E shtune, 21.12.2024, 12:39 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe orientimi strategjik

E hene, 02.09.2019, 06:46 PM


SHQIPTARËT DHE ORIENTIMI STRATEGJIK

Nga Xhelal Zejneli

Më 9 gusht 2019 mediumet shqiptare njoftuan se më 15 korrik të vitit në vazhdim është zhvilluar ceremonia e vendosjes së një pllake përkujtimore në një nga zonat e parkut të liqenit artificial të Tiranës. Kjo pllakë përkujtimore apo ky memorial përmban emrat e 251 të rënëve gjatë tentativës së grushtit të shtetit në Turqi që ndodhi në 15 korrik 2016. Ceremonia e vendosjes së kësaj pllake është realizuar me rastin e 3-vjetorit të tentativës së grushtit të shtetit të sipërthënë. Sikundër dihet, puçi ushtarak i 15 korrikut dështoi. Në kuadër të kësaj ceremonie është kryer edhe përurimi i një rruge me emërtimin “Rruga e dëshmorëve të 15 korrikut” si dhe përurimi i parkut apo i një zone të tij, me emërtimin “Parku i demokracisë së 15 korrikut”. Për ceremoninë e lartpërmendur ka njoftuar përfaqësia diplomatike e Turqisë në Tiranë. Thuhet se projekti është realizuar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe për Bashkëpunim. Ceremonia ka nisur me një marshim të quajtur “Fitorja e demokracisë”, marshi ndërkaq ka filluar nga qendra e Tiranës , për të përfunduar në një nga zonat e Parkut të liqenit. Krahas pjesëtarëve të përfaqësisë diplomatike të Turqisë, në ceremoni paskan marrë pjesë edhe “vëllezërit dhe motrat shqiptare”. Duket paradoksale të organizojë marsh demokratik përfaqësia diplomatike e një shteti që në Perëndim akuzohet për shkelje të lirive demokratike.

S’ka dyshim se ceremonia e vendosjes së pllakës përkujtimor dhe e emërtimit të një rruge apo të një zone të Parkut të liqenit në Tiranë, e organizuar me rastin e 3-vjetorit të tentativës së grushtit të shtetit në Turqi, është realizuar me miratimin e autoriteteve shqiptare. Miratimi i aktit të mësipërm nga autoritetet shqiptare është hap i pamatur, pikërisht për arsyet e poshtëshënuara:

- Ngjarja e shënuar në Parkun e liqenit në Tiranë, d.m.th. grushti i shtetit i dështuar, ka ndodhur në një shtet të huaj;

- Ngjarja që ka ndodhur në Turqi më 15 korrik 2016 është çështje e brendshme e atij vendi. Me një fjalë, shqiptarët s’kanë të bëjnë me të. As ngjarja ka të bëjë me Shqipërinë apo me shqiptarët.

- Marrja e pushtetit në rrugën jodemokratike apo me mjete të dhunës dhe të forcës në botën demokratike dënohet dhe nuk pranohet. Si një vend evropian, edhe Shqipëria e dënoi tentativën për grusht shteti në Turqi. Më shumë se kaq, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të bëjnë;

- Duke qenë një vend evropian, veprimet politike të veta Shqipëria duhet t’i harmonizojë me veprimet e vendeve të BE-së;

- Duke qenë shtet properëndimor, hapat politikë të vet Shqipëria duhet t’i bashkërendojë me vendimet dhe me interesat e vendeve të Perëndimit;

- Duke qenë popull evropian dhe properëndimor, qëndrimet e veta shqiptarët duhet t’i harmonizojnë me qëndrimet e BE-së, përkatësisht të Perëndimit;

- Shqiptarët duhet të kenë parasysh faktin se jetojnë në një gadishull të banuar nga popuj të krishterë, sikundër janë grekët, bullgarët, rumunët, kroatët, serbët, malazeztë;

- Shqiptarët duhet të kenë parasysh faktin se gjeografikisht shtrihen në një kontinent popujsh të krishterë;

- Duke qenë pjesë e një Ballkani të banuar nga popuj të krishterë si dhe pjesë e Evropës së krishterë, politikisht shqiptarët duhet të qëndrojnë në distancë nga vendet sikundër janë Turqia, vende të caktuara arabe si dhe Irani;

- Çfarëdo afrimi i shqiptarëve me Ankaranë, me vende të caktuara arabe apo me Teheranin, i largon ata nga Evropa, përkatësisht nga Perëndimi;

- Në shekullin XV, d.m.th. në epokën e Gjergj Kastriotit, ndërmjet shqiptarëve, në një anë dhe turqve, në anën tjetër, janë zhvilluar luftëra të ashpra që kanë zgjatur një çerek shekulli. Gjergj Kastrioti ka luftuar 25 vjet për ta mbrojtur Arbërinë dhe Evropën e krishterë nga inkursionet e Perandorisë Osmane;

- Arbëreshët nuk kanë ikur në Kalabri dhe në Sicili prej të mirave. Diçka e madhe dhe e tmerrshme duhej të kishte ndodhur që të ishin larguar nga mëmëdheu;

- Historia i mëson shqiptarët se Perandoria Osmane ka sunduar mbi ta pesë shekuj;

- Gjatë sundimit osman, një pjesë e popullit shqiptar e ka ndërruar fenë e të parëve. Historia e botës nuk njeh as edhe një rast të vetëm që një popull i tërë apo një pjesë e tij ta ketë ndërruar fenë e të parëve e të jetë konvertuar në një fe tjetër – vullnetarisht. Vullnetarisht mund ta ndërrojë fenë individi apo një familje, por jo një popull i tirë apo një pjesë e tij. Format e dhunës të pushtuesit apo të sundimtarit për t’ia ndërruar fenë një populli janë të shumta dhe të llojllojshme. Një prej formave të zbatuara janë edhe trysnitë politike dhe ekonomike mbi popullin e pushtuar dhe të sunduar;

- Për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar dhe për t’i shpëtuar dhunës së pushtuesve dhe të sunduesve osmanë, shqiptarët vazhdimisht kanë qenë të detyruar të lënë atdheun. Më 1726 nga fshatrat Brisk dhe Shestan në perëndim të Shkodrës, u shpërngulën shumë shqiptarë dhe u vendosën në rrethinë të Zarës (Kroaci) ku themeluan qendrën e banuar Arbanasi (Borgo Erizzo). Prej aty vjen Josip Rela (1895-1966), autor i dramës Nita, e para dramë e botuar në shqip në Jugosllavi. Që andej vjen edhe poeti dhe tregimtari i hershëm Shime Deshpali (1897-1980);

- Në vitet 1737-1739 u zhvillua lufta austro-turke. Si të krishterë, fisi i kelmendasve ishte pjesë e ushtrisë perandorake austro-hungareze. Austro-hungarezët pësuan humbje dhe u tërhoqën. Bashkë me ta u larguan edhe kelmendasit dhe u vendosën në fshatrat Nikinci dhe Hërtkovci të Vojvodinës;

- Gjatë periudhës së sundimit turk mbi shqiptarët, Bushatasit (Bushatllinjtë), familje e madhe feudale shkodrane, në shekujt XVIII-XIX qeverisën pashallëkun e Shkodrës për rreth një shekull dhe synuan autonomi;

- Në vitin 1788, burri i dëgjuar i kombit shqiptar Ali pashë Tepelena (1740-1822) vuri nën sundimin e vet Pashallëkun e Janinës, nga Preveza deri në lumin Shkumbin. Gjatë viteve 1820-1822 ngriti krye kundër Perandorisë Osmane. U mund nga Sulltan Mahmuti II dhe u ndëshkua rëndë me prerje koke;

- Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në vitet 1843-1844, në Kosovë dhe në trevat lindore të Shqipërisë shpërtheu kryengritja popullore me karakter çlirimtar, e njohur në histori si Kryengritje e Dervish Carrës që radhitet ndër kryengritjet e para dhe nga më të fuqishmet e fillimeve të lëvizjes kombëtare në Shqipëri;

- Gjatë periudhës së sundimit turk mbi shqiptarët, lindi Rilindja Kombëtare Shqiptare. Rilindësit shqiptarë, duke filluar nga Naum Veqilharxhi e këndej synuan shkëputjen e Shqipërisë nga Porta e Lartë;

- Në kohën e sundimit turk mbi shqiptarët, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) veproi për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Me fjalë të tjera, kërkoi, veproi dhe luftoi për lirinë dhe për pavarësinë e Shqipërisë;

- Historia dëshmon se synimet e shqiptarëve për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane janë përcjellë me beteja dhe me luftëra të armatosura;

- Historinë e popullit shqiptar nuk e krijojnë shqiptarët që kanë qenë në shërbim të Portës së Lartë, por ata që luftuan për shkëputje, liri dhe pavarësi;

- Në shekullin e kombeve, d.m.th. në qindvjeçarin XIX, shqiptarët dalin si populli më i pazhvilluar i Ballkanit. Borgjezia greke, rumune dhe serbe, kuptohet, edhe me ndihmën e Fuqive të Mëdha të kohës, i krijojnë shtetet kombëtare të veta. Po kështu edhe malazeztë. Rrugës drejt pavarësisë shkojnë edhe bullgarët. Shqiptarët ndërkaq, nuk kanë pasur determinues historikë dhe sociologjikë të mjaftueshëm që do të kishin qenë në krye të përgjegjësisë historike;

- Shqiptarët që kanë vepruar në kuadër të Perandorisë Osmane dhe që kanë luftuar në kuadër të ushtrive të saj, nuk kanë punuar për interes të popullit të vet, por për interes të huaj, atë turk;

- Çmimin e luftërave të caktuara që i humbte Perandoria Osmane, shpeshherë e paguanin shqiptarët. Orekset e fqinjëve ballkanikë – të grekëve, të serbëve, të bullgarëve dhe të malazezëve plotësoheshin duke u dhuruar atyre troje etnike shqiptare;

- Si pasojë e sundimit osman mbi shqiptarët, në Kongresin e Berlinit (1878) Shqipëria u cilësua si term gjeografik. Kështu tha kancelari i parë gjerman Oto fon Bizmark (Otto von Bismarck, 1815-1898). “Kancelari i hekurt” – Bizmarku, ishte një kritik i ashpër i Ballkanit. Shqiptarët jo vetëm që nuk fituan shtetësi sikur fqinjët e tyre, por në këtë kongres filloi edhe amputimi i trojeve etnike shqiptare në dobi të fqinjëve;

- Si pasojë e sundimit osman mbi shqiptarët, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) trojet etnike shqiptare u përgjysmuan. Trojet shqiptare, prej sunduesve turq kalojnë nën thundrat e pushtuesve grekë, serbë dhe malazezë. Në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it (KAÇKJ) të mbajtur në Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës më 29.11.1943 dhe të udhëhequr nga J. B. Tito, komunistët jugosllavë vendosën që Maqedonia e Vardarit apo “Serbia Jugore” siç e quanin serbët, t’i merrej Serbisë dhe të krijohej Republika e Maqedonisë, si një prej gjashtë republikave të federatës së ardhshme. Po kështu u veprua edhe me Malin e Zi. Duhet shtuar se Maqedonia dhe Mali i Zi u bënë republika të “Jugosllavisë së AVNOJ-it” duke i themeluar shtetet e tyre në pjesë të caktuara të trojeve etnike shqiptare;

- Si pasojë e krejt kësaj drame tragjike, shqiptarët në Ballkan janë të ndarë në gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri. Ky është rast i vetëm në rruzullin tokësor dhe është pasojë e sundimit shumëshekullor turk mbi shqiptarët;

- Që nga shpallja e pavarësi deri më sot, shqiptarët të copëtuar në gjashtë pjesë nuk mund ta marrin veten. Duke mos treguar aftësi të duhur për të ndërtuar shtet, shqiptarët edhe vetë janë fajtorë të tragjedisë së tyre kombëtare. Të kesh qenë në shërbim të pushtuesit dhe të sundimtarit dhe të presësh fat më të mirë, kjo s’ka ndodhur kurrë në histori;

- Ata që thonë se midis shqiptarëve dhe turqve ka lidhje historike, duhet ta dinë se prej kësaj “lidhjeje historike” shqiptarët kanë dalë humbës historikë - nuk ia dalin të krijojnë shtet kombëtar në shekullin XIX, ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më tepër se gjysma e trojeve etnike historike shqiptare mbeten jashtë trungut të shtetit amë;

- Shqiptarët janë popull që u përkasin tre religjioneve: katolike, ortodokse dhe myslimane. Si në çdo shoqëri, edhe ndër shqiptarë mund të ketë të tillë që nuk janë as fetarë dhe as besimtarë. Mund të ketë edhe prej atyre që janë besimtarë por jo edhe fetarë. Po qe se politika e sotme shqiptare, në aspektin politik nuk ri në distancë ndaj Turqisë, atëherë kanoset rreziku që shqiptarët e fesë katolike t’i afrohen Romës, ndërsa këta të fesë ortodokse – Greqisë. Kjo do të shkaktonte bosnizimin e Shqipërisë.

- Tërë bota i njeh shqiptarët si popull ku mbizotëron harmonia ndërfetare. Por, afrimi eventual politik me Ankaranë mund të ndikojë në çrregullimin e harmonisë fetare në botën shqiptare. E drejta e predikimi të fesë në botën shqiptare është e garantuar me ligj dhe me kushtetutë, por kur feja shndërrohet në politikë dhe në ideologji, atëherë ajo pushon të jetë besim në Zot;

- Prononcimet e herëpashershme të autoriteteve turke se shqiptarët dhe turqit na qenkëshin vëllezër nuk janë në dobi të kombit shqiptar për arsye se, sikundër u tha edhe më sipër, shqiptarët janë popull që u takojnë tri feve. Përveç kësaj, prononcimet e tilla nuk mirëpriten nga Evropa apo nga Perëndimi i krishterë;

- Çfarëdo afrimi i politikës shqiptare me Ankaranë krijon përshtypje në Perëndim se shqiptarët mund të shndërrohen në përçues të interesit turk në rajon;

- Çfarëdo afrimi i politikës shqiptare me Ankaranë mund të krijojë përshtypje në botën perëndimore se shqiptarët mund të shndërrohen në zonë turke të interesit dhe në sferë turke të ndikimit;

- Ish-ministri turk i Punëve të Jashtme Ahmet Davutogllu (1959), me teorinë e tij të neo-otomanizmit, predikonte kthimin e Turqisë në viset e gadishullit të banuara nga popuj të fesë islame, d.m.th. në pjesën myslimane të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Sanxhak (Serbi), në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni;

- Autoritetet shqiptare duhet të kenë parasysh faktin se kryetari i përtashëm i Turqisë nuk gëzon mbështetje të duhur, as në SHBA dhe as në BE, ndaj afria e shtetarëve shqiptarë me të nuk shihet me sy të mirë në Perëndim;

- Afrimin e autoriteteve shqiptare me Ankaranë e mbështesin fuqimisht Beogradi, Athina dhe Moska për t’i denigruar pastaj nëpër kancelaritë e fuqive perëndimore si përçues të interesit turk në rajon dhe në Evropë. Në vijën e tyre ndodhen edhe mercenarët shqiptarë – osmanologë, botues, mediume të shkruara, mediume elektronike, kryeredaktorë mediumesh, analistë politikë, klerikë, shoqata humanitare, të cilat sa janë humanitare, po aq janë edhe politike dhe ideologjike. Në këtë dance macabre mund të hasen edhe politikanë nivelesh të ndryshme;

- Nuk duhet harruar faktin se kryetari i përtashëm i Turqisë zhvillon marrëdhënie të mira me Rusinë dhe me Serbinë, shtete këto që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e që pandërprerë punojnë kundër saj;

- Herë pas herë kryetari i Serbisë Vuçiqi u ka dërguar sinjale fuqive perëndimore duke u thënë: “Po qe se e shpërfillni Serbinë, atëherë Beogradi do të kërkojë alternativa...” Sipas Vuçiqit, alternativa të Serbisë janë Rusia dhe Kina;

- Nuk dihet në ka Serbia alternativë për integrimin në BE, por politika shqiptare e integrimit euro-atlantik nuk ka alternativë. Për politikën shqiptare, Turqia nuk paraqet kurrfarë alternative. Ajo nuk është Rusi apo Kinë. Ankaraja nuk mund të zëvendësojë rolin e Uashingtonit dhe të Brukselit në rajonin e Ballkanit. S’ka fuqi në rruzullin tokësor që mund t’i dalë zot Kosovës dhe tërë botës shqiptare, si Uashingtoni. Shqiptarët duhet të kenë kujdes që me veprimet e veta të mos e dobësojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës, përfshi edhe pozitën përballë Beogradit. Pa ShBA-në, Kosova nuk mund të bëjë as edhe një hap para në ndërtimin e shtetësisë së saj.

* * *

Sa u përket investimeve të huaja, shtetet e Ballkanit perëndimor, me përjashtim të Serbisë, zënë vendet e fundit në Evropë. Ato janë edhe larg integrimit në familjen evropiane. Kjo i zemëron udhëheqësit politikë të këtyre vendeve. Autoritetet shqiptare duhet ta dinë se BE-ja nuk investon aty ku nuk funksionon shteti ligjor dhe shtetin e tillë nuk e pranon në radhët e veta. Askush nuk investon në thesin e çjerrë. Shkrimtari dhe filozofi francez i drejtimit të ekzistencializmit Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet”. Me mençuri dhe me ndershmëri mund të zbuten pjesërisht edhe pasojat e vonesave historike. Me pandershmëri dhe me gabime strategjike historia mund të përsëritet.

Shqiptarët janë i vetmi popull i gadishullit që nuk kanë një projekt kombëtar. Akademikët shqiptarë duhet të zgjohen nga letargjia. Inteligjencia shqiptare duhet të çlirohet nga kthetrat e politikës. Politikanët shqiptarë duhet ta dinë se lufta për pushtet është politikë ditore. Rrëmbimi i pushtetit dhe politika ditore janë kalimtare. Afatgjatë, në mos dhe i përhershëm, është kombi. Tirania, despotizmi, autoritarizmi, autokracia, totalitarizmi dhe diktatura s’mund të mbijetojnë në shekullin XXI ,në Evropën e Volterit.

Dielli shqiptar lind në Perëndim!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora