E shtune, 21.12.2024, 01:43 PM (GMT)

Faleminderit

Ibrahim Kabili: Akti heroik i Veli Allës, shprehje e revoltës popullore gjithnjë në rritje

E hene, 19.08.2019, 07:42 AM


Akti heroik i Veli Allës, shprehje e revoltës popullore gjithnjë në rritje

Nga Ibrahim Kabili

Historia e Veli Allës, është një ngjarje, në morinë e shumë  ngjarje të tjera në krahinë dhe më gjerë. Kjo ngjarje evokon situatën në të cilën gjendej Benda dhe gjithë Shqipëia.

Veli Alla ka lindur në vitin 1830 në lagjen Kutreq të Selitës së Malit,Tiranë. Lindi  në një familje me shumë antarë dhe me emër të mirë.  Fshati Selitë dhe të gjithë banorët e Bendës gjatë pushtimit turk nuk u përkulën ndaj armikut, por në breza ishin edukuar me urrejtjen ndaj tijë. Në këtë ambjent e rrethana u rrit dhe u edukua edhe Veliu.

Gjendja ekonomike e shoqërore gjatë pushtimit, taksat e larta, detyrimet në natyrë, puna angari, nizami, apo shërbimi i detyrueshëm ushtarak në vendet e Perandorisë u bënë barrë e rëndë për banorët e krahinës. Në këto rrethana banorët e Bendës, Tomadhesë, Kurbinit përdorën mjete e forma të  ndryshme për të kundërshtuar pushtuesin. Ishte bërë normë e shtetit osman, marrja e djemve të rinj nga Shqipëria dhe dërgimi i tyre ushtar jasht sajë.

Ky fakt i detyroi në masë të gjithë banorët e Bendës (krahinë etnografike në Tiranë) ti regjistronin djemt si lindje të gjinisë femërore. Ky veprim i praktikuar prej shumë vitesh alarmoi Perandorinë Osmane, aparatin shtetëror dhe vetë Sulltanin. Si zgjidhje u gjet ngritja e një komisioni verifikimi, i cili kontrollonte fizikisht çdo fëmijë të lindur dhe do regjistronte të saktë gjininë e tijë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1859, pas reformave të Tanzimatit dhe përpjekjeve për ti zbatuar ato në Shqipëri.

Në krye të komisionit të verifikimit u emërua Haxhi Ali Beshiri dhe dy ndihmës të tijë. Zbatimi i urdhërit të valiut nga komisioni qe i vështirë pasi cënonte nderin dhe dinjitetin e burrave dhe krejt malësisë.Vendimi i marrë nga autoritetet nuk mund të anullohej.Në ndihmë të komisionit u vunë një tabor me ushtarë e xhandarë. Xhandarmëria i parapriu komisionit duke ushtruar presion mbi popullin e zonës.U bë grafiku i kontrollit dhe komisioni filloi nga puna. Me të ardhur njoftimi mbi datën e kontrollit, selitasit u mblodhën burrë për shtëpi tek vendi i quajtur Kuveni i Vjetër. Ata morën vendime të rëndësishme për Selitën dhe që u mbështetën nga e gjithë Benda.Disa nga vendimet e marra unanimisht qenë:

1-Nuk do të pranohej ky komision.

2-Nuk do ti bindeshin këtij urdhëri.

3-Nderi nuk mund të cënohej nga askush

4-Asnjë familje nuk do ti sillte fëmijët për

verifikim.

5-Për mbrojtjen e nderit do qitej pushkë.

Detyrën e vështirë për zbatimin e këtyre

vendimeve e mori përsipër patrioti Veli Alla. Në mbrojtje të tijë doli Selita dhe e gjithë krahina e Bendës. Këtë mbështetje e tregojnë dhe vargjet e këngës:

...Për një pushkë që shtjeu Veli Alla

Plot me burra u mbush shkalla...

Lajmi për vendimet e marra në Kuvend u mor vesh në gjithë  Bendën, por edhe krahinat e tjera fqinje të; Tomadhesë, Kurbinit, Matit. Haxhi Aliu pasi kishte bërë disa regjistrime në disa zona të tjera, vjen me komisionin në Selitë të Malit. Aty gjen vetëm burrat, dhe asnjë grua me  fëmijët në djep. I indinjuar nga mos zbatimi i urdhërit Haxhi Aliu i drejtohet popullit dhe kryeplakut: Ku i keni gratë me fëmijët? Përse nuk e keni zbatuar urdhërin e lartmadhërisë? Sillni shpejt ato këtu! Në këtë

moment Veliu çohet nga vendi dhe me një të prerë burrërore përgjigjet: Nuk është në traditën tonë, kjo që kërkoni ju! Kjo nuk mund të bëhet! Nuk mund të shkelim mbi zakonet dhe nderin tonë! Në debat e sipër me Haxhi Aliun, Veliu nxjerr alltinë që e kishte nën xhuli dhe qëllon mbi të, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas tentativës për tu larguar ai thyen krahun në një gardh, bën rezistencë, dhe më në fund kapet nga xhandarët. E lidhin dhe e nisin në drejtim të Shkallës së Tujanit. Shkalla ishte e mbushur me shumë forca nga Selita dhe e gjithë Krahina. Ato do pengonin me çdo kusht marrjen e Veliut. Autoritetet të njoftuar për bllokimin e Shkallës me forca të shumta e kthejnë Veliun në një drejtim tjetër në rrugën: Mojsit - Tiranë - Elbasan - Ohër - Manastir -Selanik - Stamboll. Mbas një kohe atje bëhet gjygji i tijë, dhe vetëm në seancën e shtatë pranon autorësinë e vrasjes. Gjygji e dënon me shumë vite burg. Pasi kryen pjesën më të madhe të dënimit, lirohet me kusht dhe internohet në Anadoll. Vdes atje në moshën 75 vjeçar, varroset për mos me u kthye më në vendlindje, dhe i vdekur. Ky qe akti prej heroi i Veliut.

Populli më pas, duke përjetësuar aktin heroik të tijë, do thurte këngën:

... Në Stamboll këndon fermani

U vra Haxhi Aliu n' Selit Malit

Ka shku zani e ka shku fjala

Vra e paska Veli Alla...

Gjatë vuajtjes së dënimit, Veliu, njihet me një shok burgu nga Bruz Mali, fshat i krahinës së  Bendës, me mbiemrin Rexha. Veliu në burg thur disa vargje të cilat i sjellë shoku i burgut në familjen e tijë. Në letër ndër të tjera shkruan se në Selitë kishte lënë dy djem; Selimin dhe Shabanin; dy motra të martuara në fisin Hidri dhe Dedej. Po këtu, ai len disa amanete për nënën, gruan dhe fëmijët. Këngët për Veliun u kënduan brez pas brezi në Selitë dhe gjithë Bendën. Akti i Veliut i kaloi përmasat e krahinës dhe u bë një burim i madhë frymëzimi dhe për krahinat e tjera.

Heroizmi i Veli Allës nuk qe një rrufe në qiell të hapur, nuk qe një ngjarje e veçuar, nuk qe një rast i izoluar. Ky akt, flet qartë se zjarri i urrejtjes popullore ishte ndezur në çdo cep të perandorisë, për rrjedhojë dhe në Bendë. Kjo urrejtje kundër turqëve në krahinë, kishte filluar në shekullin e XV-të, vazhdoj me intensitete të ndryshme në shekujt e mëvonshëm por nuk shua kurrë. Kjo u vërtetua më vonë, pasi Benda dhe banorët e sajë, janë protagonistë dhe kanë dhënë kontibutin e tyre në të gjitha kthesat e historisë së vendit. Kjo është një vlerë, dhe  vlera trashëgohet brez.

Kjo temë është marrë me shkurtime, nga fjala ime mbajtur në M.H.Kombëtar në vitin 2018 me rastin e promovimit të  romanit të Vasil Premçit " Fermani i Përgjakur". Romani i kushtohet aktit heroik të Veli Allës.Këtë veptimtari e organizoj botuesi i gazetës "Benda" Mehdi Hoxha dhe Shoqata Benda.

Ibrahim Kabili

Tiranë 19.08.2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora