| E hene, 14.10.2019, 08:32 PM |
Promovimi i librit “Graviteti i shpirtit” në New Jersey me autore Ermira Mitre
Nga Keze Kozeta Zylo
Merrma kockën bëma gur në vënd të tij të rëndojë/ Gur e kockë ta ngrejë
kështjellën/ mënçuri të pagëzojë/ Merrmi flokët bëji udhë, të lehta t’i ketë
këmba/ Shtegun e tij mban shtegtari, po të jetë e drejtë bota/ Merrma dorën
bëma hartë, që të mbaj pesë kontinente/ Gishtërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet
e kësaj bote! E.Mitre
Librat e vërtetë
janë mikpritësit më të sinqertë dhe më bujar, sepse të mbledhin rreth oxhakut
ku prushërojnë mesazhet që frymëzojnë dhe ngrohin shpirtrat e lexuesve që e
adhurojnë librin dhe poezinë.
Në një të shtunë
me plot diell që të lëbyrte sytë, autorja Mitre e librit “Graviteti i shpirtit”
mblodhi miqtë dhe dashamirësit e saj për të promovuar librin e parë me
poezi. Shtëpia e bijës së saj të ëmbël
dhe plot kulturë Marinelës një shkencëtare në NYU na priste me gjithë
komoditetin dhe dashurinë për të festuar së bashku këtë ditë të bukur poetike.
Ndërsa
përshëndeteshim me njeri tjetrin syri shpesh më ndalonte në bredhat e gjelbër
të oborrit dhe ata më bëheshin më depërtues në lëkurën time ndërsa brenda
dhomës dukej një pemishte që çlironte oksigjen si dhe filiza të rinj që
flladisnin këtë mjedis elegant.
Midis miqve të
shumtë ishte dhe Pastori amerikan Steve Galegor së bashku me bashkëshorten e
tij fisnike Melaninë që e flasin gjuhën shqipe më bukur dhe më saktë se shumë
shqiptarë të lindur në Mëmëdheun tonë.
Në jetë kam pasur
vetëm një mik të vërtetë dhe të sinqertë, librin”, do te shkruante Volteri për
shprehjen dhe bashkëbisedimin e fjalës më të epërme estetike midis.
Libri “ Graviteti
i shpirtit” ka mesazhe hyjnore dhe unë si redaktore dhe autore e parathënies
jam ndalur për të rrokur fort këtë thesar brenda parajasës shpirtërore të
shkruar nga poetja Mitre. Shumë popuj në
botë kanë traditat e tyre me librin, por mua si grua, shkrimtare më ka pëlqyer
shumë tradita e Kaltalonjës në Spanjë, ku çdokush që blinte libër i dhurohej
një trëndafil.
Në fakt në kohët e
sotme në botë po ndodh e kundërta shumica e shkrimtarëve që shkruajnë libra i
falin dhe natyrisht autorëve s’ju dhurohet trëndafil, por më e keqja i mbyt
pluhuri, dhe këtu nuk e kam fjalën për librat mediokër, por për libra që ja
vlen t’i kesh shok zemre.
Por ne lexuesit
ose të dashuruarit e librit s’duhet të heqim dorë kurrë nga librat, pasi është I vetmi mjet që ka edukuar miliona
breza në botë, është e vetmja dashuri imagjinare që e përkëdhel me sy, e prek
me duar dhe belbëzime buzësh dhe mrekullohesh në se vërtetë është mrekulli dhe
nuk zhgënjehesh…
Poetët bëhen
shërbestar dhe misionar te Paqes, të humanizmit dhe të ndryshimeve cilësore
sigurisht ata penëartët si autorja që na mblodhi së bashku në New Jersey.
Nga fjala e poetes Mitre
Besoj se ndjenja më e fuqishme që të shtyn të shkruash është ndjenja e
DHIMBJES shpirtërore.
Përmes emocionesh
të veçanta ju falenderoj nga zemra për mbështetjen me pranine tuaj sot ne
perurimin e vëllimit tim të parë me poezi “Graviteti i Shpirtit”. Falenderoj
bashkëshortin tim të mrekullueshëm, dhe femijët për mbështetjen e vazhdueshme
në krijimtarinë time, vajzën dhe dhëndrin që hapën shtëpinë e tyre për këtë
ngjarje, djalin tim Andin që është dhe redaktori i përkthimeve të mia.
Kam rastin këtu të
falenderoj poeten, shkrimtaren dhe gazetaren e talentuar e të mirënjohur,
zonjën Kozeta Zylo për mbështetjen e pakursyer si simotër poete me redaktimin e
këtij vëllimi, për analizën e thellë letrare që do ta gjeni në parathënien e
librit, si dhe botimin e kësaj kritike në gazeta të ndryshme online dhe te
printuar filluar me gazeten e dashur “Illyria”. Gjithashtu falenderoj shtëpine
botuese ‘Dyrrah” dhe botuesin e saj shkrimtarin e njohur Viktor Canosinaj, për
botimin cilësor të librit, piktorin durrsako-amerikan, Dashamir Gurabardhi, për
pikturën e kopertinës dhe fotografin Arnie Braeske. Ky libër është rezultat i
një pune këmbëngulëse, pothuajse prej një dekade, ndaj dhe është një ngjarje e
rëndësishme për mua. Besoj se secili
prej jush është kurioz të dijë se cili ka qënë rrugëtimi im në krijimtarinë
letrare?
Poezia dhe të
shkruarit është një thirrje e brëndshme e imja që në adoleshencë, një pasion i
hershëm që e kam mbartur qe në tetëvjecare, e kam vazhduar krijimtarinë pak në
shkollë të mesme dhe universitet. Nga këto do të kujtoj një detaj që më ka
mbetur në mëndje. Isha në vitin e tretë të shkollës së mesme kur profesori i
anglishtes, i huaj, na kërkoi që të shkruanim një hartim për luftën civile në Amerikë
dhe dicka për Abraham Lincoln. Dija shumë pak për Abraham Lincoln. Kisha lexuar
në një libër të vjetër anglisht të tim eti. Shkruajta 10 faqe për këtë temë.
Pas një jave profesori pasi i korigjoi erdhi në klasë dhe i shpërndau. Kujtoj
që prisja me ankth kur u zgjaste të tjerëve hartimet. U duk pa fund ajo pritje.
Në fund i mbeti në dorë hartimi im. Ai tha: Ky ështe hartimi më i mirë, pasi e
lexoi para klasës u afrua tek banga ime dhe kur ma dha në dorë më tha “Një ditë
ti do të bëhesh shkrimtare.” Po kështu
pedagogu i letërsisë anglo-amerikane në universitet.
Mendimi dhe besimi
që më ndolli fjala e tyre më ka ndjekur deri më sot, sepse rezonoi me atë çka
fshihej nën lëkurën time.
Ata zbuluan
ëndrrën time, që tashmë sapo ka filluar të realizohet.
Disa poete më kanë
pyetur: përse nuk keni shkruar më parë?Ka një shprehje: “Ëndrra jote nuk ka
datë skadence. Merr frymë thellë dhe përpiqu përsëri ta realizosh atë.” Kjo ka
qënë mantra e frymëzimit tim gjatë këtij dhjetëvjeçari të fundit.
Ka disa arsye përse
nuk kam shkruar më parë:
1. Jeta ime ka
qënë një rollerkoster me ulje ngritjet e saj, me vështirësi që më kanë vënë në
grib të saj, dhe papritur jam gjëndur në një situatë kur më është dashur talent
për të mbijetuar, jo më për të shkruar. Ndaj edhe nuk kam shkruar për shumë
vite, zëri im kam heshtur; heshtja më ka shërbyer si kollonë ku mbështetesha,
ka qenë mburoja dhe streha ku kam mbështjellur forcën dhe besimin për të
mbijetuar. Përmes vargjeve të këtij vëllimi jam munduar të hedh artistikisht
ndjenjat dhe emocionet e mia rreth këtij rollërkosteri, por edhe më shume.
Poeti apo krijuesi arrin të transmetojë gjithshka që ai kap jo vetëm përmes
shqisave por edhe duke kapërcyer limitet e tyre, arrin te zbulojë atë që quhet
transedentale.
Secili e jeton
legjendën e jetës së tij në mënyra të ndryshme, por e rëndësishme për mua ka
qënë posedimi i një shpirti pafundësisht kurajoz për ta dashur jetën edhe kur
ajo më është thërmuar para syve. Jam e bindur se ju do ta gjeni të shprehur këtë
shpirt kurajoz sidomos në poezinë “Egzistenca”.
2. Arsyeja tjetër
është se: Krijimtaria letrare të vë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me
lexuesin sidomos kur je në moshë të re, dhe natyrshëm të ndjek ajo ndjenja e
frikës dhe pasigurisë në se ajo që do të krijosh është e maturuar deri në atë
pikë sa të komunikojë vlerë për lexuesin. Ka disa poezi që kam shkruar dhe nuk
janë më sepse kanë qënë thjeshtë eksperimente. Të shkruarit nuk kërkon vetëm
talent, por edhe një kulturë të përgjithshme. Duhet të lexosh e të pasurohesh
me dije vazhdimisht në mënyrë që të sjellësh diçka të re në krijimtarinë tënde.
3. E fillova procesin e të shkruarit me shkrime
teknike pas vitit 1996, pasi mbarova një vit studimesh pasuniversitare në New
York University, më shumë shkrime teknike: si grante që janë financuar nga
donatorë të ndryshëm në Shqipëri dhe Amerikë. Gjithashtu kam bërë studime
shkencore të botuara në të dyja vendet. Një nga pasionet e mia të hershme është
edhe fusha e përkthimeve. Kam rastin të përmënd këtu se vitin e kaluar u botua
në Amazon dhe në Shqipëri, romani “The King’s Shadow” i autorit Viktor
Canosinaj, që e përktheva në anglisht, të redaktuar nga djali, Andi Mitre. Po
ashtu kam përkthyer libra teknike, artikuj dhe poezi të cilat kanë parë dritën
e botimit.
Çfarë u bë shtysë
për të filluar përsëri?
Më të shumtat e
poezive të këtij vëllimi janë shkruar gjatë këtyre viteve të jetës në Amerikë.
Jeta si emigrante na vë para vështirësive të mëdha, dhe për ne që kemi emigruar
në moshë madhore, të ekzistuarit midis dy botëve, asaj çfarë kemi lënë pas,
vendlindjen, familjen, gjithë atë arkiv të krijuar për 45-50 vjet dhe bota e re
që gjejmë, ku nuk është e lehtë të integrohesh, është një sfidë e pashmangshme.
Mësimet e nxjerra
nga periudha tranzitore, që kalon në kufirin midis shkëputjes me të shkuarën
dhe bashkimit me të ardhmen janë të thella. Këto eksperienca na bëjnë të
kalojmë përmes një transformimi të brëndshëm dhe udhët që na hapen nganjëherë
na çudisin. Trajektorja e jetës është si një lumë që rrjedh nga mali deri sa
përfundon në det të hapur. Në këtë lumë jete është e rëndësishme të investigosh
udhët që të çojnë në destinacion. Të ndjekësh ëndrrën tënde do të thotë të
shkosh në destinacion. Dhe duket që unë sapo kam arritur atje.
Besoj se ndjenja
më e fuqishme që të shtyn të shkruash është ndjenja e DHIMBJES shpirtërore.
Historikisht poezitë e para që janë shkruar janë poezi vajtimi- për humbjen e
njerëzve më të dashur, pikërisht që nga dhimbja lind nxitja për të shkruar, për
tu ngritur për ta mundur atë. Kam shkruar “Elegji për Dhimbjen”. Vëllimi poetik
“Graviteti i Shpirtit” hapet me poezinë “Kam Mall” , Mjellmë bëmë të fluturoj,
përmbi breg të Adriatikut/ lotin e kripur ta lëshoj/mbi parvazin e braktisur…e
cila është frymëzuar pikërisht nga malli për atë që kam lënë pas krahëve,
familjen, atdheun, Durrësin tim të dashur, detin me të cilin jam e lidhur
ngushtë, nga ndjenja e dhimbjes që rrjedh prej dashurisë për diçka apo dikë që
na mungon. Por poezia është edhe këngë gëzimi dhe admirimi për të bukurën, për
shprehjen e ndjenjave delikate. E tërë bota është e mbushur me poezi. Natyra në
këtë muaj Tetori është vetë poezia në magjinë e saj, me gjethet që ngjyrosen
dhe përflaken në shtegtimin e tyre të
fundit. Në eksperiencat e shumëllojshme
jetësore, unë kam vlerësuar dhe i jam mirënjohëse mundësive që më janë dhënë
për të mësuar dhe për tu rritur si njeri dhe si poete. Do përmënd miket e mia
amerikane, Eileen Erikson, poete, dhe Ethel Lee Miller, shkrimtare, që më kanë
nxitur për të shkruar, për të mësuar e për tu zhvilluar në artin e të
shkruarit. Mua më është dashur vetëm ti ndjek dhe të provoj veten. Prej vitesh
aderoj rregullisht në grupin e shkrimtarëve të Montclair NJ, të cilët përbëjnë
një thesar në ndihmë të rrugëtimit tim krijues.
Si poete dhe spiritualiste,
kam gjetur paqen, qetësinë dhe frymëzimin përmes meditimit, ndërsa me veprat e
poetëve të famshëm Whitman, Shakespeare, Edgar Ellen Poe, Emily Dickinson, Maya
Angelou, Migjenit dhe Fishtës, dhe mësuesve shpirtërorë dhe filozofë të
mirënjohur botërorë si Wayne Dyer, Mark Nepo, Lao Tzu, Martha Nausbaum, kam
zbuluar ushqimin aq të pasur për mëndjen dhe shpirtin. Veprat e tyre më kanë
frymëzuar për të hedhur në letër mendimet dhe refleksionet e mia mbi
kompleksitetin e dimensioneve njerëzore dhe jetësore. Si emigrante, jo pak herë
ndjehemi vetëm, dhe unë e kam përdorur vetminë time për të shkruar, e për tu
pasuruar shpirtërisht. Kisha nevojë për vetminë time, ajo më ktheu tek vetvetja
dhe për rrjedhojë më realizoi atë ëndërr që e kisha kyçur brënda shpirtit.
Çfarë përfaqëson
për mua ky vëllim poetik?
Vëllimi poetik
“Graviteti i Shpirtit” është një shprehje e vetevetes në mënyre artistike, pra
është një zë poetik autentik. Përmes poezive unë jo vetëm kam zbuluar veten
time në thellësi, kam hequr atë mantelin tokësor, dhe kam sjellë tek ju
profilin tim shpirtëror, por për më shumë kam përcjellë zërin tim tek lexuesi.
Për rrjedhojë duke i transmetuar emocion lexuesit mes vargjeve të shprehura me
një gjuhë të përzgjedhur, mundohem ta bëj atë për vete që ajo që shpreh ti
depërtojë në shpirt, dhe të zgjojë tek ai atë ndjenjë rrënqethëse, që e bën të
përlotet apo të gufojë nga kënaqësia, duke ndjerë se është vërtet pjesë e asaj
eksperience, njësoj sikur të zgjohej nga një ëndërr e ëmbël apo dëshpëruese. Ky vëllim autobiografik, për larminë e
tematikave që trajton është ndërtuar në 13 pjesë. i përngjan “një guri të çmuar
me shumë prerje” ku secila prerje është një pjesë e jetës që kam përjetuar;
janë pikërisht ato ndjenja, mendime, shqetësime, refleksione trille, fantazi,
vegime, për njerëzit më të dashur dhe për botën me problematikat e saj; janë
malli dhe dashuria, jeta dhe vdekja, gëzimet dhe hidhërimet, frika dhe
pasiguria, pakënaqësia dhe revolta, që vijnë në këtë vëllim të gjitha sëbashku
dhe shprehin emocionalisht pëlhurën e jetës të endur në kohë dhe hapësirë, në
rritje dhe ndryshim. Në një farë mënyre prerjet e këtij guri të cmuar janë ato
që më japin trajtën e të qënit njeri.
Poezia për koncizitetin në mendime është e vështirë të kuptohet. Të
lexosh poezi do të thotë ti vesh frenat vetes, të mos bësh asgjë tjetër. Të
lexosh poezinë është një akt koshient. Prozën mund ta lexosh shpejt, por poezia
nuk ta lejon këtë lluks. Ajo të thotë ”Lluksi jam unë.” Ajo të kërkon të
ndalesh, të fokusohesh, jo vetëm në varg, por edhe në fjalë. Në poezi çdo fjalë
ka vlerë, ka peshë emocionale dhe peshë mendimi. Ndaj, do t’ju lutesha që kur
të lexoni këtë vëllim poetik, të mos mundoheni të gjeni shpjegim në çdo mendim,
sepse Poezia është më shumë një pjesëz shpirti. Poezia është art bohemian,
elitar, është shprehja më sipërore e ndjenjave shpirtërore, “është pasioni dhe
e vërteta, është ajka e shijimeve” (I.L.) që ndihmon në transformimin e
shpirtit, për ta ndricuar atë e për të krijuar një botë më të bukur. Përse ky
titull “Graviteti i Shpirtit”? A është titulli një alegori apo shpirti vërtet
ka gravitet? Ne jetojmë në një botë plot
mistere, vetë ne, shpirti ynë, mëndja jonë, jemi një mister që pret të zbulohet
po prej nesh. Shpirti është energji.Çdonjëri prej nesh ka një gravitet të
brëndshëm, të ndërthurur me gravitetin hapësinor. Nëse ne nuk do tërhiqeshim
nga forca e gravitetit do të ishim duke fluturuar tani.Për të shpjeguar
titullin unë do ti referohem disa mendimtareve të ndritur të dijes njerëzore,
mësuesit shpirtëror Gary Zukav, psikoanalistit Carl G. Jung, Hymnit Gnostik mbi shpirtin, dhe filozofit,
poetit dhe shkrimtarit shqiptar, profesorit Isuf Luzaj.
Çfarë është
“Shpirti” sipas Gary Zukav? Shpirti
është esenca jonë më e fuqishme dhe e qëllimshme, është epiqendra e gjithshkaje
që një njeri përfaqëson. Kur personaliteti bëhet njësh me shpirtin atëherë
punojnë për të realizuar atë thirrje të brëndshme që gjithsecili prej nesh
ndjen brënda vetes. Me këtë vëllim poetik personaliteti im është përputhur me
shpirtin për të realizuar ëndrrën time për të qënë një libër.
Çfarë është
“Shpirti” sipas Carl G. Jung?
“Shpirti” thotë
Carl Jung “është intelekti tokësor, është psiqika, është pavetëdija kolektive,
është vetëdija dhe gjysëmvetëdija”, pra Carl Jung e zbret shpirtin në tokë.
Carl. G. Jung i referohet Heraklitit, “Filozofit që Qan”, cili shprehet se
shpirti nuk është gjithmonë lart. Kur ne shpërbëhemi, ai zbret poshtë dhe
rëndohet, duke qënë i rëndë ai shndrrohet në ujë. Uji është simbol i psiqikës,
i shpirtit, kështu që rruga drejt shpirtit të çon te uji, tek kjo pasqyrë e
ujit ku secili njeri do të shikojë refleksionin e fytyrës së tij. Rrjedhimisht,
njeriu duhet të ndjekë rrjedhjen e ujit, të zbresë poshtë në thellësi të tij
për të kërkuar thesaret e tij e për ti ngritur ato më pastaj lart.
Cila është
Historia e Hymnit Gnostik mbi “Shpirtin”?
“Një djalë u dërgua me mision nga prindët e tij të kërkonte një perlë që
kishte rënë nga kurora e mbretit në fundin e një pusi të thellë, që e ruante
një dragua, në tokën e Egjyptianëve. Djali vendosi të shkojë të gjejë perlën,
por zhytet në uje ne thellësi të pusit derisa në fund të tij gjen perlën dhe ia
fal atë hyjnive.”
Çfarë shkruan
profesor Isuf Luzaj mbi shpirtin e poetit?
“Kur poeti i
mbarsur nga emocioni, nga bukuria, nga dashuria, po njëlloj nga dhëmbja,
vetmia, tragjedia, deziluzioni e të tjera ndjenja, vihet të shkruajë një poemë,
qoftë ai poet mistik si Dante, i apasionuar si Lamartini, ose materialist si
Omar Khajami, i dëshpëruar si Jorge Luis Borges, realist si Robert Frost apo
Witmani, cilido nga këto yje të shpirtit fisnik, kur filloi të shkruajë vargun
e parë sigurisht që tha “Nëm mundësinë të ngjitem në eksperiencën fetare më të
lartë, në një bashkim mistik me Unin tim,” Si konditë e këtij bashkimi, shpirti
duhet të kalojë nëpërmjet një periudhe të errësirës dhe dhembjeje për të
arritur të krasisë ferrat dhe drizat e qenies lëndore, për tu ngjitur në sferat
qiellore.” (Isuf Luzaj). Ka një
paralelizëm midis Gary Zukav, Carl Jung, Hymnit Gnostik, dhe profesorit Isuf
Luzaj, ka një lidhje logjike të brëndshme ku të gjitha këto interpretime
pohojnë se shpirti ka gravitet dhe na çojnë në përfundimin se që të jemi të
sukseshëm dhe të arrijmë të realizojmë atë thirrje të brëndshme duhet që ne si
personalitete të punojmë në përputhje me shpirtin, të kërkojmë në vetëdijen
kolektive, në koshiencën dhe subkoshiencën personale, në psiqikën tonë dhe të
ambjentit që na rrethon, të futemi thellë në pus për të nxjerrë perlat që janë
në fund të tij. Këtu qëndron edhe thelbi i titullit të vëllimit “Graviteti i
Shpirtit”. Pikërisht kjo ka ndodhur me mua, kam kërkuar thellë në pusin e
shpirtit tim për të nxjerrë këto perla që t’jua bëj dhuratë juve sot për ti
shijuar. Ndaj shkruaj “Graviteti i shpirtit është ajo bërthama, brënda çdo
qënieje njerëzore apo forca e rëndesës së shpirtit, ku të gjitha fijëzat e
jetës ndërthuren me njëra tjetrën dhe gjejnë vetveten. Ndjeje gravitetin e
shpirtit tënd sepse ai të zbut dhe të mban të njësijshëm.”“Graviteti I
Shpirtit” përbën gurin e themelit të rrugëtimit tim letrar. Të shkruarit tashmë
është një pjesë e pandarë e jetës time. Kam në dorë vëllimin e dytë me poezi në
anglisht dhe një vëllim tjetër me poezi në shqip. Në këtë ditë të përkryer
Tetori, e rrethuar nga familja, nga ju miq e dashamirës, në këtë promovim, hedh
sytë në të shkuarën dhe të sotmen, dhe shoh që jam në mes të kaq shumë gjërave
të bukura, që nuk i kam provuar ndonjëherë të gjitha bashkë në të njëjtën kohë,
ndaj edhe i jam mirenjohëse jetës për gjithcka që më ka dhuruar. Unë besoj se
ka një rregullator, ka një energji të fuqishme universale e pandarë nga
energjia jonë personale, e cila akordon sinfoninë e jetës së gjithesecilit.
Pikërisht ky besim më vë në paqe të plotë shpirtërore dhe më bën të pranoj se
jeta është perfekte me gjithë kompleksitetin e saj diversiv, se gjithcka që më
ka ndodhur dhe më ndodh në jetë ka qenë e destinuar për mua. Me realizimin e
këtij vëllimi poetik unë ndjehem e kompletuar, e përmbushur, e shëndetshme, dhe
e dobishme.
Autoren Mitre e
përshëndeti me një urim special dhe plot dashuri e mirësi e bija e saj Mariela
Mitre.
Përshëndetën
gjithashtu në këtë mbasdite poetike znj.Elida Priftanji Collaku, e cila lexoi
edhe kritën letrare të shkrimtarit të mirënjohur Robert Martiko.
Shumë prej
pjesëmarrësve si bashkeshorti i autores Thomas Mitre, Zhani Joanidhi, Dhimtraq
Papando, Lule Istrefi, Adelina Llupa, Raimonda Hysolli, Denisa Nuzi, Anne
Cakoni dhe Kristina Haxhia e uruan autoren duke thënë fjalë miradie sidomos ata
që e njihnin që nga shkolla e mesme e gjuhëve të huaja. Disa prej tyre lexuan poezi të ndryshme nga
libri i autores ku te ngeleshin ne mendje vargjet nga poezia “Merrma shpirtin”
si: Merrma gjakun, bëma zjarr, të përfshijë prag e derë/ Nga gjumi të zgjojë të
vdekurit që të ngrihen dhe një here/ Merrma lotin, plagët laju, kalorësve të
Skëndërbeut/ Ku janë fshehur, ku janë tretur sot trimat e mëmëdheut/ Merrma
kockën bëma gur në vënd të tij të rëndojë/ Gur e kockë ta ngrejë kështjellën/
mënçuri të pagëzojë/ Merrmi flokët bëji udhë, të lehta t’i ketë këmba/ Shtegun
e tij mban shtegtari, po të jetë e drejtë bota/ Merrma dorën bëma hartë, që të
mbaj pesë kontinente/ Gishtërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet e kësaj bote!
Autorja Mitre
kishte dy gëzime në një ditë, ditëlindjen e saj dhe
promovimin e librit që ia uruam miqësisht në këtë ditë krejtësisht të veçantë për autoren.
E shtuna e librit
na tërhoqi këndshëm me poezitë e dhuruara nga autorja Mitre, sepse është një
libër si vetë titullin që ka “Graviteti i shpirtit” që ashtu si graviteti që
është forca me të cilën një planet ose një trup tjetër tërheq objekte drejt
qendrës së tij, ashtu dhe libri “Graviteti i shpirtit” i mbajti të gjithë
pjesëmarrësit në orbitë rreth diellit metaforik.
12 tetor, 2019
New Jersey