Kulturë
Kristaq Turtulli: Mbresa e shënime nga udhëtimi në Austri dhe Gjermani
E enjte, 22.08.2019, 06:58 AM
Mbresa e shënime nga udhëtimi në Austri dhe Gjermani (fragment)
Nga Kristaq
Turtulli
Afro
gjysmë shekulli më parë munda të lexoj një shkrim te një gazetari gjerman, i cili kishte bërë vizitë në Japoni
dhe ndër të tjera shkruante: Të mësojmë nga shkollat, traditën dhe
metodologjinë Japoneze. Ndërsa disa javë më vonë lexova impresionet e një
gazetari japonez, i cili i ktheu vizitën kolegut të vet në vendet gjermanike
dhe, në gazetë e tij vuri si krye titull; Respekt, admirim për kulturën, artin
dhe disiplinën gjermane.
Edhe
pse kanë kaluar shumë vite qysh atëherë, replikat miqësore, plot vërtetësi më
ngelën në mendje. Vite pas viti më mundonte dëshira e fshehtë, a do mundja të
shihja së paku një nga këto shtete të lavdërueshme. Këto po mendoja kur avioni
ulej ngadalë në aeroportin e madh të Vjenës.
E
kishim zënë një dhomë disa javë më parë në hotel Kontinental dhe, kur hapa
dritaren, u befasova, disa metra larg lartohej kisha e vjetër qindra vjeçare:
‘Mariahilfer’, ( Virgjiëresha Mari e mrekullive).b
Sigurisht
që ndjeheshim të lodhur nga udhëtimi i gjatë me avion por, s’na rihej në hotel.
Lamë valixhet dhe zbritëm me ngut jashtë në rrugën e mbudhur me njerëz.
Tashmë
jemi ambientuar me pastërtinë, rregullsinë kanadeze, përsëri na bëri përshtypje
mënyra e jetesës, rregullsia, harmonia dhe bukuria e kryeqytetit të vjetër
austriak, Vjenës. Arkitektura, madhështia, njohur si qyteti i muzikës, i
kështjellave shekullore, muzeve, galerive, e kanë kthyer këtë qytet qendër
turizmi.
‘Vjena
është qyteti më estetik në Evropë,’ më tha një miku im përpara se të nisesha.
‘E njohur për sharmin e vjetër. Të befason me ngrohtësinë, afërsinë, bukurinë
që jep ky qytet në zemër të Evropës.’
Austria,
vendlindja e kompozitorëve të famshëm mes tyre shkëlqen i mrekullueshmi
Wolfgang Amadeus Mozart.
Austria
gjithashtu shtëpia e poetëve, shkrimtarëve, dhe romancierëve si Franz Kafka
etj. Austria e të famshmes Akademisë Filarmonike.
Në
mëngjesin e ditës së parë të mbërritjes në Vjenë, u sheshova dhe piva kafe në
një lokal klasik, pranë qendrës së bukur, ndoshta për të fashitur disi
emocionet. Kafeja më la një shije të mrekullueshme. Siç më thanë, dy çanta me
kafe të lëna në ikje e sipër nga ushtarët turq që u përpoqën ta pushtonin
qytetin në shekullin e 17-të, i dhanë fillesë një tradite që në ditët e sotme
është kaq speciale
Historia
e Vjenës fillon me Perandorinë Romake kur ngriti kampin ushtarak këtu ku
lartohet qendra e Vjenës. Prej asaj kohe Vjena u rit, u bë kryeqendra e
dinastisë Babenberg dhe e Austrisë së Habsburgëve, dhe një nga qendrat më të
rëndësishme kulturale Evropiane. Gjatë shekullit të 19 Vjena u bë qendra e Perandorisë
Austro-Hungareze dhe një nga qytetet më të mëdhenj të Evropës.
Përpara
nesh, në qendër të Vjenës, u hap madhërisht Hofburgu ish-pallati kryesor
perandorak i sundimtarëve të dinastisë Habsburgut, një nga më të mëdhatë në
botë. U ndërtua në shekullin XIII dhe u zgjerua disa herë më pas. Shërbeu dhe
si vendbanimi perandorak i dimrit, pasi Pallati Schönbrunn ishte vendbanimi
veror. Grupet e mëdha e të bukura skulpturale, vendosur në çdo kënd të godinave
dhe sheshe. Pallati Hofburg ndërtuar me shumë stile arkitekturale të ndryshme,
nga stili Gotik, në Rilindje, nga stili Barok, Rokoko dhe klasicizëm. Pallati
shtrihet mbi 24 hektarë, në një farë mënyrë quhet qytet brenda qytetit, me 18
godina, 19 kopshte njëra më e bukur se tjetra dhe me 2600 dhoma. Sot ky pallat
shërben si vendbanimi zyrtar dhe vendi i punës i Presidentit të Austrisë.
Arkitektura
e godinave të qendrës së qytetit na la përshtypje të veçantë, secila ndërtesë
kishte stil harmonik të veten, bile dhe çdo ballkon ishte krejt ndryshe nga
ballkoni tjetër. Siç duket vjenezëve i lodh monotonia dhe, në çdo cep të
rrugëve kishte çezma me ujë të ftohtë, për të shuar etjen vizitorët e shumtë.
Që
larg dalloheshin kambanoret e Katedrales së St. Stephen’s, që ngrihej plot
madhështi në sheshin qendror të qytetit. Nxituam hapat, në krah të saj bëhej
koncert, populli i shoqëronte këngët, kërcenin, hanin salsiçe dhe pinin birrë.
Disa vendëse me dashamirësi na hapën vend në stolat e gjatë. U ulëm, morëm dhe
ne salsiçe dhe birrë. Nuk kish gjë më bukur. Kalimtarët kureshtarë dyndeshin
për të hyrë dhe vizituar katedralen madhështore dhe hijerëndë. Hymë dhe ne. U
shtangëm nga madhështia dhe bukuria, me kolona të larta, piktura të mëdha me
temë biblike dhe harqe të gdhendura plot art dhe hijeshi. Kjo katedrale mbahet
si simbol i Vjenës, konstruktuar më shekullin e 12. Një nga më të rëndësishmet
të stilit Gotit.
Ndërtesat
e pallatit historik Belvedere vendosur në një peizazh të parkut barok në
rrethin e tretë të qytetit, gjendet në skajin jug-lindor të qendrës. Morën
transitin për të shkuar aty. Premë biletat, kaluam rrethimin dhe hymë në
oborrin e madh. Sakaq u hap përpara nesh një tjetër madhështi dhe bukuri e
rrallë, e pakrahasueshme. Pallati historik Belvedere konsiston në dy Barok
pallate (Lart dhe ulët belvedere) Portokalli dhe stallat e pallatit, strehojnë
muzeun Belvedere. Bazat vendosen në një gradient të butë dhe përfshijnë burime
dekorative dhe kaskada. Skulptura barok dhe porta madhështore prej hekuri të
punuar. Mbi kodër ngrihej një kompleks madhështor skulpturor me temë nga
antikiteti dhe një shatërvan i madh përhapte gjithandej freski.
Kompleksi
i pallateve barok u ndërtua si një vendbanim veror për Princin Eugene të Savoy.
Austria
u dominua nga familja e Habsburgëve prej vitit 1273 deri në vitin 1918, kur
perandoria pësoi kolaps në fund të luftës së parë botërore.
Ditët
e qëndrimit tonë në Vjenë kaluan shpejt. Donim të qëndronim më gjatë por koha e
paska një limit. Të mbushur me përshtypje dhe emocione të pashlyeshme do vazhdonim
udhëtimin tonë për në Mynih, një nga qytetet më të rëndësishme të Gjermanisë.
Qysh fëmijë e kam adhuruar skuadrën e futbollit Bajern i Mynihut, me Franz
Beckenbauerin e famshëm. Rruga nga Austria deri në Munih dredhon mes maleve të
lartë dhe fushave me pamje piktoreske. Ndaj menduam që rrugën ta bënim me
makinë, të shijonin më afër bukurinë fushave dhe freskinë e maleve.
Përshkruam
male dhe fushat e mbjella harmonishëm, ngjanin si qilima të bukura. Fshatrat me
shtëpitë karakteristike ndërtuar plot hijeshi, qëndronin krah njëra tjetrës.
Nuk na zunë sytë ndonjë pëllëmbë tokë pa punuar dhe mbjellë.
Gjatë
rrugës u befasuam kur pamë për së largu kupolat e hijshme të katedrales së
portokalltë që lartohej në kodër si kështjellë, në hyrje të qytetit të Melkut.
Kjo katedrale madhështore është nga më të mëdhatë dhe mrekullueshmet e stilit
Barok në Evropë. Në fillesë kjo katedrale, shkollë e murgjve dhe murgeshave u
ndërtua rreth vitit 1089 dhe, dalë ngadalë u rit, u zgjerua. Me salla të mëdha,
kapitele dhe tavane të harmonizuar bukur, pikturuar nga mjeshtra të mëdhenj. Në
të djathtë hapej Libraria me libra nga më të hershmet, krijuar në vitet 1297
dhe rindërtuar në vitet 1702-1736. Për nga pozicioni, arkitektura është nga më
madhështoret në botë.
Qyteti
Linz i Johannes Kepler, astronom, mathematicien, astrolog i shquar, na priti me
shi të imët. Ndaluam pranë një lokali me arkitekturë interesante tipike
gjermane dhe pimë nga një ekspres. Përballë lartohej statuja e Johannes
Keplerit, figurë qendrore në revolucionin shkencor të shekullit të 17të.
Në
kryeqendrën e lindjes së Mozartit të madh, Salzburgu (Qyteti i Kripës) menduam
të qëndronim disa ditë. A mund të shkoje indiferent pa mësuar më shumë për këtë
qytet, muzikën, historinë.
Kur
mbërritëm ishte mbrëmje e butë dhe binte një shi i imët. Salzburgu ngritur në
gji të maleve, një magji, bukuri dhe madhështi më vete. Megjithëse fillim vere,
majat e maleve i kishte të mbuluara me borë. Ndjehej era e freskët e malit.
Hoteli ynë dyqind metra larg lumit të gjerë dhe rrëmbyeshëm Salzach që ndan
qytetin në mes.
Gjatë
natës shiu trokiti në xhama dhe sikur na u ftoh pakës entuziazmi. Por kur u
ngritëm në mëngjes, koha ishte e ngrohtë, dielli na buzëqeshte me ngrohtësi
dhe, na ftonte me zemërgjerësi të shihnim, të përjetonim të papriturat dhe
bukuritë e rralla mbi dhe.
Emri
Salzburg do të thotë "Qyteti e Kripës". Emri rrjedh nga anijet e
rrafshëta të cilat detyroheshin të paguanin tarifë kur transportonin kripën në
lumin Salzach në shekullin e 8-të dhe më vonë. Vizita në Salzburg ishte një e
papritur dhe kënaqësi e jashtëzakonshme. Një libër i madh i hapur magjik, si
një mijë e një netët. Nuk të dilte koha kë të shihje më parë. Pallatin
madhështor Mirabell të veshur nga brenda me mermer, ar të pastër dhe punime
arti. Në një anë të tij hapej befasisht kopshti i bukur me shatërvanë, statuja
mermeri dhe trëndafila shumëngjyrësh. Të dehte aroma e mrekullueshme të
trëndafilave.
Pallati
Hellbrunn. Katedralja madhështore e Salzburgut. Në kodër mbi qytet ngrihej hijerëndë,
dominuese fortesa e Hohensalzburgut, kështjella e vjetër ndërtuar në vitin 1077
nga Kryepeshkopi Gebhard e bëri atë rezidencën e tij. Për të vizituar e njohur
nga afër kështjellën, simbolin e fuqishëm të mesjetës duheshin ore të tëra,
sallat mëdha, mure të larta, korridore. Një nga dhomat më të mrekullueshme të
kështjellës ishte dhoma e artë e Princit gdhendur në dru. Na mahniti organoja
mekanike, instrument muzikal ndërtuar në kështjellë në vitin 1502, bie tre herë
në ditë dhe, dëgjohet në gjithë qytetin.
Në
800 vite histori kjo kështjellë s’është atakuar ose mposhtur kurrë.
Po
kështjellat tona, atakuar me dhjetra herë, rrafshuar, mos ndoshta ishte fati i
tyre të binin dhe të shkatërroheshin nga pushtimi i zi Osman? Po dy qytetet e
vendit tim; Voskopoja dhe Vithkuqi, ndër qytet më të mëdha e zhvilluara të
perandorisë Otomane, me Akademi dhe shtypshkronjë? U dogjën tre herë, derisa
mbetën shkrumb e gurë. Krisma në mesnatë. Ulërima. Klithma. Bura që vriteshin
duke luftuar në këmbë. Vajza që këndonin vallen e vdekjes dhe binin nga shkëmbi
dhe tymi që nxite qiellin. Kush shkaktoi të gjitha këto shkatërrime dhe
rrënime? Kush i dogji? Sigurisht djegia ndodhi nga dashakeqësia, urrejtja,
injoranca, zilia e fqinjëve, përreth qyteteve.
Rruga
e grurit (Getreidegasse) na befasoi nga bukuria, harmonia e ndërtimeve, gjetjet
arkitekturale, rrugina të ngushta që hapeshin nga të dy anët, ku kishte lokale
dhe mjedise dhe shumta, të cilat shtriheshin brenda në mal. Rruga e grurit
është një nga vendet më të lakmueshme dhe turistike të qytetit. Në njërën nga
këto shtëpi, fasada lyer në ngjyrë të verdhë, si e veshur në ar lindi Mozarti i
madh. Është rrugë e jashtëzakonshme, s’të bëhet të largohesh, shtëpi të
ngjitura me njëra tjetrën secila me karakteristikat, stilin e vet, e zhurmshme
dhe plot dyqane. Diku në të dalë, mes sheshit të madh lartohet përmendorja e
Mozarit të madh, në krah në numrin 9 shtëpia ku u rit ky gjeni. Kjo rrugë dhe i
gjithë qyteti asnjëherë s’u prek, s’u dogj, përkundrazi u rit, u ri konstruktua
nga shekulli në shekull.
Më
kujtua diçka nga pazari i qytetit tim, Korçës, i cili u dogj tre here. I ati i
nënës së babait, Ananezi kontribuoi në ndërtimin e pazarit e të qytetit dhe
kishte në pronësi pjesën e pazarit ku binte flaka. Eh, sa histori dhe dhembje!
Përsëri afro 30 vjet demokraci, e sot e kësaj dite amulli dhe, akoma nuk ka
shkuar haka te i zoti. U mundova të largova nga mendja tymtajën e mendimeve e
të shijoja bukuritë dhe impresionet, por si i thonë fjalës, gjuha shkon aty ku
dhemb dhembi.
Gjatë
qëndrimit në Salzburg, natën shiu na freskonte, ditën dielli na ngrohte dhe
qyteti na mbushte me mbresa të pashlyeshme.
Në
mesditë të ditës së katërt të qëndrimit në Salcburg u nisëm me autobus drejt
Mynihut, një nga qytetet më të rëndësishme të Gjermanisë. (vijon)
KRISTAQ TURTULLI
Qershor 2019