Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Kur lëmshit politik nuk i gjendet fija

| E merkure, 21.08.2019, 10:00 AM |


Bisedë me shkas

Nexhmedin Saqipi, koordinator i shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës

KUR LËMSHIT POLITIK, NUK I GJENDET FIJA?!

Nga Sevdail Hyseni

Spektri politik shqiptar, në rajonin e Luginës së Preshevës, merr pjesë aktive në tri palë zgjedhje: lokale, qendrore e nacionale, participin në njëfarë mënyre në jetën institucionale të Serbisë, duke i jetësuar në praktikë ligjet e shtetit ku vepron edhe pse shumë projekte vitale kanë ngecur në gjysmë të rrugës, jo më pak se 27 vjet: Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, Marrëveshja Paqësore e Konçulit 2001, mosçmilitarizimi i këtij rajoni, mosintegrimi i shqiptarëve, moszgjidhja e simboleve kombëtare e probleme të tjera të natyrës politike dhe ekonomike, tha mes tjerash Nexhmedin Saqipi, publicist dhe koordinator i shoqërisë civile për Portalin e lajmeve Jetapress.

Zotëri Saqipi, çka e karakterizon politikën shqiptare në Luginë të Preshevës, nga periudha e Referendumit të vitit 1992 e deri më sot. Çka e bashkon, apo e ndanë spektrin politik shqiptar në proceset politiko-shoqërore nëpër të cilat ka kaluar Lugina?

– Lugina e Preshevës, ka kaluar nëpër tri periudha kohore, nëpër të cilat ajo kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Politika shqiptare, gjatë këtyre periudhave, ka pasur rastin dhe mundësinë të mendoj dhe të veprojë në realizimin e kërkesave me interes qytetar e kombëtar. Periudha më e ndjeshme, ishte ajo e viteve 1992, e cila u manifestua me dy ngjarje me rëndësi politike dhe historike për shqiptarët e këtij rajoni: lindja e pluralizmit dhe Referendumi 1 dhe 2 marsit 1992. Pastaj me radhë erdhi periudha jo më pak e rëndësishme e viteve 2001-2002: konfliktet e armatosura dhe Marrëveshja Paqësore e Konçulit dhe periudha e Platformës politike e këshilltarëve shqiptarë në vitin 2006 e këndej. Në të gjitha këto procese shqiptarët ishin bashkë, pavarësisht disa divergjencave partiakeve, që manifestoheshin gjatë zgjedhjeve për pushtet lokal dhe qendror. Në projektet kombëtare, shqiptarët janë bashkë dhe çdo nismë e mbarë ata i bashkon dhe i nderon, por zgjedhjet për pushtet lokal dhe republikan ata i ndajnë, përçajnë dhe i grupizojnë mbi baza partiake dhe lokaliste. E gjithë kjo ka ndodhur ngase që nga pluralizmi në Luginë të Preshevës e deri tani, janë formuar shumë parti politike dhe po aq shoqata joqeveritare, të cilat dallohen e më pak ofrohen në shumë procese politiko-shoqërore nëpër të cilat po kalon Lugina.

Kompetencat

Si e shihte veten Nexhmedin Saqipi, në të gjitha këto procese?

Gjatë dhe pas viteve të 90-ta, nuk ka qenë lehtë të merresh me politikë. E njëjta gjendje ka qenë edhe në periudhën e viteve 2000. Numri i atyre që merreshin në mënyrë aktive me politikë, ishte i paktë. Disa që merreshin me tregti dhe ishin të punësuar në arsim, kishin frikë se mund të ndëshkoheshin nga ish regjimi i Millosheviqit. Më vonë në sistemin pluralist u krijuan shumë parti politike, të cilat jo vetëm që merrnin pjesë aktive në pushtetin lokal, por edhe në atë republikan. Më ka ra hise të merrem me veprimtari të ndryshme politike, kulturore, fetare, informative, sportive etj. Nëpër këto veprimtari, jo vetëm që kam marrë pjesë aktive, por edhe kam qenë drejtues i disa prej tyre në cilësinë e kryetarit. Kur i kujtoj sot ato periudha dhe i krahasoj me këto vitet e fundit, habitem dhe e pyes veten se a janë po ata njerëz kur dje silleshin ndryshe e sot sillen sikur nuk janë ata të djeshmit. Vrapimi pas pushteteve të kufizuara lokale dhe pas atyre qendrore joproduktive, më kanë larguar nga politika, për tu angazhuar në shoqërinë civile, zëri i së cilës pak dëgjohet për shkak kushteve në të cilat ajo vepron dhe raportit të saj me pushtetet lokale dhe qendrore.

Çka mund të bëjë shoqëria civile në krahasim me atë çka kanë mundur ta bëjnë partitë politike?

– Shoqëria civile nuk them se mund të bëjë mrekullira. Por, ajo është një zë i ndërgjegjes së qytetarëve për të korrigjuar veprimet e njëanshme të spektrit politik dhe një dorë e zgjatur e qytetarisë për luftimin e dukurive negative në proceset shoqërore – politike. Po sikur të dëgjohet zëri i shoqërisë civile skena jonë politike do të ishte më ndryshe. Kur shoqëria civile mundohet nga këndi i saj të ofroj plane ideore për zgjidhjen e problemeve shqiptare në Luginë, spektri politik i këtij rajoni nxjerr deklarata politike, duke kërkuar vetëm reciprocitet me serbët e veriut të Kosovës, me të cilët nuk na lidhë asgjë. Ata prej kohësh e kanë braktisur rrugën institucionale të zgjidhjes së problemeve, kurse në nga Lugina e Preshevës, kemi marrë pjesë aktive nëpër të gjitha nivelet zgjedhore edhe pse nga këto procese, nuk kemi pritur rezultate konkrete nga Beogradi.

Sfidat

Angazhimi në jetën e shoqërisë civile, çfarë rezultate prisni nga ajo?

– Të merresh ekskluzivisht me veprimtari të shoqërisë civile në këto rrethana, e të mos mendosh për proceset politike është e pamundur. Lehtë është të heqësh dorë nga politika e të merresh me ndonjë veprimtari tjetër me interes shoqëror, por vijnë të tjerët të cilët politikën e kanë për interes personal dhe ta thurin historinë. Lugina e Preshevës, gjendet para sfidave të reja. Na duhet, mbi të gjitha uniteti, bashkimi i mendjeve dhe qëndrimeve. Lufta për pushtet lokal na ka ndarë dhe na ka përçarë deri në ekstremitet. Të gjithë e dimë se pushtete lokale i kanë kompetencat e kufizuara dhe nuk pritet shumë nga to. Fryma e bashkimit kombëtar na mungon dhe në këtë drejtim edhe mungesa e një koordinimi më të plotë të faktorit relevant shqiptar. Secili i shikon punët e veta. Kur shkon e pyet për ndonjë çështje madhore faktorin politik shqiptar në Tiranë ose Prishtinë, ai i rrudh krahët, thotë vendosni vetë sipas rrethanave. Askush nuk merr përgjegjësi. Derisa kështu vazhdon çështja jonë do të çaloj edhe në të ardhmen. Nuk mjafton vetëm të kërkosh reciprocitet me serbët e veriut të Kosovës dhe të sillesh si në rreth të mbyllur. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë filluar të humbin durimin nga këto veprime të spektrit politik dhe të zhgënjehen me ardhmërinë politike të këtij rajoni. Lugina po zbrazet ne heshtje e lufta për pushtet e klasës së saj politike gjithnjë po ashpërsohet. Shoqëria civile më kot mundohet të jep vërejtjet e saja, të cilat hasen në vesh të shurdhër.

Pjesëmarrja aktive në veprimtaritë kulturore, fetare, informative, humanitare dhe sportive?

– Nuk kemi politikë të shëndoshë, nëse nuk i kultivojmë vlerat kulturore, fetare, informative, humanitare e sportive. Të gjitha janë të lidhura si zinxhirë. Jam Myfti i Luginës së Preshevës, kryetar i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (BIPBM-së), zëvendës reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, kryetar i Klubit të Boksit “Tërnoci” dhe së fundmi Koordinator i shoqërisë civile. Dikur jam marrë edhe me politikë, duke qëndruar disa vjet në krye të Partisë Demokratike Kombëtare. Jo vetëm kaq, më ka rënë hise të merrem edhe me informim dhe humanitet. Nuk mund të jetë një politik i mirë nëse i mungojnë këto vlera të cilat atë e bëjnë të formësuar. Dikur kur nuk ishte pushteti ta ndihmonte financiarisht sektorin joqeveritar dhe disa nga mediumet e shkruara elektronike dhe të shkruara, u gjeta unë dhe Fondi Humanitar, të ndihmonte ato me mjete financiare. E sot kur i kemi të gjitha, aktivitetet në këtë drejtim janë më të zbehta dhe më të varfra kombëtarisht. Sot kemi pushtet lokal, Këshill Nacional e deputet republikane e disa aktivitete që i kemi zhvilluar dikur, mjerisht, janë zbehur dhe nuk veprojnë të përbashkëta.

Vizionet

Si e shihni ardhmërinë e shqiptarëve në Luginë të Preshevës?

Ardhmëria e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është në dorën tona. Nëse ne e dëshirojmë një jetë më të mirë, më të sigurt dhe më progresive, duhet të punojmë dhe të veprojmë bashkërisht. Duhet gjithashtu t’i lëmë anash inatet, xhelozitë, smirën dhe t’i përvishemi punës së bashku. Popullata shqiptare e Luginës së Preshevës, nuk i ka lënë anash asnjëherë proceset demokratike, të zhvilluara rreth e çark hapësirave të etnikumit shqiptar, besoj se edhe në të ardhmen do të veproj kështu. Me Evropën e bashkuar do të kemi një Shqipëri të bashkuar ashtu siç e dëshirojnë kufijtë e saj natyral. Shqiptarët bashkë do të jenë një popull me dinjitet siç janë popujt e tjerë të Evropës dhe botës. Ne nga këndi i shoqërisë civile i kemi dhënë vizionet tona për një të ardhme të drejtë e të qëndrueshme, duke u mbështetur në korrigjimin e kufijve, të cilët si të tillë janë me probleme. Meqenëse nuk ka opsione të tjera për zgjidhjen e krizës shumëvjeçare në kë to hapësira, korrigjimi i kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, do të krijonte një stabilitet afatgjatë në tërë Ballkanin. Tjetër alternativë nuk ka.