Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Saçi politik mbi popullin e vuajtur të Kosovës
E enjte, 08.08.2019, 07:07 PM
Saçi politik mbi popullin e vuajtur të Kosovës
Nga
Ndue Ukaj
Shteti
nuk është projekt dosido, por është projekt madhor që bëhet nga njerëz të
ditur. Dhe jo një mësymje që i ngjan një gare pehlivanësh, ku provohet kush
është më i fortë e më i zhdërvjelltë në rrëzimin e tjetrit. Shteti nuk është as
koncept kuvendimesh nëpër oda, nën cikërrimën e gotave të çajit e tymit të
duhanit e ku flitet me ton të lartë dhe ku vërshojnë intriga e thashetheme
pafund. Shteti, parasëgjithash është koncept dituror, i njerëzve profesionistë,
të urtë dhe fisnikë, që të vërtetat i formojnë duke u bazuar te empiria,
modelet kulturore e politike dhe te shumësia e librave dhe dijeve humane.
Në
mungese të një shkolle kombëtare për shtetin, shoqëria jonë rropatet andej e
këndej, pa mundur të gjejë paqe e prehje për vete, dhe përditë e më shumë, në
sytë e botës, ajo paraqitet si një fëmijë me probleme serioze, rrita dhe pjekja
e të cilit vërtet është në pikëpyetje të madhe.
Kjo
ndodh, sepse, projekti ynë shtetëror nuk i nënshtrohet një kritike diturore e
as një gjykimi racional, por është punë e mendjelehtëve që kënaqen me pak, me
një vizitë kurtuazie, nën hijen e një peme, në një restorant, me një qengj të
pjekur, duke cakërruar ndonjë gotë raki apo duke ia krisë këngës dhe me disa
fotografi që përfundojnë në rrjete sociale.
Duke
mos përfillë asnjë model politik - e as demokracinë- te ne është shprishur deri
në rrafsh banal tërë sistemi i vlerave dhe shoqëria është mbërthyer keq nga
pehlivanë e mashtrues. Kjo mendësi, ka bërë që në shoqërinë tonë, pak kush të
respektojë dijen dhe të vërtetën. Dhe, për pasojë, pak kush flet me respekt për
këto vlera sublime, rreth të cilave bashkohet shoqëria njerëzore.
Në
vend se t’i plotësojmë zbrazëtirat e mëdha të historisë dhe të dalim nga
zinxhirët e robërisë, ne vazhdojmë të kultivojmë mendësi bashibozuke.
...
Ekskursioni
i vonuar patriotik e ka stërkequr mendimin politik dhe i njëjti e ka tkurrë
deri në masë shqetësuese idenë për shtetin dhe ekzistencën e tij. Derisa
politikanët gëlojnë kryelartë në tabanin shterur patriotik, prej të cilit
përfitojnë shumë- pushtet e famë- populli, në anën tjetër vuan dhe kërkon një
shtegdalje nga kjo angështi. Të pafund janë ata që shtegdaljen e kërkojnë në
ikje dhe të njëjtit e mallkojnë vendin e tyre.
Këto
ditë, kam dëgjuar shumë njerëz të dëshpëruar që nuk presin asgjë nga vendi i
tyre dhe e gjykojnë si mallkim të jetojnë dhe t’i lënë fëmijët e tyre aty, ku,
sipas tyre, nuk ka ardhmëri.
Kjo
më ka trishtuar!
Me
siguri, arsyet e këtij dëshpërimi janë të shumta dhe për to kërkohet analiza të
shumta e debate të mirëfillta. Unë besoj se kjo është edhe pasojë e historisë,
mendësisë dhe trashëgimisë, por tani nuk është rendi të merremi me këto tema.
Arsyet
kryesore pse shqiptarë - njëzet vite pas çlirimit- vuajnë, janë të brengosur,
të hidhëruar dhe të mërzitur, lidhen kryekëput me sistemin e çoroditur që kemi
ndërtuar, një sistem ku, drejtësia nuk është drejtësi dhe ku të mirat publike
nuk janë të mira publike për të gjithë e ku sistemi i vlerave është përmbysur
keq.
Tash
e njëzet vite, flitet pafund për politikë dhe në këtë fushë gëlojnë figura
mjerane që të vetmin adut e atribut për të qenë në jetën publike e kanë
patriotizmin shterpë. E të njëjtit, duke bartur mendësi pehlivanësh, kanë
ngulfatë mendimin publik dhe nuk kanë lejuar që të mbyllet epoka e dokrrave
patriotike dhe të ringritet shteti në përkim me standardet moderne, pra, që,
politika të përkthehet me terma zhvillimorë. Ky është patriotizmi i vërtetë,
fisnik dhe shëndetdhënës.
...
Njëzet
vite pas luftës, shoqëria jonë është mbërthyer nga një angështi e rrezikshme,
që duket sikur ia ka ndalë frymën dhe orën. Dhe, ata të paktët që kanë një
grimë shpresë për një të nesërme pozitive, presin një forcë të jashtme për t’i
çliruar nga kjo angështi dhe pastaj të ngrohën edhe njëherë në rrezet e bukura
të lirisë. Pra, ata presin një fuqi prometheane që t’iu sjell zjarrin.
Ç’është
e vërteta, për njëzet vite, rrezet e vërteta të lirisë, që janë përparimi,
mirëqenia, paqja, etj., njeriun e Kosovës nuk e kanë ngrohë dhe nuk ia kanë
ushqyer shpresat dhe besimin se e nesërmja mund të jetë me progresive për ta
dhe vendin e tyre, për të cilin kanë sakrifikuar shumë.
Duke
vegjetuar dhe duke heshtur, e kemi ndihmuar këtë sistem të mjerë dhe u kemi
dhënë krah budallenjve dhe tash jemi pushtuar nga pushteti i tyre injorant, e
cili, ka mbërthyer çdo gjë, duke filluar nga ligjërimi publik deri te oazat ku
ngjizet personaliteti i një kombi dhe fizionomia e një shteti, te shkollat.
...
Njëzet
vite pas lufte është bërë klishe të dëgjohet tek thuhet se Kosova, në këto dy
dekada, kurrë s’i ka patur punët më keq. Dhe ky ligjërim ka bërë që të formohet
një botëkuptim çoroditës, të cilin e dëgjon përditë dhe kudo: “këta jemi ne dhe
kaq vlejmë ne”. Kjo mendësi tanimë rri si saç përvëlues e thanë shpresa e nuk
lë të kultivohen ideale dhe të kërkohet udha për ringritje.
Udha
e ringritjes se një vendi nuk mund të gjendet pa u fisnikëruar mendimin dhe
ligjërimin publik, forcë kjo që i formon të gjitha të vërtetat.
Kurse
te ne, çuditërisht, sa më halldup, aq më shumë terren në fushën publike. E
arsyet janë të qarta: shumëkujt i konvenon të stërvitet edhe një brezni në
cektësi, sepse kështu e zgjasin pushtetin e tyre injorant.
...
Në
një shoqëri ku nuk bëhet luftë për ide dhe parime, natyrisht, aty çon krye
padija, e cila e vizaton kudo fytyrën e vet. Te ne, injoranca më nuk është
vetëm fuqi, siç thoshte Orwelli, as epidemi stinore, por një gjendje metastaze.
Dhe frytet e saj preken përditë dhe në çdo fushë, duke filluar nga idetë e
tredhura patriotike, arroganca, kontrolli, ligjërimi i cektë, dëshpërimi,
varfëria, ikjet, retardimet, "elitat" e çoroditura, arkitektura e
shëmtuar...
Kjo
gjendje, prodhon kufoma intelektuale dhe autoritete të rreme me tonelata, në
politikë e media, të tillë që jetojnë të dehur nga lavdia dhe mania e famës. Të
njëjtit, natyrisht, tmerrohen nga e vërteta dhe saktësia.
...
Janë
të paktë ata shqiptarë që besojnë se ne, mund të bëjmë vepra të mira në vendin
tonë dhe në tokat tona. Ndaj, shterpësia dhe cektësia vërehet kudo: në art,
arkitekturë, shkencë e politikë. Kudo dukemi pak dhe pa shkëlqim. Ose, bëhemi
krejt qesharak dhe tentojmë të kapemi nëpër disa merita që pak na përkasin ne.
Për
arsye historike dhe të trashëgimisë dhe në mungesë të uniteti politik e
kulturor, ne, nuk kemi arritë ta kuptojmë çka është shteti apo thënë ndryshe,
koncepti ynë për shtetin vazhdon të jetë foshnjorë. Pa e tejkaluar këtë
mendësi, shpirtngushtësinë, inatet dhe përsa kohë nuk ndërgjegjësohemi se
shteti është projekt madhor, i njerëzve të ditur, ne do të vërtitemi në këtë
vorbullën e errët.
Po
e përsëris: Shteti është vepër madhore. Vepër e sofistikuar, që latohet nga
mjeshtër të kulturuar, të urtë e mendjehapur, të përgatitur dhe me shije të mirë,
dhe që punojnë me shumë dashuri për të, ashtu siç punon artisti i rryer në
veprën e vet.
Dhe,
sa herë që ka dyshimi, kërkon kritikun, modele paraprake, mendimin e tjetrit.
E
kjo mendësi është larg nesh e disa e kanë abortuar.
Me
udhëheqës dhe elita udhëheqëse që shtetin e konceptojnë si çiflig, ne edhe dy
dekadat e ardhshme do të kukurisim e ulërijmë, ashtu siç kemi bërë tash e dy
dekadat e shkuara.
Shoqëria
jonë ka nevojë të injektohet nga etika e përgjegjësisë dhe dashuria vepruese
për atdheun, dijen e kulturën. E atdheut, shërbimin ma të mirë ja bëjmë me
shkollim të mirëfilltë, me libra dhe institucionalizim të dijes, dhe
paralelisht me këtë, me deinstitucionalizim të kapadaillëkut dhe njerëzve të
fortë, që e kanë varfërua jetën tonë në të gjitha pikëpamjet.
Për
ta mposhtë të keqen, nuk mjafton kamçiku, por duhet një ide e mirë, kanë
këshilluar të diturit. Pra, duhet investim sistematik në dije dhe kulturë.
Sepse, shpata e sotme, është hollimi i mendjes, thoshte iluministi, atdhetari
dhe dijetari i pashembullt, At Shtjefen Gjeçovi.
Pra,
ne na duhen mendje të holla dhe të përkora dhe jo karagjozë e bashibozukë të
fortë, megaloman, që sillen si dhija e zgjebosur me bishtin përpjektë.
Unë
besoj se kultura dhe idetë kulturore janë udha e ringritjes së vendi tonë të
dërmuar nga politikanë pehlivanë e mendjeshkurtër. Sepse, “politikë s'ka, vetëm
kulturë", shkruante eruditi Branko Merxhani, më 1936, në një tekst të
botuar te revista që ai e drejtonte atëherë, “Përpjekja Shqiptare.” Edhe
Norberto Bobbio, filozofi dhe juristi i shquar italian shkruante se “nuk ka
politikë pa kulturë”. Pra, të diturit e kanë thënë qëmoti se asnjë shoqëri nuk
mund të mbahet e bashkuar pa qenë e bashkuar në kulturë dhe kjo bëhet në
shkolla dhe nga elita të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme që nuk përqurren
përpara manisë së famës dhe nuk ndërrojnë mendime sa herë ndërrojnë stinët.