Speciale » Mustafa
Avzi Mustafa: Vajtimi me pagesë te shqiptarët e Rekës së Epërme
E merkure, 18.09.2019, 06:27 PM
VAJTIMI ME PAGESË TE SHQIPTARËT E REKËS SË EPËRME
Nga
Prof. Dr. Avzi MUSTAFA
Në zakonet që kanë
të bëjnë me vdekjen dhe përcjelljen e të vdekurit ekzistojnë shumë rite, që
janë pagane ose parapagane. Një ndër zakonet shumë të vjetra është edhe kur një
i vdekur vajtohet me një lloj të kënduari të përvajshëm.
Vajtimi ka qenë i
pranishëm edhe në popuj të ndryshëm, ku disa rite e zakone janë zhdukur ose
kanë marrë forma të ndryshme. Sot, përveç ngjashmërive, kanë dhe diferenca,
madje diferencat nuk janë ndërmjet popujve, por ato janë dhe brenda një kombi.
Dhimbja për ata që
largohen nga jeta shprehet në mënyra të ndryshme. Për shembull, në veri ka
pasur vajtime dhe me goditje të kraharorit, çjerrje fytyre, vajtime me britma e
rënkime. Gati te të gjithë popujt e Ballkanit ekziston që në lashtësi një
traditë e vajtimit, siç thuhet me “argatë”, e cila është përcjellë dhe në ditët
tona. Kjo traditë është e njohur te grekët, rumunët, vllahët, turqit, kroatët,
malazezët, serbët, maqedonasit e bullgarët, por edhe në disa vende të tjera
botës etj.
Është kjo një
traditë shumë e moçme, që ekziston edhe te shqiptarët: kur dikush vdes,
kërkohet që dikush të vijë e ta vajtojë të vdekurin. Këtë punë e kanë bërë disa
gra ose burra, që janë quajtur “vajtoca” e “gjamatar” të paguar.
Vajtimin ndër
shqiptarë në shekujt e fundit e bëjnë vetëm gratë dhe atë vetëm ditën, Këto
gra, që e vajtonin të vdekuri, paguheshin qoftë me para ose me natyrë.
Ashtu siç pohon i
madhi Eqrem Çabej, dikur nga viset greke kanë ardhur një numër i madh i
vajticave me pagesë . Po ashtu edhe në Shqipërinë e Veriut, sidomos në krahinën
e Mirditës, janë paguar vajticat, por më të njohura kanë qenë vajtica e rrethit
të Peshkopisë dhe të Zajazit të Kërçovës. Edhe sot e kësaj dite mund të dëgjosh
shprehjen “kjo duhet të vajtohet me gra Zajazi” ose “të qafsha me gra Zajazi”,
sepse ato kanë vajtuar mallëngjyeshëm dhe në polifoni në ditën e tretë të
vdekjes .
Duke parë format e
tyre të përgjithshme dhe nga struktura e vargjeve dhe të ritmit, ato dëshmojnë
se janë ndër llojet ma të vjetra të folklorit tonë. Ashtu siç thonë
folkloristët, e vaji me ligje është “improvizime që shpreh dhimbjen e thellë,
por edhe jep një pikturë të cilësive të të vdekurit, një portret të plotë,
herë-herë fizik e shpirtëror të tij”. .
Në historinë e
vajtimit, sipas studiuesve, dallohen pesë periudha. Periudha e parë, që është
më e vjetra është ajo ku vajtimi përfshin britma dhe rënkime me zë, që i bënin
familjarët e të vdekurit. Faza e dytë është vajtimi në vargje, që ka ecurinë e
një ritmi gati ad libitum. Këtë e vajtim e kanë bërë anëtarët e fisit të
afërt ose të largët, sidomos gratë e moshuara, por të fisit të vet. Faza e
tretë përfshin vajtimin nga një grua e
huaj që posedon aftësi dhe zë të mirë. Vajtimi në këtë fazë merr një karakter
të këndimit, duke përdorë “improvizimin që shpreh dhimbje, por që bën edhe një
portret, herë fizik e herë psikologjik, të të vdekurit”. Faza e katërt është faza kur një familje për
të vdekurin merr një grua me pagesë, e cila dallohet me aftësi vajtimi, ndërsa
vajtimi i saj merr karakter të zanatit. Ajo që e kryen këtë punë, për këtë punë
paguhet me natyrë ose me para. Faza e pestë është ajo kur vajtocat janë
përkryer me këngët e vajtimit dhe janë provuar në shumë raste për të vdekurit.
Në këtë fazë vajtocat janë të fisit ose edhe të largëta. Në shumicën e rasteve
ajo është një grua që vajtimin e ka profesion.
Si te shumë popuj
të botës, krahas zhvillimit kulturor të përparimit të njerëzimit si dhe nën
ndikimin faktorëve socio-ekonomikë, edhe vajtimi kohëve të fundit e ka humbur
atë karakter që e kishte dikur, por mbetet vetëm si një moment, që do të
kujtohet si “një vdekje e kënduar mirë”.
Një zonë mjaft
interesante që i ruan traditat, ritet e zakonet e moçme, kjo për shkak të
kushteve natyrore e historike, është vajtimi me pagesë që ruhet në Rekën
e.Epërme. Te shqiptarët e Rekës së Epërme, si një zonë e izoluar dhe si një
vend ku mallkimi i shenjtë është “kripa huaj”, që do të thotë se njerëzit
përveç kurbetit nuk kishin asgjë për mbijetesë, vdekja e një familjari u
shkaktonte dhimbje si kudo, por në këtë zonë, përmes vajtimit, kërkohet
shfryrje, lehtësim shpirtëror.
Vajtimi tek Shqiptarët
e Rekës së Epërme ka rol të veçante socio-ekonomik dhe patriarkalo-religjioz,
ku shumë lehtë shpërthen lirizmi. Për nga forma e brendshme është shumë
nostalgjik. Kështu vajtimi në këtë zonë e ka ritmin e lirë, ashtu siç thonë
vendasit – një dramë e gjallë e të folurit me një tronditje e me theks
pikëllues.
Vajtimi për
vdekurin, i krijuar ad hoc, vjen nga dhimbja dhe është plot figura të fuqishme,
pyetje retorike, ka lirizëm të fjalëve përkëdhelëse, gëlon nga epizmi i
mallkimeve, që krijon atmosferë tepër emocionuese, që i trondit të gjithë ose,
siç thonë rekasit, “loti del vetë”. Në Rekë gruaja që mbahet mend mban emrin
Sarafka nga Niçpuri dhe nëna Selvije nëna e Dilaverit nga fshati Volkovi..
Në këtë trevë në
fillim çdo i vdekur është vajtuar me anëtarët e familjes, sidomos gjyshja, nëna
ose motra në praninë e grave e të fisit e të fshatit, kurse burrat kanë bërë
përgatitjen e të vdekurit dhe sigurimin e ushqimit për të largëtit e farefisit,
si dhe sigurimin e rakisë, që është pirë për “shpirt të vdekurit”.
Tek shqiptarët
ortodoksë të Rekës së Epërme vajtimin e kryejnë gratë nga fisi i të vdekurit,
por edhe një grua e huaj me pagesë në natyrë. Me rastin e vdekjes së ndonjë
anëtari të familjes, të gjitha gratë angazhohen që t’i ndihmojnë jo vetëm gratë
e familjes, por edhe gratë e tërë fshatit. Nëse familja është ekonomikisht e
dobët ose nuk ka burrë shtëpie, të vdekurin e vajton një grua që është e fisit
dhe në moshë ose ajo që përgatit ushqim për njerëzit që vinë për ngushëllime.
Në qoftë se
familja është e pasur, ata e paguajnë një grua që di “të “rendit”, siç e quajnë
rekasit “renditicë”, cila e ka aftësinë e britmës dhe rënkimit, por edhe
posedon aftësi të invecionit, si dhe intelegjencë, kulturë dhe muzikalitet. Ajo
e fillon vajtimin në formën e një bisede poetike me zë të zgjatur, duke
renditur fjalë për të vdekurin sipas moshës e virtyteve të të ndjerit apo të së
ndjerës. Vajtim me “renditje” nëpërmjet vargjeve, që i thotë “renditica” që
paguhet, shoqërohet nga gratë e fisit, që i ndihmojnë në korr dhe që mund të
jenë deri më 20 veta. “Renditica” ulet te koka e të vdekurit, ndërsa gratë e
tjera qëndrojnë ulur anës së krahëve të të vdekurit
Nëse i vdekuri
vajtohet te varri, vajtojca me pagesë qëndron mbi kokën e të vdekurit ose e
ulur në gjunjë para këmbëve të të vdekurit. Vajtoca fillon të rendisë me fjalë
të zgjedhura, duke përdor fjale më ton të gjatë e melankolik. Pas disa vargjeve
ose një strofe, ajo e ngre zërin dhe pas çdo vargu të tretë ndërhyn korri i
grave. Kur vajtojca jep shenjë se gratë që këndojnë në kor duhet të ndalojnë,
ato pushojnë. Vajtica rendit fjalë mbi të vdekurin dhe përsëri jep shenjë që të
ndërhyjë korri, por tani ndryshon nga vajtimi i mëparshëm – tani pas
“renditcës” përsëritet vargu i tretë dhe pas një pushimi shumë të shkurtër,
grat në kor e përsërisin dy vargjshin si dhe afërsinë dhe epitetet e të
vdekurit si “i miri i nonës”, “punëtori i nonës”, “trimi i nonës”, vëllau i
motrës etj. Ky vajtim bëhet në një dhomë të katit të parë të shtëpisë, por edhe
në odën e miqve.
Pasi i vdekuri
vajtohet ose “rënditet” për disa orë, pastaj i vdekuri dërgohet prej shtëpisë
në kishë. Aty çdokush që e merr pjesë, si gratë ashtu edhe burrat, ndezin
qirinj, lënë ca para për kishën dhe sipas ardhjes së ngushëlluesve rrinë disa
minuta dhe dalin jashtë për të lënë hapësirë për të tjerët. Pasi i kryen prifti
të gjitha ritualet religjioze, të vdekurin e dërgojnë në varr. Rrugës prej
shtëpisë e deri në kishë dhe prej kishe deri në varrezë vajtojca e vajton të
vdekurin, siç thonë rekasit thonë “shum vikatën”.
Të afërmit marrin
me vete ndonjë veshje, fotografi, arme ose gjësend që i vdekuri e ka dashur.
Vajtoca e fillon vajtimin kur burrat e kapin arkivolin dhe ajo gjatë rrugës
vajton duke ecur. Edhe grat e fisit mund të ndërhyjnë në kor, duke e përsëritur
jo vetëm vargun e tretë, por strofat e plota. Ky vajtim në popull është i
njohur me emrin “Njona renditën, qetra i nditën” ose, siç thonë në Rekë, “Njona
e ze, e qetra i ndihin”.
Në bazë të kësaj,
mund të konstatojmë se në këtë zonë kemi një dallim nga trevat tjera shqiptare,
sepse këtu dallojmë dy lloje vajtimesh me pagesë, si:
Vajtim me renditje
“Renditën” (që behet një bisedë me të ndjerin në vargje, i “vajtoh me zo” dhe
Vajtim që është
njohur në këtë anë me emrin “vajtoj
gjunjazj” (vajtoj duke ecur)
Varësisht prej
gjendjes ekonomike, ndodhë që dikush nuk mund të sigurojë vajtojcë me pagesë.
Në atë rast këtë vajtim e bën, ashtu siç thonë vendasit, “mangjarnica” – ajo që
i përgatit ushqimet për shpirtin e të vdekurit. Ajo angazhohet dhe nga
familjari i jepet ndonjë basmë, peshqir ose diçka tjetër, por patjetër edhe
pogaçe. Në të shumtën e rasteve më shumë e bëjnë për “shpirtin e të vdekurit”,
por merret vetëm pogaçja, që është traditë e kamotshme e rekasve.
Kur angazhohet
“vajtojcë” me pagese dhe ajo vjen nga ndonjë fshat tjetër, ajo së pari merr të
dhëna për të vdekurin: fëmijë, djalë, nuse, babë, vëlla, gjysh etj., mbi punën
që ka kryer, mbi shkaqet e vdekjes, mbi statusin ekonomik të familjes, mbi
karakterin, sjelljen etj. Mbi bazën e këtyre virtyteve vajtojca krijon vargje
ose vajton me zë, duke përdor fjalë që e lartësojnë të vdekurin përderisa ka
qenë gjallë, vajton për bukurinë, punën e planet e parealizuara etj.
Te vajtimi me të
ecur zëri i vajtojcës është i hollë dhe i lartë. Në këtë vajtim po ashtu marrin
pjesë gratë që këndojnë në kor. Te ky lloj vajtimi “vajtojrica” vajton pas
arkivolit të të ndjerit me zë të lartë kurse gratë e tjera vijnë pas, duke e
shoqëruar prej vargut të tretë e deri te dyvargëshi dhe duke e rikënduar
pasthirrmën “oe, e kuku.”.
Vajtojcat me
pagesë në Rekën e Epërme vajtojnë në mënyra të ndryshme për njerëzit e vdekur.
Secila vajtojcë vajton ashtu siç i vijnë në mendje vargjet për secilin të
vdekur, ashtu siç e meriton ai sipas statusit social që ka pasur në fshat dhe
sipas moshës dhe gjinisë. Në Rekë nuk ka ndonjë skemë për të vajtuar, por ka
fraza të rënkimit e të vajtimit që përdoren sipas mundësive dhe situatave. Kur
vajton vajtojca e paguar, në të vërtetë ajo improvizion. Ajo që është
karakteristike gjatë vajtimit është përdorimi i tri rikëndimeve, të cilat vijnë
në mënyrë ndërrueshme kur vajtohet në përgjithësi. Rikëndimi i parë është:
“A-o, o-ve! (A-o, o kuku!), i dyti është: “U-o, o kuku!” (U-o, o kuku!) dhe i
treti: “I-ho, o ve!” ( I –ho, o kuku!)
Një shembull për
djalin e pagëzuar që ka vdekur:
A gjalo, a-o, o-ve!
Ty të pagëzonja (zonte nona),
E të shtinja në kryq,
I-ho, o –ve!
E përzinja me fminë
U-o, o kuku!
(Rikëndimi
përsërit)
E të lidhja halis në kallepket
A-o, o-ve!
E ty të lidhte dada
I –ho, o –ve!
E ty të këndonja!
U-o, o –kuku!. .
Te vajtimi në ecje
në Rekën e Epërme vajtojca së pari lëshon një britmë, pastaj një ofshamë, një
thirrje në formë pashirme dhe më zë të hollë e të lartë për të tërhequr
vëmendjen e njerëzve ndaj të ndjerit, por edhe për të krijuar një lidhje
psikologjike ndërmjet të vdekurit dhe të gjallëve.
Vajtimi nga
vajtojcat me pagesë në këtë zonë fillon me një këndim monoton me më shumë fjalë
në fillim e pastaj ngrihet zëri me korin e grave në rreshtin e tretë, por pa e
prishur plotësinë organike të kuptimit, si p.sh.:(vajtimi i priftit)
Ku bone katundarvet,
Edhe kishvet,
Edhe isanit?
“A-o, o-kuku”
Sa mirë vijne në kishë,
Sa mirë kandonje,
Sa mirë i zgjonje insanin,
Sa mirë ti prift na zgjonje!
Ene na mas teje grarendjim,
Se ke i mirë shum!
Ose (vdekjen e një
djali)
A bir kë më bone!
Si m’u vdore!
Si nuk pret nona!
Da dale vera,
Ti nuk gjeigjesh
ma,
Edhe nuk sheh ma:
Si do dale vera;
E nuk sheh malet
si da qelin!
Nuk gjeigjish
qyqen
Si da këndojnë!.
Te vajtimi në të
ecur, që është një karakteristikë e vetme e kësaj zone, mund të shihen qartë gjurmët rituale të dramës
popullore. Në këtë vajtim shihet edhe baza e tragjedisë në përgjithësi dhe
fillet popullore të aktrimit dhe teatrit.
Vajtimi më i
madh në ditën e vdekjes dhe të varrimit, por mund të vajtohet i vdekuri edhe në
ditën e dyzetë, në gjysmë viti, në trevjetorin e vdekjes dhe në ditën e
“shpirtrave”.
Vajtimi, si për
nga forma, ashtu si për nga struktura e vargjeve dhe ritmi, është ndër llojet
ma të vjetra të folklorit tonë. Mirëpo, duke pasur parasysh se vajet janë shumë
të lashta, ato sot kanë evoluar.
Vajtimi në Rekën e
Epërme, përveç pasqyrës psikologjike, e reflekton edhe tërë filozofinë e
malësorëve dhe vlerësimin e vlerave që shprehin ndjenjat njerëzore ndaj babait,
vëllait, nënës, motrës e etj.
Siç dihet, te
shumë popuj vajtimi është i ndaluar me rastin e vdekjes së ndonjë personi.
Ndalesë ka pasur edhe nga kisha, por edhe nga pushtetet. Sidoqoftë, vajtimi ka
një rëndësi të madhe për fokloristikën, etnologjinë, letërsinë popullore,
historinë e religjionit, por – për fat të keq – është studiuar fare pak.