E premte, 27.12.2024, 01:46 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Qyteti i mbrojtur nga UNESKO, përdhoset me një xhami të re turke!

E diele, 01.09.2019, 01:33 PM


Qyteti i mbrojtur nga UNESKO, përdhoset me një xhami të re turke!

Nga Gani Mehmetaj

Ushtria e Anadollit edhe këtu e errësoi diellin, ua zymtoi pamjen qytetarëve, e përgjumi një kohë të gjatë krahinën, kështu që qyteti nuk arrinte ta merrte veten, as të bëhej amfiteatër i zhvillimeve dramatike. Historia e anashkalonte. Ushtritë tjera të huaja e gjakosin po ashtu qytetin, por ikën ashtu si erdhën.

Gjirokastra të joshë me planet e shtëpive të vjetra, me rrugicat e ngushta, me ngjyrën karakteristike dhe me hiret që i shpalos brenda kësaj zymtësie. Kështjella e vjetër, që ende rri kërcënueshëm mbi qytet, u rindërtua nga Ali Pashë Tepelena. Edhe burgjet e pashait të Janinës në kështjellë i ndjek fshehtësia që të rrëqethë. Rekuizitat e tjera: aeroplani aleat që ra rastësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, topi i vjetër, labirintet e burgjeve, Sokaku i të Marrëve, kalldrëmet që të zgjojnë nostalgji për një kohë që nuk kthehet, rrugicat e ngushta e pjerrtësia që i ndeshim edhe në qytetet e vjetra arbërore: në Prizren, Krujë, Berat e Ulqin, në qytetin e Balshajve buzë detit Adriatik.

Për Gjirokastrën është vështirë të shkruash e të thuash diçka, pasi t’i kesh lexuar romanet e Ismail Kadaresë, njeriun më të madh që e pati qyteti i princeshës Argjiro, qyteti i të dy Gjinëve. Megjithatë përhumbesh në atë ambient që është ndryshe nga sa je mësuar të ndeshesh në qytete e në kështjellat antike e mesjetare të hapësirës shqiptare.

Në fëmijërinë time për Gjirokastrën kam mësuar nga romanet e novelat e Kadaresë. Ato rrugë e rrugica i kam kërkuar që në vizitën e parë, por e kisha vështirë të gjendesha, sepse ishte koha e rrëmujshme e rënies së diktaturës dhe e shpërthimit të një kaosi që të trishtonte e ta zinte frymën. Në fëmijërinë time imagjinata e rriste në një qytet të rrallë e të papërsëritshëm jo vetëm me pjerrtësinë, me shtëpitë ndryshe, por edhe me mendësinë që nuk e hasje askund tjetër: qytet i aristokracisë që e kishte ngurtësuar koha. Kur e shikon pamjen nga Kështjella e Gjirokastrës, të shpalosen visoret që mund t'i shohësh vetëm në filmat panoramikë. Sa pak është eskploruar kjo hapësirë për pelegrinazhe turistike e për filma dokumentar.

Në fëmijëri e fantazoja princeshën Argjiro, që u përjetësua me aktin e flijimit (në themelet a në muret e shumicës së kështjellave shqiptare u flijuan gratë), imagjinoja gjithë ato luftëra që u bënë për qytetin më të pjerrët bë botë, të pazakonshëm, të çuditshëm e të veçantë. Ballafaqimi im i parë nuk ishte zhgënjim me atë që kisha lexuar, por ishte zhgënjim me kohën kur shkova. Njerëzit më shumë se sa qytetarë të qetë ishin të stresuar, të hallakatur, nuk ishin vetja. Në vizitat e mëvonshme Gjirokastra sikur nisi të paqtohet e të ofrojë hijen e vet të rëndë, por në një firomë ndryshe nga sa na goditi dy herët në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Kur eci rrugëve të qeta të këtij qyteti përpiqem të hamendësoj për fshehtësitë, dramat, dashuritë e ndrydhura e të këputura që u zhvilluan prapa shtëpive të vjetra të gjirokastritëve. Ta bësh natën në Gjirokastër është të rrish pa gjumë deri vonë, kur të tjerët janë qetësuar. Vëzhgon zërat që vijnë nga thellësitë e mureve të vjetra të shtëpive dhe nga thellësitë e shekujve.

Ditën, megjithëse qyteti është i zhurmshëm, disi më rri ftohtë, i patundur dhe i përjetshëm në pamjen e vet origjinale.

Këto ditë me vapë gushti Gjirokastra ishte ndryshe, rrugë e rrugica në rinovim të përgjithshëm: materiale ndërtimore, ndalesa e pengesa gjithandej, ndërsa turistët e shumtë anglezë, polakë, italianë, çekë e francezë mezi lëviznin. Me fascinoi sa shumë kishte vizitorë. Restorantet ishin plotë.

Por me goditi si bombë kur e pashë një xhami të madhe, që ndërtohej duke e shëmtuar qytetin. Si guxonin turqit e zyrtarët shqiptarë të korruptuar ta përdhosnin qytetin e vjetër me një xhami të re turke, të bardhësisë saudite. Si guxonin të ndërhynin aq vrazhdë në qytetin e mbrojtur nga UNESKO? Gjirokastra është shpall vlerë e njerëzimit, ndërsa ndërtimi i xhamisë së re është shpërfytyrim jo vetëm i një rruge të tërë, por është shpërfytyrim i qytetit.

Duhet të ndërhyjë UNESKO dhe ta heq xhamin nga aty ku nuk e ka vendin.

Foto: Valmir  Mehmetaj



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora