E diele, 22.12.2024, 06:04 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Ndjesia e pështirë e inferioritetit kulturor ndaj sllavëve

E enjte, 14.11.2019, 09:30 PM


Ndjesia e pështirë e inferioritetit kulturor ndaj sllavëve

Nga Elvi Sidheri

Në këtë periudhë kur çoku flitet e përflitet lart e poshtë për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Europës Juglindore, quajeni si t’ua ketë ënda këtë rajonin tonë tekanjoz ku fuçitë e barutit metaforik dhe të mirëfilltë, ndizen e fiken sipas motit, humorit të gjindjes e veçanërisht prirjeve të kokave të nxehta vendase apo të përtejshme (lexo: në Bruksel e më tutje, nga Linda apo Perëndimi qoftë), nuk do të ndalem në debatet e ethshme ditore kufitare, duke synuar të përqendrohem në një tjetër aspekt gjithaq të ndjeshëm, ndoshta edhe më gjurmëlënës.

Nëse dikur më bënin përshtypje veç këngët e rëndomta boshnjake apo të turbofolkut më të dobët serb, që akoma dëgjohen në ndonjë cep të Shqipërisë, veçanërisht pranë kufirit me Malin e Zi, padyshim si ndikim i drejtpërdrejtë i afërsisë gjeografike me malazezët si popull, e prapatokën e gjerë sllave matanë tyre në përgjithësi, tanimë të tjera gjëra m’i sëmbojnë nervat.

Mënjanë faktit që ithtarët e pellazgjizmës qiellore, jo rrallë anadollake, sigurisht të stërlashtë e gjithashtu galaktike, pak do të nevojitej të ligështoheshin nga ndikimet e dëmshme muzikore malazeze apo sidomos boshnjake mes ndoca banorëve shqiptarë që ngaherë jetojnë në kufijtë veriorë të Shqipërisë me sllavët e Ballkanit, duke ditur se predikojnë përditë të ashtuquajturën “shqiptarësi”, domethënë “ilirizëm” të boshnjakëve kryesisht, po njëkohësisht edhe malazezëve, gjithsesi dukuria në fjalë nuk mohohet dot si e pranishme edhe në ditët e sotme.

Sa për një shmangie të vockël nga tematika thelbësore e këtij thellimi, vetë pretendimi i “ilirizmës” së boshnjakëve në veçanti, përfshirë edhe hamendësimet e njëjta për kroatët apo këdo popull tjetër sllav të Ballkanit, përbën një mufkë kolosale, një thagmë vigane, një marrëzi historike e një thikë pas shpine (shpresueshëm) të pavetëdijshme ndaj shqiptarëve të sotëm e shqiptarësisë përgjithësisht.

Nuk ka “armë” më të vyer në duart e historianëve sllavë të Ballkanit, përfshirë më shovinistët syresh, sesa pretendimi mazokist i ngritur nga vetë shqiptarët në plot raste, që shtjellon paturpësisht hipotezën vetërrënuese se boshnjakët, kroatët, ndoshta edhe malazezët qenkërkan pasues të drejtpërdrejtë të ilirëve, meqënëse jetuakan në të njëjtat troje të banuara dikur nga fara e lashtë ilire e paraardhësve tanë.

Është autogoli historik, shkelmi drejt e në testikuj, vetëfundosja historike e shqiptarëve të sotëm, një nga shërbimet më të çmuara që mund t’u bëjmë segmenteve më mohuese ndër fqinjët tanë të kombësisë dhe trashëgimisë shqiptaro-arbërore-ilire në këto troje.

Nëse kroatët e sotëm, boshnjakët e sotëm, me gjasë edhe malazezët, mund të trashëgojnë në ADN dhe gjakun e tyre diçka ilire, kjo i detyrohet pa asnjë mëdyshje asimilimit të përdhunshëm të popullsisë ilire pas vërshimit të hordhive të tyre sllave në gadishullin tonë thuajse pesëmbëdhjetë shekuj më parë.

Ilirët e brendësisë të gadishullit tonë, sidomos ato fise të shumta ilire që gjendeshin në veri të Shqipërisë dhe Kosovës të sotme, u detyruan të shkriheshin me prurjet masive sllave veç me hekur e zjarr, kurse pjesa e mbetur e tyre, u strehua nëpër male, ose në bregdetin dalmat, nëpër qytetet e fortifikuara e të latinizuara të Dalmacisë.

Shumë ilirë u tretën kështu në llavën e përvëluar sllave që vërshoi dhe përmbyti gadishullin tonë nga Veriu në Jug, diku më tepër e diku më pak, e si pasojë do të ndodhte me kalimin e kohës dhe shndërrimi i ilirëve të mbijetuar në Arbërorë, në Vllehë, ilirët që u ngjitën maleve, pas romanizimit gjuhësor dhe u kujdesën për shtegtimin e bagëtive, por edhe në popullsinë dalmate të Raguzës, Splitit, Buduas, Zarës e ishujve kroatë.

Ndërkaq, kroatët e sotëm dhe boshnjakët e sotëm me ilirët nuk kanë “asgjë të përbashkët”, asnjë traditë historike, asnjë dok të përveçëm, asnjë karakteristikë përkatëse, asgjë nga aspekti etnologjik e veçanërisht thuajse asgjë në aspektin gjuhësor, që është edhe elementi më përcaktues në trashëgiminë historike nga lashtësia gjer në kohën e tashme.

Kroatët, boshnjakët, edhe malazezët, flasin sllavisht, më konkretisht flasin gjuhën serbo-kroate, siç quhej dikur, varësisht nga dialekti i saj përkatës, tek-tuk me ndonjë huazim nga shqipja apo ndonjë fjalë të mbetur, ndoshta me origjinë arbërore apo ilire, po sërish vetëm në sllavisht, ndërkohë në këto popuj mbizotërojnë pothuajse në tërësi traditat e doket sllave në çdo aspekt të jetës së tyre kulturore, etnologjike, mendësore dhe historike.

Malazezët mund të paraqesin afri të ndryshme me Malësinë tonë shqiptare, padyshim si rrjedhojë e pikëtakimeve të shumta mes dy popujve tanë apo asimilimit të ndonjë fisi malësorësh shqiptarë nëpër shekuj, fenomen i hasur qartësisht edhe te plot banorë të Sanxhakut, të asimiluar rishtas, shekullin e shkuar në boshnjakë, ndërkohë që akoma mes tyre gëlojnë mbiemra të shumtë tipikisht shqiptarë të Malësisë, nga Škriejl te Hott, në Preljevi?, e shumë të tjerë.

Por të gjitha këto gjëra nuk i bëjnë aspak shqiptarë, aq më pak ilirë!

Nëse të qenët me origjinë dhe trashëgimi ilire, dashka të thotë, apo edhe më keq, njësohet me të folurit në serbo-kroatisht-boshnjakisht-malazezisht, në tradita, sjellje, mendësi, tipare etnografike, kulturë e histori sllave të jugut, atëherë ne shqiptarët e sotëm, sipas kësaj logjike zvetënuese për vlerat tona thelbësore kombëtare, nuk paskërkemi asgjë të përbashkët me ilirët, sepse të këtillë qenkëshin veç krotatët, sigurisht boshnjakët, ndopak malazezët, por neve JO!

Neve sakaq, gëzojmë tiparin më kryeneç, më të pazëvendësueshëm, më të patjetërsueshëm në vijimësinë e trashëgimisë ilire, epirote, dardane, ndoshta edhe trake apo maqedonase (të maqedonasve të lashtë, të kuptohemi, jo sllavëve të sotëm të Maqedonisë së Veriut), sepse neve flasim një gjuhë që rrjedh drejtpërdrejt nga gjuha apo të folmet e ndryshme të moçme ilire.

Këtë fakt nuk arrin ta hedhë dot poshtë askush, qoftë edhe historianët më anemikë ndaj vazhdimësisë mijëravjeçare iliro-arbërore-shqiptare.

Shqipja është patjetër një gjuhë e vijuar, e mbijetuar, e formësuar nga trashgimia gjuhësore e lashtë ilire, dhe ky është plusi jonë, veçoria jonë madhore, tipari që na bën të vetmin popull që ngërthen ADN ilire në kaptimin e shekujve dhe mijëvjeçarëve, dje, sot e mot.

Nëse këtij arsyetimi të shtjelluar më lart, i shtohet ndërkaq së fundi, edhe kalimi nëpër Serbi i shumë e shumë programeve të njohura, prodhimeve të famshme televizive ndërkombëtare, për t’u transmetuar paskëtaj për publikun shqiptar, atëherë inferioriteti në fjalë merr trajta fort më groteske, në skajin e tragjikomikes.

Nuk ka asnjë shpjegim të mirëqenë logjik, përse programet tematike të gjigandit amerikan FOX, me kanale gatimi, udhëtimesh, filmash, serialesh, etj, por edhe kanale të ndryshëm ndërkombëtarë historie apo dokumentarësh pafund, të sillen për publikun shqiptar nëpërmjet Serbisë, sikur Shqipëria, po edhe shqiptarët tjetërkund në rajon, të qenë veç një nëndegëzim kulturor dhe televiziv i Serbisë.

Mjafton të shihen ndërprerjet publicitare nëpër këto kanale tematike ndërkombëtare, për t’u dendur e bombarduar me reklama në serbisht, ku publicizohen prodhime serbe, ku kremtohen festa serbe, ku gjithçka gëlon vetëm në serbisht për serbët dhe Serbinë, ndërkohë që kanalet në fjalë ofrohen nga kompanitë e mëdha dixhitale shqiptare për publikun shqiptar.

E tëra ndërsa në shqip ofrohet veç njëfarë përkthimi ku spikat përherë një analfabetizëm funksional i nivelit të epërm, ku shpesh mungojnë edhe gërmat specifike shqipe si “Ç-ja” apo “Ë-ja”, që zëvendësohen me sajime në serbisht, duke përdorur shkronja serbe për fjalë shqipe.

Kaq pra!

Shqiptarët detyrohen të shikojnë, përgjithsësisht kundrejt pagesës së kripur, kanale të njohura tematike ndërkombëtare, dokumentare tërheqëse, përshkrime udhëtimesh nëpër botë apo gatime të shijshme, teksa gjithçka u filtrohet nga Serbia, duke ia bashkëngjitur publikun, teleshikuesin shqiptar, selive përkatëse në Serbi të këtyre gjigantëve televizivë ndërkombëtare, sikur të ishim ndonjë zgjatim, bisht dhie të zgjebosur i sferës së ndikimit televiziv e kulturor serb.

Është diçka në kufijtë e të pabesueshmes, përveçse një përvojë e turpshme poshtëruese, për të cilën askush nuk e vë ujin në zjarr, ndërkohë që teleshikuesit shqiptarë vazhdojnë të trajtohen në këtë mënyrë, duke ua shfrytëzuar ëndjen e tyre televizive, në dobi të orekseve serbe në këtë fushë.

E të thuash që në Shqipëri kemi patur dhe vijojmë të kemi fatin që të njohim nga afër Italinë, kulturën e saj në përgjithësi dhe kulturën televizive italiane në veçanti, që cilësohet si nga më të ngriturat në nivel botëror qysh nga vitet 1950 e tutje.

Edhe në vitet e diktaturës, megjithëse ndokush nuk mungonte të shihte edhe “jugosllavin”, duke përfituar nga programi i larmishëm, muzika apo filmat amerikanë që TV Jugosllav ofronte, ndryshe nga thatësira moniste programore e TVSH, sidoqoftë shumica dërrmuese e banorëve të Shqipërisë gjente përherë dritaren e lirisë, takonte Perëndimin dhe vlerat sistemit kapitalist e demokracisë, përmes televizionit dhe gjuhës italiane, duke na e formësuar shijen e kulturën televizive pafundësisht më të spikatur se serbët dhe TV i tyre vulgar turbofolk ballkanik.

Ndryshe nga shumica dërrmuese e popujve të sotëm të Ballkanit, shqiptarët mishërojnë veçori karakteriale që i dallojnë dukshëm nga fqinjët, ku përfshihet padyshim të qenët kozmopolitë në formim e mendësi, njohja e natyrshme e gjuhëve të huaja, sidomos atyre perëndimore, afria me detin dhe Italinë e botën mesdhetare, dhe përkatësia kulturore që ngërthen një larmi pafund ndikimesh, autoktonie mijëravjeçare dhe gjëllimi i përhershëm i shqiptarëve në urën historike metaforike midis qytetërimit Perëndimor, Ballkanit e Orientit, duke përthitur pandalshëm më të mirat (por edhe të këqijat) nga secila prej këtyre kulturave.

Kompleksi i inferioritetit që në rastin tonë mund të cilësohet fare mirë edhe si kompleks i vetvetes, kërkon kurim e shërim.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë? Elvi Sidheri: Panairi i pafytyrësisë Elvi Sidheri: Përpjekja e mbretit ilir Klitit për të mposhtur Aleksandrin e Madh Elvi Sidheri: Hakmarrja e Aristotelit ndaj helenëve, falë Aleksandrit të Madh Elvi Sidheri: Shqiponja dykrenare arbërore dhe Dragoi rumun Elvi Sidheri: Ndikimi i PPSH shqiptare ndaj komunistëve militantë në Brazil Elvi Sidheri: Etërit e kulturës maqedonase (bullgare) me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Presidenti i ri (pjesërisht) arbëresh i Brazilit Elvi Sidheri: Pikëtakime të vyera shqiptaro-bullgare të fillimit të shekullit XX Elvi Sidheri: Luftëtarët shqiptarë në skajet e Rusisë mesjetare Elvi Sidheri: Shqiptarët ortodoksë të Ohrit dhe ati i letërsisë moderne maqedonase, me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Orvatja për ngritjen e një Kishe Ortodokse Shqiptare në Stamboll dhe vallja greke Sirtaki, me rrënjë shqiptare në metropolin turk Elvi Sidheri: Shqipëria e Vogël në stepën e pamatë të Azovit Elvi Sidheri: Gjuha e fshehtë 'Meshtrovski' e muratorëve bullgarë, një dialekt i panjohur i shqipes Elvi Sidheri: Shqiptarët e rajonit të Odesës në Ukrainë, një gjurmë tjetër e mërgatës mesjetare shqiptare Elvi Sidheri: Lefter Andonyadis, legjenda e futbollit turk me origjinë shqiptare dhe pastiçerët e shquar shqiptarë të metropolit dykontinentësh Elvi Sidheri: Ngulimi historik shqiptar Arbanasi në Bullgari Elvi Sidheri: Dokumente historike të vyera shqiptaro-bullgare Elvi Sidheri: Arnavutköy, lagja madhështore shqiptare e Stambollit Elvi Sidheri: Pesë përralla të rajonit të Krushevës rreth viteve 1890

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora