Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Poezia si thesar i rebelimit dhe i ndijimit të thellë shpirtëror

| E shtune, 19.10.2019, 03:01 PM |


Libra të rinj

Doli nga shtypi libri me poezi, “Gjethnajë shpirti” i autores, Vera Istrefaj nga Kukësi

Sejdi BERISHA:

POEZIA SI THESAR I REBELIMIT DHE I NDIJIMIT TË THELLË SHPIRTËROR

(Vera Istrefaj: “Gjethnajë shpirti”, poezi – 2019)

Krijimtaria, e veçmas poezia, i ka karakteristikat e veta, që në një apo në mënyrë tjetër reflektojnë, fortë brendinë shpirtit, gjë e cila sikur të analizohej dhe studiohej edhe në rrafshe të tjera, është hiq më pak se thesar i rebelimit dhe i ndijimit të thellë shpirtëror. Pikërisht, kjo veçori, edhe lexuesit, por nganjëherë edhe studiuesit i lë hapësirë që vargun dhe poezinë edhe ta përjetojë por edhe ta kuptojë ashtu si mendon dhe si do vetë. Kjo edhe më shumë e shtonë cilësinë e të kënduarit poetik, sepse, edhe autori por edhe lexuesi para vetës shtron një sofër të begatë me atë që quhet ushqim shpirtëror dhe këngë e cila edhe këndohet, por përmes vargut edhe shpërndahet si polen gjithandej vlerave shpirtërore dhe krijuese.

Kujtoj se një element të tillë fondamental e hasim edhe tek vargu e poezia e Vera Istrefajt, në librin më të ri me poezi, “Gjethnajë shpirti”, dhe jo vetëm tek ky libër. Dhe shih, gjethi është simbol i themeltë mbase edhe universal i jetës në të gjitha situatat dhe format e rrugëtimit, qoftë me lumturi, me dhembje, krenari apo edhe me mall. Dhe, të gjitha këto edhe kompozohen në mes vete, që vargun e poezinë e shndërrojnë në diçka që thotë e fletë nga thellësitë e zemrës, mendjes dhe shpirtit, dhe ato bëhen edhe themel i mendimit me peshë shumëdimensionale jo vetëm i krijuesit.

_______________

Gjethi si simbol i themeltë dhe universal i jetës edhe në poezi

Vera Istrefaj, nuk është krijuese vetëm sa për të thënë se vargu është pjesë e jetës së saj. Përkundrazi. Ajo përmes këndimit poetik na sjellë një gamë të pasurisë së mendimit poetik, që ndoshta, thjeshtë është zë edhe i arsyes edhe i së mirës, edhe zë i madhështisë njerëzore, i cili dot nuk mund të rri përbrenda mendjes së njeriut. Andaj, ditët e brishta, apo më mirë për të thënë, jetën dhe trakullimat e saj i konsideron dhe i begaton me buzëqeshje, që në këtë rast, do të thotë se buzëqeshja është fuqi e rrugëtimit jetësor: “Çdo mbrëmje/i vesh ditët e mia me pritje/Në mëngjes/i vesh me buzëqeshje/se janë ditët e mia/qofshin edhe të trishta“.

Pra, që në fillim na bën me dije se, ajo shndërrohet në diçka që rrallë e hasim në formë kaq të shkoqitur si faktor jete por edhe si peshë krijuese. Edhe pse, në shumë poezi, monotonia, dhembja, malli na përftojnë si pjesë e pashmangshme të vargëzimit, ato veç sa e „bylmejnë“ vargun dhe mendimin filozofik, duke e madhështuar edhe mesazhin dhe metaforën: “Plagë e zemrës time/bulon mirësi.../ Në ritmikë zemre/dridhet dhimbja.../Petalet e shpirtit/M’i japin flatra shpresës“!

Autorja, ani pse gjithherë i druhet katrahurave të jetës, që nuk e përjashton nga vetvetja por edhe nga këndimi poetik drithërimet, ajo vendosmërisht ligjëron: “Nuk ka errësirë/në mendjen time“.

Shih sa e kujdesshme është në prezantimin e jetës dhe të veçorive, të cilat njeriut i sjellin lumturi por edhe i shkaktojnë dhembje e frikë, që mund të ngatërrojnë idealin e saj me gjëra që ndonjëherë njeriut nuk i shkojnë për shtati, por edhe poetes:E theve/pasqyrën e shpirtit tim/se nuk e shihje dot veten“!

Këto vargje nuk janë as të rastit, as për t‘i „shitur“ mend lexuesit, por është e kujdesshme dhe synon që çdo të shpjegohet përmes vargu, dhe të mos mbetët peng por edhe e pathënë. Andaj, pikërisht, titulli i librit korrespondon bukur me këndimin poetik, sepse, “gjethnaja” ka kuptim shumëdimensional edhe poetiko-letrar, por edhe filozofik.

Mendja, shpirti dhe zemra e autores janë të pozicionuara fort dhe njerëzishëm, që çdo gjë në jetë, mundësisht, të jetë ashtu si mendon dhe dëshiron vetë krijuesja. Andaj, edhe pse sirtarët e zemrës i janë stërmbushur me dhembje, V. Istrefaj, përkundër kësaj, vargun e saj e bënë të qëndrueshëm, kuptimplotë, të lumtur dhe stoik: “Nga e djeshmja/dua të marr/vetëm mendimet e bukura/që s’po i gjej/ku janë të strukura“!

Dhe tjetra, duke i kuptuar mirë e arsyeshëm rrjedhat e jetës, autorja e këtij libri, sikur i preferon etjen dhe shqetësimet, sepse janë pjesë e pandarë e secilit njeri, e veçmas e krijuesit. Por edhe për këtë, ajo ngrin zërin e njerëzores, mbase edhe të vetvetes-individuales: “Po më vardiset/një gotë verë/por s’e dua etjen/Zemra kërkon prehjen“!

Nganjëherë, përjeton shumë ngjarje, shumë gjëra që edhe nuk i dëshiron njeriu dhe as krijuesi, por, ndoshta këto në kuptimin metaforik edhe e “relaksojnë” mendjen dhe shpirtin, por, megjithatë, autorja dëshiron të na shpjegojë gjendjen e saj edhe në situata të ndryshme, që nuk i thotë, por përmes vargut tërthorazi na i ngulitë në mendjen dhe arsyen tonë: “Sa më parë/ardhtë agimi\ta braktis/këtë shtrat trishtimi“.

Por, ndoshta, përkundër kësaj, ajo, duke e shtrirë hartën e këndimit poetik përbrenda jetës dhe shpirtit të saj, ka arritur që të njëjtën gjë të nda bëjë pjesë edhe të rrugëtimit tonë, qoftë jetësor apo edhe poetik e krijues. Andaj, ja fuqia e saj vargëzuese, që kush e di se sa larg shkon mesazhi i saj: “Sa më parë/ardhtë agimi/ta braktis/këtë shtrat trishtimi“.

Trishtimi, si element ndoshta kujdestarie për të qenë gjithnjë e kujdesshme, autorja, pothuaj se në shumë poezi nuk e lë anash pa e theksuar këtë pjesë të pandashme dhe normale të jetës së njeriut. Mirëpo, krahas kësaj, në shumë vargje rri vertikalisht ndërgjegjja dhe njerëzorja, por edhe dëlirësia, sepse, vetëm kështu jeta është dhe mbetet dëshmi e të madhërishmes me të cilën dëshiron që të stoliset secili.

Pikërisht, ajo, si formë të këshillës mbase edhe të edukimit, na i ofron edhe këto vargje, të cilat, nëse i zbërthejmë pak më ndryshme, zëri poetik bëhet si kasnec, se kafazi apo robëria janë një prej gjërave më të këqija dhe të dhembshme për njeriun, e aq më shumë për krijuesin: “Shpirti im/ka flatra,/s’e duron kafazin“. Kurse, autorja, lexuesit ia servon edhe një gjë tjetër, nëse mund të quhet fenomen i pavarësisë dhe i fatbardhësisë individuale, pra, edhe të unit, zemrës, shpirtit, të mendjes dhe të vetë vargut krijues. Për këtë, këtij konstatimi, më së miri i puthiten vargjet: “Mendimet e mia/nuk janë ujë/i përroit tënd në tharje“. Një vargëzim i begatuar me fuqinë brilante të mesazhit njerëzor, që vërtetë vargun e Vera Istrefajt e bën jo vetëm madhështi këndimi, por edhe subjekt, i cili duhet të jetë pjesë e karakterit ndoshta të secilit njeri, e kurrsesi të zë vend dilema dhe hamendja, të cilat edhe dëmtojnë qenien por edhe zvetënojnë zërin dhe porosinë shumëdimensionale të secilës fjalë, të secilit varg.

Poezia e begatuar me fuqinë e mesazhit njerëzor, ose, vargu si madhështi këndimi

Ajo, është e vëmendshme, asnjëherë nuk kotet, por të rri zgjuar me tërë atë që e preokupon mendjen, shpirtin dhe arsyen e shëndosh, për çfarë, thotë edhe këtë: “Në qepalla/zgjuar rreze e agimit“. Dhe, çfarë është edhe më karakteristike, edhe pse gjatë tërë kohës vargëzon duke u shoqëruar me ndërgjegjen, me, siç kemi thënë, me trishtimin, por edhe me disa elementë tjerë që e mbërthejnë jetën në kthetrat e saj të pamëshirshme, megjithatë, ajo e di se çfarë vepron në të gjitha situatat edhe të lumturisë, edhe të lirisë së mendimit, edhe të tronditjeve ndonjëherë shpirtërore etj. Kështu që, „gjethnaja“ i shtrinë krahët gjithandej me madhështinë e vetë, por edhe poeten me tërë atë që e rrethon dhe e bënë jetën, mirëpo, asnjëherë: „Nuk gjen vend mëshira/në udhë të zemrës time”!

Ngjashëm vargëzon edhe te shumë poezi të tjera, si: “Lumë i qetë”, “Në dridhje qerpiku”, “Lodhje buzëqeshjesh”, “Rrezja e agimit”, “Në kthetra të ëndrrës” etj.

Ndonjëherë, autorja, del nga “binarët” e këndimit të fortë shpirtëror, por gjithnjë me vargun e fuqishëm, lexuesin  e bën për vete, dhe çdo gjë duket dhe është e ngrohtë dhe madhore, edhe atëherë kur diç dhëmb apo shkon më ndryshe se që do poetja: “Ndjesitë e mia/i bëj buqetë/për t’i vënë/mbi varrin e zemrës”!

Është e natyrshme, që ndonjëherë krijuesi të rebelohet edhe ndryshe nga ajo që e pret dhe e mendon opinioni apo edhe lexuesi i përkushtuar. Andaj, ndjesitë krijuese nuk janë gjë tjetër veçse begati shpirti, peshë e tërë asaj që njeriu në vetvete e ka almanak të të gjithave atyre që duhet shkruar e mbajtur në mend. Pra, edhe tek ky libër, hasim në rrugëtimin karakteristik shpirtëror, që provokon mendjen por edhe arsyen për t’iu qasur me përkushtim dhe me plot respekt leximit mbase edhe shprushjes filozofike të secilës fjalë, të secilit varg. Kjo, ngase kur vargu bëhet shpjegim, atëherë gjithçka mbështjelljet me njerëzoren, e aq më tepër duke e njohur madhështinë e shpirtit të autores së këtij libri: “Krahët e tu të fortë/përqafuan/fatin tim të brishtë,/e jeta na fali/mot të trishtë/Je lodhur, e di/por, kur unë të buzëqesh/ti me qesh me sy./I gjatë udhëtimi ynë/halleve,/pesha e jetës,/peshë e maleve“!(Poezia: “Lëkundje gjumi”).

Edhe një tjetër detal e bën të qëndrueshëm vargun dhe poezinë tek ky libër. Duke shëtitur gjithandej rrugëve të jetës, të shpirtit dhe zemrës, nganjëherë, autorja merr lakminë për ta kërkuar edhe atë që nuk ekziston kurrë dhe askund, për ta bërë jetën ndoshta gjerdan me lule, por, nga pak edhe me gjemba, me thera e djegësim, që e krijojnë veçantinë e së bukurës unike. Për këtë arsye, autorja na sjell vargje me rebusin e udhëve “lakadredha”, për çfarë, të gjitha këto që u theksuan më sipër, i lartëson dhe i bën ndoshta piramidë lakmie, ndoshta edhe synim që arrihet me krenari: “Fort trokas në derë,/se nuk e gjej dot/çelësin e zemrës...“!(Poezia: “Pragut të shpresës”).

Është interesant se autorja gjithnjë është e kujdesshme dhe koshiente se poezia e ka edhe vulën të njëfarë historie, që begaton rrugëtimin jetësor. Për këtë arsye, ajo, ngushtë bashkëpunon dhe korrespondon me secilën fjalë, me secilin varg, dhe në këtë mënyrë rrinë nën “kontrollin” e njëri-tjetrit, por edhe si të tillë, megjithatë, vargu rebelohet së bashku më krijuesen: “Mungesa ime,/nëse trupin nuk ta drithëron,/përse më kërkon?“! Ose: „Në dritaren tënde/kanarinë s’mund të jem/As stoli/në dhomën tënde/ftohtësi“)Poezia: „Tutje lakmitar“).

Pothuaj se gjatë tërë vargëzimit, në këtë vepër, me apo pa vetëdije, autorja krijon një univers të thekshëm shpirtëror, kurse, në këtë hapësirë mrekullie, gjethnajat e shpirtit sikur janë shtrat ëndrrash, mbase edhe pretekst për të ligjëruar poetja për çfarëdo por edhe ashtu si do vetë; edhe për dhembjen, edhe për padrejtësitë e jetës, edhe për ëndrrat, edhe për lumturinë, por edhe për trembjet e përditshmërisë: “M’i jep ngjyrë  dhimbjes,/le të pikojë/edhe ngjyrë gjaku/Dhimbja pa ngjyrë/çfarë është?!/Se dhimbja/duhet të  çelë,/qoftë edhe gjemba/Është formë e jetës,/formë e shpresës“!(Poezia: „Ngjyrë e dhimbjes“).

Ja pra, sa fuqi dhe kuptim filozofik e shpirtëror i japë dhembjes, të cilën V. Istrefaj, e konsideron si formë të jetës, por edhe si formë të shpresës!

Ndërsa, “injoranca” e vargut të cilën “fshehurazi” e zbulojmë, sikur përdoret edhe për ta shenjtëruar dhe për ta bërë përjetësi këndimin. Këtë e hasim në shumë poezi, të cilat, mendimin e shoqërojnë tek çdo qelizë trupi: “Kur i mbyll sytë/më hapen portat e shpirtit/Vallëzueshëm/vërshojnë ndjesitë,/kalojnë caqet e mitit“(Poezia: „Portat e shpirtit“).

Gjuha e heshtjes, poezinë shpeshherë e shndërron si në roman, vetëm e vetëm për t’i bërë festë shpirtit

Nganjëherë, të flasësh me gjuhën e heshtjes, poezinë mund ta shndërrojmë në roman, i cili asnjëherë nuk përfundon dhe as nuk kuptohet deri në fund, vetëm e vetëm kështu për t’i bërë festë këngës së shpirtit, por edhe më shumë se kaq. Mirëpo, mund të lartësohet dhe komentohet edhe në mënyra të tjera, që nganjëherë thua se shoqërohemi me gjeometrinë deskripitive të vargut: „Jeta/po m’i flet vjeshtës/me gjuhën e heshtjes/Dimrit/ia ka veshur/grinë e trishtimit/...Kur vjen pranvera?!/Shtegtimi i shpirtit/s’ka të sosur“ sepse: „Vitet varg e varg/po më lënë në prag...”!

Pra, nganjëherë „heshtja“ në varg sikur tamam fsheh diçka madhore që nuk diktohet, por, megjithatë, për ta shijuar zjarrminë dhe etjen në varg, poetja ka një qasje tjetër shumë subtile, sa që nganjëherë na duket se gjithçka është shndërruar në varg e poezi, shtruar e puthitur  mirë e mirë me „gjethnajat“, qofshin ato edhe me gjemba që therin mendjen e prekin gjithçka përbrenda vetvetes...

Jo rrallë, ndoshta nga sinqeriteti, në vargje hasim, apo ndoshta ne na duket ashtu, në kontradiktë me vetveten, ose me ndijimin shpirtëror, dhe kështu shpërthen edhe ai konflikti, aty ku fshihet madhështia e poezisë dhe e vargut: “Mëngjesi i hershëm/me freski/ma përkëdhel buzën,unë fle me muzën/S’e dua zgjimin/se ma prish ëndërrimin“!(Fle me muzën“).

Shih pra, çfarë madhështie jete duket kjo?! Dhe, tërë këtë e arsyeton edhe më bindshëm me vargjet: „Po , po!/çdo zgjim/ma lë shpirtin jetim/Symbyllja…

Kjo ma mëkon shpresën/Aty/takohen në fshehtësi/malli im/e prushi yt“!

Edhe pse në këtë libër, jeta, tamam sikur bëhet „fajtore“ e të jetuarit, e dhembjes dhe e lumturisë, e ardhjes dhe e shkuarjes, nganjëherë reflekton edhe „pesimizmi“ si pjesë normale e ndjenjave dhe e momenteve të caktuara. Këtë e hasim te disa poezi, e që si formulë e kësaj „monotonie“, sikur i shkon për shtati poezia „Fund i qetë“: „Rrjedh ti përrua/bashkë me hallet/Më merr dhe mua/Rrjedhës sate/le të tronditet shpirti/që qetësi/kurrë nuk diti/Nëpër shkumë/le të përpëlitem unë/Fundi yt/fund i qetë/Edhe i imi, le të jetë!“.

Por, një kthesë „rehabilitimi“ shpirtëror, autorja, lumturinë dhe të gjitha trakullimat e jetës i përmbyll dhe i „çelikos“ mirë e mirë te poezia „Gjethnajës së shpirtit“, ku ajo, për gjithçka vargun e bën sublimë mbase edhe pasqyrë jete: „...Kohë mbi kohë,/dhimbje mbi dhimbje/mbjell fidanë të jetës/Me rrezet e diellit/përkëdhel ëndrrat/Pranverohet shpresa ime...“!

Këtë formulë këndimi, pothuaj se e kanë edhe poezitë në vijim deri në fund të librit. Dhe, sikur përfundon më së miri: „Dhimbja m’u bë qiell/e shpresa/mbeti zog në fluturim/Fjala e pathënë /pikon trishtim...“! Por, asgjë nuk mund ta luhatë këndimin dhe qëndrimin vertikal të vargut dhe të autores: „Drejt qëllimeve/jam bërë flutur/E di stacionin tim,/por dua të mbetem në udhëtim...“!

Dhe krejt në fund. Ndoshta kështu është madhështore t’i vihet sipër pesha e mendimit, edhe për krijuesen edhe për veprën „Gjethnajë shpirti“, se madhështia dhe mesazhi i vargut ngelen si dëshmi krijuese në libër, kurse, „Barka e dhimbjes“ “iku” diku në pa kthim. Andaj, në „Gjethnajë“, gjethet edhe gufojnë gjithandej pemëve, edhe i stolisin kurorat e luleve, ndërsa, ato mund të ikin jo vetëm në stinën e vjeshtës. Gjethet gjithnjë shëtisin nëpër stinë e kohëra...!

Libri „Gjethnajë shpirti“, është një libër i shkruar me fuqinë, ngrohtësinë dhe me madhështinë e shpirtit. E kësaj i përgjigjet edhe mendimi i Mark Twain: “Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale”!

Përndryshe, Vera Istrefaj, deri me tash ka botuar shtatë libra, e „Gjethnajë shpirti“, është si dritë sipër tyre që kurrë nuk shuhet, por gjithandej përhapë njerëzoren, zërin poetik dhe tërë atë që njeriun e bën dhe duhet ta bëjë edhe të lumtur edhe krenar. Ajo, aktualisht është kryetare e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” - Dega Kukës.