E merkure, 13.11.2024, 06:25 AM (GMT)

Mendime

Frashër Demaj: Gabim në hapa apo hapa të gabuar diplomatikë

E marte, 07.10.2008, 06:22 PM


GABIM NË HAPA APO HAPA TË GABUAR DIPLOMATIKË

Nga  Frashër Demaj

Çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare është shndërruar në një çështje përditë e më shumë të debatuar dhe shqetësuese në qarqe të ndryshme politike dhe jo politike kosovare dhe është një çelës shumë i rëndësishëm që do të hapte perspektivat e Republikës së Kosovës për partneritet ndërkombëtar.
Ngecja e njohjes ndërkombëtare të Kosovës shtet sovran dhe i pavarur ka refleksione të gjithmbarshme, sidomos në planin politik dhe ekonomik të cilat pasqyrohen veçanërisht në mungesën e vënies së pushtetit të institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj dhe në fushën e investimeve të huaja. Investitorët e huaj nuk ndihen të garantuar as nga infrastruktura ligjore e Kosovës e as që e shohin si mundësi për investimin e kapitalit të tyre, për shkak se Kosova ende konsiderohet si zonë e trazuar “pa njohjen dhe legjitimitetin e mjaftueshëm” ndërkombëtar, e gjithë kjo si shkak-pasojë e ngurrimit të njohjeve “sasiore” të “injoruara” edhe nga vetë institucionet shtetërore të vendit tonë, të cilat numrat e nevojshëm dhe të domosdoshëm i konsiderojnë cilësorë dhe sasiorë.
Realisht Kosova nuk është as fuqi politike, as ekonomike  e as ushtarake (kjo nuk do të thotë se nuk do të bëhet) dhe nuk paraqet ndonjë faktor vendimtar në rrjedhat e politikës ndërkombëtare.  Andaj diplomacia kosovare duhet ta shndërrojë çështjen tonë në faktor imponues të interesave të miqve tanë në botën shqiptare dhe në rajon.  Këtu nuk amnistohet askush nga përgjegjësia. Është obligim i gjithë komunitetit politik (qëllimisht s’dua të them klasë) e shkencor, që dijen e tyre ta vëjnë në shërbim të hartimit të strategjisë kombëtare në politikën e jashtme. Në këtë kuptim përgjegjësia më e madhe bie mbi qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilat kanë mandatin dhe duhet të konsultojnë profesionistët që drejtpërdrejt ose tërthorazi merren më çështjet e politikës së jashtme, përkatësisht të diplomacisë. Mungesa e këtyre konsultimeve dhe defensiva diplomatike në raport me ofensivën diplomatike serbe  mund të konsiderohet si gabim në hapa apo hapa të gabuar diplomatikë të politikës së jashtme kosovare. Në diplomaci është e pafalshme të mendohet se të tjerët duhet dhe mund të bëjnë më shumë se ne kosovarët për veten tonë. Gjithashtu “politikanët” dhe “diplomatët” e gjithëdijshëm kosovarë  “harrojnë” se në Kosovë ka Akademi dhe Institute shkencore të cilat do të duhej konsultuar për çështje dhe probleme të caktuara të rëndësishme për vendin.
Njohja e Kosovës nga 47 vende të botës (deri më sot) për optimistët e “pa përmirësueshëm” është “e mjaftueshme” sepse janë njohje cilësore dhe në rrethanat aktualisht jo shumë të favorshme për Kosovën, ata konsiderojnë se nuk mund të bëhet më shumë. Por nëse e shohim çështjen nga një këndvështrim i realpolitikës dhe forcës diplomatike pro dhe kontra Kosovës, duhet konstatuar se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 e deri më sot numri i njohjeve të Kosovës nga shtetet e botës, pavarësisht ndihmës dhe angazhimit të miqve tanë, megjithatë nuk është i mjaftueshëm. Fundja. krijimi i kapaciteteve diplomatike të Kosovës është detyrë ekskluzivisht e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilave duhet rikujtuar se “historia nuk pret”.
Ofensiva diplomatike serbo-ruse për fat të keq ka gjetur terren të përshtatshëm (të paktën deri më tani) edhe në boten islamike. Shumica e këtyre vendeve për shkak të mos njohjes së problemit të Kosovës, autoritetit të Jugosllavisë së Titos në këto vende dhe lobimit të diplomacisë serbe ngurrojnë edhe më tej njohjen e pavarësisë së Kosovës. Një faktor tjetër i rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt ose tërthorazi është edhe fuqia e propagandës serbo-ruse në këto vende, të cilat e trajtojnë Kosovën si “të pandehur” që duhet gjykuar për shkak të përkrahjes që Kosova i bën SHBA-ve dhe të qenurit e popullit shqiptar si populli më proamerikan në rruzullin tokësor. Megjithatë, është fare e qartë se shqiptarët i çmojnë miqtë dhe assesi nuk heqin dorë nga miqësia e përhershme me vendet të cilat e kanë ndihmuar Kosovën në kohën kur i kanosej zhdukja fizike një populli të tërë.
Megjithatë, “detyrat e shtëpisë” duhet t’i bëjmë vetë.

(Autori është magjistër i Historisë së Diplomacisë, sekretar shkencor në Institutin e Historisë dhe merret me Historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare shek. XIX dhe fillim shekulli XX). 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora