Mendime
Alfred Papuçiu: Zvicra dhe simboli i saj
E premte, 23.08.2019, 02:53 PM
Zvicra dhe simboli i saj
Nga
Alfred Papuçiu
Festa
për Shqipërinë organizohej atë mbrëmje tek çerdhja “Dhëmbi i qumështit ”. Gjithë mjedisi ishte mbushur
me pamje nga Shqipëria, fëmijë shqiptarë të qeshur, duke luajtur dhe duke vallzuar. Mbi të gjitha
mjedisi i çerdhes ishte mbushur edhe me flamurë shqiptarë dhe të Zvicrës. Nga
një manjetofon dëgjohej muzikë shqiptare. Ishin përgatitur edhe gatime
shqiptare që u pëlqyen shumë. Casti më emocionues ishte kur Shqipja dhe grupi i
saj nga Kosova dhanë një shfaqje me muzikë dhe valle shqiptare. Për një kohë e
gjithë çerdhja u duk se ishte në Shqipëri, pasi të gjithë këndonin dhe kërkecin
muzikë shqiptare, bile edhe duke shqiptuar në shqip. Cerdhja „Dhëmbi i
qumështit“ organizonte ditën që i kushtohej miqësisë midis fëmijëve shqiptarë
dhe zviceranë. Jo më kot Profesoresha Fransine Koch ka shkruar të gjitha kujtimet e saj në librin
dygjuhësh „Fëmija shqiptar me sy të zinj“ që unë e kam përkthyer me gjithë
dëshirë dhe botuar nga « Toena ». Më kujtohet që çerdhja ishte e zbukuruar me
lule, por edhe me flamuj shqiptarë dhe zviceranë. Një simbol i madh dhe i bukur
miqësie…Dhe megjithatë diçka jo e pëlqyeshme kishte ndodhur disa vite më parë,
si rezultat i mendjes së ngushtë të ndonjë burokrati pa vizion.
Më
lejoni tua tregoj me par radhë. Po udhëtonim si zakonisht me aeroplanin e
Swiserit (i cili tanimë e ka emrin „Swiss“) nga Zyrihu për në Tiranë.
Përfaqësuesi i saj për Shqipërinë, Peter Gadient ishte pranë meje. Si gjithmonë
më kishte vënë në klasë të parë të aeroplanit, pasi kishte dëshirë të bisedonim
për problemet e ecurisë së fluturimeve midis dy vendeve. Po qëndronte pak i
mërzitur, gjë që ja vura në dukje, pasi zakonisht bënte shaka dhe më fliste për
qëndrimet e tij të shpeshta në Shqipëri, për mikpritjen atje, për konjakun e
mirë shqiptar dhe për dëshirën që të qëndronte edhe pak kohë, megjithë moshën e
thyer… Mora vesh, sipas thënieve të tij, se në zyrën e Swiserit, në hotel
“Dajti” e kishin ndaluar të vinte emblemën e Swis-erit, Kryqin e Kuq.
U
mërzita edhe unë, por u përpoqa ta qetësoj, duke i dhënë fjalën se do të bëja
diçka me sa kisha mundësi sapo të takoja eprorin tim në Tiranë. Turfulloja dhe mendoja se si është e
mundur që të arrihet deri aty që një mendje e shkurtër të cënojë nga
budallallëku i tij marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve të vegjël dhe
sovranë.
Pasi
shkova dhjetë minuta në shtëpi për t’u takuar me nënën dhe djalin tim, me një
frymë u drejtova tek Ministria e punëve të jashtme. Atje hyra drejt e tek zyra
e eprorit, natyrisht pasi i thashë sekretarit. Ministri Reis Malile më priti me
përzemëri si zakonisht, një njeri i thjeshtë dhe mbi të gjitha me zemër të
madhe dhe me karakter. Gjithashtu më vinte ndërmend kur më thërriti, pasi
kishte ardhur tek ai, kryetari i shoqatës së të verbërve dhe kërkonte të
krijonte lidhje me shoqata të tilla në botë. M’a dha atë detyrë dhe unë me
dëshirë e plotësova. Kisha shumë besim dhe respekt për të. Më dukej dhe mbetet
akoma në kujtesën time si një njeri tepër i afërt i familjes, pasi në një rast
tjetër, shumë të dhimbshëm dhe shqetësues për mua që ndoshta do të vijë koha ta
tregoj, më ka qëndruar afër dhe më ka dhënë një kurajo të jashtëzakonshme. Dija
të krijoja distancë me të, për të mos kapërcyer etapat, kur ishim në biseda
edhe me të tjerë, por kur ishim vetëm, nuk nguroja t’i flisja hapur dhe çiltër.
Shpesh më jepte këshilla shumë të vlefshme që më kanë mbetur edhe sot e kësaj
dite në kujtesë. Mbi të gjitha ishte njeri fisnik. Kur mblidheshim darkave në
Nju Jork midis shokësh dhe pinim ndonjë gotë, ai shpesh bashkohej me ne, jo për
të pirë, pasi nuk para pinte, por i pëlqente biseda me ne. Më kujtohet se
njëherë kur shkuam në Nju Jork e ftoi xhaxhai i vetë në shtëpi për vizitë. Ai
ishte vendosur me dhjetra vite më parë, nga shqiptarët e viteve tridhjetë që
kishin shkuar në Amerikë. Pasi e pritën mirë
dhe u bisedua përzemërsisht, xhaxhai i Reizit nxori një magnetofon të vogël dhe ju drejtua atij:“
Merre këtë si kujtim për vajzat“. Reizi
u skuq dhe ai tha: “Jo nuk mund ta pranoj, ja ne ishim këtu dhe u kënaqëm, por
ajo është e tepërt”. Xhaxhai ngulmoi se ajo ishte për vajzat, një shënjë e
vogël që ato megjithëse nuk e kishin parë, të kujtoheshin për të. Reizi nuk
pranoi. Nuk e di se si ndodhi dhe një nga shokët në Nju Jork ja kish marrë
xhaxhait të Reizit magnetofonin dhe e kishte sjellë me vete. Ai „hëngri një
dush të mirë“ pse e kishte marrë pa lejen e tij, dhuratën me vete. E kapërcyem
atë gjendje duke i thënë shokut Reiz se nuk kishte qënë gjë e madhe dhe mbi të
gjitha se ishte njeri me karakter dhe nuk do të prishej puna pse xhaxhai i tij
i kishte dhënë diçka simbolike…
Le
të kthehemi tek çështja jonë. Kishim bërë disa udhëtime bashkë në Nju Jork për
në Kombet e Bashkuara dhe mbi të gjitha më pëlqente se e vlerësonte punën e
njerëzve dhe bënte gjithçka që t’i ndihmonte në ecurinë e tyre. Kishim qëndruar
shpesh herë bashkë për të biseduar për problemet e OKB-së dhe lidhjeve të saj
me Shqipërinë, si dhe problemet e Kosovës.
Pa
e zgjatur, ju drejtova ministrit Reiz, në zyrën e tij:
„Jam
pak i shqetësuar, pasi dikush nga funksionarët e ministrisë së transporteve e
ka ndaluar përfaqësuesin e Swiserit të vendosë emblemën e tij në hyrjen e kësaj
shoqërie“. I përsërita faktet që Swiseri ishte shoqëria e vetme ndërkombëtare
që kishte qëndruar gjithmonë e hapur, si dhe shumë fakte të tjera bindëse që
flisnin se edhe ne duhej të bënim një hap, pasi nuk përbënte ndonjë cënim të
sovranitetit tonë.
Vazhdova
duke i thënë se të dy kishim qënë të pranishëm disa vite më parë, gjatë një
udhëtimi në Nju Jork, në bisedë me përfaqësuesit e Swiserit në Zyrih, për të
vendosur sipas dëshirës së tyre, hapjen e linjës së Swiserit me vendin tonë.
Dhe se ai vetë e kishte pritur këtë propozim me dëshirë të zjarrtë dhe kishim
ngritur dolli për përfundimin e saj sa më parë. I përsërita se sa kishte
ngulmuar vetë Gadienti, kur ishte diskutuar çështja e mbylljes së linjës së
Swiserit me Shqipërinë, pasi shoqëritë e tjera ishin larguar nga Rinasi, dhe
unë, si përfaqësues në Gjenevë e në Zvicër, pasi nuk kishte akoma ambasadë në
Bernë, si dhe ai vetë në Tiranë, kishim bindur Swiserin të vazhdonte, duke e
parë me syrin e të ardhmes...Sa herë, në periudha të vështira për Shqipërinë,
përfaqësues të Swiserit, midis tyre miqtë e mij të paharruar, Ruth dhe Walter
Borner, respektivisht gazetare dhe funksionar i lartë i Swiserit nga Dorfi pranë
Zyrihut kishin sjellë ndihma falas, duke shfrytëzuar fluturimin e shoqërisë së
tij në vendin tonë!. Walteri disa herë më kishte dhënë bileta për udhëtimin
Gjenevë Zyrih në mërë që të më ekonomizonte kohën e çmuar kur duhej të prisja
në Zyrih personalitete të larta nga Shqipëria. Ndërsa Gadienti nuk linte rast
që në çdo udhëtim të Swiserit për në Shqipëri të shpinte pajisje për shkollën e
jetimëve apo institucione te tjera. Ndërkaq të gjithë funksionarët në
aeroportin e Zyrihut apo Gjenevës jepnin gjithmonë dritën e gjelbër për të
pritur sa më mirë shqiptarët që kalonin qoftë edhe tranzit atje.
Ministri
kapi receptorin e telefonit dhe formoi një numër. Nga ana tjetër dëgjova se
ishte funksionari më i lartë i ministrise së transporteve.
Reiz
Malile ju drejtua atij:
“
Shoku ministër, të lutem, shihe me prioritet çështjen që ka ngritur
përfaqësuesi i Swiserit në Shqipëri. Eshtë minimale ajo që kërkon. Unë mendoj
se duhet realizuar qysh sot. Nuk cënohet asgjë, sikur ai të vendosë simbolin e
vet tek hyrja e zyrës së tij. Përkundrazi gjithkush do shohë se Zvicra është e
pranishme tek ne. Mbi të gjitha ata janë treguar gjithmonë dashamirës dhe na
kanë ndihmuar me gjithçka ”.
Nga
ana tjetër e receptorit u shpreh shënja e pohimit dhe kështu përfaqësuesi i
Swiserit mundi të vendosë emblemën mbi zyrën e tij. Gjatë udhëtimit të kthimit
për në Zvicër e festuam ngjarjen e gëzuar me Gadientin fisnik, duke pirë pak
shampanjë dhe “ Kirsh ” që është një pije shumë e mirë zvicerane, njësoj si
rakija jonë, vetëm nga aroma ndryshon.