit/studimit të tij kryevepër, me vëllim të vogël, por me vlerë të madhe: “Srbija i Arbanija – jedan prilog kritici zavojevaçke politike srpske burzhoazije” (shq. Sërbia dhe Shqipëria – një kontribut kritikës së politikës pushtuese të borgjezisë serbe),  libër ky i botuar herën e parë në vitin 1914, ndërsa i përkthyer dhe botuar në shqip, në vitin 1968, me një “Pasthënie” të thuktë nga historiani ynë, Ali Hadri.

Ata që kanë pasur rastin ta lexojnë librin “Srbija i Arbanija”, kanë parë se me çfarë realizmi historik shkruan Tucoviqi për gjendjen e shqiptarëve dhe për mizoritë e soldateskës serbe kundër shqiptarëve në Luftën Ballkanike dhe në fillimet e Luftës së Parë Botërore.

Libri Sërbia dhe Shqipëria është një studim mjaft i thellë, për kohën kur është shkruar, me përmbajtjen e sistemuar, pas një Parathënie të shkurtër të autorit,  në katër kapituj: (1) Nga jeta e shqiptarëve: - Atdheu dhe përhapja; - Organizimi fisnor dhe gjakmarrja; - Gjendja ekonomike; - Karakteri i popullit dhe jeta shpirtërore; (2) Autonomia e Shqipërisë: - Fillimi i lëvizjes për autonomi;  - Veriu dhe Jugu, Gegët dhe Toskët; - Përspektiva e së ardhshmës; (3) Luftërat për Detin Adriatik: - Deti Adriatik dhe luftat në Lindje. – Austrohungaria dhe Italia, - Deti Adriatik dhe Ballkani; (4) Serbia dhe Shqipëria (që është edhe titulli i librit): - Lakmitë imperialiste të borgjezisë sonë; - Të prirurit kah deti; - Disfata e ndërmarrjes imperialiste; - Okupimi ushtarak i Shqipërisë; - Përfundimet e politikës imperialiste.

Ne shqiptarët e njohim Tucoviqin kryesisht përmes librit të përmendur, “Serbia i Arbanija”, por  janë edhe dhjetë libra tjerë voluminozë, “Vepra të zgjedhua” (I-X) të Tucoviqit, afro 6000 faqe tekst: memoare, biografi, ditarë, letërshkëmbim me personalitete të njohura të lëvizjes punëtore, artikuj të botuar në gazeta, etj.

Nga Parathënia e librit “Serbija i Arbanija

Jemi marrë këtu me çështjen shqiptare në një mënyrë paksa më të plotë, më tepër nga nevoja praktike, se sa nga interesi teorik. Politika e qeverisë sonë ndaj Shqipërisë përfundoi me një disfatë që na kushtoi viktima të mëdha. Viktima edhe më të mëdha na  presin në të ardhmën. Me politikën imperialiste të qeverisë serbe kundër popullit shqiptar, në kufirin perëndimor të Serbisë, u krijuan marrëdhënie të tilla, sa që është vështirë të vendoset në një të ardhme të afërt paqja dhe gjendja normale. Njëkohësisht kjo politikë e hodhi Shqipërinë në krahët e dy fuqive të mëdha më të ineresuara për Balkkanin Perëndimor (Austrohungarisë dhe Italisë, v.j.), E pra, çdo forcim i influencës së cilitdo shtet kapitalist në Siujdhesën Ballkanike, është një rrezik serioz për Serbinë dhe zhvillimin normal të të gjithë popujve të Ballkanit.

Por, për t’iu përgjigjur këtij qëllimi praktik, na është dashur të merremi me gjendjën në Shqipëri. Kjo ka qenë aq më tepër e nevojshme, pasiqë, e para, shtypi ynë, në përpjekjen e destinuar për falimentim në ndihmën e një politike të gabuar e të mbrapshtë, me muaj e me vjet ka përhapë mendime tendencioze mbi popullin shqiptar; dhe e dyta, sepse me këto mendime edhe vetë qeveria u mundua ta justifikojë politikën e saj imperialiste kundër Shqipërisë.

Duke i njohur më mirë rrethanat dhe konfliktet e interesave në këtë pjesë të Ballkanit, mund të kuptohet më drejtë gjendja e Shqipërisë dhe të krijohen marrëdhënie më të mira në mes të popullit serb dhe atij shqiptar. Një njohje më e mirë nevojitet sidomos për proletariatin, mbi të cilin rëndon kryesisht misioni i lartë që ta luftojë rreptësisht politikën imperialiste të borgjezisë dhe të qarqeve sunduese dhe, në një problem aktual praktik, të tregojë se sa e shëndoshë dhe shpëtimtare është puna e socialdemokracisë së Ballkanit, për miqësinë, aleancën dhe bashkimin më të plotë të të gjithë popujve të Ballkanit.

Nëse ky libër i vogël do t’iu shërbejë si ndihmë partive socialdemokrate të Ballkanit në këtë mision historik, shpresat tona të përvuajtura nuk do të shkojnë kot.

Beograd, 1 janar1914                                                                                              D.T.”

* * *

Tucoviqi  largpamës dhe vizionar

Me këtë rilexim të Tucoviqit, këtu nuk do të merremi me përshkrimiin  mizorive  që bënë ushtria serbe dhe ajo malazeze gjatë pushtimit të tokave shqiptare, gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, sepse ato tashmë janë të njohura e të publikuara edhe nga autorë tjerë:   Raporti i Komisionit Ndërkombëtar mbi Luftërat Ballkanike”(publikuar në vitin 1914);  Raporti i peshkopit të Shkupit e Prizrenit, Lazër Mjeda, për viktimat e popullsisë muslimane të Kosovës dhe Maqedonisë në Luftën Ballkanike, dërguar Vatikanit  më 24.01.1913; të dhënat prej atij  Raporti të Lazër Mjedes  i ka marrë Leo Freundlich kur e ka botuar librin e tij “Golgota Shqiptare”(1914). Nga ato raporte shihet gjithë mizoria dhe gjenocidi serb mbi shqiptarët, të kryera në vitet 1912-1913.

Ne këtu do të merremi me Tucoviqin nga një aspekt tjetër, se sa ishte ai largpamës kundër politikës nacional-shoviniste të borgjezisë serbe ndaj shqiptarëve, dhe si mendonte të krijoheshin raporte të shëndosha  dhe paqe midis popujve të Ballkanit. Tucoviqi me një dashamirësi të veçantë synonte bashkimin e popujve të Ballkanit në një lidhje federale apo konfederale, sipas shembullit të ShBA-ve. Synonte një bashkësi që do t’iu garantone të gjithë popujve liri, zhvillim e përparim. Ai e kishte kuptuar më së miri çështjen e ngatërruar të popujve të Ballkanit, gjithnjë të gatshëm për t’u therrë mes vete. Duke kritikuar politikën militariste të pushtetit, që po  hynte në borxhe dhe po shpenzonte buxhetin  për armatim, në një kohë kur ekonomia ishte e varfër dhe e prapambetur, Tucoviqi thoshte: “Në vendin tonë më së pari hyni makina e vrasjes, e mandej makina e punës… Kulmi i abuzimeve militariste është tentativa për daljen në det përmes okupimit të Shqipërisë…, e për të shtruar mbarë Shqipërinë e Veriut, së cilës i është vu syri, Serbia do të ishte e detyruar të mbajë garnizone të mëdha ushtarake dhe, pa dyshim, të derdhë gjak çdo vjet për rivendosjen e qetësisë.. Dalja në Detin Adriatik duke pushtuar Shqipërinë është gjë që kushton shtrejtë, është një absurditet ekonomik, ndërsa skllavërimi i popullit shqiptar, si mjet për dalje në det, u tregua edhe si absurditet politik… Politika grabitçare e Serbisë së vogël dhe ekonomikisht të pazhvilluar, duhej të përpiqej për t’i bashkuar e jo për t’i shtypur popujt e vegjël rreth vete. Ëndërra për dalje në Detin Adriatik, duke pushtuar Shqipërinë është gjë e kaluar, por hija e saj do ta errësojë për një kohë të gjatë diellin mbi krye të popullit serb…, do të mbetet në historinë e popullit serb si përmendorja më e përgjakshme e një viti regjimi lufte të borgjezisë…Mbas një gjysëm viti urie, vuajtje, shkatërrimi dhe flijimi të kotë të jetës së njerëzve, mbeturinat e shkreta t’aradhës bregdetare u kthyen, duke lënë pas vete, si shenjë, më se 5000 varre ushtarësh dhe urrejtjen e përgjithshme të popullsisë… Dhe dijeni se këto krime do mbahën mend brez pas brezi, siç mbahet mend Nata e Bartolomeut”, thoshte Tucoviqi në Kuvendin e Serbisë, derisa  deputetët e shikonin njeni-tjetrin dhe kthenin kokën në tjetrën anë.

Gjakova – qytezë  e pastër shqiptare

Duke iu kundërvu propagandës së mediave për shqiptarët si racë më e ulët dhe dembelë,  Tucoviqi kishte shkruar një fejton në gazetën “Borba”, nga ç’kishte pa e vërejtë në Gjakovë. “Gjakova është qytezë e pastër shqiptare. Turqë nuk ka fare, e ata pak serbë, një grush sish, e kanë pjesën e vet që quhet “Lagjja e Serbëve”, në të cilën nuk kanë punëtori tjera përveç kafeneve. Tërë masën tjetër të popullsisë së Gjakovës e përbëjnë shqiptarët. Edhe rrethina e Gjakovës është pothuajse ekskluzivisht shqiptare. Në tërë këtë anë Serbia ka gjetur vetëm përmendore të mesjetës, mure të ftohta, të cilat kanë vlerë për arkeologët dhe artistët. Për shembëll, Deçani mund të mallëngjejë shpirtin e romantikëve nacionalë, veçse për stabilitetin e këtij rexhimi në ato vise nuk do të thotë asgjë. Dhe shkaku i të gjitha të këqijave të cilat i vuajmë tash dhe nga të cilat do të vuajmë shumë në të ardhmën, konsiston në faktin se kemi hyrë në tokë të huaj. Dhe Gjakova nuk është qytezë shqiptare vetëm në raportin e popullsisë, por ajo është shqiptare me tërë jetën e jashtme dhe me ekonominë. Nuk janë aty vetëm minaret e xhamive të ngritura kah qielli, as vetëm shtëpitë në formë kullash me frenxhi dhe muret e përshtatura për luftë. Nuk është vetëm veshmbathja tipike shqiptare që shihet në rrugët e Gjakovës, veçse tërë zejtaria dhe tregëtia është në duarët e shqiptarëve. Kështu, Gjakova, kjo qendër më e ashpër e shqiptarisë, qerdhe e kaçakëve, me jetën e vet ekonomike paraqet pamje krejtësisht tjetër të shqiptarëve, kundrejt asaj që llomotisin gazetat e Beogradit, qoftë nga mosdija  apo me qëllim. Rrugë të tëra janë përplot dyqane tregëtare e punëtori zejtare; në to sheh njerëz të rritur, me ato tirqit e tyre të ngushta të bardha dhe me plisat e bardhë mbi kokë; në punëtoritë e tyre punojnë nga 4-5, 6-8 punëtorë. Janë të shumta punëtori rrobaçepësie, në të cilat punohen rrobat e veshjes popullore shqiptare, zbukurimit të të cilave iu kushtohet vëmendje e madhe, sa që mund të kushtojnë disa qindra dinarë; ka edhe këpucëtarë, zdrukthtarë etj”.

*

Nuk kemi iluzione se Tucoviqi ishte një dashamirës i përzemërt i shqiptarëve, kur shkruante, botonte  e kritikonte regjimin për politikën kriminale dhe krimet e llahtarshme të ushtrisë serbe, apo kur i lavdëronte shqiptarët për vetitë pozitive.   Por, ai ishte një internacionalist i thekur dhe ishte patriot i vendit dhe i popullit të vet,  donte ta ruante e përparonte me zhvillim ekonomik, arsimim, shëndetësi, me të drejta politike, civile e sociale dhe në paqe e marrëdhënie  të mira me popujt fqinjë.  Po të qohej nga varri e ta shihte Serbinë sot, do t’i duhej të vazhdonte punën aty ku e ka lënë para një shekulli, për ta ndryshuar mentalitetin “Tariguz” të regjimit aktual.

Libri i Tucoviqit: “Srbija i Arbanija” është një nga studimet e para dhe më të argumentuara, për ta luftuar nacional-shovinizmin serb i cili thirret në mite dhe histori të rrejshme. Pikëpamjet e Tucoviqit për imperializmin, shovinizmin, militarizmin dhe mentalitetin serb ndaj shqiptarëve,  janë  aktuale edhe sot, sikur para 105 vjetëve kur është botuar ai libër. Bile, në opnionin e  një mase të madhe të serbëve, Tucoviqi  sot konsiderohet si tradhtar i kombit, i cili me shkrimet dhe qëndrimet e tij ia qiti faqen e zezë politikës dhe shtetit të Serbisë së asaj kohe.

Pse, a mos është sot gjë më e mirë, do thoshte edhe vet Tucoviqi, po të zgjohej nga vorri, të cilit ia kanë lëkundur eshtrat e ndërruar vendin e vorrimit gjashtë herë deri më tash!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora