E shtune, 21.12.2024, 11:37 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: In memoriam për Thoma Binjakun

E shtune, 31.08.2019, 01:57 PM


In memoriam për Thoma Binjakun

Në një vjetorin e ndarjes nga jeta

Nga Entela Binjaku

Nëse mendoj të shkruaj, nuk është se gjej ndonjë vështirësi për këtë. Mjaft të kem nuklën dhe ajo pastaj vjen e rritet vetë. Por në këtë rast dëshira më ngatërrohej me hezitimin. Pastaj me mallin, më pas me dhimbjen, në fund sytë mezi shihnin. Dhe kështu erdha deri sot...një vit më pas.

Për shkak se njeriu për të cilin dua të shkruaj nuk jeton më, e kam të vështirë ta mendoj sesi mund t’i ishte dukur po ta lexonte. Por mund ta imagjinoj dhe këtu besoj se ja dal më mirë.

Atij i pëlqente ta lavdëronin, gjithë jetën e kërkoi konfirmimin, që njerëzit ta njihnin e t’ja dinin punën. E donte shumë jetën! Deri në çastet e fundit nuk u mposht. Luftoi e nuk u dorëzua.

Shumë të tjerë në vendin e tij do të ishin lëshuar, por ai u shndërrua edhe në  një shembull të  rezistencës që kërkon një regjim i ashpër ushqimor. Këtë e bëri për vite të tëra aq sa të gjithë çuditeshin si nuk e shkeli njëherë...”Jo”!- thoshte.

Sigurisht këtë e arriti në një partneritet të rrallë me bashkëshorten, njeriun që zemra ja kishte zgjedhur 50 e ca vjet më parë!

“Vetëm tek duart e saj kam besim, këto duar më mbajnë gjallë” u thoshte të gjithëve.  A mund të gjesh sot  një deklaratë më të fortë dashurie se kjo?! Është e rrallë ta dëgjosh e aq më shumë kaq hapur sa e thoshte ai.

Ky njeri ishte kaq i palodhur, kaq i papërtuar, me një durim që nuk i gjendej fundi...Kishte një përkushtim titanik ndaj çdo gjëje që merrte përsipër. Sa shumë angazhohej! Në të gjitha!

“Të ndihmoj unë” thoshte. Po t’ i kërkoje ndihmë, as nuk e diskutonte, por edhe nëse hezitoje t’i kërkoje,  ai ishte i gatshëm.

I donte shumë njerëzit. Vetë kishte vuajtur. Nëna e la të vogël, babai u rimartua dhe familjes së madhe ju shtuan edhe katër fëmijë të tjerë.

Të gjithë i deshi,  i mbështeti dhe u gjendej pranë në çdo nevojë.

Bëri aq shumë për të gjithë, aq sa  u kthye në një gur kilometrik për familjen, të afërmit nipër e mbesa. Kudo prezantoheshin me emrin e tij.

Nga largimi i tij kanë kaluar 365 ditë, të gjata po aq sa edhe të shkurtra. 31 gushti i 2018-ës është i freskët. Besoj kështu do të mbesë përgjithmonë.

Portreti i tij i buzëqeshur pas ikjes,  lule dhe kurorat që nuk mbaronin, minutat e fundit në shtëpi që fluturonin, vargu i gjatë i njerëzve që takonin bashkëshorten e fëmijët, fjalët e të birit drejtuar miqve dhe  zija...më e zezë se e zeza.

Nëse njeriu që po i kushtoj këto rreshta do të ishte gjallë do t’i kisha treguar shumë gjëra: sesi u përballëm me këtë dhimbje, sesi e përjetuam secili, sesi ecëm përpara të mbushur me mall, sesi po ecim ende e do të vazhdojmë me këtë boshllëk.

Do doja t’ja tregoja dhe jo për ta lënduar. Cili fëmijë do të donte ta lëndonte prindin e vetë ?!

Do të doja t’i flisja e të ndjehej krenar për atë që kishte kultivuar, duke na mbajtur lidhur dhe bashkë edhe në një periudhë kaq të vështirë.

Po të më lexonte do të mësonte se në këto 365 ditë të para shkuam në varreza si të ishte gjëja më normale në botë, shkuam në azile dhe vetëm mendimi se veshjet e tij po u vinin në ndihmë disa njerëzve, që kishin moshën e tij, na lehtësonte.

Do të mësonte se tre muaj pas ikjes bëmë edhe një meshë. Të paktën u qetësuam nga mendimi së bëmë atë që ai  kërkoi  në orët e fundit...e lamë Krishtin të vinte.

Nëse do të më lexonte, dhe sigurisht që ai nuk do të më linte pa lexuar, do të mësonte se kur kishin kaluar 6 muaj e kujtuam mes njerëzve që e kishin njohur,  miqve dhe shokëve të tij që e respektuan. Kësaj here u çmallëm me një dokumentar. Ishte aq bukur, vetëm ai mungonte, sigurisht fizikisht.

Nëse sot do të ishte mes nesh do të mësonte, se siç zakoni e do,  banesa e fundit është gati dhe është madhështore...E di që do t’i pëlqente t’i mësonte këto. Sepse ne nga ai i mësuam.

Në këtë vit me ikjen e tij mësuam shumë gjera, mësuam se vdekja është skaji fundor i dhimbjes. Kuptuam se çdo gjë tjetër në jetë është e thjeshtë dhe e pakrahasueshme me këtë. Kjo na ka bërë më të fortë.

Ka shumë që dinë për lidhjen e veçantë të babait me vajzën. Edhe unë e di, por ai ishte i veçantë për të gjithë ata që e njohën dhe e takuan mirësinë e tij, që ja njohën  mençurinë dhe shpirtin e gjerë.

Ai u shua në paqe, i rrethuar nga familjarët  që nuk ja lëshuan dorën një minutë, pa dhimbje, i qetë. Ishte një ikje e shpejtë, shumë e shpejtë, në vendin e duhur: mes dashurisë dhe përpjekjeve të përbashkëta që quheshin shpresë.

Këtë vit e kam pyetur shumë herë veten: a thua e ka menduar ndonjëherë se si do të respektohej, se si do të nderohej më pas?

Mund ta imagjinoj se po. Ishte aq i mençur sa ta dinte çfarë kishte dhënë dhe çfarë kishte lënë: një dashuri që flinte thellë në zemrat e atyre që donte më shumë.

Ata nuk do ja linin pa ja shprehur, me kurajo, pa droje, me respekt dhe me mall. Me shumë mall!

Në një vjetorin e ndarjes nga jeta të Thoma Binjakut njerëzit që mund të shkruanin për të, mbase mund të ishin të shumtë.

Unë thjesht provova të jem një prej tyre. E di që atij do t’i pëlqente ta mësonin sa më shumë se kush ishte. E di që atij do t’i pëlqente të shkruaja për të.. E di sepse edhe unë si ai, nuk e kam fare të vështirë të shkruaj.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Entela Binjaku: “Dy botë” dhuratë ne lexuesve nga Elvi Sidheri Entela Binjaku: Fëmijë dhe të rinj nga Shqipëria në Rumani pjesë e ARC 2019 Entela Binjaku: Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut mban ‘Ditët e Evropës’ në Shkup Entela Binjaku: Costantin Chiriac në Tiranë, një vizitë, shumë vlera Entela Binjaku: 'Java Botërore e Shëndetit' në syrin e studentëve të Universitetit të Mjekësisë Entela Binjaku: E diela në fshat për fëmijët e Fshatit SOS Entela Binjaku: Një pasdite në Tiranë me “Mbretin e Karikaturave” ?tefan Popa Popa’s Entela Binjaku: Gratë në institucionet vendimarrëse - realitet apo...?! Entela Binjaku: Identiteti, kohezioni dhe ruajtja e vlerave - Vizitë e Përfaqësuesve të Lartë të shtetit rumun në Shqipëri Entela Binjaku: Ndal bullizmit - pro sjelljeve miqësore! Entela Binjaku: Studentët e Shëndetit Publik në Tiranë vullnetarë në Qendrën Sociale të Kryqit të Kuq Shqiptar Entela Binjaku: Intervistë me znj. Teuta Shkenza, Drejtoren Nacionale të SOS Fshatrat e Fëmijëve - Shqipëri Entela Binjaku: Kjo dhimbje që la pas babai... Entela Binjaku: Vijon fushata e kartolinave të fëmijëve piktorë të Fshatit SOS! Entela Binjaku: Varësia nga lojrat e fatit... përgjigje në mungesë të disa pyetjeve Entela Binjaku: Takim me lexuesit fierakë Entela Binjaku: Përurohet në Tiranë përmbledhja publicistike 'Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës' Entela Binjaku: 'Trojet e Arbrit' në Lezhë për Kastriotin Binjaku: Identiteti historik dhe gjuhësor i arumunëve Entela Binjaku: SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri organizojnë 'Ditën e Donatorëve'

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora