Kerko: a
Blerim Rrecaj: Valle fluturash në Radac
E marte, 13.08.2019, 07:54 PM
Valle
fluturash në Radac
Nga
Blerim Rrecaj
Një
ditë e ngrohë, e zakonshme vere, ndonëse quhet ditë me vapë afrikane. E për ku
jemi nis e për ku jemi duke shkuar marrim një vendim përgjatë rrugës. Për në
Radac të Pejës, te burimi i Drinit të Bardhë. U afrohemi bjeshkëve të mëdha që
duken si bjeshkë zanash e përrallash. Ecim para, e para e pas plot vetura që ia
kanë mësyer këtej qoftë për së pari, për së dyti, a për të kushedi të satën
herë, afrohemi me ngazëllim e padurim, për të parkuar automobilat skaj rrugës
së pashtruar pakkilometërshe e hapësirave që restorantet i kanë shndrruar në
vendparkingje. Në numër dukshëm më të madh janë veturat me targa të shteteve të
tjera, dhe kjo dëshmon se mërgimtarët nuk harrojnë të aterojnë dhe pikave
turistike, çlodhëse, mahnitëse e të mrekullueshme të atdheut. Shtegut jo të
gjerë e jo të gjatë ca shitës ambulantë kanë ekspozuar ca artikuj si mjaltë,
reçel boronice e ndonjë gjë tjetër, si për të na kujtuar pikturën e Ismail Lulanit
me titull: Udhëkryq shqiptar. Sidoqoftë, dëgjohet gurgullima e lumit që
zhdirgjet teposhtë, ndërsa ne vazhdojmë për t'iu afruar shtratit të tij, duke u
ngjitur sa më lart te burimi. Shikimet e ndeshura sikur i thonë njëri-tjetrit:
të lum na për këtë lumë, për këtë vend. Ngjitemi dhe deri te shpella në të
cilën hyjnë me rend grupe vizitorësh, e nga hyrja e shpellës del freski e madhe
sikur kur ta lëshojmë klimën në maksimum. Habi e çudi e këndshme kjo freski që
del nga shpella. Dikush pret mjaft gjatë për të hyrë brenda saj e dikush
kthehet për të vazhduar rrugëtimin skajeve të shtratit duke zbrit e ngjitur
shkallëve të rregulluara për këtë qëllim. Nja dy vetë kërcejnë njëri pas
tjetrit nga rrethojat e hekurta në këtë lug me thellësi uji jo aq të thellë, për
të lënë pas gjurmët e bardha pas hedhjes që do treten shpejt. Ca të tjerë
zbresin për të përvjelur pantollonat, për të zbathur këpucët, për të hequr
çorapet, e për t'i vënë këmbët në ujin e akullt të lumit. Dikush largohet
menjëherë, dikush reziston aq sa mundet e dikush zhytet e kryshytet i tëri duke
shijuar lumin për dy-tre, mbase dhe katër minuta. Vija e pjerrtë qumësht e
bardhë e rrëmbyeshme e lumit, derdhet në pellgun e rrumbullaktë, që nxit fjalë
fëmijësh se a mund të quhet kjo ujëvarë a jo. Vazhdon qarkullimi nëpër shkallë,
urave, shtigjeve duke i lëshuar udhë e dhënë përparësi njëri-tjetrit, sidomos
prindërve që shtyjnë karrocat me fëmijë, njëri prej të cilëve është mbërthyer
nga një gjumë i ëmbël pasditeje. Rrjedha të bardha uji gurgullojnë duke iu
dhënë kuptim kundrimeve medituese për burimin e emrin e lumit. Rrallë kund kemi
parë këso fluturash lozonjare, që enden e vërtiten pjerrësive shkëmbore e mbi
lumin gjarpërush. Ca enden të vetmuara. Ca ndjekin njëra-tjerën, siç po bëjnë
këto dy flutura ngjyrëportokallta që vërtiten në një rreth jo të gjerë e
vazhdojnë të hedhin hapat e kësaj valleje ajri. Edhe ne ia marrim valles sa
rrijmë këtu por e vazhdojmë atë edhe duke u larguar e duke marrë me vete
freskinë e magjishme të të bukurit Radac...