Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 230-vjetori i Diplomacisë Amerikane - Marrëdhëniet Diplomatike Shqiptaro-Amerikane
E marte, 30.07.2019, 08:27 PM
230-VJETORI I DIPLOMACISË AMERIKANE –1789-2019
Marrëdhëniet
Diplomatike Shqiptaro-Amerikane
Nga
Frank Shkreli*
27
Korriku, 2019 shënoi 230-vjetorin e themelimit të Departamentit Amerikan të
Shtetit, (DASH). Sipas (DASH) ky
përvjetor paraqet një rast unik për të nënvijuar historinë dhe trashëgiminë e
rolit të rëndësishëm që ka luajtur diplomacia amerikane në të kaluarën, sot dhe
në të ardhmen. DASH organizoi me këtë
rast të veçantë, një ceremoni të sponsorizuar nga Sekretari aktual Amerikan i
Shtetit, Mike Pompeo. Pjesë e këtij
aktiviteti me rastin e 230-vjetorit të themelimit të diplomacisë amerikane,
ishte edhe disa nga gjigantët e kësaj diplomacie, përfshirë ish-Sekretarin
Amerikan të Shtetit, Henry Kisinger dheme biografin e tij zyrtar, Niall
Ferguson, ndërsa ish-Sekretarët e Shtetit Madeline Albright dhe George Shultz
kanë dërguar video mesazhet e tyre për të përshëndetur këtë përvjetor. Të pranishëm ishin edhe një numër
historianësh dhe ekspertë të diplomacisë amerikane.
Në
fjalimin e tij me këtë rast, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u tha të
pranishëmve se, “Me 4 Korrik, 1776, baballarët tonë deklaruan se të gjithë
njerëzit kanë lindur me të drejta të barabarta. Ata kanë thënë se të gjithë ne, secili prej
nesh, jemi të pajisur (nga Perëndia) me të drejta të pa tjetërsueshme. Ne të Departamentit Amerikan të Shtetit, tha
kryediplomati amerikan, Pompeo, ndjekim shembullën e baballarëve tanë. “Ne përdorim diplomacinë për të mbrojtur
pikërisht këto të drejta të patjetërsueshme, jo vetëm për ne amerikanët, por
për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës.
Ne zhvillojmë negociata si me miqë ashtu edhe me armiqët tanë, për të
mënjanuar konfliktet ushtarake me qëllim për të parandaluar vrasjen e njerzëve
të pafajshëm. Ky është një mision që ne
duhet ta marrim shumë seriozisht në çdo moment të veprimtarisë tonë”, ka thënë
Pompeo. “Ne mbështesim kombet që duan
të ruajnë pavarësinë e tyre nga influencat e huaja. Jemi me fat se ne e kemi bazën e vendosur
mbi autoritetin unik moral të vlerave amerikane, në mbështetje të atyre
personave që nuk kanë asnjë zë në mbrojtje të drejtave tyre kur abuzohen të
drejtat e tyre të njeriut”, është shprehur Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo,
në fjalën e tij në ceremoninë kushtuar 230-vjetorit të themelimit të
Departamentit Amerikan të Shtetit. Ai
foli për të kaluarën e DASH, se duke falënderuar të gjithë ata që për 230 vjet,
kanë punuar në fushën e diplomacisë amerikane, duke përmendur disa persona me
emër, të cilët, theksoi Pompeo, na kanë treguar me punën e tyre se çfarë enti
diplomatik është DASH dhe se cili është misioni i diplomacisë amerikane. “Këta heronjë diplomatikë, me shembullën e
tyre kanë përgatitur rrugën për ne, jo vetëm duke mbrojtur lirinë nepërmjet
punës së tyre, por duke qenë njëherazi edhe shembull shërbimi njerëzor”, ka
thekësuar Pompeo.
Duke
shikuar drejtë të ardhmes, Kryediplomati i SHBA-ve tha se është radha jonë tani
që të përgatisim rrugën për ata që vijnë pas nesh, duke përcaktuar me punën
tone sot se çdo të thotë të jeshë anëtar i Departamentit Amerikan të
Shtetit. “Ne duhet të jemi, Një grup pune
që bashkpunon për Një Mision të vetëm drejtë Një të Ardhme të vetme”, ka
porositur ai kolegët e tij në DASH. Kjo
duhet të ndodhi, nënvijoi Pompeo, nga një administratë në tjetrën, nga një brez
në tjetrin, si dhe nga detyra në detyrë, ashtu edhe prej një roli në tjetrin,
cilët do qofshin ato – të angazhuar -- theksoi Mike Pompeo -- “Në mbrojtje të
Kushtetutës dhe të popullit amerikan, duke shërbyer me profesionalizëm dhe
integritet dhe me përgjegjësi për çdo veprim që ndërmarrim gjatë detyrës tonë”,
është shprehur ai.
Sekretari
Amerikan i Shtetit përfundoi fjalën e tij në ceremoninë e 230-vjetorit të
themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke u bërë thirrje kolegëve
të tij, që me punën e tyre sot, të shërbejnë si shembull për diplomatët e
ardhëshëm amerikanë. “Le të jemi
shembull i mirë për ta, duke mbrojtur parimet amerikane, të cilat e kanë bërë
Kombin tonë më të madhërishmin në historinë e botës.”
Marrëdhëniet
shqiptaro-amerikane
Marrëdhëniet
Shqiptaro-Amerikane nuk mund të thuhet se ishin normale gjatë kësaj historie
230-vjeçare të diplomacisë amerikane.
Shtetet e Bashkuara, sipas portalit të DASH, kanë vendosur marrëdhëniet
diplomatike me Shqipërinë në vitin 1922, pas shpalljes së pavarësisë më 1912
nga Perandoria Otomane. Marrëdhëniet
diplomatike midis Tiranës dhe Washingtonit janë ndërprerë në vitin 1939 për
shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939-43) dhe nga Gjermania
(1943-44), gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Siç dihet pas luftës, për arsye të vet-izolimit diplomatik nga diktatori
stalinist Enver Hoxha, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrëdhënie
diplomatike. U desht të pritej deri në
prillin e vitit 1991 -- kur me shëmbjen e Murit të Berlinit ra komunizmi në
Evropën Lindore e Qendrore -- që të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike
midis dy vendeve tona.
Marrëdhëniet
diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars,
1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.
Delegacioni i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit arrijti në
Tiranë, pas një gjysëm shekulli, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve
diplomatike midis dy vendeve dhe qëndroi atje në mars/prill, 1991. Ambasada e Sh.B.A. në Tiranë u hap më pak më
vonë atë vit me 1 tetor 1991, me diplomatin Kristofer Hill si i Ngarkuar me
Punë “ad interim”, i pasuar nga Ambasadori i Sh.B.A. Uilliam Rajerson, i cili i
paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.
Unë
me disa shqiptaro-amerikanë patëm nderin të ishim të pranishëm në ceremoninë
historike në vitin 1991 në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington për
nënshkrimin e “Memorandumit të Mirëkuptimit”, i cili rivendosi marrëdhëniet
diplomatike mes dy vendeve. Me atë rast
tepër emocional për të gjithë ne të pranishmit, Ndihmës Sekretari i atëhershëm
i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Z Rejmond G.H. Saitc, tha: “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me
vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti [Udrou] Uillson i ofroi
mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar.
Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë
shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre
viteve.”
Më
11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i
parë i nivelit të lartë i Sh.B.A. që ka vizituar Shqipërinë pas periudhës së
gjatë të izolimit të vendit nga regjimi i Enver Hoxhës. Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet
Sh.B.A.-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, me batica dhe zbatica, nga koha
në kohë, varësisht gjëndjes së brendshme politike të Shqipërisë, kryesisht si
rrjedhim i konflikteve dhe mosmarrveshjeve midis dy partive kryesore të
vendit,si dhe për mungesë të rendit ligjor dhe të korrupsionit që ka përfshirë
aktualisht nivelet më të larta të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi
Megjith
vërejtjet dhe kritikat midis miqëve, gjatë pothuaj 30-vjet post-komunizëm,
Kombi shqiptar nuk ka as nuk besoj se do të ketë mik më të madh se
Amerikën. Kjo është treguar herë pas
here nga Washingtoni, madje edhe gjatë periudhës izolacioniste të Enver Hoxhës,
ndërkohë që Washingtoni gjithmonë ka shprehur respektin dhe mbështetjen e
Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse jo për
regjimin e asaj kohe.
Nëqoftse
më lejohet një shënim personal – në këtë 230-vjetor të themelimit të
diplomacisë amerikane dhe pothuaj 30-vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve
diplomatike Tiranë-Washington – e ndjejë veten të privilegjuar që isha në
Tiranë me delegacionin e parë diplomatik të DASH – një ngjarje kjo që shënoi
këthimin e pranisë diplomatike amerikane në Shqipëri pas një mungese prej
pothuaj 50-vitesh. Është normale që
midis miqësh të ketë periudha ftohjeje në marrëdhëniet midis tyre. Kjo ndodhë
edhe me aleatët më të ngushtë amerikanë.
Por lind pyetja se ç’duhet bërë që këto marrëdhënie të mos pësojnë
ftohje, pasi keqësimi i marrëdhënieve Tiranë-Washington është më shumë në dëm
të interesave të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar se sa në dëm të htë
Bashkuara. Kyçi për qendrueshmëri në
marrëdhëniet dypalëshe, janë vlerat e përbashkëta. Nga pikëpamja ime, ashtu siç është rasti
edhe me shtete të tjera të rajonit dhe botës, kjo miqësi midis dy Aemrikës dhe
Shqipërisë shtohet me forcimin e demokracisë së vërtetë dhe të institucioneve
të shtetit, me zbatimin e ligjeve, me luftën serioze kundër korrupsionit dhe me
zhvillimin e ekonomisë së tregut. Por
mbi të gjitha, lidhjet midis dy vendeve forcohen me bashkpunimin e të gjitha
forcave politike shqiptare duke zhvilluar një diskurs normal politik, duke venë
interesin e kombit dhe të popullit të vet mbi interesat personale e partiake,
me përcaktimin e disa qëllimeve të qarta, afat shkurtëra dhe afatgjata
kombëtare. Gjatë 230 vjetë diplomaci,
Shtetet e Bashkuara kanë treguar se një klasë politike, ose një politikan, kudo
në botë, që nuk punon për të mirën e përbashkët dhe për mirëqenjen e popullit
të vet, pa dallim, nuk është një aleat i denjë. Mos të gënjehet ndonjë politikan
shqiptar! Marrëdhëniet e Shteteve të
Bashkuara me Kombin shqiptar nuk kushtëzohen as nuk varen nga ndonjë politikan
i përkohëshëm, as nga ndonjë ideologji, as parti politike, por konsiderohen si
marrëdhënie popull me popull, bazuar në disa vlera, parime dhe të drejta
universale të njeriut, pa marrë parasysh se cili person ose cila parti udhëheq
qeverinë shqiptare, në një kohë të caktuar.
Si me çdo shtet tjetër, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të bazuara
në parimin se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barbarta, pa
dallim.
Në
këtë 230-vjetor të themelimit të Diplomacisë Amerikane, Kryediplomati amerikan,
Mike Pompeo u angazhua se Shtetet e Bashkuara – në marrëdhëniet e tyre me të
gjitha shtetet -- do të vazhdojnë të përdorin diplomacinë, duke u bazuar në,
“Autoritetin unik moral të vlerave Amerikane”,
“për të mbrojtur pikërisht këto të drejta të patjetërsueshme të njeriut,
jo vetëm për ne amerikanët, por për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës”,
deklaroi të hënën në Washington, Mike Pompeo në ceremoninë kushtuar
230-vjetorit të themelimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të
Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të
para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991.