| E diele, 18.08.2019, 11:36 AM |
SHEFKI PËRVETICA “EJA, PRANVERË!”
Nga Zymer
Mehani
Përmbledhja me poezi “Eja, Pranverë!” e poetit Shefki
Përvetica, është e ndarë në tri cikle:
1.”Dy fjalë vendlindjes”,
2.”Kurrë nënshtrim asnjë armiku” dhe
3.”Dhembje dhe krenari”.
Në ciklin e parë, tani në moshën e pjekurisë, poeti i
rikthehet moshës fëmijërore dhe rinore, kujtimeve të përjetuara në natyrën e
fshatit, në botën idilike, ku përshkruan me shumë lirizëm krojet e vendlindjes,
stanin e kecërit, lëndinën e malin etj, dhe na e paraqet panoramën e dëlirë të
natyrës së fshatit. Te poezitë e këtij cikli dominon motivi i fshatit.
Ja sa bukur i këndon poeti vendlindjes, për të cilën
prore ka shumë mall:
Në kullat tua t’gurta, imja
vendlindje
Me përralla e këngë edhe me
mikpritje
Ndër shekuj kanë folur në gjuhën
amtare
Shumë breza burrash edhe grash
shqiptare
Me dhimbje e lotë për ty ruaj
kujtime
E s’të harroj dot, ty vendlindja
ime!
(Nga poezia “Vendlindja ime”)
Janë këto vargje vërtet një hymn për natyrën shqiptare.
Te cikli “Kurrë nënshtrim asnjë armiku”, mbizotëron motivi i atdhedashurisë, i
qëndresës dhe i sakrificës që bëri ndër shekuj populli ynë për liri, për të
cilën kurrë s?u ndal
së luftuari, duke derdhur shumë gjak dhe duke u flijuar ndër breza.
Atdheu, atdheu mbi të gjitha
Rilindësit na kanë mësuar
Porosinë në vend t’ua çojmë
E t’mos rrojmë të turpëruar
(Nga poezia “Zëri i atdheut”)
Sa bukur, poeti na e rikujton në këto vargje porosinë e
rilindësve shqiptarë se “atdheu, (është) mbi të gjitha” prej nga vjen edhe
detyrimi që kemi ndaj kësaj porosie. Amaneti, pra doemos duhet të çohet në
vend. Dhe, vërtet për ta çuar në vend këtë porosi, u flijuan shumë bij e bija
të kombit tonë, siç ishte edhe vashëza e re nga Llapi ilirik, Ylfete Humolli:
Motër Ylfete- Yll i Lirisë
Lulëkuqe e Llapit
Bijë e Dardanisë
........................
Popullit i dhe fuqi
Armiqtë për t’i zhbi
(Nga poezia “Lulëkuqes”)
Për lirinë e atdheut ranë edhe shumë dëshmorë të kombit,
siç janë: Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Bedri Ahmeti, Fahri Fazliu dhe shumë të
tjerë, që janë simbol lirie dhe vetë liria jonë. Falë gjakut të tyre, sot ne në
atdheun tonë jemi të lirë, dhe:
Vetëm Shqipet dhe Lulëkuqet
Në këto troje janë të lira
Në male, brigje e lumenj
Dhe në fusha të dëlira
(Nga poezia “Të rënëve në Altarin e Lirisë”)
Në ciklin “Dhembje dhe krenari” poeti, Shefki Përvetica,
me mjeshtëri prej artisti do t?na i vizatojë portretet e disa
figurave kombëtare, siç është edhe ajo e mësuesit dhe e atdhetarit, Shaban
Shala:
S’do t’harrohet 63-ta
Mësuesit tonë i merret jeta
Për Flamur e shqiptari
Ngritet trimi n’Pavdekësi
(Nga poezia “Kujtim për mësuesin Shaban Shala”)
Nëpër vargje të këtij cikli poetik do të ndeshemi edhe me
figura luftëtarësh tjerë të lirisë, siç janë Agim Ramadani, Sali Çeku, Adem
Jashari, Zahir Pajaziti e shumë të tjerë, të cilët nën flamur të Skënderbeut s?u
ndalën dot së luftuari për çlirim të truallit amtar:
Thellë nga toka del kushtrimi
-Zgjohuni djema, hasmit bini!
T’ia mbrojmë nderin Dykrenares,
Thërrasin Shqipet e Koshares.
Këndon pushkë e Agim trimit
Sali Çekut-za bylbylit
Zani i pushkëve nji asht’ ba
Pa qenë t’lirë, kurrë s’kem me pra!
(Nga poezia “Djemtë e Shqipes nën nji za”)
Pra, në këto vargje na del tejet i qartë qëllimi i luftës
për çlirim dhe betimi që u bë në Flamurin kuqezi nga luftëtarët kombëtarë, për
ta vazhduar luftën deri në çlirimin përfundimtar, që falë sakrificës dhe gjakut
të tyre, edhe u arrit:
Tash, Kosovë, ma gëzofsh Pranverën
Gjaku i bijve ta ktheu nderën
Me gjak t’kuq çdo cep ujitën
Lulet tua t’shohin dritën!
(Nga poezia “Tash, Kosovë, ma gëzofsh Pranverën”)
Në përmbledhjen poetike “Eja Pranverë”, poeti Shefki
Përvetica, me mjeshtri artistike ka arritur t?i
skalisë në varg figurat e NËNËS dhe të MOTRËS. Në poezinë “Vaji i nënës”,
takohemi me figurën e nënës, që përmban në vetvete karakteristika dhe tipare të
nënës shqiptare. Kjo nënë, përmes dashurisë ndaj djemve të saj, thellë në zemër
e ruan edhe dashurinë ndaj luftëtarëve për çlirim të atdheut (Kosovës), sepse,
edhe i mëkoi me gjirin e saj, duke u kënduar ninullat me motive atdhedashurie,
e kështu i brumosi dhe i rriti me atdhedashuri. Në këto vargje ne e shohim
nënën e bijve më të denjë të kombit tonë, nënën e Jusufit e të Bardhoshit, të
fortë sikur shkëmb graniti edhe në çastet më të rënda, kur e merr vesh rënien e
bijve. Se sa e fuqishme është dashuria dhe qëndresa e këtyre nënave mësojmë,
kur ato e marrin lajmin për vrasjen e djemve të tyre. Ato prapë mbesin të forta,
qëndrestare dhe sypatrembura. P.sh, në vargjet në vazhdim, nëna e Jusufit dhe e
Bardhoshit, në çastet kur e kupton rënien e bijve të saj, nuk u drejtohet bijve
të saj, por, i drejtohet shokut të idealit të djemve të saj, Kadri Zekës:
Jo, Kadri, s’t’harron Kosova,
Bir i nënës, dritë e syrit
T’fala t’zemrës të dërgon
Prehje t’qetë nëna t’uron!
(Nga poezia “Vaji i nënës”)
Ky është qëndrimi i nënës kosovare. Ajo është nënë e të
gjithë bijve dhe bijave që luftojnë për lirinë e atdheut. Sa madhështore është
shpirti i kësaj nëne. Tamam si në legjenda, mu sikur në epikë. Kjo nënë, pra,
me kohë e kishte kuptuar se rruga deri te liria është me ferra e driza dhe, se
deri tek ai diell, nuk arrihet dot pa viktima. Nuk do të harrojmë kurrë se
portreti i nënës shqiptare është shfaqur jo vetëm njëherë nëpër vargjet e
poetit Përvetica. Kështu me figurën shumë të dashur të nënës ne do të takohemi
edhe në poezitë “Nënëlokja”, “Nëna shqiptare”, “Nënë Tereza”, “Ora e dhembjes”,
“Nënës shqiptare” etj., ku kjo figurë gjithnjë na del madhështore, e dhimbshme,
por plot krenari dhe qëndrestare, e plagosur në zemër, por çdoherë e paepur.
Veç figurës së nënës, një figurë tjetër po kaq e dashur, por edhe e dhimbshme,
është edhe figura e motrës, të cilën do ta gjejmë, sidomos në dy poezitë me
nota elegjiake të vëllimit “Eja, Pranverë!”.
Është krejt e vërtetë se në këtë botë njeriu sprovohet.
Shpesh duhet ta pimë edhe kupën e hidhërimit, edhe pse s?na
pëlqen. E gotë shumë e hidhur është edhe ndarja nga kjo botë dhe prej nesh e më
të dashurve tanë. Dhembjen për humbjen e motrës, poeti Shefki Përvetica na e
përshkruan me shumë mall:
Si t’pajtohem me t’vërtetën
Se ti motër s’jeton jetën?
Stina e luleve me kokë përtokë
N’vend të shiut, rigojnë lotë.
(Nga poezia “Pa ty, motër”)
Në poezinë tjetër, të titulluar “Veç edhe një herë”,
poeti tregon se ka shumë mall për ta parë edhe njëherë motrën dhe assesi nuk do
që të bindet se ajo ka ndërruar jetë. Nga dhembja e madhe që ndjen, poeti sikur
rebelohet deri në urrjejte ndaj kësaj bote:
As lotët për ty
Më nuk më bëjnë punë
E urrej këtë botë Se të deshta shumë
(Nga poezia “Veç edhe njëherë”)
Në këtë përmbledhje, gjuha është e kuptueshme dhe rrjedhë
si lumë. Ajo është e lehtë, pa ngarkesa fjalësh a shprehjesh të paqarta.
Herë-herë, për t?i
dhënë ngjyrim krahinor vargut, poeti ka përdorur edhe fjalë dhe trajta
dialektore, por pa teprime. Ndryshe, fjalori i përdorur në këtë vëllim poetik
është i kuptueshëm, sepse fjalët poeti i ka përdorur me përpikëri në gjuhën
standarde, pa shkarje të mëdha. Vargu është kryesisht gjashtërrokësh, por edhe
tetërrokësh e njëmbëdhjetërrokësh. Kryesisht në këto poezi dominon vargu i
rimuar, me të gjitha llojet e rimave, që përmbledhjes ia shton vlerën edhe më
shumë. Prej figurave letrare, më dendur janë përdorur krahasimi, metafora,
epiteti, e sidomos hiperbola.
Mendojmë se përmbledhja “Eja, Pranverë!” është një
përmbledhje e arrirë, me vlera letrare, që do t?i josh
lexuesit, dhe pse jo, edhe do t?i mahnitë me çiltërsinë e shprehjes
nëpër vargjet që rrjedhin si lumë.