Kulturë
Myzaljen Hoxha: Moderniteti letrar migjenian
E premte, 02.08.2019, 06:31 PM
MODERNITETI LETRAR MIGJENIAN
“
Migjeni është shkrimtari ynë më konceptual i modernitetit letrar
“. Moikom ZEQO
Nga
Myzaljen Hoxha, Poet dhe eseist
Arti letrar migjenian është sa një materje artistike, aq
dhe koncept njohës institucional për vetë artin.
Migjeni kishte një mendim
letrar dhe filozofik i kultivuar e i thellë, që ja kundërvuri shkapërdredhjes
së artit si mjet i thjeshtëzuar politik, duke krijuar pavarësinë relative të
artit në shoqërinë shqiptare të viteve 30-të të shekullit 20-të. Me këtë statur
letrare, Migjeni i hershëm na vjen aktual sot, që na bënë të mundur njohjen e
semantikës shoqërore, morale e psikologjike të jetës shqiptare.
Me poezinë dhe prozën
migjeniane shkohet thellë në fshehtësinë e ndjenjave dhe mendimeve, që na bënë ta zbulojmë, njohim e jetojmë botën
që na rrethon.
Moderniteti
letrar i Migjenit e ka zanafillën
tek elementët e Ekspresionizmit : - Fryma, stili, ekspresiviteti,
grotesku, frika dhe goditja e parë e strukturës narrative, fjalia e shkurtër
dhe lirizmi i shpejtë e i përmbledhur, i frymëzuar nga idetë niçiane të “
Mbinjeriut “, “ Pesimizmi “ fojerbahjan
dhe “Mendimi i lirë filozofik” millian. Zëri i protestës së vërtetë sociale i tij,
është krijuar dhe rritur në “ inkubatorin “ e “ Rënies së Idhujve “ të Niçes,
pesimizmit emblematik të Fojerbahut dhe filozofisë së mendimit të lirë dhe
ndërgjegjes së hapur të Xhon Stjuart Millit. Ai krijoi plazmën e modernitetit
letrar shqiptar me “ Lindjen e njeriut “, e “ Trajtat e Mbinjeriut “ , me “
Trumcakun e plagosur “ si sinonim i “ Dallandyshes “ së Fojerbahut, dhe “
Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur ?! ” si frymë e “ Më mirë të jem një Sokrat
i pakënaqur se derr i kënaqur “ i Millit. Nuk kemi të bëjmë absolutisht me një
imitim, por me ide të reja që veprojnë dhe ndryshojnë një realitet të ri të
shoqërisë shqiptare.
“
Traktati letrar filozofik ” i Migjenit është triniteti Njeriu, Sokrati dhe Dërri, ku personazhi i
rremë është de jure Sokrat, dhe de facto Derr. Derri si metaforë e banalitetit,
babëzisë dhe mediokritetit.
Tematika e veprës letrare
të Migjenit është e njëjtë me tematikën sociale të mprehtë të dëshpërimit
njerëzor dhe padrejtësive shoqërore.
Hulumtimi shkencor në fushë
të letërsisë së viteve 30-të kërkon cilësimin e rolit të Migjenit në letërsinë
shqipe, si një ekuilibër jo të brishtë mes mbivlerësimit dhe nënvleresimit të
statuesit të tij, të njeriut të letrave shqip. Duke u lexuar dhe studjuar
letërsia migjeniane si në rrafshin semantik dhe atë estetik arrijmë në përfundimin
se Migjeni e ndau letërsinë shqipe, ashtu siç u nda koha me Krishtin, pra në
histori letrare paramigjeniane dhe pasmigjeniane.
Letërsia paramigjeniane kishte si karakter të saj natyralizmin, religjionin dhe
atdhetarizmin, që në kuptimin kulturor përbën substancen artistike të saj.
Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi më herët,
dhe Naim Frashëri, Asdreni, Çajupi, Fishta, Mjeda, Serembe e tj. janë
përfaqësuesit më të zëshëm dhe serioz të kësaj letërsie. Migjeni ishte fenomeni
ngazëllues në letërsinë e kohës, dhe nuk ka paraardhës, pasi ai ishte ndryshe
nga Çajupi folklorik, Asdreni patriotik dhe Fishta patetik.
Qartësia e të shkruarit e
Migjenit ka të mbartur kuptimin e së vërtetës jetësore. Të jesh i drejtë me
botën që të rrethon, për të do të thotë të shohësh qartë dhe të dallosh thelbin
dhe konturet e pafundësisë së dritës së dijes, që është jetëdhënëse për njeriun
dhe mjedisin ku jeton. Mjerimi pjell e varfërisë së shpirtit e bënë atë të
rënkoj dhe të kërkojë në lëkundjet e mundimshme mes “ Po-së “ dhe “ Jo-së “ së
jetës së viteve 30-të të shekullit 20-të.
Letërsia e tij e lindur nga
probleme të marrëdhënieve jetësore hedh dritën e qartësisë mbi gjërat e këqija
të kohësisë së tij. Klima e shpirtit të tij është sa e ashpër, aq dhe e butë,
si dy gjysma që bëjnë një të tërë : Vrulli i ashpërsisë dhe e qetësia e
butësisë. Migjeni si njohës i mirë i filozofisë së jetës e mundësuar nga Niçe,
Fojerbahu dhe Milli krijoi diellin e jetës së letërsisë së tij, dhe beson tek
ai, sikurse bima tek dielli, dhe nëpërmjet saj hap rrugën e modernitetit të
letërsisë shqipe. Forma e qetë kristalore e mendimit letrar të tij hyn në
letërsinë shqipe, si drita që depërton në çdo thellësi, si qartësi që shkëlqen
në çdo fjalë, si muzikalitet në çdo pauzë dhe tingull kumbues në çdo varg
poetik dhe frazë prozaike të letërsisë së tij.
Një gjuhë e tij, e aftë të tendoset, të kërcejë dhe të shpreh të gjitha
“ valët “ e lëmuara tek “ Fjalë të lira “, e trishtimit të thellë tek “ Poema e
mjerimit “, dhe e metaforës së mënçurisë
dhe banalitetit tek “ Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur ?!”, një gjuhë
letrare, e cila është e aftë të shpreh gjithçka, pa e ndalur hapin për një
letërsi estetike dhe ekspresive të së ardhmes së saj.
Letërsia migjeniane është
korda e zërit e shpirtit të njeriut, një shpirt që këndon për një jetë më të
mire të ngritur “ gërmadhash “. Ndjenja e tij duplekse, arsye – emocion ngjizi letrarisht frytet e
veta dhe shtoj etjen e pangopur për jetën. Me estetikën letrare migjeniane mori
kuptimin dhe bukurinë letërsia shqipe, duke u futur në hullinë e letërsisë
europiane dhe botërore. Ideja se bukuria dhe madhështia e veprës letrare ndajnë
një status të barabartë si kategori estetike themelore, është e shprehur qartë
në tërë poezinë dhe prozën migjeniane. Tradita letrare, dhe jo vetëm, por dhe e
artit si një i tërë e pohon këtë deduksion, që bukuria dhe madhështia nuk e
përjashtojnë njëra - tjetrën. Duke e konceptuar bukurinë e veprës letrare të
Migjenit si një vlerë estetike të qëndrueshme në kohë, atëherë bukuria kalon në
madhështi të veprës letrare të tij. Madhështia e veprës letrare të Migjenit
është një madhështi e ngritur në piedestalin e kohës moderne shqiptare.
Kënaqësia që na jep
letërsia migjeniane, na e fuqëzon pohimin e gjykimit tonë për madhështinë e
saj. Një madhështi letrare e krijuar nga e bukura, dhe një e bukur e dalë nga
shëmtia e një realiteti të zymtë e të trishtë shqiptar.
Gjthësesi, edhe këtu
shfaqen gjykime të sakta e të pasakta të pëlqimit të letërsisë migjeniane, ose
disa gjykime janë më të mira se të tjerat. Përgjigjen e saktë për këtë dualitet
vlerësimi e shpreh parimi normativ estetik : - Kur një gjykim estetik është i
vërtetë, atëherë kundërtia e tij është e gënjeshtërt.
?shtë pikërisht estetika letrare e Migjenit që zbulon e kundërshton studimin
sipërfaqësor të letërsisë migjeniane, nga kundërshtarët e pavërtetë dhe cinikë
të tij.
Me estetikën letrare
migjeniane, letërsia shqipe filloi të marrë frymë estetikisht dhe muzikalisht,
tashmë si letërsi moderne e nisur drejt stacioneve të kulturës letrare europiane dhe botërore. Në hapësirën
letrare shqiptare gëlon deviza jetësore e saj : - Jeta pa letërsi është një
keqkuptim, një kohë e jetuar dhe jetë e mohuar.
Migjeni i dha letërsisë
jetën reale, për të mos vdekur nga e vërteta jetësore. Deri në aureolë të
estetikës letrare, të së bukurës letrare, ai u ngrit për t`i dhënë kuptim jetës
dhe vdekjes, kësaj dileme të kohës së tij, por edhe të së ardhmes shqiptare.
Vepra letrare e Migjenit
vepron në mënyrë impulsive. Çdo gjë e mirë, miqësore dhe dashamirëse, dhe vetë
ai, spostohet tek realiteti gri i kohës së tij. Me çdo poezi, prozë dhe skicë
letrare që shkruante dhe botonte e bënë armik të pushtetit dhe mik të popullit.
Në Pukë Migjeni krijoi vetminë krijuese të vlerave të mëdha artistike të
letërsisë shqipe.Ai nuk gjen asnjë grim besimi tek “ Trajtat e Mbinjeriut “ e
tj. të parisë kombëtare, por merr mirënjohje të thellë tek “ Luli i Vocërr “ e
tj. nga vegjëlia kombëtare. Në atmosferën ku mirrte frymë, ai thithte gjithmonë
e më pak ajër, pasi oksigjeni ishte i pakët. Kjo qetësi e ftohtë e vetmisë së
mërzitshme e kthen në “ poliemilit dhe tuberkuloz “ frymarrjen e tij, sa fizike
aq dhe letrare. Migjeni ndjente dhimbjen jo vetëm për mjerimin e kohës së tij,
por edhe vuante shpirtërisht nga mungesa e lirisë së mendimit dhe ndërgjegjes.
Duke qënë kaq shpejt dhe shpesh në kufijtë e vdekjes, ai dinte më shumë për
jetën se gjithë të tjerët. Përkeqësimi i sëmundjes dhe rëndimi i shëndetit, i
dhanë kuptimin dhe qëllimin jetës së tij, masa e matjes së çdo gjëje, se vetëm
tek ajo ndodhet “ metri “ e të gjitha vlerave dhe pasurive të tij.
Në veprën letrare të
Migjenit gjen aspiratën e njerëzve për një jetë të lirë, të lumtur dhe të
dinjitetshme dhe pa patur frikë për të ardhmen.
Realizmi kritik ekspresiv i
Migjenit shprehet fuqishëm në poezitë e para të tij : “Zgjimi”, “ “Të birt` e
shekullit të Ri”, “ Shpirtnit shtegëtar “, e deri tek “ Vargjet e Lira “ , “
Poema e Mjerimit “ e tj, në 24 prozat dhe skicat letrare të shkruara brënda
harkut kohor !933-36 : “ Bukën tonë të përditshme falna sot “, “ Bukuria që
vret “, “ Mollë e ndalueme “, “ Legjenda e Misrit “,“ Zoti të dhashtë”, “ Luli
i Vocërr “, “ Të çelen arkapijat “ e tj, në shkrimet antishtyp zyrtar : “ Kënga
skandaloze “, “ Novelë mbi Krizën “, “
Programi i një Reviste “ e tj.
Rrëfimi, psikologjia e hollë dhe fryma polemike letrare e filozofike, dhe
sarkazma janë tiparet thelbësore të letërsisë migjeniane. Ligji i frymëzimit
dhe i përjetimit shpirtëror e udhëhoqën atë në ligjërimin poetik dhe prozaik të
jetës së përvuajtur të njerëzve. Figura letrare zotëron fuqinë e duhur që të
mbartë përmajtjen, vetëm kur nuk është përdorur për ekspresivitet dhe tërheqje
formale.
Migjeni kishte dy vizione :
- Vështrimin kah së sotmes së kohës së tij, dhe vështrimin e përfytyrimin e së
ardhmes. Vargjet e krijuara prej frymëzimit preokupativ, janë vargjet më të
zjarrta emocionalisht dhe kuptimisht më të plota.
Origjinaliteti poetik dhe
prozaik i Migjenit është ndjeshmëria e ngjyrës dhe shprehjes së ritmit poetik
në ravijëzimin e realitetit të trishtë, dhe e konceptualitetit individual në
përkufizimin e materjes që e frymëzon. Ai e ravijëzon qartë realitetin,
plotëson fundësisht shprehjet letrare, dhe përmbush mendimet dhe emocionet e
veta.
Poezia dhe proza e Migjenit
është e vërtetë. Ato të pasurojnë me mendime të thella dhe ndjenja të fuqishme,
që krijohen nga sinqeriteti i frymëzimit, dhe përgjegjësia intelektuale e
shprehjes së tij. Ai nuk është ndalur në shprehjen e ndjenjave dhe përjetimeve
letrare, duke e hapur mëndjen dhe zëmrën ndaj problemeve të mprehta të kohës së
tij. Vargjet e tij shprehin njëherazi, harenë e gëzimit rinor, “ Qeshu rini
qeshu, bota është e jotja “, dhe dhimbjen për mjerimin e peshës intelektuale të
tij. Ashtu sikurse rrethi i ideve dhe mendimeve të tij është i gjerë dhe i
thellë, ashtu dhe vargjet e tij janë shprehje e qartësisë dhe virtuozitetit
poetik.
“ Ngazëllim rinor dhe
optimizëm jetësor “ do ta perifrazonte
këtë gjëndje, historiani i madh i letërsisë shqipe Rexhep Qosja.
Frymëzimet e tij të forta,
vargjet e tij të plota kuptimisht, derdhen në modulacione të qarta ritmike. Ai
gjithmonë është në gjëndje meditimi të thellë, ku gjen shprehjen e qartë
metaforike, që nuk reduktohet në një drejtim, por degëzohet në drejtime të
ndryshme.
“ Nga mali që nuk bëzanë “,
Migjeni do të vuante, dhe në vuajtje do të vdiste.
Si intelektual me
integritet, Migjeni kishte pranuar jetën e “ Sokratit të vuajtur “ dhe jo të “ Dërrit të kënaqur ”. Shëndeti i
tij fiziologjik i kërkonte të heshte, por shpirti i tij krijues nuk heshti
kurrë në atë rrumpallë të zhytur në injorancë dhe mjerim.
Moderniteti i poezisë dhe
prozës migjeniane do të kuptohej thellësisht, kur gjithkush sot do të bënte “
kirurgjinë “ e marrëdhënies së drejtë e
të padrejtë të poezisë me politikën dhe pushtetin korent.“ Një njeri është thjesht një qenie njerëzore. Dy njerëz
janë politikë ”- ka shkruar politologu i shquar amerikan Xhorxh Veliotis*. Pra,
aktiviteti njerëzor është politik në thelbin e vet të tij, por ai është dhe
“lënda e parë” e krijimit të poezisë politike, ashtu sikurse Migjeni ngjizi
poezinë e tij. Kjo është arsyeja që poezia politike, ose ndryshe filozofike
është më e bukur se poezia në të cilën një poet lë jashtë përmbajtjen politike.
Bukuria qëndron tek mesazhi filozofik dhe jetësor i saj.
Kështu që në
takimin më të parë të politikës me poezinë, politika ofron shfaqje rozë, gri
dhe të zezë për poezinë dhe i imponon asaj shikimin e botës sipas sfondit të
saj. Poezia këtë nuk e pranon. Ajo këtë “dhuratë” e refuzon dhe i përgjigjet:
“Unë mund ta shoh botën në dritë të diellit dhe në errësirë, jo në pasqyrën e
politikës”. Politika është një konflikt me të tjerët, ndërsa poezia është
konflikt me vetveten, si shprehje e lirë dhe e sinqertë e çfarëdo efekti të
gjallë dhe ndjesor tek njeriu. Dhe poezia migjeniane sot, nuk është gjë tjetër,
veçëse kujtesa e opozicionit të saj ndaj politikës së mbrapshtë dhe pushtetit
të padrejtë, kur këta të fundit harrojnë ose i largohen detyrimeve të veta
publike.
Poezia
migjeniane e modernitetit letrar, këtu ka funksionin e komunikimit dhe të
dobishmërisë shoqërore. Si komunikim kjo poezi është shprehëse e vlerave,
ndërsa si dobi, ajo është nxitëse e veprimit të njerëzve.
Shkrimi
poetik i modernitetit është bërë një instrument i analizës së vetvetes dhe njëkohësisht
një rrugë e kërkimit të identitetit të vet. Ashtu sikurse është e vështirë të
shkruash një poezi për natyrën, kur, kurrë nuk i je ngjitur një mali, s’ke
prekur një pemë, nuk ke kaluar në këmbë vaun e një lumi apo s’ke shëtitur në
natyrë për ta soditur atë, ashtu është e vështirë të shkruash një poezi
migjeniane, nëse kurrë nuk ke kundërshtuar padrejtësinë sociale, varfërinë, je
i papunë dhe nuk paguan dot energjinë dhe taksat, si dhe nuk paguan dot recetën
e ilaçeve për shëndetin tënd.
Prej arrogancës
dhe shpërfilljes së pushtetit, poezia nuk duhet të politizojë vetveten, por të
jetë e gatshme të anonçojë një qëndrim kontestues për status quo-në, e ngjashme
me qëndrimin e intelektualëve, të cilët veprojnë sipas motos së shkrimtarit të
madh amerikan, Mark TWEN-it : “ Kurdoherë që mësoni, se jeni nga ana e
pushtetit është koha të pushoni dhe të reflektoni, sepse jeni nga ana e gabuar
”.
Nga kjo
pikëpamje, poetët e mëdhenj, jo konformistë, janë intelektualë të shquar, mbasi
ata krijojnë raporte të drejta me të vërtetën dhe janë promotorë të zhvillimit
dhe të progresit. Intelektuali kërkon pastërtinë dhe të drejtën tek fjala dhe
ka guximin t’u dërgojë mesazh “poetëve të oborrit”, që të mos ndotin qëllimin e
lartë të poezisë. Përfaqësuesit më të shquar të poezisë filozofike shqiptare
dhe asaj botërore, me vlera të jashtëzakonshme, që rrezatojnë të sotmen dhe të
ardhmen janë Migjeni, Noli, Asllani, Kadare, Agolli, Uitman, Frost, Uajd,
Bodëler, Neruda, Hikmet, Borges, etj.
Rebelimi
poetik është të thënit “Jo” politikës dhe pushtetit, kur këta të fundit nuk
zgjidhin problemet që kryqëzojnë jetët e njerëzve. Migjeni si poet, është
mendja më e ndritur, që bërë më të mirën e saj për atdheun e tij, për të
shkurtuar rrugën e vuajtjes dhe privimit social nga marifetçinjët e
pushtetit. Ai bëri shumë më tepër se
kaq, por e vërteta ka armiqtë e saj.
Fama migjeniane po kërkohet
të errësohet nga urrejtësit e zilepsur, por kjo famë është e njerëzve të
mëdhenj të letrave shqipe, që ka ardhur vonë, post mortem, por nuk vdes kurrë.
Migjeni sot lëviz mes një
fame merituese të pasur dhe të pastër në vlera letrare, dhe një urrejtjeje të
zilepsur, që kjo e fundit, si për Të dhe për Ne filomigjenianë
nuk do të thotë asgjë.
Migjeni shprehu dhimbjen e
kohës së tij, që ishte një ecje “ Tatëpjetë Golgotës ”, dhe mbi këtë
dhimbje, ai shkruajti me ndjenjë poezinë dhe prozën e tij, prandaj shkenca
letrare i ka dhënë pavdekësinë.
Migjeni hodhi themelet e
letërsisë shqipe drejt një “ Moderniteti cilësisht më të lartë dhe konkret
në rrafshin europian dhe botëror ”. Ai është dritësuesi i bashkëkohësisë
sonë letrare, që hapi hullinë e emancipimit shoqëror dhe artistik për gjithë
shqiptarët.
Migjeni është apogjeu i
letërsisë shqipe, një panteonit i denjë për panteonin e letërsisë europiane të
shekullit 20-të. Ai është edhe sot frymarrja egzistenciale e shoqërisë sonë, si
një shoqëri e etur për progres. Kriticizmi dhe publicistika letrare filozofike
edhe sot ushqehet dhe i referohet mendimit letrar migjenian. Migjeni i
djeshëm për kulturën kombëtare shqiptare është Naim Frashëri i
pardjeshëm, Isamil Kadareja i sotëm, dhe “Nobelisti“ i nesërm, që
vërtetë do të lind sot dhe në të ardhmen.
__________________
Fier, më 19 qershor 2019