Mendime
Sevdail Hyseni: Kur lëmshit politik nuk i gjendet fija
E merkure, 21.08.2019, 10:00 AM
Bisedë me shkas
Nexhmedin Saqipi, koordinator i shoqërisë
civile nga Lugina e Preshevës
KUR LËMSHIT POLITIK, NUK I GJENDET FIJA?!
Nga Sevdail
Hyseni
Spektri politik shqiptar, në rajonin e
Luginës së Preshevës, merr pjesë aktive në tri palë zgjedhje: lokale, qendrore
e nacionale, participin në njëfarë mënyre në jetën institucionale të Serbisë,
duke i jetësuar në praktikë ligjet e shtetit ku vepron edhe pse shumë projekte
vitale kanë ngecur në gjysmë të rrugës, jo më pak se 27 vjet: Referendumi i 1
dhe 2 marsit 1992, Marrëveshja Paqësore e Konçulit 2001, mosçmilitarizimi i
këtij rajoni, mosintegrimi i shqiptarëve, moszgjidhja e simboleve kombëtare e
probleme të tjera të natyrës politike dhe ekonomike, tha mes tjerash Nexhmedin
Saqipi, publicist dhe koordinator i shoqërisë civile për Portalin e lajmeve
Jetapress.
Zotëri Saqipi, çka e karakterizon politikën shqiptare në Luginë të Preshevës,
nga periudha e Referendumit të vitit 1992 e deri më sot. Çka e bashkon, apo e
ndanë spektrin politik shqiptar në proceset politiko-shoqërore nëpër të cilat
ka kaluar Lugina?
– Lugina e
Preshevës, ka kaluar nëpër tri periudha kohore, nëpër të cilat ajo kanë lënë
gjurmë të pashlyeshme. Politika shqiptare, gjatë këtyre periudhave, ka pasur
rastin dhe mundësinë të mendoj dhe të veprojë në realizimin e kërkesave me
interes qytetar e kombëtar. Periudha më e ndjeshme, ishte ajo e viteve 1992, e
cila u manifestua me dy ngjarje me rëndësi politike dhe historike për
shqiptarët e këtij rajoni: lindja e pluralizmit dhe Referendumi 1 dhe 2 marsit
1992. Pastaj me radhë erdhi periudha jo më pak e rëndësishme e viteve
2001-2002: konfliktet e armatosura dhe Marrëveshja Paqësore e Konçulit dhe
periudha e Platformës politike e këshilltarëve shqiptarë në vitin 2006 e
këndej. Në të gjitha këto procese shqiptarët ishin bashkë, pavarësisht disa
divergjencave partiakeve, që manifestoheshin gjatë zgjedhjeve për pushtet lokal
dhe qendror. Në projektet kombëtare, shqiptarët janë bashkë dhe çdo nismë e
mbarë ata i bashkon dhe i nderon, por zgjedhjet për pushtet lokal dhe
republikan ata i ndajnë, përçajnë dhe i grupizojnë mbi baza partiake dhe
lokaliste. E gjithë kjo ka ndodhur ngase që nga pluralizmi në Luginë të
Preshevës e deri tani, janë formuar shumë parti politike dhe po aq shoqata
joqeveritare, të cilat dallohen e më pak ofrohen në shumë procese
politiko-shoqërore nëpër të cilat po kalon Lugina.
Kompetencat
Si e shihte veten Nexhmedin Saqipi, në të gjitha këto procese?
– Gjatë dhe pas viteve
të 90-ta, nuk ka qenë lehtë të merresh me politikë. E njëjta gjendje ka qenë
edhe në periudhën e viteve 2000. Numri i atyre që merreshin në mënyrë aktive me
politikë, ishte i paktë. Disa që merreshin me tregti dhe ishin të punësuar në
arsim, kishin frikë se mund të ndëshkoheshin nga ish regjimi i Millosheviqit.
Më vonë në sistemin pluralist u krijuan shumë parti politike, të cilat jo vetëm
që merrnin pjesë aktive në pushtetin lokal, por edhe në atë republikan. Më ka
ra hise të merrem me veprimtari të ndryshme politike, kulturore, fetare,
informative, sportive etj. Nëpër këto veprimtari, jo vetëm që kam marrë pjesë
aktive, por edhe kam qenë drejtues i disa prej tyre në cilësinë e kryetarit.
Kur i kujtoj sot ato periudha dhe i krahasoj me këto vitet e fundit, habitem
dhe e pyes veten se a janë po ata njerëz kur dje silleshin ndryshe e sot sillen
sikur nuk janë ata të djeshmit. Vrapimi pas pushteteve të kufizuara lokale dhe
pas atyre qendrore joproduktive, më kanë larguar nga politika, për tu angazhuar
në shoqërinë civile, zëri i së cilës pak dëgjohet për shkak kushteve në të
cilat ajo vepron dhe raportit të saj me pushtetet lokale dhe qendrore.
Çka mund të bëjë shoqëria civile në krahasim me atë çka kanë mundur ta
bëjnë partitë politike?
– Shoqëria civile
nuk them se mund të bëjë mrekullira. Por, ajo është një zë i ndërgjegjes së
qytetarëve për të korrigjuar veprimet e njëanshme të spektrit politik dhe një
dorë e zgjatur e qytetarisë për luftimin e dukurive negative në proceset
shoqërore – politike. Po sikur të dëgjohet zëri i shoqërisë civile skena jonë
politike do të ishte më ndryshe. Kur shoqëria civile mundohet nga këndi i saj
të ofroj plane ideore për zgjidhjen e problemeve shqiptare në Luginë, spektri
politik i këtij rajoni nxjerr deklarata politike, duke kërkuar vetëm
reciprocitet me serbët e veriut të Kosovës, me të cilët nuk na lidhë asgjë. Ata
prej kohësh e kanë braktisur rrugën institucionale të zgjidhjes së problemeve,
kurse në nga Lugina e Preshevës, kemi marrë pjesë aktive nëpër të gjitha
nivelet zgjedhore edhe pse nga këto procese, nuk kemi pritur rezultate konkrete
nga Beogradi.
Sfidat
Angazhimi në jetën e shoqërisë civile, çfarë rezultate prisni nga ajo?
– Të merresh
ekskluzivisht me veprimtari të shoqërisë civile në këto rrethana, e të mos
mendosh për proceset politike është e pamundur. Lehtë është të heqësh dorë nga
politika e të merresh me ndonjë veprimtari tjetër me interes shoqëror, por
vijnë të tjerët të cilët politikën e kanë për interes personal dhe ta thurin
historinë. Lugina e Preshevës, gjendet para sfidave të reja. Na duhet, mbi të
gjitha uniteti, bashkimi i mendjeve dhe qëndrimeve. Lufta për pushtet lokal na
ka ndarë dhe na ka përçarë deri në ekstremitet. Të gjithë e dimë se pushtete
lokale i kanë kompetencat e kufizuara dhe nuk pritet shumë nga to. Fryma e
bashkimit kombëtar na mungon dhe në këtë drejtim edhe mungesa e një koordinimi
më të plotë të faktorit relevant shqiptar. Secili i shikon punët e veta. Kur
shkon e pyet për ndonjë çështje madhore faktorin politik shqiptar në Tiranë ose
Prishtinë, ai i rrudh krahët, thotë vendosni vetë sipas rrethanave. Askush nuk
merr përgjegjësi. Derisa kështu vazhdon çështja jonë do të çaloj edhe në të
ardhmen. Nuk mjafton vetëm të kërkosh reciprocitet me serbët e veriut të
Kosovës dhe të sillesh si në rreth të mbyllur. Shqiptarët e Luginës së
Preshevës, kanë filluar të humbin durimin nga këto veprime të spektrit politik
dhe të zhgënjehen me ardhmërinë politike të këtij rajoni. Lugina po zbrazet ne
heshtje e lufta për pushtet e klasës së saj politike gjithnjë po ashpërsohet.
Shoqëria civile më kot mundohet të jep vërejtjet e saja, të cilat hasen në vesh
të shurdhër.
Pjesëmarrja aktive në veprimtaritë kulturore, fetare, informative,
humanitare dhe sportive?
– Nuk kemi politikë
të shëndoshë, nëse nuk i kultivojmë vlerat kulturore, fetare, informative,
humanitare e sportive. Të gjitha janë të lidhura si zinxhirë. Jam Myfti i
Luginës së Preshevës, kryetar i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe
Medvegjë (BIPBM-së), zëvendës reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë,
kryetar i Klubit të Boksit “Tërnoci” dhe së fundmi Koordinator i shoqërisë
civile. Dikur jam marrë edhe me politikë, duke qëndruar disa vjet në krye të
Partisë Demokratike Kombëtare. Jo vetëm kaq, më ka rënë hise të merrem edhe me
informim dhe humanitet. Nuk mund të jetë një politik i mirë nëse i mungojnë
këto vlera të cilat atë e bëjnë të formësuar. Dikur kur nuk ishte pushteti ta
ndihmonte financiarisht sektorin joqeveritar dhe disa nga mediumet e shkruara
elektronike dhe të shkruara, u gjeta unë dhe Fondi Humanitar, të ndihmonte ato
me mjete financiare. E sot kur i kemi të gjitha, aktivitetet në këtë drejtim
janë më të zbehta dhe më të varfra kombëtarisht. Sot kemi pushtet lokal,
Këshill Nacional e deputet republikane e disa aktivitete që i kemi zhvilluar
dikur, mjerisht, janë zbehur dhe nuk veprojnë të përbashkëta.
Vizionet
Si e shihni ardhmërinë e shqiptarëve në Luginë të Preshevës?
– Ardhmëria e
shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është në dorën tona. Nëse ne e dëshirojmë
një jetë më të mirë, më të sigurt dhe më progresive, duhet të punojmë dhe të
veprojmë bashkërisht. Duhet gjithashtu t’i lëmë anash inatet, xhelozitë, smirën
dhe t’i përvishemi punës së bashku. Popullata shqiptare e Luginës së Preshevës,
nuk i ka lënë anash asnjëherë proceset demokratike, të zhvilluara rreth e çark
hapësirave të etnikumit shqiptar, besoj se edhe në të ardhmen do të veproj
kështu. Me Evropën e bashkuar do të kemi një Shqipëri të bashkuar ashtu siç e
dëshirojnë kufijtë e saj natyral. Shqiptarët bashkë do të jenë një popull me
dinjitet siç janë popujt e tjerë të Evropës dhe botës. Ne nga këndi i shoqërisë
civile i kemi dhënë vizionet tona për një të ardhme të drejtë e të qëndrueshme,
duke u mbështetur në korrigjimin e kufijve, të cilët si të tillë janë me
probleme. Meqenëse nuk ka opsione të tjera për zgjidhjen e krizës shumëvjeçare
në kë to hapësira, korrigjimi i kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, do të
krijonte një stabilitet afatgjatë në tërë Ballkanin. Tjetër alternativë nuk ka.